Furnizohen me ujë të pijshëm tri fshatra në veri të Mitrovicës

“Qeveria e Kosovës është e përkushtuar që sa më parë të zgjidh problemet e qytetarëve të Kosovës, sidomos ato që kanë të bëjnë me kushtet elementare për jetë siç është uji i pijes“, kështu ka deklaruar zëvendësministrja e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Besa Zogaj – Gashi, e cila ka vizituar  fshatrat Boletin, Kelmend dhe Zhash që ndodhen në veri të Mitrovicës.

Me këtë rast zëvendësministrja Zogaj – Gashi, e shoqëruar nga zëvendësministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Bajram Gecaj, kanë zhvilluar një takim me menaxhmentin e Kompanisë Regjionale të Ujërave në  Mitrovicë, ku u informuan për ecurinë e furnizimit me ujë për këto tri fshatra, të cilat më parë kanë pasur problem furnizimin më ujë të pijshëm.

Zogaj – Gashi tha se MZHE, është angazhuar që këto fshatra të kenë në afat sa më të shkurtë furnizim të sigurt me ujë të pijshëm, duke shtuar se edhe më tej do të mbështesë iniciativa, të cilat normalizojnë jetën e qytetarëve në tërë vendin.

Ndërkaq, zëvendësministri Bajram Gecaj, tha se nga Zyra e Kryeministrit, respektivisht Zyra për Komunitete për këtë projekt janë dhënë 25 mijë euro, ndërsa procedurat janë zhvilluar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik.

Ai ka shtuar se për funksionimin e pompave të ujit Qeveria ka siguruar tri çështje siç janë financimi, mirëmbajtja dhe sigurimi me energji elektrike, duke shtuar se tashmë Komuna e Zveçanit është zotuar se do të ketë furnizim të rregullt të energjisë për funksionimin e këtyre pompave që furnizojnë këto tri fshatra me ujë të pijshëm.

Ndryshe, të dy zëvendësministrat janë zotuar se së shpejti do të krijohet një grup punues në përbërje të ekspertëve të MZHE-së dhe  KRU “Mitrovica”, ku me këtë rast të gjitha pengesat e furnizimit më ujë do të adresohen ne Qeveri, derisa për mirëmbajtjen e pompave do të kujdeset KRU “Mitrovica”.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …