Lufta e UÇK-së, betejat e shumta dhe fitorja vendimtare kundër forcave kriminale serbe, Çlirimi e më pas Shpallja e Pavarësisë së Kosovës, kanë lënë dhe po lë gjurmë në të gjitha zhanret e krijimtarisë, në poezi, prozë, roman, publicistikë, në studime të ndryshme, monografi për dëshmorët, në artin figurativ, e mbi të gjitha në këngët folklorike, aq të dashura e të preferuara nga publiku ynë, jo vetëm në Kosovë po kudo në trojet shqiptare.
Deri tanë vetëm në Kosovë janë krijuar dhe përditë këndohen mijëra këngë për dëshmorët e martirët. Janë qindra këngëtarë, madje ndër më të njohurit që kanë kënduar e këndojnë këngët e tyre më të përkushtuara për dëshmorët. Në mesin e tyre ka edhe luftëtarë-këngëtarë, madje edhe shumë të njohur, të cilët edhe gjatë luftës, në kohën e pakët të pushimit, kanë marrë në duar çiftelinë dhe iu kanë kënduar bashkëluftëtarëve edhe vëllezërve të tyre.
Në luftën e UÇK-së kanë rënë dëshmorë e martirë edhe shumë emra të njohur si këngëtarë, në mesin e tyre edhe Beqir Gashi, Mujë Krasniqi, Muhamet Malësori, Bejtë Rexhepi Shaqë Avdia, Feriz Krasniqi e të tjerë.
Këngët e dëshmorëve, kudo në Kosovë dhe në trevat e tjera, janë këngë nderimi e përkushtimi, janë këngë të amanetit të dëshmorëve, këngë krenarie e heroizmi, këngë që sjellin në kujtesë luftën dhe qëndresën heroike të trimave e trimëreshave shqiptare, të cilët dhanë jetën “si me le, për liri e për Atdhe”. Andaj këto këngë, mbajnë edhe vulën e kohës, meqë në tekstet e tyre shfletohen fragmente të veçanta të trimërisë, të cilat radhiten në faqet e ndritura të historisë, si tërësi, duke krijuar më në fund kurorën e madhe të lavdisë së përjetshme, e cila kurrë nuk harrohet dhe kurrë nuk tretet, por kthehet e rikthehet si histori, e cila na tregon ku kemi qenë dikur, ku jemi dhe për ku po rrugëtojmë.
Këngëtari, Fatmir Berisha, i takon brezit të këngëtarëve, të cilët kanë gërshetuar traditën e këngëve me elemente folklorike e popullore, ku kënga e përcjellë nga brezi në brez iu ka adaptuar kohës dhe rrethanave, me qëllim jo vetëm për të mbijetuar si e tillë, por edhe për ta begatuar atë në forma të këndimit e të shprehjes. Me një kolorit të lindur të zërit lirik, kënga e tij shquhet për këndim me specifika të përgjithësuara në repertorin e begatshëm dhe motive të shumta të këngëve. Edhe ky këngëtar popullor, një pjesë të konsiderueshme të këngëve ua kushton dëshmorëve, meqë kënga për dëshmorët, sidomos në Kosovën e pas luftës ka qenë dhe po mbetet “hit” popullor, kënga më e preferuar, kënga më e dëgjuar dhe më e respektuar. Këngëtari, Fatmir Berisha ashtu dhe shumica dërrmuese e këngëtarëve të njohur, që u këndojnë dëshmorëve, në këngët e tij derdh tërë mundin, me qëllim që kënga të jetë sa më e përkushtuar sa më tërheqëse e bindëse për dëgjuesin. Për dallim nga këngët e motiveve të tjera, kënga për heronjtë e dëshmorët këndohet me një dozë të lartë të seriozitetit, me përkushtim e admirim të veçantë, pasi ajo i kushtohet gjakut të derdhur për liri dhe si e tillë është kënga, që qëndron në piedestal, mbi të gjitha këngët e tjera.
Fatmir Berisha tashmë është këngëtar i mirënjohur, i cili ka kënduar dhe këndon lirshëm, me përkushtim e seriozitet, me një zë të mirënjohur lirik, këndon me frymëzim, dashuri e respekt për këngën, cili do qoftë motivi i saj.
Përveç këngëve të dëshmorëve ai këndon edhe këngë lirike, këngë të cilat janë kënduar e këndohen kudo ndër shqiptarë, në të gjitha trevat. Edhe ky këngëtar ka trashëguar stilin e këngës popullore, e cila preferohet nga një pjesë e madhe e dëgjuesve, të moshave të ndryshme, gjithnjë me përmbajtje që i referohen një publiku më të gjerë, sesa vetëm kënga rapsodike, e cila preferohet nga një pjesë më e veçantë e dëgjuesve dhe e cila ka në vete disa specifika që nuk i kanë këngët e motiveve të tjera.
Këngët e tij sidomos për dëshmorët sikur ajo për Salih Gashin, pastaj këngët në duet me këngëtarin po ashtu të njohur të këngës rapsodike, Xhavit Maxharra, sikur është kënga historike e trimërisë: “Dridhet toka, deti po gjëmon”, kënga për heronjtë e Klinës, kënga solo për dëshmorin, Bekim Toverlani, për Sokol Gashin, Sakip Bellaqën, për veteranin e luftës së UÇK-së, Habib Morina, për Sahit Thaçin, Besim Mehmetin, Islam Morinën e të tjerë, janë këngë të përkushtuara për dëshmorët dhe këngë të trimërisë, të cilat dëgjohen me endje, jo vetëm nga familjet e dëshmorëve por edhe nga dëgjuesit e tjerë të moshave të ndryshme.
Këto këngë janë kënduar e realizuar me mjeshtri, me tekst të përzgjedhur, të cilat i akordojnë nivelit të dalluar të interpretimit, me mjaft komponentë artistikë të këngës së sotme, e cila po kultivohet kudo të trevat tona, veçmas në Drenicë, Dukagjin dhe kudo në Kosovë.
Këngëtari, Fatmir Berisha disponon një repertor të pasur të këngëve të motiveve të ndryshme, të cilat janë mirëpritur e mirëpriten nga dëgjuesit, qoftë me këndimin e tij solo, apo duet dhe në grup me këngëtarë të tjerë. Së bashku me një armatë të rërë me këngëtarë të tjerë, këto rapsodë po vazhdojnë traditën e kultivimit të këngës burimore shqiptare, me qëllim që ajo të mos degradohet nga tallavaja, nga kënga pa frymëzim e përkushtim.