Xhevat Bislimi

Xhevat Bislimi: Ligji sa për t’u tallur me vlerat e Luftës Çlirimtare

Lufta Antipushtuese Çlirimtare e kombit shqiptar, duan apo nuk duan kundërshtarët dhe armiqtë e saj, ishte Lufta më e organizuar, më e suksesshme dhe më lavdiplote për çlirimin e Kosovës dhe të tokave tjera të pushtuara të Shqipërisë. Para kësaj lufte të madhe shqiptaro-serbe, që do të përfshinte, me patjetër, gjithë tokat e pushtuara të Shqipërisë, nuk mundën dhe s’kishin si të qëndronin indiferente e duarkryq Fuqitë e Mëdha (NATO). Ndërhyrja e NATO-s dhe e Fuqive, që ishin anëtare të kësaj aleance, u bë kryesisht për të penguar një Luftë ndrëballkanike, që do të destabilizonte edhe Evropën. Shqipëria dhe kombi i copëtuar shqiptar s’kishte çfarë të humbiste më shumë, kurse shtetet, që kishin pushtuar më shumë se dy të tretat e Shqipërisë, do të humbisnin shumë… Kufizimi (i imponuar!…) i Luftës vetëm për çlirimin e Kosovë (pa viset e saj) dhe ndërhyrja e “nxituar” e NATO-s nga ajri pati si rezultat një gjysmëfitore dhe një gjysmë lirie për shqiptarët! Ardhja dhe vendosja, sidomos e administratës së OKB-së (UNMIK), u bë pengesë e madhe për ta gëzuar dhe përjetësuar çlirimin dhe pavarësimin e plotë nga Serbia pushtuese neofashiste, që kishte bërë një mal me krime e gjenocid (jo vetëm në Luftën e fundit…) ndaj shqiptarëve!

   Kjo administratë e dhunshme, në bashkëpunim të ngushtë e të plotë me elementin kolaboracionist të vendit, që nuk ishte prekur fare nga Lufta(!), që nga dita e parë u anagzhua me gjithë “arsenalin” e saj për enklavizimin (copëzimin e brendshëm!) e Kosovës! Fillimisht krijoi një “rezervat” serb në Veri të vendit! Mbështetje e fortë për këto politika segregacioniste dhe me “rreze të gjata” kërcënimi për lirinë dhe shkëputjen e plotë të Kosovës nga Serbia u bë KFOR-i shumëkombësh, e sidomos ushtarët e ndonjë shteti me qëllime jo fortë miqësore për lirinë tonë të fituar me sakrifica kolosale. Natyrisht që, për vënien në jetë të këtij projekti antishqiptar, që Kosovës shqiptare i kishte rezervuar një “autonomi substanciale dhe multietnike”, duhej “kompremetuar” Fushata për “kompremetimin” e Luftës Çlirimtare nisi që në ditët e para, krahas “demilitarizimit të UÇK-së”! Me t’u çarmatosur UÇK-ja nisi edhe “gjuetia e shtrigave”! Fillimisht, duke arrestuar e mbajtur në burg pa gjyq luftëtarë të UÇK-së me motive nga më të ndryshmet, e më vonë edhe duke sajuar e akuzuar grupe të ndryshme (“grupi i Llapit, ai i Drenicës, i Kaçanikut, i Dukagjinit, i Nerodimës”!…) me luftëtarë e eprorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!! Me hetuesë, prokurorë e gjyqtarë të “seleksionuar” kastile për dënimin e Luftës së UÇK-së e të popullit shqiptar, nisën edhe proceset e “mëdha” gjyqësore për dënimin e “grupeve të zonave të UÇK-së”!! Bashkëpunim të ngushtë për persekutimin e Luftës Çlirimtare dhe të luftëtarëve dhe eprorëve të saj ofruan bashkëpunëtorët e stërprovuar të Serbisë pushtuese… Ata ishin të preferuarit dhe të dashurit e (anti)drejtësisë dhe të jatakut të UNMIK-ut! Shërbimet e tyre ishin më të besueshmet dhe më të pranuarat nga administrata e dhunshme dhe (anti)rejtësia e UNMIK-ut!!

   Në fillim si të ndrojtur dhe “nazeli”, por më vonë me entuziazëm të shtuar, UNMIK-ut dhe sundimit të tij, iu bashkua edhe një numër i drejtuesëve politikë të UÇK-së! Kjo i dha “legjitimitetin” e munguar dhe sigurinë e madhe UNMIK-ut dhe projektit të tij antishqiptar. Edhe për bastisjet, arrestimet, persekutimin dhe dënimet e luftëtarëve dhe eprorëve të UÇK-së fraza idioteske: “askush mbi ligjin”, ishte bërë standard i padiskutueshëm!! Neveritej shqiptari saherë e dëgjonte këtë frazë bajate të shqiptuar nga goja e atyre që ishin veshur, me të drejtë e pa të drejtë, me meritë e pa meritë, me kostumin e udhëheqësve politikë të UÇK-së”! Kjo i binte që, ata që kishin luftuar kundër Serbisë, sepse vetëm ata arrestoheshin e dënoheshin, paskanë qenë “mbi ligjin e kundër ligjit” ose, se kishin bërë “luftë të paligjshme”!!?? Ata që kishin bashkëpunuar me pushtuesin dhe që ishin përgjegjës e bashkëpërgjegjës për diferencime, arrestime, hetime, torturime, dënime e krime ndaj bashkëkombësve të tyre, jo që nuk i ndiqte kush, por tash ishin të besuarit dhe të përkdhelurit e UNMIK-ut dhe të “partive të luftës”, madje të angazhuar, bashkë me organet e shërbimet e Serbisë, për mbledhjen e “provave” për “krimet” e UÇK-së!! Ky projekt i përpunuar me të gjitha fazat e zhvillimit dhe të zbatimit të tij u “finalizua” me dorën e deputetëve shqiptarë, kur u krijua Gjykata speciale për dënimin e Luftës Çlirimtare të UÇK-së e të kombit shqiptar edhe në shkallë ndërkombëtare (botërore)!! Kësaj radhe, përveç asaj frazës idiotike: “askush mbi ligjin”, u shtua edhe fraza ultraidiotike: “Duhet ta pastrojmë luftën e UÇK-së”!! Dhe, po e “pastrojnë”!!??

Vlerat e Luftës Çlirimtare nuk mbrohen me një ligj

   Dje ishte seanca e tetë e Kuvendit në të cilën hidhej për votim “ligji për mbrojtjen e vlerave të Luftës së UÇK-së”!! Tashmë është e qartë edhe për gurët e sokakut se ky ligj është bër për t’u tallur me UÇK-në dhe me Luftën Çlirimtare të popullit shqiptar… Them kështu, sepse vlerat e Luftës së UÇK-së mbrohen vetëm duke jetësuar programin politik dhe Betimin e Ushtarit të UÇK-së, që mund të përmblidhet në një fjali të vetme: “Çlirimi i Kosovës dhe viseve të saj nga robëria shekullore serbo-malazezo-maqedone dhe bashkimi me shtetin Amë”. Nuk ia dolëm (për njëmijenjë arsye!) t’i çlirojmë dhe bashkojmë të gjitha krahinat e pushtuara të Shqipërisë nga Jugoserbia në këtë kohë por, nëse nuk e bëmë këtë, të paktën Kosovën me këta kufij mund ta bënim plotësisht të pavarur e të lirë nga Serbia. Këtë mund ta bënim, sikur të mos përfshiheshim nga dalldia e “fitores”, nga lakmia për pushtet, për lavdi dhe për para! Kjo nuk u bë edhe për shkakun se i gjithë elementi kolaboracionist, me mbështetjen e fuqishme të UNMIK-ut dhe të vendeve që ishin kundër shkëputjes së plotë të Kosovës nga Serbia, u rikthy në skenën politike e publike, në administratë, në drejtësi, në polici, në media, në arsim e kudo ku mund të ushtronte ndikimin e tij antishqiptar! Ky element e shfrytëzoi mirë edhe klerin fetar (kryesisht mercenary) për qëllimet e tij të mbrapshta! Mungoi drejtësia tranzicionale në Kosovë!? Mungoi, sepse ishin kundër një Kosove shqiptare!

   Prandaj, po them që vlerat e UÇK-së nuk mbrohen duke e “bosnizuar” Kosovën, duke ia ndrruar e mohuar Flamurin e saj, duke e bër gjuhën serbe të barabartë me gjuhën shqipe(!!), duke persekutuar dhe dënuar Ushtrinë Çlirimtare me gjykata vendore e ndërkombëtare, duke rrënuar ekonominë e Kosovës e duke grabitur e kontrabanduar pasuritë e saj, duke “detyruar” gjysmën e shqiptarëve (deri tash) të ikin nga sytë këmbët për të “shpëtuar” nga qeverisja e partive të tyre politike dhe duke bërë bisedime e marrëveshje kapitulluese me Serbinë neofashiste!!…

   Vlera themelore për të cilat u përpoq, qëndroi, sakrifikoi e luftoi kombi ynë janë: Kosova shqiptare, Flamuri i saj shqiptar, me të cilin u bë Lufta dhe rënia e Dëshmorëve të Kombit, liria dhe pavarësia e plotë nga Serbia, e drejta e patjetërsueshme për t’u bashkuar me shtetin tonë, drejtësia dhe barazia ekonomike, politike, sociale e njerëzore, zhvillimi ekonomik, shëndetësia, kultura, arti, letërsia, shkenca, shkolla kombëtare shqiptare… Prandaj, sot, shqiptarët me të drejtë thonë: Të paktën mos u tallni më me vlerat e Luftës Çlirimtare! Koha është ta qepni, të futeni dikund ku s’ju sheh kush e të reflektoni për mjerimin tuaj politik, intelektual, shpirtëror e kombëtar!

Kontrolloni gjithashtu

REAGIM PUBLIK NGA ROSCAP NDAJ INSTRUMENTALIZIMIT POLITIK TË TEMAVE QË NDËRLIDHEN ME CILËSINË E ARSIMIT DHE MIRËQENIEN E FËMIJËVE

Rrjeti i Organizatave të Shoqërisë Civile për Arsimin Parauniversitar (ROSCAP) shpreh shqetësimin dhe indinjatën më …