Mirali Ymer Sejdiu lindi më 28.10.1963 në fshatin Smirë të Vitisë. Ka kryer shkollën e mesme teknike dhe ka qenë studenti i Shkollës së Lartë Teknike, dega e Makinerisë në Ferizaj.
Familja Sejdiu ka qenë e njohur për nga veprimtaria patriotike dhe kombëtare deri në luftën e fundit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës duke dhënë dëshmorë dhe martirë në mbrojtjen e trojeve shqiptare dhe pengimin e depërtimit sllav në trojet etnike.
Prej vitit 1878 e deri te viti 1999 kjo familje ka dhënë shtatë 7 dëshmorë dhe pesë 5 martirë.
Qysh si fëmijë ishte edukuar në frymë atdhetare, duke marrë shembullin nga të parët. Gjatë mërgimit në Gjermani ishte njohur me shumë organizatorë të Fondit “Vendlindja thërret” të cilët bënin furnizimin e luftës çlirimtare në Kosovë. Ishte në kontakt me Fehmi e Xhevë Lladrovcin dhe Ilaz Kodrën.
Miraliu kontaktet e para me ilegalen patriotike vendos qysh në vitin 1995, në Gjermani, duke u anëtarësuar në Lëvizjen Popullore të Kosovës. Ka marrë pjesë në shumë manifestime protestuese kundër pushtuesit serbë.
Si ushtarë i UÇK-së është rekrutuar në Gjermani, ndërsa stërvitjet i ka kryer në Stërvitoren e Durrësit. Pas stërvitjeve, në muajin prill të vitit 1998, nga Shqipëria me disa marrin rrugën për në Kosovë. Ata ishin pajisur me armatim personal por kishin edhe një barrë të madhe armatimi për shokët në Kosovë. Miraliu nga Shqipëria në Kosovë solli dy kallashë, një dhjetëshe dhe një mortajë dore.
Duke kaluar kufirin shqiptaro – shqiptar hasi në pritë të ushtrisë serbe, por së bashku me shokët pas një shkëmbimi të zjarrit arrijnë të kalojnë në Shqiponjë (ish-Jabllanicë). Pastaj në Junik, Likoc dhe në fund kalon në Shkaba (ish-Gllanasellë), në odën e Hamit Lladrovcit, në togun e Qamil Shehut. Ky njësit quhej “Shkaba 5”, i cili kishte disa pika. Për herë të parë është vendosur në pikën Shkaba 5 në Driton (ish-Dobroshevc).
Miraliu, qysh prej prillit të vitit 1998 ka marrë pjesë në shumë aksione dhe beteja kundër pozicioneve serbe dhe makinerisë së tyre. Duke filluar prej muajit maj 1998 UÇK-ja në Drenicë kishte krijuar territore të lira, deri te futja nën kontroll të Grykës së Llapushnikut. Gjatë gjithë këtyre aksioneve Miraliu ishte njëri ndër të parët.
Në fillim të muajit qershor të vitit 1998 kërkohej një aktivitet më i madh nga UÇK-ja për shkatërrimin e bazave dhe makinerisë serbe. Në këto aksione Miraliu ishte njëri nga ata që tashmë kishin përvojë më të theksuar në përdorimin e mortajës së dorës. Me shokët më të afërt: Bashkim Luzha, Xhemajl Ademi dhe shumë tjerë kanë organizuar aksione të shumta kundër forcave të armatosura serbe.
Më 17 qershor 1998 sulmohen forcat serbe te “Kalaja” e Bardhit të Madh. Më 29 korrik 1998 ka marrë pjesë në luftimet e zhvilluara në fshatin Krajkovë të Drenicës. Betejën më të ashpër e ka përjetuar gjatë mbrojtjes së Grykës së Llapushnikut si njohës i shquar i përdorimit të mortajës për shkatërrimin e armatimit serb. Aksionet dhe betejat e këtij dëshmori nuk përfundojnë vetëm në Dukagjin dhe Drenicë, por me kërkesën e Nënzonës së Nerodimes, Miraliu me Bashkim Luzhën dhe Xhemail Ademin, depërtojnë në Zonën e Neredimës.
Pas disa muaj luftimesh, Miraliu, Bashkimi dhe Xhemajli me leje të komandantit të tyre, shkojnë për t’u parë me familjarët.
Në Jezerc, vijën nga Budakova, Zona Operative e Pashtrikut, kurse prej Jezercit të Neredimës, përcjellën nga ushtaraku i njësitit të Kaçanikut, Xheladin Kurtaj dhe dy bashkluftëtarët e tij, Xhemajl Burrniku dhe Lutfi Berisha. Më 7.8.1998 në Gabrricë, priten nga ushtarët e UÇK-së, Danush Kurtaj, Afrim Kurtaj dhe Raif Kurtaj në odën e Miftar Kurtajt pas një rruge të gjatë. Këtu kanë pushuar deri para mëngjesit dhe janë përcjellë nga Danushi, vëllai i Xheladinit edhe për Begrac – Smir dhe Lubishtë. Pas pak ditë qëndrimi në familje, Miraliu, Bashkimi dhe Xhemajli arrijnë në Jezerc të përcjellë nga ushtarët e Kaçanikut me urdhër të Komandës të njësitit të Kaçanikut.
Nga Jezerci, Miraliu kalon në Kaçanik e në Viti, ku sistemohet si ushtar i Zonës Operative të Karadakut. Më 5 prill të vitit 1999 Miraliu në luftë ballë për ballë me forcat serbe, bie trimërisht duke e mbrojtur popullatën në vendin e quajtur, Bjeshkallava në fshatin Smirë të komunës së Vitisë.
Miraliu ka qenë në kontakt të përhershëm me Komandën e Brig.162 “Agim Bajrami”. Shpesh ka qëndruar në Stagovë dhe Begrac kurse koordinimin e punëve e ka bërë përmes Remzi Krrabës, Xhelal Gashit, sipas nevojës është takuar edhe me komandant Bardhin ku ka marr detyra dhe udhëzime për organizimin e luftës edhe në komunën e Vitisë.
Ka qenë i martuar me Naile Sejdiun. Ai ka lënë: Kushtrimin, Eminen, Lirinë, Valentinën, Ymerin, Mirandën. Miraliu ka lënë pas edhe nënë Fatimen, motrat: Merrushen, Mexhiden, Mevliden dhe vëllezërit Muharremin vëlla dhe bashkëluftëtar, Safetin, Sametin dhe Sadatin.
Përmendorja e përbashkët për dëshmorët e 5 prillit është ngritur në qendër të Smirës. Për dëshmorin janë botuar shumë shkrime nëpër gazeta.
Trupi i dëshmorit u rivarros në varrezat e dëshmorëve në Viti. Në shenjë respekti familja e Mirali Sejdiut mori “Mirënjohje” nga Ministria e Mbrojtjes e QPK-së. (H. K.)
Kontrolloni gjithashtu
Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)
Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …