QKMF në Viti pajiset edhe me një autoambulancë- investim nga buxheti komunal

Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Viti, është pajisur me një autoambulancë, investim ky i buxhetit komunal të Vitisë. Kryetari i komunës Sokol Haliti, ka theksuar se ky investim vjen si rezultat i domosdoshmërisë, për përmirësim të mëtejmë të shërbimeve mjekësore. “Pos kësaj autoambulance, ne së shpejti do të pajisemi edhe me një autoambulancë tjetër, nga Ministria e Shëndetësisë ngase është premtim i ministrit, dhe në këtë mënyrë do të arrijmë që të përmirësojmë dukshëm shërbimet mjekësore, pasi që Qendra e Mjekësisë Familjare në Pozheran, e ka të domosdoshme pajisjen e një automjeti të tillë. Prandaj, ne do të vazhdojmë që edhe në të ardhmen të investojmë në QKMF, e gjithashtu do të angazhohemi për decentralizimin e shërbimeve siç është ai i hemodializës, ku pacientët nuk do të kenë rast të udhëtojnë për në Gjilan, por ta kryejnë shërbimin në Viti”, u shpreh kryetari Haliti. Ndërsa drejtoresha e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale Hanife Jonuzi, u shpreh se ky investim është i qëlluar dhe shumë i mirëpritur, si nga personeli, e po ashtu edhe nga qytetarët, që do të ndikojë në përmirësim të shërbimeve. Edhe drejtoresha e QKMF-së në Viti,dr.Vjollca Kadolli-Halili, tha se ka qenë e nevojshme që kjo Qendër të pajiset edhe me një autoambulancë, ngase një numër i madh i pacientëve frekuentojnë këtu. “Mirëpo, me qenë se Ministria e Shëndetësisë do të na pajisë edhe më një autoambulancë për QMF-në në Pozheran, atëherë besojmë se do të arrijmë të plotësojmë nevojat për shërbime më të mira mjekësore”, tha drejtoresha Kadolli-Halili.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari Aliu vizitoi Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare

Kryetari i Komunës së Ferizajt, z. Agim Aliu i shoqëruar nga drejtori i Shëndetësisë dhe …