“Vatra“

VATRA BESON SE AGRESORI NUK DO TË BARAZOHET ME VIKTIMËN

 DEKLARATË E FEDERATËS PANSHQIPTARE TË AMERIKËS “VATRA”

Federata Panshqiptare e Amerikës”VATRA” po ndjek me vëmendje dhe shqetësim situatën që po kalon Republika e Kosovës dhe institucionet e saj pas konfirmimit të aktakuzave nga Dhomat e Specializuar në Hagë për presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, kryetarin e  PDK Kadri Veseli, ish kryetarin e Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqi dhe personave të tjerë nën akuzë. Vatra e vlerëson pozitivisht dorëheqjen e Presidentit Hashim Thaçi si dhe delegimin e kompetencave tek ushtruesja e detyrës së presidentit, Dr. Vjosa Osmani.

Vatra e shqiptarëve të Amerikës e ndjen për obligim Kombëtar, që t’i bëj thirrje aktorëve politik në Kosovë që të forcojnë bashkëpunimin, të rrisin unitetin dhe të respektojnë institucionet shtetërore.

Qytetarët e Kosovës duhet të ruajnë gjakftohtësinë dhe të besojnë se askush nuk mund të kriminalizojë ushtrinë e një populli që kërcënohej me gjenocid. I gjithë faktori shqiptar në Ballkan kërkohet të jetë i bashkuar dhe në një zë për çështjen tonë Kombëtare.

Federata Vatra shpreh bindjen se të akuzuarit, ish drejtues të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, do të jenë në gjendje të mbrojnë kauzën e drejtë të Luftës për Liri  të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës , aleate e NATO-s, kundër gjenocidit serb nën drejtimin e kriminelit Sllobodan Millosheviç dhe bashkëpunëtorëve të tij.

Vatra i apelon Gjykatës Nderkombëtare të Hagës që të mos ushtrojë standarte të atilla hetimi e gjykimi, që barazojnë agresorin serb, që ushtroi gjenocid mbi popullin e pafajshëm dhe të pambrojtur shqiptar, –  dhe viktimën Kosovë, e cila luftoi për mbijetesë. Janë 1643 të pagjetur, varrhumbur, që ia kanë lënë të hapura plagët e Luftës popullit të Kosovës. Ku është Drejtësia. Përse nuk heton Gjykata e Hagës?

Pasuesit e agresorëve në Serbi janë hedhur në ofensivë dhe ia kanë arritë të barazojnë agresorin me viktimën. Kjo është e padrejtë dhe e dhimbshme. Shqiptarët nuk sulmuan, por u mbrojtën. Falë Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe aleatëve Perëndimor, u shmang katastrofa humanitare dhe spastrimi etnik,që kërcënonte popullin e Kosovës. Nuk kishte ndodhë që në kohën e nazizmit që të kryheshin masakra çnjerëzore, vrasje masive, djegie, përdhunime çnjerëzore, dëbim i dhunshëm i një populli të tërë, siç ndodhi me shqiptarët e Kosovës.

Federata Panshqiptare e Amerikës”VATRA” shpreh bindjen se Qeveria e Kosovës do të jetë e aftë për të përballuar sfidat që i dikton situate e krijuar, dhe se të akuzuarit do të jenë të aftë të mbrojnë kauzën e  drejtë të Lirisë…

KRYETARI:ELMI BERISHA

Kontrolloni gjithashtu

Shpresa Bajraktari: Krenari – 80 vjetori i çlirimit të Tiranës !

Krenari – 80-vjetori i Çlirimit të Tiranës! 17 nëntori 1944 është Dita e Çlirimit të …