Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur ftesës së Presidencës për përballje para kombit shqiptar për përgjigjen ndaj raportit të Dick Marty.
Rama i thotë Metës se dielli s’mbulohet me shoshë dhe as e vërteta me lehje e me dehje, por Presidenti duhet t’i shpjegojë popullit pse e votoi pro raportin në Këshillin e Europës.
Po ashtu kryeministri këshillon Metën mos e lëshojë gjuhën jashtë kontrollit sepse turpëron keq dëshmorët për të cilët pretendon se i do.
“Ilir nuk mbulohet dielli me shoshë as e vërteta me lehje e me dehje!Ti duhet t’ia shpjegosh popullit pse e votove pro raportin e Dick Marty në Këshillin e Europës, bashkë me Saliun! Dhe meqë pretendon se i do shumë dëshmorët mos e lësho gjuhën jashtë kontrollit se i turpëron keq”- shkruan Rama.
Më herët, kryeministri Edi Rama ka reaguar pas akuzave nga politikanët shqiptarë se nuk po mbron krerët e politikës së Kosovës, që po përballen me drejtësinë në Hagë për krime lufte.
Përmes një mesazhi, Rama i drejtohet ish-kryeministri Sali Berisha dhe Presidentit Ilir Meta, duke i pyetur se pse e votuan raporton e Dick Marty në Këshillin e Evropës.
Gjithë ky debat ka filluar pasi Gjykata Speciale ka konfirmuar aktakuzat ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit që janë tashmë në paraburgimin e Hagës.