Rreth 61 mijë euro janë shpenzuar nga buxheti i Kosovës për të mbuluar shpenzimet e disa prej personave të intervistuar nga Prokuroria e Specializuar, që funksionon në kuadër të Dhomave të Specializuara (që njihen si Gjykata Speciale) me seli në Hagë. Deri më tash, nga Dhomat e Specializuara në Hagë janë konfirmuar dy aktakuza, për të cilat është njoftuar publiku – kundër ish-eprorit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafës dhe një aktakuzë e përbashkët ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, ish-kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veselit, ish-zëdhënësit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqit dhe ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi. Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Që nga 2019-ta, qindra ish-ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë udhëtuar drejt Hagës, për t’u intervistuar nga prokurorët ndërkombëtarë të Dhomave të Specializuara.
