Doli nga shtypi libri publicistik, “E lexofshi gëzuar” i autorit, Adil Fetahu

Doli nga shtypi libri publicistik, “E lexofshi gëzuar” i autorit, Adil Fetahu

Studiuesi, publicisti, mjeshtri i fjalës së lirë, edhe atëherë kur fjala censurohej  e ndëshkohej, Adil Fetahu i takon brezit të  intelektualëve shqiptarë të Kosovës, të cilët në kohën e regjimit të RFSJ-së, bindjet e tyre politike e kombëtare i sforcuan në drejtim të shkollimit dhe arsimimit të brezave të shqiptarëve, të robëruar ndër shekuj nga regjimet e huaja. Me këtë qëllim, ata iu rrekën angazhimeve për ta pasuruar literaturën studimore në gjuhën shqipe, në segmente të ndryshme të shkencave shoqërore e të natyrës, meqë ndihej mungesë e theksuar e teksteve në gjuhën shqipe, edhe për faktin se literatura që botohej në Shqipëri, ose ishte e ndaluar, ose ishte i pamundur kontakti me të. Gjithnjë me qëllim të përhapjes së dijes dhe arsimimit, intelektualët në Kosovë e më gjerë përkthenin vepra edhe nga gjuha serbokroate, por edhe nga gjuhet e huaja me qëllim për t’i ndihmuar nxënësit e studentët  në shkollat dhe fakultetet e vendit.

Publicisti e veprimtari, Adil Fetahu, gjatë tërë kohës së pas luftës e deri tani ka qenë dhe po mbetet i pranishëm kudo në mediet ku botohet e çmohet fjala e lirë, kritika ulititare, studimi i mirëfilltë, në përpjekje për të hulumtuar e ndriçuar se e sa faqe të së kaluarës, të cilat i ka mbuluar pluhuri i harresës, duke qenë se kemi jetuar  nga një robëri në tjetrën.

Në librin publicistik, “E lexofshi gëzuar”, studiuesi e publicisti, Adil Fetahu ka prezantuar disa nga shkrimet e studimet e botuara kohë pas kohe në mediet e ndryshme të vendit, të cilat shquhen për tema dhe përmbajtje ndër më të ndryshmet, duke filluar nga historia, diplomacia, kultura, kritika letrare, përditshmëria politike, fenomenet që lindin në raport  me marrëdhëniet e caktuara shoqërore, përkthimet dhe tërë një botë preokupimesh ndër më të ndryshmet, por që lidhen me aktualitetin në vend e më gjerë.

Duke qenë vrojtues realist i problemeve të cilat i merr në shqyrtim,   publicisti i mirënjohur,  Adil Fetahu shkruan me përgjegjësi, duke radhitur fakte e dëshmi, duke i analizuar dhe sintetizuar ato, me qëllim për ta vënë në pah të vërtetën, të drejtën dhe parimoren.

E veçanta e shkrimeve në këtë përmbledhje publicistike janë  temat të cilat kanë të bëjnë me çështjes serbe e sllave përgjithësisht dhe raportet kurdoherë  të tendosura të serbëve jo vetëm me shqiptarët, por me të gjithë jo serbët, në Ballkan. Duke qenë njohës i shkëlqyer i literaturës dhe historisë serbe, Adil Fetahu ka zbuluar  dhe zbulon shumë relacione të cilat pak kush i di. Ai, kësaj çështje iu ka qasur me një metodologji të përparuar shkencore, duke demistifikuar gënjeshtrën e njohur serbe, mitet e sajesat, përvetësimet e pretendimet për shtrirje të pushtimit e kolonizimit të popujve të Ballkanit jo edhe pa bekimin e Evropës e sidomos të Rusisë.

Përveç me temat, disa nga  të cilat i kemi evidentuar në këtë shkrim të shkurtër për krijimtarinë e Adil Fetahut, një vend me rëndësi në shkrimet e tij zë edhe kritika letrare. Duke qenë se lexon shumë dhe nuk ndahet dot nga libri, ai shkruan vështrime e recensione për to, me qëllim për të vlerësuar librat e autorëve të ndryshëm, duke segmentuar probleme të krijimtarisë, temave që ata trajtojnë, si dhe vlerave letrare e artistike të atyre veprave. Gjuha e shkrimeve të tij është e kuptueshme, e pasur me përmbajtje stilistike dhe artistike,  mjaft depërtuese në mesazhet që përçojnë veprat  e caktuara…. (A.Q.)

Kontrolloni gjithashtu

Albert Z. ZHOLI; Dje ishte dita e dytë e  Panairit të 27-të të Librit “Tirana 2024”, suksese dhe mangësi

Albert Z. ZHOLI; Dje ishte dita e dytë e  Panairit të 27-të të Librit “Tirana 2024”, suksese dhe mangësi

Dje ishte dita e dytë e  Panairit të 27-të të Librit “Tirana 2024”, suksese dhe mangësi – Në …