Taulant Balla

Taulant Balla i kërkon Lulzim Bashës të përgjigjet se ku e ka fshehur kasetën filmike nga masakra që kryen serbët në fshatin Krushë

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla i bëri thirrje sot kryetarit të PD-së, Lulzim Bashës të përgjigjet se ku e ka fshehur kasetën filmike nga masakra e Krushës në Kosovë dhe t’ia kthejë këtë provë të rëndësishme Kosovës dhe drejtësisë. “Një ndër masakrat më të mëdha serbe ndaj popullit të Kosovës është ajo e Krushës. E vetmja kasetë filmike e plotë e kësaj masakre, sipas poseduesit të saj Milaim Bellanica ia kishte dorëzuar Lulzim Bashës, në atë kohë punonjës, përkthyes i UNMIK. Kjo kasetë e plotë nuk u publikua kurrë dhe mbetet mister pse Lulëzim Basha nuk e vuri në dispozicion të hetimeve për krimet serbe në Kosovë. Milaim Bellanica është dëshmitar i masakrës së Krushës së Madhe i cili mundi të filmonte ekzekutime, fjalime të ndryshme të serbëve në Krushë të Madhe”, tha Balla, ndërsa publikoi një video me dëshmi nga kjo masakër. Balla tha se “marsi i vitit 1999 për krushjanët, ishte një ngjarje që do të mbahet përjetë në kujtesën e atyre që arritën të dalin të gjallë nga ajo masakër”.

“Në natën e 24 marsit të vitit 1999, kur avionët e NATO-së filluan bombardimet mbi Serbinë, forcat pushtuese serbe në pamundësi për t’u përballur me forcat e NATO-së dhe UÇK-së, me mizori masakruan popullin e pambrojtur të Kosovës”, tha Balla.

Balla tha se ish-ministri i Jashtëm gjerman, Joschka Fischer, bashkë me ish-Ministrin e Mbrojtjes. Rudolph Scharping, me 23 qershor të vitit 1999 vizituan fshatin Krushë e Madhe.

“Joschka Fischer u shpreh: ”Kjo vizitë në Krushë të Madhe sërish më qartësoi se për çka kishim luftuar dhe se kishim vepruar drejt me vendimin, që Milosheviçin këtë herë ta konfrontonim ushtarakisht dhe me vendosmëri”.

Po ashtu, Balla kujtoi se “edhe ish-ministri i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, Robin Cook, gjatë vizitës në Krushë më 24 qershor të vitit 1999 u shpreh: “Nuk do të mbyllim sytë para kësaj… kjo është e tmerrshme. Jam tepër i prekur dhe i emocionuar nga kjo… jemi duke i ndjekur ata që kanë instruktuar këto krime dhe fushatën sistematike të krimeve”.

“Ende sot ende mbetet mister fati i të pagjeturve. Krushës i mungojnë dhe 65 persona, në mesin e tyre edhe intelektuali i përmasave kombëtare dhe ndërkombëtare, profesori Ukshin Hoti. Zbardhja e fatit të këtij veprimtari të madh të çështjes kombëtare, dhe shumë të pagjeturve të tjerë është sprovë e ndërgjegjes sonë politike e kombëtare”, tha Balla./m.m//a.a/ (ATSH)

Kontrolloni gjithashtu

Shpresa Bajraktari: Krenari – 80 vjetori i çlirimit të Tiranës !

Krenari – 80-vjetori i Çlirimit të Tiranës! 17 nëntori 1944 është Dita e Çlirimit të …