Aleanca Kosovare e Bizneseve, ka realizuar një takim pune me bizneset e regjionit të Mitrovicës, ku kanë diskutuar për shumë çështje në interes për bizneset e kësaj pjese. Agim Shahini, kryetar i AKB-së, duke folur për çështjen e MSA-së, tha se kjo marrëveshje ishte e para kontratë e realizuar ndërmjet Kosovës me Bashkimin Evropian dhe tashmë edhe prodhuesit e Kosovës janë të barabartë me ata të BE-së, ku dhe rëndësia e saj është shumë e madhe. Ai shtoi se AKB-ja, përkrah po ashtu edhe vënien e masave të reciprocitetit nga Kosova ndaj Serbisë, me qëllim që bizneset të jenë të trajtuara barabar nga dy shtetet. Ndërkaq duke folur për Kompleksin “Trepça”, tha se dikur ky ishte kompleksi më i zhvilluar që punësonte më së shumti në vendin tonë dhe ishte i njohur si gjigantë ekonomik jo vetëm në Kosovë, por edhe në Ballkan, Evropë e më gjerë, sot është bërë kompani të cilën po e lakmon edhe Serbia.
“Trepça është aset kombëtar i Kosovës e jo i të tjerëve. Kosova do të krijon ligjin për mbrojtjen dhe zhvillimin e saj si kompleksi më zhvillimor i së ardhmes së eknomisë vendëse”, tha Agim Shahini. Safet Kamberi, nënkryetar i Komunës së Mitrovicës, tha se gjithnjë janë afër prodhuesve vendës dhe Aleancës Kosovare të Bizneseve, në mënyrë që sado pak tu dalin në ndihmë. Ai shtoi se janë të interesuar të rrisin fondet dhe të cilat nga viti në vit janë shtuar.
“Edhe nga institucionet qendrore kemi kërkuar që regjioni i Mitrovicës të ketë trajtim më të veçantë nga komunat tjera me ndarjen e mjeteve për investime sidomos në aspektin e zhvillimit ekonomik”, tha Kamberi. Nënkryetari i Komunës së Mitrovicës, premtoi mbështetje për bizneset e kësaj ane dhe se sipas tij bashkëpunimi vetëm sa do të forcohet edhe më shumë.
Nasuf Aliu, drejtor i Drejtoratit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, tha se Komuna e Mitrovicës, vazhdon të mbështet bizneset dhe se njërën nga dhjetë marrëveshjet e ndryshme e ka edhe me
AKB-në për realizimin e projekteve të ndryshme.
Ai tregoi se edhe gjatë këtij viti janë duke subvencionuar biznesin që kanë të bëjnë me ekonomitë familjare e sidomos ato që kanë të bëjnë me kultivimin e kulturave bujqësore e të tjera. Mimoza Abrazhda, koordinatore e AKB-së për regjionin e Mitrovicës, ka pasqyruar para rreth pesëdhjetë bizneseve të kësaj ane Draft Strategjinë e AKB-së 2016-2019, e që kërkoi edhe ndihmën e sugjerimet e bizneseve për realizimin e saj në mënyrën më të mirë.