Dr. Sylë Ukshini: PLANI “PATKOI”, QËLLIMI STRATETGJIK SERB I SPASTRIMIT ETNIK TË KOSOVËS III

Dr. Sylë Ukshini: PLANI “PATKOI”, QËLLIMI STRATETGJIK SERB I SPASTRIMIT ETNIK TË KOSOVËS III

 

Fazat e realizimit të operacionit “Patkoi“

      Pavarësisht se për ekzistencën e planit “Patkoi” u mësua tek në fillim të vitit 1999, zhvillimet luftarake në Kosovë provojnë se monstruoziteti i forcave serbe, vrasjet dhe spastrim etnik kishte që nga shpërthimi i luftës në pranverë të vitit 1998. Në Kosovë më 1998 ishin ndërmarrë tri të ashtuquajtura spastrime terrenesh, gjatë marsit, qershorit dhe shtatorit. Krahas forcave ushtarake dhe policore tashmë në këtë aksion ishin vënë edhe strukturat paraushtarake të Millorad Ullemek, i njohur me nofkën Legija,74 i cili më pas u bë i njohur edhe si organizator i atentatit mbi ish-kryeministrin e Serbisë, Zoran Gjingjiq. Gjatë kësaj fushate, forcat serbe digjnin fshatrat, vrisnin gratë, fëmijët, bagëtinë dhe gjithçka që lëvizte para tyre. Por, kjo fushatë mori përmasa dramatike në dimrin e vitit 1998/1999, kur regjimi serbe në njërën anë zhvillonte negociata me ndërmjetës ndërkombëtar, në anën tjetër, përgatitej për dëbimin përfundimtar të shqiptarëve nga Kosova. Ndaj, që atëherë ishin shtuar zërat për ndërhyrje ushtarake në luftën e Kosovës, me qëllimin që të pamundësohej realizimi i idesë serbomadhe të Millosheviqit, i cili kishte urrejtje raciste kundër shqiptarëve

Siç dokumentohet edhe nga skicat e publikuara për herë në librin e Rudolf Scharping   “Wir dürfen nicht wegsehen. Der Kosovo Krieg und Europa”,75 Operacioni “Patkoi”, ishte planifikuar të zbatohet në tri faza:

Faza e parë ishte paraparë që të kryhej gjatë muajit janar 1999, e që kishte për qëllim spastrimin etnik nga popullsia shqiptare, pjesën veriore të Kosovës. Edhe sipas analizës së ekspertit ushtarak gjerman, inspektorit të përgjithshëm i Bundesverit, gjenerali Hans-Peter von Kirchbach,  ky plan parashihte që, në fazën e parë, pas ndërrimit të motmoteve 98/99, që të dëbohej popullsia shqiptare e Kosovës nga pjesa e veriut dhe përgjatë një brezi të gjerë në të dy anët e rrugëve kryesore lidhëse. Kjo përputhej me informacionet e Ministrisë gjermane të Mbrojtjes. Sipas këtyre gjetjeve, në janar të vitit 1999, forcat e armatosura dhe të sigurisë serbe në veri të Kosovës kishin filluar në masë të shtuar me sulme në rajonin rreth qyteteve Podujevë dhe Mitrovicë. Për këtë qëllim, pala serbe kishte përgatitur një njësi të fortë sulmuese tankiste.

Po ashtu,  tashmë në rripin kufitar me Shqipërinë, andej prej nga vinin furnizimet me armatim për UÇK-në, spastrimi ishte kryer tërësisht gjatë operacioneve të ushtrisë dhe policisë serbe në muajt gusht-shtator 98’. Gjatë këtyre operacioneve, shteti serb kishte përdorur njësitet e blinduara me një efektiv ushtarak, policore dhe paramilitare prej 16 mijë trupash. Popullata e dëbuar shqiptare nga fshatrat e rrethit të Deçanit, Pejës dhe Gjakovës ishin ngujuar në qytetin e Pejës, ose ishte zhvendosur në Shqipëri dhe në Mal të Zi.  Në këtë periudhë forcat serbe i kishin përqendruar veprimet e tyre në rajonin e Drenicës dhe përgjatë linjës kufitare jugperëndimore me Shqipërinë, duke përdorur artilerinë për të detyruar popullsinë civile shqiptare të largohej nga shtëpitë e tyre dhe pastaj ato digjeshin deri në themele. Agjencitë ndërkombëtare vlerësonin se rreth 200,000-300,000 shqiptarë u dëbuan nga shtëpitë e tyre në mes të prillit dhe shtatorit 1998.76 Këto të dhëna janë në sinkroni dhe konfirmojnë pohimet e studiuesit gjerman Holm Sundhaussen se, me apo plan të detajuar, veprimi i armatës dhe i njësive policore serbe ndoqën një skemë unike,77 që do të thotë se shteti serbe i përmbahej një plani konkret për dëbimin sistematik të shqiptarëve të Kosovës.

  Faza e dytë ishte planifikuar gjatë muajit shkurt 1999, për ta përfshirë pjesën qendrore të Kosovës, përkatësisht Drenicën dhe rajonet përreth, ku përveç vrasjeve dhe dëbimit të popullsisë shqiptare, kishte për qëllim edhe shkatërrimin e njësiteve të UÇK-së. Gjatë kësaj faze operacione luftarake serbe u shtrinë sistematikisht drejt Jugut të Kosovës dhe kështu njëkohësisht aty u përqendruan  shumë forcat ushtarake serbe.  Pra, derisa negociohej  në Rambuje dhe më pas në Paris, regjimi i Beogradit kishte filluar  me fushatën  e dëbimeve sistematike  në bazë të një plani preciz operativ ushtarak. Në të njëjtën kohë, përballë publikut perëndimor Beogradi bëhej sikur kishte vullnet bisedimesh dhe për arritjen e një zgjidhje politike, ndërsa në Kosovë vazhdonin plaçkitet dhe vrasjet e e shqiptarëve nga policia dhe ushtria serbe.

 Një fazë tjetër, të tretë,  e operacionit ishte në rrjedhë gjatë bisedimeve në Paris, pra në mars 1999 dhe prillit 1999, kishte për qëllim spastrimin etnik  të Kosovës: luftimet në mes të Kosovës, në malet e Drenicës e gjithashtu në Veri të Kosovës, si dhe në rrethinën e Pejës, u bënë gjithnjë e më intensive. Realizimi shkallë-shkallë i këtij plani operativ shkoi njëkohësisht me zëvendësimin e atyre ushtarakëve serbë që iu kundërvinin të përdorimit të ushtrisë kundër civilëve shqiptarë.78 Me qëllim të të dëbimit dhe të largimit të popullatës shqiptare nga Kosova, strukturat komanduese ushtarake dhe politike të Serbisë, gjithnjë sipas planit “Patkoi”, kishin hapur dy vendkalime kufitare Kosovë-Shqipëri, në Qafë të Morinës, dhe tjetrën në kufirin Kosovë-Maqedoni, në Bllacë. Si rrjedhojë, e këtij plani brenda pak muajve u dëbuan nga Kosova më shumë se gjysma e popullsisë shqiptare. Duhet shtuar se në periudhë, vetëm brenda tri javësh të muajve mars dhe prill 1999,  forcat e organizuara serbe dëbuan nga Kosova 862,979 shqiptarë etnikë, ndërsa qindra mijëra të tjerë u zhvendosën brenda për brenda, dhe këtu nuk llogariten ata që ishin zhvendosur para marsit 1999. Më shumë se 80% e tërë popullsisë së Kosovës – 90% e shqiptarëve – u dëbuan nga shtëpitë e tyre.79

Ndërsa, sipas të dhënave të UNCHR-së, gjatë periudhës së bombardimeve të NATO-së në fillim të qershorit 1999, nga Kosova ka pasur afro 1 milion refugjatët të dëbuar . Vendosja e refugjatëve sipas shteteve ishte: 443.300 ishin vendosur në Shqipëri; 247.800 në Maqedoni, 69.300 në Mal të Zi; 21.700 në Bosnjë-Hercegovinë. Pra, një total prej 782.100. Në vendet e tjera të botës u vendosën gjithsej 76.475 refugjatë, duke përfshirë 13.639 në Gjermani, 7.581 në Turqi, 5.829 në Itali, 5.730 në SHBA, pastaj në Francë, Norvegji, Suedi, Britani të Madhe, Poloni, Spanjë, Portugali, Finlandë, Zvicër, Izrael etj.80

“Qindra mijëra shqiptarë po përndiqeshin nga shtëpitë dhe fshatrat e tyre prej policisë serbe, familjet po ndaheshin, burra, gra, fëmijë po rriheshin, torturoheshin dhe vriteshin. Shtëpitë shqiptare po plaçkiteshin dhe po u vihej flaka, njerëzit po dëboheshin përmes maleve dhe rrugëve hekurudhore po dëboheshin nga atdheu i tyre. Me ditë të tara nuk kishin asgjë për të ngrënë apo për të pirë, gra shtatzëna shqiptare po lindnin nën qiellin e hapur, pleq dhe të sëmurët po vdisnin buzë rruge. Në vende fqinje me Kosovën rritej vargu i gjatë i të shpërngulurve me force”,81 shkruan Sharping, ministër gjerman i Mbrojtjes.

Ndërhyrja e NATO-s

Kur situata në Kosovë u përkeqësua, më 1998, kishte indikacione se po përgatitej një katastrofë humanitare. Me qindra mija shqiptarë etnikë po zhvendoseshin me dhunë nga shtëpitë e tyre. Kishte shenja të qarta se Beogradi do të mund të ndërmerrte një fushatë të spastrimit të dhunshëm. Dëbimet sistematike, masakrat, gjenocidi kundër shqiptarëve të Kosovës  nga forcat policore dhe ushtarake serbe, të cilat qysh gjatë kohës së luftës në Bosnjë-Hercegovinë ishin shfaqur si “banda vrasëse” që kishin bërë ekzekutime,  legjitimuan zyrtarisht përdorimin e teknologjisë ushtarake moderne të NATO-s, kundër caqeve ushtarake dhe strategjike në Jugosllavinë e cunguar.82

Gjermania dhe shtetet e tjera perëndimore të NATO-s, nuk mund të qëndronin mënjanë, përderisa po ndodhnin shkelje tërënda dhe sistematike të të drejtave të shqiptarëve të Kosovës. Kështu, më 24 mars 1999 ato filluan operacionin ushtarak “Allied Force”, kundër infrastrukturës ushtarake serbe. Mirëpo, me intensifikimin e bombardimeve të NATO-s, forcat ushtarake, policore dhe paraushtarake nisën një fushatë edhe më të egër kundër popullsisë civile shqiptare. Qeveria serbe dhe makineria e saj propagandistike mbronte qëndrimin se po ndërmerrte veprime ushtarake vetëm kundër UÇK-së, ndërsa largimin e shqiptarëve përpiqej t’ia faturonte NATO-s dhe UÇK-së. Dëbimi masiv i gjysmë milion shqiptarëve vetëm në dy javët e para të bombardimeve të NATO-s mund të shkaktonte destabilizimin e Maqedonisë dhe të Shqipërisë, një synim ky i qartë i Millosheviqit. Meqenëse Millosheviqi nuk po tërhiqej nga kursi i tij konfrontues me NATO-n dhe fushata e spastrimit etnik, u pa qartë se lufta do të zgjaste dhe mbase invazioni me forca tokësore do të bëhej i pashmangshëm.Humbja e luftës rrezikonte besueshmërinë e Perëndimit dhe të Aleancës ushtarake Veriatlantike. Kjo situatë shtoi nevojat për koordinim e politikës perëndimore.  Në luftën për Kosovën ishin bashkuar edhe forcat ajrore të Ushtria Federale Gjermane (Bundeswehrit) gjermane. Ishte hera e parë që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore që ushtarët  gjerman po merrnin pjesë në një operacion ushtarak jashtë territorit të shtetit gjerman.

Mbështetja për Luftën e Kosovës dhe, në veçanti, ligjshmëria për fushatën bombarduese të NATO-s vinte nga burime të ndryshme. Në një artikull në 2009, David Clark shkruante se: “Çdo anëtar i NATO, çdo vend i BE, dhe shumica e fqinjëve të Jugosllavisë, mbështesnin veprimet ushtarake.”83 “për të shmangur atë që mund të bëhej një katastrofë humanitare në Kosovë.”84 Në një raport të Komisionit Ndërkombëtar të pavarur në Kosovë, me titull The Kosovo Report,85 i cili zbuloi se:

“forcat [serbe- shënim i S.U)] nisën një fushatë terrori të planifikuar mirë dhe dëbimin e shqiptarëve të Kosovës. Kjo fushatë përshkruhet shpesh si “pastrim etnik”, me qëllimin për të larguar shumë, në mos të gjithë, shqiptarët nga Kosova, për të shkatërruar shoqërinë e tyre, dhe për të parandaluar rikthimin e tyre.“

Përveç politikanëve dhe diplomatëve, komentuesit dhe intelektualët po ashtu mbështesnin luftën. Michael Ignatieff e quajti ndërhyrjen e NATO-s, “një përgjigje moralisht e justifikueshme ndaj spastrimit etnik dhe vërshimit të refugjatëve, dhe jo si shkak për vërshimin e emigrantëve”86, ndërkohë që Christopher Hitchens tha se NATO ndërhyri vetëm, “kur forcat serbe filluan të dëbimet masive dhe një spastrim etnik me shkallë të gjerë.”87 Ndërsa, mbulimi mediatik i dëbimeve risolli përpara syve të publikut imazhin e depërtimeve naziste dhe ndihmoi të fuqizohej mbështetja ndaj NATO-s.

Mirëpo, disa kritikuan ndërhyrjen e NATO-s, duke përdorur referenca sa juridike po aqpolitike dhe duke anashkaluar  faktin e përndjekjes kolektive të shqiptarëve të paktën që nga suprimimi i autonomisë së Kosovës më 1989. Të majtët ekstrem dhe pacifistët radikal evropianë e gjermanë, të cilët NATO-n, ende e përshkruanin nga këndshikimi i Luftës së Ftohtë, e kontestonin ligjshmërinë e intervenimit ushtarak në luftën e Kosovës, por nuk jepnin përgjigje se si duhet të veprohet, kur një shtet kryen krime kundër njerëzimit. Në këtë linjë, ata kontestonin, jo vetëm ekzistencën e planit “Patkoi”, por edhe masakrën e Reçakut, si dhe të gjithë krimet e kryera në të kaluar nga regjimi i Beogradit. Rrjedhimisht nuk njiheshin as përpjekjet diplomatike që i kishin bërë Gjermania dhe vendet tjera evropiane dhe SHBA-ja në Konferencën e Rambujesë (Aneksi B ), dhe pranisë së fuqishme ushtarake ndërkombëtare në Kosovë. Në vend të solidaritetit me viktimën, ata filluan moralizimet përmes interpretimit të së drejtës ndërkombëtare. Me këtë rast, e majta ekstreme dhe pacifistët fundamentalist gjermanë dhe evropianë në emër të mbrojtjes të sovranitetit klasik shtetëror, iu shmangën sloganit të tyre të përdorur çdoherë “solidariteti ndërkombëtar me të shtypurit.”88

Pra, të majtët radikal në Gjermani dhe kudo në Evropë u ngritën kundër intervenimit të NATO-s, më shumë se për motivin e shkeljes e të drejtës ndërkombëtare, ajo ishte kundër Aleancës Veriatlantike, të cilën ende e shikonte nga këndvështrimi ideologjik i periudhës së bipolaritetit Lindje-Perëndim. NATO-ja, në anën tjetër, e cila nga kritikët vlerësohej si “luftënxitëse”, gjendej në luftë me regjimin e Millosheviqit, i cili kishte dëshmuar se negociatat po i shfrytëzonte vetëm për ta fituar kohë, ngase ai drejtohej nga ideja për krijimin e Serbisë së Madhe , si dhe të provonte destabilitet dhe kaos në vendet fqinje.

Prandaj, duhej nxjerrë në hap argumentet dhe arsyet kryesore të ndërhyrjes e NATO-s në luftën e Kosovës. Në kohën kur në Kosovë por kërcënohej kriza humanitare dhe vazhdonte strategjia e tokës së djegur,  ishte e nevojshme, të realizoheshin parimet e së drejtës ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, përkundër bllokadës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.89

Zhvillimi i mëtejshëm i së drejtës ndërkombëtare përmes “intervenimit humanitar”, do mund të çonte në të ardhmen në botën e të drejtave civile: meqë politikanët perëndimorë në arsyetimin e tyre për ndërhyrjen në Kosovë do të mbështeteshin në “idenë e të drejtave të njeriut”, kjo gjë shtronte nevojën e zhvillimit të së drejtës ndërkombëtare.90

Pasi Gjermania mori vendim t’i bashkohej sulmeve ajrore të NATO-s, futi në përdorim aeroplanët ushtarakët “Tornado”, teksa koalicioni kuq-gjelbër, i cili përbëhej nga politikanë me profil pacifist duhej të argumentonte domosdoshmërinë e aksionit ushtarak. Përse ishte e pashmangshem kjo ndërhyrje, pse ishte përfshirë Gjermania dhe cilat ishin synimet e kësaj fushate ajrore të NATO-s. Kancelari Gerhard Shrëder nënvizoi qartë përgjegjësinë e Millosheviqit, si për fillimin, ashtu edhe për përfundimin e kësaj lufte. “Nuk duhet të ketë asnjë dyshim në vendosmërinë tonë, për t’u dhënë fund vrasjeve në Kosovë. Udhëheqja në Beograd e ka në dorën e saj mundësinë që t’i japë fund ndërhyrjes së NATO-s, duke vendosur për paqe,”91 deklaroi Shrëder.

Kjo përballje  e politikës gjermane me një situatë të tillë dramatike, me luftën e Kosovës, u bë përcaktuese e politikës së jashtme të shtetit gjerman, të cilën asokohe e drejtonte, Joshka Fisher, nga partia ekologjiste (Aleanca 90/Të gjelbrit), e njohur deri atëherë për orientimin pacifist.

Kur lufta e Kosovës kishte hyrë në javën e dytë, Gjermania, si presidente e radhës e BE-së, organizoi konferencën “Humanitet dhe stabilitet në Evropën Juglindore”, e cila u zhvillua në Bon, respektivisht në Petersberg, për të gjetur përgjigje efektive si dhe për t’i dhënë fund krizës humanitare në Kosovë, valës së refugjatëve shqiptarë, përmes së cilës Milosheviqi po provonte të provokonte kaos në Maqedoni dhe në Shqipëri.92 Instrumenti kryesor i udhëheqjes  serbe ishte dëbimi i shqiptarëve të Kosovës. Sipas të dhënave të Komisariatit të Lartë për Refugjatë të OKB-së (UNHCR) brenda pak javësh, afro 400 mijë shqiptarë të dëbuar nga Kosova kaluan në Shqipëri dhe në Maqedoni. Me gjithë ashpërsimin e goditjeve të NATO-s,vala e të dëbuarve shqiptarë po shtohej gjithnjë. Situata u ashpërsua dukshëm në aspektin politik dhe humanitar, para së gjithash në kufirin mes Kosovës dhe Maqedonisë, në kalimin kufitar në Bllacë.93 Situata po bëhej e rrezikshme edhe për rajonin. Ushtria serbe pothuajse pa penguar ashpërsoi politikën e dëbimit kundrejt popullatës civile shqiptare. Shteti serb, i cili gjeti mbështetje masive edhe tek popullata civile serbe e manipuluar politikisht, filloi vrasjet dhe dëbimet masive. Nuk kishte dyshim se bëhej fjalë për një fushatë që po realizohej sipas një plani ushtarak nën emrin e koduar “Patkoi”. Shumë informacione flasin se ky plan ishte siguruar nga shërbimi inteligjent bullgar dhe ai austriak. Me këtë plan, konfirmohejse spastrimi etnik në Kosovë dhe fushata ushtarake kundër shqiptarëve ishte një aksion ushtarak i planifikuar përpara fillimit të bombardimeve të NATO-s. Në fakt, edhe pa bërjen publike të një plani të tillë, mjaftonte të bëhej qoftë një rikonstruktim i veprimeve ushtarake të forcave serbe të sigurisë dhe atyre paraushtarake për të vërtetuar se fushata për dëbimin kolektiv të shqiptarëve ishte e sinkronizuar dhe e programuar në nivelet e larta shtetërore të Beogradit. Duke u bazuar në informatat që Fisher i mori nga shefja e diplomacisë bullgare Mihailova, u konfirmua se spastrimet etnike në Kosovë nuk ishin reagime spontane të serbëve, ndaj bombardimeve të NATO-s, por një aksion, i cili ishte planifikuar më herët dhe në fshehtësi. Rikonstruktimi i aktiviteteve ushtarake të forcave serbe të sigurisë, që nga fillimi i ofensivës së tyre në Kosovë në vitin 1998, i ngjasonte formës së një patkoi, pasi ofensiva zhvillohej me shpejtësi  nga veriu në drejtim të jugut.

Për më tepër, politika e Millosheviqit ndaj Kosovës nga viti 1989, ishte pothuajse identike me programin e parë të Vasa Çubrilloviqit (1937), me Memorandumin e Akademisë Serbe të Shkencave (1986), si dhe sistemin e apart-heidit. Kjo politikë, gjithashtu ishte në korrelacion me programin jugosllav për Kosovën dhe në funksion të politikës së re kolonizuese serbe dhe ndjekjes së shqiptarëve. Plani “Patkoi” u bë sinonim i debateve në Bundestagun gjerman, i konferencave të shtypit dhe i mediave për krimet e padiskutueshme në Kosovë, të cilat i kishin bërë forcat ushtarake,paraushtarake dhe policore serbe, sidomos pas tërheqjes së vëzhguesve të OSBE-së dhe dëbimit të gazetarëve perëndimorë nga Kosova. Ishte e qartë se spastrimi etnik i Kosovë po realizohej sipas një plani të hartuar gjatë kohë nga Millosheviqi dhe bashkëpunëtorët e tij. Në këtë mënyrë krimi serb po shpërfaqej edhe një herë në formën e tij më barbare fundshekullin XX në mes të Evropës. “Gjymtyrë të prera, fëmijë të copëtuar me sëpatë, gra me barrë me një thikë të ngulur në bark, vajza minorene të përdhunuara, pleqtë shkrumbuar. Perëndimi i gjetur në befasi përpiqet të ndalojë këtë tmerr. Perëndimi është dyfish në trazim. Është hera e dytë brenda një shekulli që krimi po kryhet nga një vend që mëton të mbrojë krishterimin, kundër një populli të quajtur gjysmë të tillë. Pas holokaustit kundër hebrenjve, njolla është tepër e rëndë për t’u mbajtur në ndërgjegje…Evropa dhe SHBA duhet të nguten. Ata s’duhet ta lënë që koha të punojë për krimin,”94 shkruante shkrimtari Ismail Kadare, në kohën kur në Kosovë kishin filluar bombardimet dhe në të njëjtën kohë ishin intensifikuar dëbimet dhe ekzekutimet e popullsisë shqiptare nga forcat qeveritare dhe paraushtarake serbe. Sekuencat televizive të trenave të mbushura plot e përplot me shqiptarë të dëbuar të kujtonin sekuencat e filmit “Listat e Shindlerit”, ku pasqyrohet depërtimi i hebrenjve nga regjimi nazist i Hitlerit gjatë Luftës së Dytë Botërore. Si pasojë e kësaj fushate, në fund të majit 1999, rreth një milion shqiptarë ishin dëbuar nga Kosova. Gjysma e tyre u grumbulluan në kampe refugjatësh të ngritura në Shqipëri, në pjesën shqiptare të Maqedonisë dhe një pjesë e vogël edhe në Mal të Zi. Përveç këtyre, qindra mijëra të tjerë u fshehën nën qiellin e hapur nëpër pyjet dhe malet e Kosovës.95

Bërja publike e planit “Patkoi”

“Krimet në përgjithësi, e sidomos krimet e mëdha, kanë një përgatitje të gjatë. Zhbërja e popullit shqiptar, ajo për të cilën është dëshmitare e gjithë bota, ka qenë një ëndërr e hershme  e establishmenteve në Serbi gjatë periudhave të ndryshme. Pa teprime, ky krim kolosal, herë pas here ka qenë pjesë e programit kombëtar serb. Kasta politike e ushtarake e këtij vendi, zyrtarë me poste të larta, duke përfshirë edhe shefa të shtetit, akademikë, autoritete të Kishës Ortodokse Serbe , gazetarë, shkrimtarë, turma radikale , kanë qenë e vazhdojnë të jenë të infektuar nga propaganda antishqiptare”96, shkruante Kadare në një artikull të titulluar “Ferri e ka emrin Kosovë”, botuar në gazetën “El Pais” të Spanjës.

Në literaturë ekzistojnë të dhëna direkte dhe indirekte për planin e koduar ushtarak “Patkoi”, i cili paraqet një fakt se fushata represive e Millosheviqit ishte e organizuar në nivelin më të lart shtetëror politiko-ushtarak. Gjenerali gjerman Klaus Nauman qysh në mars të vitit 1999 shkruante për një “kampanjë deportimi”, të cilën Millosheviqi  e përdorte si mjet për destabilizimin e vendeve fqinje.97 Wleter Fleichinger shpjegon se emrii koduar “Patkoi”, rrjedhë nga mënyra e pozicionimit të trupave rreth e përqark Kosovës, me ç’rast përgjatë akseve rrugore u pozicionuan njësitet policore dhe ushtarake serbe. Shikuar nga ana optike “Patkoi”, pati një shtrirje drejt jugperëndimit në formë harku të hapur (apo patkoi), që shtrihej nga Mali i Zi në veriperëndim, Kralevë në veri dhe deri në Vranjë në juglindje.98

Gustav Gustenau pohon se Millosheviqi më 1998 fillimisht politikën e tij të dëbimeve e kishte filluar me sloganin “only village a day- keeps NATO away.”99 Deri pak para fillimit të sulmeve ajrore, kur më s`kishte asnjë vëzhgues ndërkombëtar në Kosovë, forcat serbe të sigurisë dhe ushtarake në mënyrë të papenguar realizuan operacionet në shkallë të gjerë, duke kryer spastrimin etnik nën emrin “Patkoi”.

Mirëpo, burimi më i besueshëm për ekzistencën e planit “Patkoi” ishin raportimet e ministrit gjerman të Mbrojtjes, Rudolf Sharping si dhe ato të ministrit të Jashtëm, Joshka Fisher, të cilët për këtë plan e informuan qeverinë federale gjermane më 8 prill 1999. Pas kësaj, qeveria gjermane pohoi e kishte në pronësi një plan të detajuar serb  si dëshmi se spastrimi etnik në Kosovë kishte qenë i planifikuar qysh në vitin 1998. Pjesë e këtij informacioni ishin edhe skicat ushtarake, të cilat tregonin operimin e trupave ushtarake serbe në formën e një patkoi.100

Në këtë kontekst, autori i njohu gjerman Joetze pohon se në javën e fundit të Konferencë së Rambujesë  shërbimi inteligjent amerikan kishte raportuar për grumbullimin e forcave ushtarake serbe në tërë Kosovën.101 Ky organizim i forcave serbe çoi në konstatimin se e ekzistimit të planit “Patkoi”, i cili ndër vite do të bëhet temë debati në rrethet politike dhe akademike.

Përmbajtja e plotë dhe e saktë planit “Patkoi”, i cili u bë publik më 31 mars 1999 nga ministri i Jashtëm gjerman, Joshka Fisher, dhe ai i Mbrojtjes, Rudolf Sharping,102 u bënë pronësi e autoriteteve të sigurisë dhe ushtrisë gjermane, në momentin kur ministrja e jashtme bullgare, Nadezhda Mihailova, gjatë punimeve të një konference  humanitare në Petersrbeg, në afërsi të Bonit, e njoftoi ministrin e Jashtëm gjerman, Joschka Fisher, se shërbimi informativ bullgar ka njohuri për ekzistencën e një plani ushtarak për dëbimin e shqiptarëve.103 Nga ky moment publiku gjerman kishte dispozicion informacionin se armata serbe kishte organizuar pozicionet e saj kryesore në një formë patkoi, fundi i tij i hapur në afërsi të kufirit midis Kosovës dhe Shqipërisë. Nga kjo ishte nxjerrë përfundimi – ndër të tjera, nga ministri gjerman i Mbrojtjes Rudolf Sharping – se qëllimi i serbëve ishte që përmes tkurrjes në formë patkoi ta dëbonin popullatën shqiptare në drejtim të Shqipërisë, që e cila ishte konkretizuar nga informacionet i inteligjencës.

Pasi ekspertët e ushtrisë gjermane kishin analizuar të dhënat për planin ushtarak “Patkoi”, kishin vendosur ta bënin atë publik, duke ofruar argumente dhe dëshmi konkrete nga ministrat Fisher dhe Sharping, gjatë një konferencë të përbashkët për shtyp, më 31 mars 1999.104 Por, pohimet e Fisherit dhe të Sharpingut për ekzistencën e planit “Patkoi” ishin kontestuar në debatin publik. Sipas kërkimeve të Loquai, pohimet e ministrit gjerman të Mbrojtjes dhe të Ministrisë së Mbrojtjes tregon mospërputhje lidhur me formën përfundimtare të planin “Patkoi”. Ai vinte në përfundim se kundërthëniet ishin aq të mëdha me Ministrinë e Mbrojtjes, sa ekzistonin dyshime të arsyeshme për ekzistencën e një dokumenti të tillë.105

Ish-gjenerali gjerman Heinz Loquai ka qenë nga fillimi deri në fund një kritik i ndërhyrjes së NATO-s në luftën e Kosovës. Në këtë linjë edhe gazeta “Berliner Tagesspiegel” kundërshtoi argumentet e Sharpingut, duke komentuar se: “Qeveria dhe lufta: sa më të dobëta argumentet, aq më e ashpër retorika.”

Mirëpo, jo vetëm ministri Sharping, por edhe politikan të tjerë përdorën “fotografi të forta” për të përligjur para publikut vendimin  e qeverisë federale gjermane për luftë ajrore kundër regjimit të Millosheviqit. Kështu Fisher më 7 prill 99`, e përdori sloganin e vitit 1996 “Kurrë më Aushvic”, si argument për pjesëmarrjen e “Bundeswehrit”, në luftën e Kosovës.106

Një deklarim i tillë u kritikua me akuza nga të majtë e të djathtë.  “Gjatë përplasjes sime me të majtët, unë u mbështeta në përvojën time personale, më saktë në dy parimet themelore, me të cilat unë jam rritur si i ri në Gjermaninë e pasluftës, parullën e përmendur “Kurrë më luftë” dhe parimin “Kurrë më gjenocid, kurrë më Aushvic.”107 Krahas këtij informacioni që ofron ish-ministri i Jashtëm gjerman, gjatë muajit prill 1999 mediet gjermane po ashtu bënin me dije se edhe shërbimet informative të vendeve perëndimore dhe SHBA-së kishin njohuri për planin serb “ Patkoi.”

Më 29 mars 1999, përkatësisht pesë ditë pas fillimit të sulmeve ajrore të NATO-s kundër Jugosllavisë së mbetur, presidenti i atëhershëm amerikan Bill Clinton bënte të ditur se Sllobodan Millosheviqi prej shumë kohësh kishte planifikuar “spastrimin etnik” në Kosovë dhe këtë plan kishte filluar ta zbatonte shumë kohë para se fillonte ndërhyrja e NATO-s. Nga kjo ditë e tutje, kjo pikëpamje ishte përfaqësuar në shtyp edhe nga NATO-ja. Për kritikët Sharping kishte përdorur një fotografi bindëse të “planit Patkoi” për të forcuar  argumentimin e katastrofës humanitare dhe për të legjitimuar pjesëmarrjen e shtetit gjerman në luftën e NATO-s kundër Jugosllavisë së cunguar. Një shembull tjetër për pohimet e pretenduara të ministrit të Mbrojtjes Sharping ishte argumentimi i pozicionit të tij përmes paraqitjes në emisionin e njohur “Sabine Christiansen “ më 28.3. 1999. Në këtë emision Sharping kishte pohuar se serbët në veri të Prishtinës e kishin ngritur një kamp përqendrimi (është fjala për grumbullimin e mijëra e shqiptarëve tek stacioni i trenit dhe nisja e tyre drejt Maqedonisë), se mësuesit janë ekzekutuar para nxënësve dhe se në Prishtinë serbëve u ishte kërkuar që të vendosnin shkronjën “S” në mënyrë që të mos prekeshin nga gjatë spastrimit nga forcat e sigurisë dhe ato paraushtarake.108

Ndërkohë, ishte bëri gati vlerësimi i planit operativ “Patkoi.” Ashtu si vendet tjera, edhe pala gjermane tani ishte e sigurt se kishte dëshmi se nga fundi i vitit 1998 Beogradi kishte planifikuar në detaje të hollësishme ushtarake një spastrim sistematik Kosovës dhe dëbim të shqiptarëve të Kosovës. “Dëshmi” ekzistonte se “një spastrim sistematik dhe dëbim i shqiptarëve të Kosovës ishte planifikuar qysh në dhjetor të vitit 1998, me të gjitha detajet dhe duke shënuar të gjitha njësitet e angazhuara jugosllave.”109

Mediume gjermane, në rend të parë nga gazeta “Hamburger Abendblatt”,në mars 2000, duke ju referuar një zëdhënësi të Ministrisë së Jashtme në Sofje, Radko Vlajkov, pati përpjekje që të demantojë informacionin se gjatë takimit të Petersbergut ministrja e Jashtme Nadezhda Mihailova i kishte dhënë homologut gjerman Joshka Fisher informacione të shërbimit inteligjent bullgar lidhur me planin “Patkoi”. Por, Mihailova dhe Fisher e kishin konfirmuar të kundërtën.

Informacionin se qeveria bullgare ia ka dorëzuar qeverisë gjermane dhe shërbimit inteligjent të NATO-s  planin “Patkoi”, e ka bërë të ditur vetë ish-ministrja e jashtme bullgare Nadezhda Mihajlova- Neynski, në dokumentarin “Operacioni Patkoi”, prodhim i kanalit privat bullgar “BTV”, në janar të vitit 2012.110

“Ia sigurova ministrit të Jashtëm gjerman Joshka Fischer – respektivisht NATO-s – raportin që posedonte qeveria bullgare dhe që tregonte qartë se ekzistonte plani ‘Patkoi’, i përgatitur me kujdes nga shërbimet sekrete të Serbisë dhe kreut të atëhershme të shtetit serb në Beograd, e që kishte dy qëllime. I pari – shkatërrimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – dhe i dyti, spastrimi i Kosovës nga shqiptarët etnikë. Ky plan gufoi me depërtimin e masave të mëdha të shqiptarëve nga Kosova. Ka filluar në fund të muajit shkurt 1999”, ka thënë Nadezhna Mihajlova- Neynski, aktualisht deputete në Parlamentin Evropian, në dokumentarin e titulluar “Historia sekrete e Planit Patkoi”.111

Sipas ministres së atëhershme bullgare Mihajlova, kabineti qeveritar bullgar i Ivan Kostovit kishte marrë vendim që këto informata për planin ushtarak “Patkoi” t’ia ofronte NATO-s gjatë takimit të ministrave të jashtëm të shteteve anëtare. Po ashtu, bëhet e ditur se ajo më pastaj këto informacione në formë raporti ia kishte dorëzuar edhe ministrit të jashtëm gjerman, Joshka Fisher,112 i cili asokohe ishte një nga politikanët më të zëshëm në mbrojtje të intervenimit ushtarak të NATO-s kundër caqeve ushtarake serbe. Pos kësaj, është interesant edhe pohim i ministrit të Jashtëm austriak  Wolfgang Schüssel, i pretendimeve të gazetës “Washington Post”, se plani serb për dëbimin sistematik të shqiptarëve të Kosovës është zbuluar nfa Austria. Revista  informative politike austriake “Profil” në prill 1999 njoftonte se plani “Patkoi”  ishte siguruar përmes një agjenti beogradas të  agjencisë inteligjente ushtarake në Vjenë.113 Madje, sipas këtij informacioni, të cilin e transmetonte gazeta “Berliner Zeitung”(28 prill 1999), pretendohet se ishte shërbimi informativ i ushtrisë austriake që kishte zbuluar planin ushtarak serb dhe se ministri i jashtëm Schüsselnë fillim të vitit, gjatë një samiti të BE-së, ua kishte dorëzuar kolegëve të tij një informacion të tillë.   Bërja publike e këtij dokumenti sekret serb nga zyrtarët më të lartë të Vjenës kishte nxitur debatin e brendshëm politik mbi neutralitetin e rolit të Austrisë. Në të vërtetë, Austria politikisht qëndronte prapa vendimit të BE-së për mbështetjen e sulmeve ajrore të NATO-s. Se ministri i jashtëm Shysel ia ka kaluar  inteligjencës së NATO, nuk është e habitshme. Pavarësisht se mund të konsiderohej shkelje e neutralitetit dorëzimi i informacioneve të tilla tek vendet e NATO-s, politikanët austriakë të Partisë Popullore (ÖVP) në periudhën e luftës së Kosovës ishin deklaruar për një anëtarësim të shpejtë të vendit të tyre në NATO dhe neutralitetin e konsideronin  “absurd”114.

Informacionet flasin se nga mesi i nëntorit i vitit 1998, shërbimi inteligjent austriak zotëronte një informacion kapital: Autoritetet e Beogradit po përgatiteshin që prej disa javësh për një ndërhyrje të vendimtare ushtarake në Kosovë. Dhjetëra mijëra njerëz do të dëboheshin nga Kosova. Austriakët, të cilët zotëronin shumë informacione nga  Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë jugosllave, posedonin madje edhe emrin e kodit të operacionit, “Potkovica” (shq.“Patkoi”). Njoftimet mbërrinin në zyrën e gjeneralit Wesli Clark, në Mons të Belgjikës dhe në zyrën e shefit të CIA–s, Xhorxh Tenet, i cili ua kthente sërish drejtorëve politikë të NATO–s.115

Edhe gazeta londineze “Times“, vetëm pak ditë pas bërjes publike të këtij informacioni, përkitazi me ekzistimin e këtij plani, shkruante: “Qysh në vjeshtë të vitit 1998 CIA kishte informacione për planin me emrin e koduar “Operacioni Patkoi“, me synim që për disa muaj të vriste ose të dëbonte shqiptarët.116 Edhe në një artikull të revistës amerikane “U.S.News“, të datës 12 prill 1999, thuhej se në Shtëpinë e Bardhë ka pasur të dhëna për një plan sulmi të detajuar të regjimit të Beogradit.  Ndërsa, shefi i CIA-së, George Tenet, që para fillimit të fushatës së bombardimeve të NATO-s, në shkurt të vitit 1999 ka deklaruar se mund të ketë ndonjë aksion serb për spastrim etnik…”117

“Nuk duhet të jesh politikan ose një oficer i zbulimit që ta dini këtë. NATO dhe koalicioni ndërkombëtar nuk ishin amatorë që do të merrnin thjeshtë një pjesë të informacionit. Ai ishte i verifikuar nga të gjithë dhe u zbulua se ka të vërteta në të,”118 thotë ish-ministrja e Jashtme bullgare Nadezhda Mihajlova- Neynski.

Pas këtyre pohimeve krijohet një lloj mëdyshje se nëse informacioni për planin ushtarak serb erdhi nga shërbimi inteligjent ushtarak austriak apo nga shërbimi inteligjent bullgar. Mbase ekziston mundësia që plani “Patkoi” të jetë siguruar nga shumë palë në kohë të ndryshme, aq më tepër që, siç u tha edhe më lart, presidenti amerikan kohe me pare edhe para se të bëhej publik ekzistenca e një plani të tillë, fushatën serbe në Kosovë e kishte cilësuar si “spastrim”. Pra, është shumë e mundshme që në kohën kur në horizont po dukej fundi i regjimit të Millosheviqit, dikush ë nga njerëzit e afërt të tij ta kenë nxjerrë një informacion të tillë sekret.

Se informacionet për planin “Patkoi” në janar-shkurt të vitit 1999 janë siguruar nga Shërbimi Informativ i Bullgarisë, e konfirmon edhe një nga bashkëpunëtorët e shërbimit informativ austriak.119  Gjithashtu thuhet se stacioni i përgjimit në Hainburg ka regjistruar linjat ushtarake jugosllave të komunikimit dhe se ato të dhëna janë përcjellë në Bon të Gjermanisë.

Sidoqoftë, edhe bërja publike e këtij plani ushtarak serb, në Gjermani dhe në vendet tjera perëndimore shkaktoi një debat për besueshmërinë politike të operacionit të NATO-s. A nuk ishte vendosur për “parandalimin e një katastrofe humanitare”? A nuk e kishte shkaktuar tani katastrofën një operacion i këtillë? Qysh në javën e fundit të Konferencës së Rambujesë, Shërbimi Informativ Amerikan ka njoftuar për organizimin e forcave ushtarake serbe nëpër Kosovë. Më 19 mars 1999, ushtarakët e rangut të lartë rrëfyen tashmë hapur se “planet e tyre aktuale kishin për qëllim eliminimin e terroristëve shqiptarë”.

Në fakt, një plan i tillë më vonë u bë i njohur me emrin “Plani Patkoi.”120 Ofensiva e madhe serbe dhe dëbimet e shqiptarëve ishin duke ndodhur, kur Solana mori vendimin për fillimin e sulmeve ajrore të NATO-s. Në këtë kohë, siç është përmendur në kapitujt e mëparshëm, po thuaj gjysmë milion njerëz ishin dëbuar nga shtëpitë e tyre dhe po kërkonin shpëtimin nën qiellin e hapur.121

Më 19 prill 1999, Rudolf Sharping në një transmetim të veçantë të BBC-së specifikonte të dhënat e tij për “Operacionin Patkoi”.

“Plani operacional kishte për qëllim objektivë të qartë, deportimin , “spastrimit etnik” të gjithë territorit të Kosovës dhe  depërtimin e gjithë popullatës civile shqiptare. Ajo ishte planifikuar nga shtabi ushtarak në Beograd, nga Millosheviqit dhe regjimit të tij. Në fund të nëntorit dhe në fillim të dhjetorit 1998 ishte organizuar dhe që nga janari i vitit 1999 kishte filluar të zbatoj. “Operacioni Patkoi” kishte filluar të zbatohej gjatë negociatave të Rambujesë në Francë dhe ishte intensifikuar pas negociatave dhe pas tërheqjes së OSBE-së nga Kosova”, kishte deklaruar ministri gjerman i Mbrojtjes, Rudolf Sharping.122 Po ashtu, një gjë të tillë Sharping do ta ripohoj edhe në një bisedë me kanalin televiziv gjerman ZDF, në maj 2000. Ai  thotë se plani serb ” Patkoi “”ishte diskutuar dhe aprovuar në periudhën nëntor/dhjetor 1998. Kjo ka lidhje direkt me shkarkimin e gjeneralit të atëhershëm Perishiq, i cili ishte një kundërshtar i implikimit të forcave tokësore ushtarake kundër popullsisë civile. Nga ana tjetër, njeriu duhet vetëm të shikoj realitetin për të parë si ishte mënyra e veprimit dhe se a përputheshin ato me këtë plan”, kështu do të shprehet Sharping në një emision special të kanalit televiziv gjerman.123 Gati në të njëjtën linjë argumenton edhe Ratomir Taniq.

“Millosheviqi është konfrontuar rreth çështjes së Kosovës me gjeneralin Perishiq, shef i Shtatmadhorisë, dhe me shefin e Shërbimit të Sigurimit Shtetëror, Stanishiq. Që të dy këta i ka përzënë nga puna më 1998”, ka thënë Taniq”124

Çështja e planit “Patkoi,” ngjashëm si çështja e angazhimit të ushtrisë gjermane në kuadër ndërhyrjes humanitare të NATO-s kundër Jugosllavisë së mbetur, vazhdoi të debatohet në qarqet politike gjermane pro dhe contra edhe shumë vite pas përfundimit të luftës së Kosovës. “Plani  “Patkoi” ekziston. Janë një mori faqesh me informacione mbi atë se si të realizohet mënyra e veprimit, cilat njësi  ushtarake do të marrin pjesë për zbatimin e këtij plani. Këtë e  kemi sheshuar me informacione sekrete, të cilat i posedoj dhe rreth të cilave nuk mund të flitet në publik,”125 kishte thënë ish-ministri gjerman i Mbrojtjes Scharping, para medieve dhe në ballafaqim me kritikët e rreshtimit  të Bundeswehrit përkrah NATO-s në kampanjën ushtarake kundër objektivave dhe infrastrukturës ushtarake serbe.

Nga ana tjetër, deputetja e Partisë Liberale të Gjermanisë (FDP) në Bundestag, Sabine Leutheusser-Schnarrenberger, ka kërkuar të di, nëse Sharping ka ditur përpara 24 marsit për planin “Patkoi”.

“Unë dëshiroj ta di, çfarë ka ditur Sharping  para 24 marsit për planin “ Patkoi “ dhe për dëbimin “ e popullsisë shqiptare”, ka pyetur Schnarrenberger. 126  Nga ana tjetër, ministri i atëhershëm gjerman i Mbrojtjes Sharping 127 do t’i kundërvihet një pretendimi të këtij, duke hedhur poshtë të gjitha dilemat dhe dyshimet lidhur me ekzistencën e planit “Patkoi“.

Një zëdhënës i Ministrisë së tij asokohe argumentonte: “Ushtria, gjithmonë vepron sipas planit dhe se një dokument sekret nuk mund të kërkohet nga ajo. Veç kësaj, vetë Scharping si dëshmi për ekzistencën e këtij plani ka përmendur fotografitë e kampeve të refugjatëve shqiptarë, të cilët nën dhunën e egër të trupave ushtarake, paraushtarake dhe policore serbe kishin gjetur strehë në Shqipëri, Maqedoni dhe në vende të tjera.  Pranë pasazheve të tekstit shihen skicat, të cilat tregojnë  marshimin e trupave serbe që nga janari i vitit 1999.128

Edhe pas përfundimit të luftës, në masmediat gjermane ka vazhduar debati për këtë plan dhe në të njëjtën kohë u shtuan tonet kritike për planin “Patkoi”, sidomos nga qarqet majtiste dhe pacifiste, kundër ministrit të Mbrojtjes, Rudolf Scharping, ministrit të Jashtëm, Joshka Fisher, dhe kancelarit federal, Gerhard Schröder. Sipas kritikëve, plani “Patkoi“ ashtu si edhe masakra e Reçakut, janë përdorur vetëm si instrument për t´u justifikuar para “Bundestagut”, dhe publikut gjerman çështje e përfshirjes së shtetit gjerman në një luftë të re në Ballkan, për herë të parë që prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.129 Pikërisht për këtë qëllim paraqiteshin autorë të ndryshëm me teori të ndryshme komploti, gënjeshtra dhe gjysmë të vërteta, vetëm për të vënë në pikëpyetje ekzistencën e një plani të tillë për dëbimin e sistematik të shqiptarëve..130 Prandaj, është bindës pohimi i historianit të njohur gjerman Holm Sundhaussen, kur konkludon se: “edhe nëse ai (plani “Patkoi”) nuk ka ekzistuar, veprimi i armatës jugosllave dhe i njësive  policore të Ministrisë së Brendshme ndoqi një skemë unike (me plan ose pa plan të detajuar).”131 Kjo do të thotë, se nuk mund të vihet ne pikëpyetje se përndjekja dhe krimet naziste ndaj hebrenjve mund të vihej në pikëpyetje apo se mund të quhet e panevojshme lufta e aleatëve kundër Hitlerit, edhe nëse nuk është arritur të sigurohet një plan i detajuar për mënyrën sesi është planifikuar gjenocidi mbi hebrenjtë.

Për më tepër, është i rëndësishëm konstatimi i Fisherit se ekzistenca e planit “Patkoi”, kishte vlerë për argumentet e qeverisë federale, për shkak se rrëzonte tezën e dëbimit “spontan” të shqiptarëve të Kosovës nga ana e forcave serbe të sigurisë dhe konfirmonte se spastrimi etnik ishte planifikuar qëmoti dhe me detaje.132

Ishte e qartë se me apo pa këtë plan, regjimi i Millosheviqit duke ndjekur metodat identike të projektit të Çubriloviqit dhe duke përdorur Memorandumin si udhërrëfyes në politikën e tij hegjemoniste në Kosovë dhe në rajonet tjera të ish-Jugosllavisë gjatë viteve 1989-1999, u bë shkaktar i katër luftërave dhe spastrimeve etnike. Për këtë, si nga popujt e ish-Jugosllavisë, ashtu edhe nga qeveritë perëndimore dhe Gjykata Ndërkombëtare për Krime të Luftës,  fajtori kryesor konsiderohej elita nacionaliste serbe. Millosheviqi hapur ishte deklaruar për spastrimin etnik të Kosovës, duke synuar të përmbyste dhunshëm strukturën etnike në dobi të entitetit serb. Kjo u konfirmua katërçipërisht, kur u bë publike se regjimi i Beogradit në fundvitin 1998 kishte hartuar planin “Patkoi” si  instrument bazë për operacionet ushtarake të dëbimit masiv të popullsisë shqiptare nga Kosova, në të cilin mori pjesë edhe ushtria, e cila pa dyshim veproi sipas një plani të caktuar.

Ndonëse Ministria e gjermane e Mbrojtjes në Bon, në prezantimin e planit kishte lënë të kuptohej se e posedonte dokumentin origjinal, siç ishte raportuar në mediat gjermane, në fakt një dokument të tillë e posedonin vetëm austriakët.133

Nga një burim austriak, megjithatë do të jepen përshkrime më të detajuara për këtë plan dhe fazat e zbatimit të tij nga elita ushtarake dhe politike e Beogradit gjatë rrjedhës së luftës së Kosovës.134 Më pastaj, më 11 maj të vitit 1999 Ministria gjermane e Mbrojtjes i dërgoi deputetëve të Bundestagut një informatë me shkrim, në të cilën bëhej e njohur se që nga prilli  “dëbimet dhe sulmet e dhunshme nuk kishin filluar në mënyrë të menjëhershme si reaksion ndaj bombardimeve të Aleancës, por se ato ishin pjesë e të ashtuquajturit operacioni “Patkoi”, që ishte zhvilluar që nga fundi i vitit 1998 dhe ishte zbatuar që nga fillimi i 1999-s”.  E titulluar “Udhëheqja jugosllave po vepron sipas planit dhe gradualisht po e realizon planin e saj”, me këtë informatë u prezantuan tri skica si dëshmi (shih tri skicat e bashkangjitura), duke iu referuar masakrës së Rogovës, ndërsa dy foto të tjera tregonin pamje ajrore të shtëpive të djegura të shqiptarëve, të cilat ishin regjistruar nga dronet gjermane, rreth tre javë pas fillimit të bombardimeve të NATO-s.135 Megjithatë, informatat e shërbimit informativ bullgar nuk do të kishin kurrfarë ndikimi në rrjedhën e mëtejshme të luftës, ngase ato u përcollën vonë.136 Por, bombardimet e NATO-s dhe padia për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit  e ngritur nga Gjykata Ndërkombëtare në Hagë137  ishin dy arsyet kryesore që e detyruan Serbinë të tërhiqej nga Kosova në qershor të vitit 1999.138

Është interesant se bërja publike e planit “Patkoi” pati efekt edhe brenda Serbisë. Sipas hetimit të Tribunalit, me publikimin e planit “Patkoi”, në çastin kur regjimi në Serbi merr informacione se Tribunali i Hagës ka vendosur për të ngritur aktakuzë kundër udhëheqjes shtetërore të Serbisë, me urdhër direkt të kreut shtetëror në Beograd, filloi operacioni i zhdukjes së gjurmëve të krimeve të kryera si pjesë e këtij operacioni. Në këtë mënyrë Serbia provoi të fshehë gjurmët e krimeve që ishin bërë me urdhër direkt nga udhëheqësit e lartë shtetërorë. Kufomat e shqiptarëve të varrosura filluan të zhvarrosen dhe të varrosen në lokacione të fshehta në Serbi. Sipas të njëjtave burime, trupat ishin zhvarrosur nën mbikëqyrjen e policisë, ndërsa sigurimin e transportit e kishin bërë ushtria serbe.139

Një hulumtim i gazetës “Tribuna” nxori në dritë detaje lidhur me transportimin dhe djegien e trupave me qëllim të fshehjes së krimeve serbe sipas operacionit “Patkoi”. Hetimi konstaton se pas publikimi të planit, ishte dhënë urdhri që trupat të zhvarroseshin dhe të dërgoheshin në Serbi, me qëllim të zhdukjes së gjurmëve të krimit. Trupat e mbledhur gjithandej Kosovës, fillimisht ishin dërguar në Zveçan dhe prej aty pastaj ishin transportuar për në Serbi, ku ishin djegur në shkritoren e Borit, që është një nga destinacionet e shumta të kamionëve frigoriferë, ndërsa një pjesë e vogël janë varrosur.140

 

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Përpjekje të dëmshme të grupeve të caktuara (E diel 15 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Përpjekje të dëmshme të grupeve të caktuara (E diel 15 nëntor, 1998)

Edhe pse po binte shi i imët vjeshtor, Ruzhdi Jashari me ekipin e tij ka …