Adil Fetahu

Adil Fetahu: POROSITË E MID-HAT FRASHËRIT, PËR SHKRIMTARËT DHE POETËT

 

Midhat Frashëri (Janinë, 25 mars 1880 –  Njujork, 3 tetor 1949), i biri i Abdyl Frashërit, ishte një patriot dhe intelektual i shquar, njëri nga më të diturit të brezit të tij, i cili tërë jetën punoi e veproi me zell e përkushtim për kulturën dhe identitetin kombëtar shqiptar, me idealin për unitetin dhe bashkimin kombëtar. Midhati ka kryer funksione te ndryshme në skenën shtetërore, politike dhe kulturore kombëtare. Këtu nuk do të bëjmë fjalë për biografinë as për horizontin e gjërë dhe opusin e veprave të tij. për komunikimin dhe korespodencën e dendur me personalitete të njohura në qarqet shkencore dhe kulturore të kohës, por do paraqesim pikëpamjet ,mendimet, këshillat  dhe porositë që kishte për  rolin dhe misionin  që kanë shkrimtarët dhe poetët shqiptarë në krijimin e vetëdijes dhe idealit  për përparim e bashkim kombëtar. Në eseun e parë të kësaj vepre”Këndonjësvet” (lexuesve), jep një pasqyrë të gjendjës së rëndë ekonomike e sociale të Shqipërisë dhe kritikon mentalitetin e të qarit dhe fajësimin e tjetrit për gjendjën e rëndë. Duke u nisur nga premisa, se “të qarit nuk e shëron lëngatën, autori porositë se ilaçi për shërimin e kësaj lëngate është aktiviteti material dhe moral; aktiviteti është puna dhe puna bëhet me vullnet dhe me dashje. Puna s’është shorta e një njeriu, e një pale të njerëzvet; është pjesa e të gjithëve…Çdo shqiptar gjendet sot para gjykatores së historisë. Historia po na gjykon: në mos patmë fatin të jemi stërniprë të lumturë të stërgjyshëvet fatosë, kemi detyrën të përpiqemi të bëhemi, ne vetë, stërgjyshër të ndershmë për  nipër tanë”.

Në veprën “Plagët tona”, autori ka shtjelluar gjendjen dhe arsyet e lëngatës në disa ese, duke dhënë këshilla e porosi për : Këndonjësvet; Idealin; Të metat;  Të pasurit, djalërinë dhe intelektualët; Shkrimtarët; Gazetarët; Gratë. Ne këtu po e japim të plotë eseun për shkrimtarët dhe poetët, tekstin  e pandryshuar, sikur e ka shkruar autori.

“Tër duke njohurë se akoma shkrimtari s’ka në vëndin tënë atë poiztë dhe atë prestizh që gëzon në popujt etjerë,nukë mund të mohojmë se edhe ky llauz vë vëshin në ato që  thoni dhe shkroni, atje vjen të ndezë qirin’ e ideve të tij. Prandaj duhet që edhe të jini sigur prej barrësë dhe përgjegjësisë që kini, që duhet të kini.

Kujtoni se një e shkruarë është një farë e mbiellë. Kujdesi i mbiellsit duhet të jetë një lule e mirë, një pemë e kandshme. Hithra dhe ferra mbin vetë vetiu, dhe veç dëmit s’ka nonjë vleftë. Është një farë që do të korrin me qindëra, në mos dhe me mijë njerës, gjind i pafajshim dhe i panjohurë; mejtoni se nukë na jep kush të drejtën që të tallemi me punën e tjatrit,t’i japim një mundim prej të cilt s’do t’i vijë as një fitim, mbase të ketë dhe dëm.

Shkrimtari ka një përgjegjësi të madhe. Më parë se çdo sendi ka një detyrë dhe përgjegjësi kundrejt vetëhes së tij, dhe ajo është që të përpiqetë vetë të fitojë – për vetëhen e tij – diturin e nevojëshme, karakterin serioz dhe të maturë, prudencën dhe patriotismënë. Të ketë ndërgjegjëje për rëndësinë që ka cilësia e shkrimtarit, në do që të bëjë punë të dobishme dhe jo të mbiellë shpëndra në arë të botësë.

Në qoftë se nuk e ndjejmë në vetëhet tënë fuqinë e barrësë, madhërinë e përgjegjësisë, në qoftë se na mungon vullneti që të gjykojmë dhe të mjetohemi, që s’kemi kurajon të perfekcionohemi dhe të fitojmë virtutet e duhurë në një këshilltar, atëherë më mirë t’a thyejmë pëndërën, të betohemi të mos shkrojmë kurrë.

Kushti më i parë është që të kemi një qëllim, të ndiekim një qok dhe një ide kur shkrojmë; ki-e-ni të lartë dhe të dobishme këtë ide, kini një ideal në qëllim. Kujtoni se zgjimi dhe përparimi i popujvet, ringjallja e tyre kombiare, ka insurë me veprën e shkrimtarëvet. Çdo çap drejt qytetërimit bëhetë nënë drejtim që heth një shkrimtar i madh, një mejtimtar i thellë, dhe mbase çdo prapavajtje, çdo dekadencë fillon të tfaqetë në mendimet e botimtarëvet që janë të parët në të dhënë popullit bukën e kalburë të çorodimit, në vent të ushqimit të shëndoshë.

Filloni pra, të dashurë shkrimtarë, ide të shëndosha dhe të shëndetëshme, për vetëhenë tuaj, më parë. Pastaj ep-u-ni dhe të tjerëvet pjesë prej parimevet të lartë dhe të fitimshmë, çelni një dritë të re, një rëzë që shpie në lumtëri të bukurë.

Mos ja pshih kurrë të vërtetën popullit, sado e hidhurë, e papëlqyerë që të jetë kjo e vëretë.Mos lajko llauzin, mos u bë demagog duke i bërë qejfin, t’a bësh mik me gënjeshtra. Më mirë të bëhetë armik duke i thënë të drejtën dhe të vëretën, se nesër të ka për të çmuarë, kur t’I zgjuhetë kujtimi, dhe armiku i sotmë do të të duektë mik i vërtetë. Mos shikoni të fitoni miqësin’ e botësë duke i thënë fjalë që i pëlqejnë, po të rema. Përpiquni të tërhiqni nderimin dhe respektiin e tij duke i dhënë këshilla pozitive, makar dhe të këqija sikur të jenë.

Zgjuani  në popull ndjenën e dignitetit, ndjenjën e responsibilitetit të njeriut përpara aktevet, punëvet dhe mendimeve të tij; po edhe ep-i-ni që të mejtojë, të kërkojë, të dijë të gjejë të drejtën dhe të vërtetën.

Jeta intelektuale gjer më sot ka lojturë një rol zero ndër ne. Fuqija dhe kujdesi i tërë ka qenë varurë në jeta materiale, me gjithë ashpërsinë brutale të saj. Zgjimi i një orizonti të mendjesë dhe të moralit, me ndjenja më të holla dhe më të lëmuara, varetë nga rëndësija dhe bukurija që do të dimë ne t’i japim jetësë intelektuale, me anë të shkrimevet.

Në qoftë se shrimtarët do të marrin pëndën në dorë dhe të nxijnë kartën për të shfryrë inatin e tyre, për të fourë fjalë pa kripë dhe pa thelb, për të na thënë gjë të kotë, atëhere jeta intelektuale do të  vejë edhe më prapa nga ç’është sot, do të zbythemi edhe më tepër akoma drejtë rrojtjesë barbare dhe materiale.

Po, në qoftë se i jepni kombit të varfrë shijën dhe nevojën e një kulture, në qoftë se i dëftoni që, përmbi qarkun e dheut ka një atmosferë të bukurë me dritë morale dhe me bukuri të inteligjencësë, në qoftë se me shkrimet tuaj u jepni dhe shëmbëllën e personit, e veprësë tuaj, atëherë mund që të shpresojmë se do të çeletë një udhë e re, drejt një qielli të ri.

Nevoja e një jete së re, një jete më të lartë se ajo e sotme, më e bukurë dhe më e kandshme, me mirëbërjet e qytetërimit, mirëbërje të vërteta. Është detyra e atyre që shkrojnë si të mbajnë fenerin e idevet të tyre drejt kësaj udhe, për t’e prinurë botën, për t’i dhënë shijën e virtutevet.

Po edhe ep-i-ni gjindjesë konvikcionin dhe besimin se qytetërimi nuk fitohet më një ditë as me një javë, as në një mot. Zhvillimi i mëndjes së njeriut, fitimi i virtutevet shoqëror, gadhnimi i kamjevet, të mëndjesë dhe të moralit, shprapsja e vesevet, duanë një durim të math, një punë me këmbëngulje të shumëvitëshme.

Kombit tënë më tepër se nga çdo send i mungon durimi. Kërkon që një punë të bëhetë më një ditë, dëshëron që drurin t’a mbjell në mëngjes dhe pemën t’ja hajë në dekë. Nuk i pëlqen të presë, të bëjë llogari për kohë të gjatë, të punojë për vitet që do të vijnë, të vuajë shmuë kohë duke priturë ditë gëzimi. Jo. Ay thotë ”më mirë njëve sot,sa një pulë mot” dhe këshu kurdoherë ka mbetur dhe mbetetë pa ve.* (Ai që udhëton në Shqipëri sheh bukurinë dhe cilësinë sipërore të ullinjvet të çuditshme në Vlorë, të gështenjavet në Zërvake, të manavetnë Boboshticë. Po edhe habitetë kur vë re se këta drurë janë të vjetër dhe s’gjen as një të ri në mes të tyre! Kush të lodhet që t’i mbjellë dhe të presë dhjet vjet pemën e tyre). Prandaj s’i ka përlqyerë të hedhë djersë dhe mundim për Shqipërinë, për vëndin e tij. Pse të rogonjë unë sot, kur fitimin do t’a pres kaq kohë? Edhe nuke shohim rreth nesh no një veprë të madhe, no një godi të shëndoshë, no një krijesë të punësë dhe të durimit që parasheh dhe që gjykon.

Kemi rrojtur për orën, për minutën e tanishme. Vetëm e sotmja na ka tërhequrë vërejtjen dhe na ka shtrënguarë që të dalim nga përtimi dhe nga gjumi. E nesërmja s’na ka dhënë brengë, se nuk kemi dashurë të parashohim, të shikojmë dhe atë që s’duket akoma, atë që nuk e prekim tani me dorë.

Të butin nga t’egrin e shqon të paraparët.

Gjithë që i çuditemi sot qytetërimit dhe përparimit, është pema e asaj cilësije që e bën njerinë të mos jetojë vetëm për orën e tanishme, po të sigurojë edhe motin që ka për t’ardhurë. Kujdesi i kohës që do të vijë e bën njerinë që të përornjë që sot fuqin’ e tij në të ngrehurë vepra për pritmin, të ekonomizojë, të kurcejë, të derdhë mundimin në vepra që pemët do të dalin pas vjetësh dhe vjetësh, të  brengosetë që tani për djemtë dhe nipët e tij, për brezat që edhe s’kanë lindurë.

T’a bëjmë popullin tënë të fitojë këtë cilësi, virtut i durimit dhe të parapmit. Të mos ishte durimi, ay vullnet në që na shtyn të mos e ndjejmë lodhjenë, bota s’do të qe kështu si është. Do të qe një shkretinë, një Sahara, një Sudan, një Takla-makan.

Çë shohim rreth nesh, në vënde që ka ndriturë gazi i përparimit, janë pemë të trashëguara me punim të gjatë, të mbetura bir pas ate, të shtuara çdo ditë, me gadale, por pa reshturë,si thesari i thnegllës, si reta e merimangës, si koshere e mbletës. Asgjë s’është bërë me një ditë. Shumë herë për një send kanë  lodhurë trupin dhe mëndjenë disa breza me radhë, me qind njerës.

Zbukurimi moral dhe material i vëndit tënë kërkon një  ujitje të gjatë, me diersë dhe shogrimin e kohësë. Asgjë në këtë botë s’bëhet dot pa ndihmën e vitevet. Më kot mejtohemi qysh t’a bëjmë motin minutë. Do t’i përulemi regullës dhe ligjit, të pranojmë se, përparimi është më parë nga çdo send një thesar i mbledhurë nga një dhjetës e nga një dhjetës, me vuajtje dhe pësime të mëdhenj, duke gërmuarë ditë dhe natë, një thesar i lënë për djemtë tanë, të cilët, duke e shtuarë tër’ n’atë mënyrë, kurdoherë duke u lodhurë dhe duke u dirsurë, do t’’a lënë në djemt’ e tyre, dhe kështu me radhë, brez pas brezi.

Në qoftë se gjatësia e kohësë na trëmp dhe tmeron, atëherë më mirë të themi që tani, t’i rrëfejmë botësë se nukë do të qytetërohemi, nukë do të përparojmë as një herë, jemi dënuarë për vdekje.

*

Tani drejtohem ke ju, vjeshëtorë dhe poetë, ke ju që duhet të jeni shpirti i kombit, udhëhqësit e shpirtit të këtij kombi.

Mbani mënt se ngjallja e kaqë kobmeve ka insurë me frymën e poetëvet. Mbani mënt se rritja dhe lartësimi i kombevet ka gjeturë fuqi në inspirimi i dhënë prej vjershtorëvet.

Që të bëhënë një komb i fortë, njerëzit e ndarë dhe të pafuqishmë, kan’ nevojë për një ideal të ardhurë së sipërmi, për t’i bërë të adhurojnë vëndin e tyre, të bienë therorë për jetën e bashkët, për nderin dhe sendrën’ e përbashkët. Ay ideal i bën , që të heqin dorë nga rezhionalizma shterpë, nga egoizma misqine, u jep një hov që të rrojnë vetëm për  vëndin e nderuarë dhe të pandarë.

I lumtur ay popull që ka gjeturë në brume të saj të tillë poetë me frymë të lartë. Më të lumtur akoma ata poetë që kanë gatuarë me frymën e tyre kombin dhe i kanë rrëfyerë udhën e bardhë drejt një ideali të lartë.

Fuqija morale është mbase ajo që nuk’ e dërmon as një forcë e dheut. Ushtëritë, armët, armatat munt të thyhen dhe të farosenë. Po forca që i jep shpirtit pushteta morale, ajo që i nëshpiron kulti i vëndit dhe i kombit, i kundërqëndron çdo sulmi, edhe në qoftë se fati e poshtëson no një herë, prapë rri e gjallë, rilind nga hiri i saj.

Lufta e madhe e fundit na provoj se nuk’ është vetëm interesi material që e bën njerinë të vdesë për vëndin. Më tepër se llogari e fitimit dhe humbjesë nga pikëpamja ergjënt dh emirërrojtje, është ajo lithkë që ka njeriu për qytetërimin, për kulturën, për historinë e vëndit të tij. Me të drejtë ka thenë Volaire-i se, literatura e Francës ka bërë gadhnime më të mbëdhenj nga ushtrit e Karlomanit.

I padituri, i paqytetëruari është lidhurë vetëm me një lithkë ne toka e tij: frika e rrojtjesë. Kurse të qytetëruarin dhe të zhvilluarin e lidhin ne trualli gjithë zëret e atyre që kanë vdekurë përpara tij; e atyre që i kanë dhënë një shkëlqim dhe një famë atij vëndi.

Juve, juve shrimtarë dhe poetë, ju bie barra që të inspironi adhurim dhe nder për këtë truall të Arbërisë, bekim të pakufishmë për çdo pëllëmbë të kësaj balte, t’i jepni të përpietën e përparimit.

_____

Marrë nga Midhat Frashëri: VEPRA, NB “Rilindja”, Prishtinë 1996.

Ekskluzivisht për “Radio Kosova e Lirë”, e përgatiti  Adil FETAHU

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …