Zeqir Isuf Gashi (19.1.1974 – 7.4.1999)

Zeqir Isuf Gashi (19.1.1974 – 7.4.1999)

Dëshmori i kombit Zeqir Gashi, u lind më 19 janar 1974, në fshatin Buçan të Pejës, në një familje të njohur për tradita atdhetare, pjesëmarrëse në shumë përpjekje e luftëra për liri e çlirim. Prindërit e tij, Isuf Zenun Gashi dhe Ruke Lush Tahiraj, nga Baballoçi, i lindën dhe i rritën tre fëmijë, dy vajza e një djalë. Zeqiri ishte më i vogli prej fëmijëve dhe djalë dëshiri.
Shkollën fillore Zeqiri e kreu me sukses të shkëlqyeshëm në vendlindje, duke qenë njëri ndër nxënësit më të dalluar. Shkollën e mesme e kreu në Gjimnazin “Bedri Pejani” të Pejës, paralelet e ndara në Baran. Rrethanat ekonomike dhe ato politike bënë që si mbajtës i familjes, ai të mos mund ta vazhdojë shkollimin e mëtutjeshëm.
Në vitin 1992, Zeqiri u martua me Ajmane Isuf Hoxhën, bijë e Lluzhanit të Pejës, të cilëve u lindën tre fëmijë, dy djem e një vajzë: Isufi, Blendi dhe Bleona.
Zeqiri ishte pjesëmarrës në protestat dhe demonstratat gjithëpopullore kundër pushtimit serb. Shquhej për sinqeritet, ndershmëri, vendosmëri, e mbi të gjitha për guxim e trimëri, përkushtim e besnikëri ndaj popullit dhe atdheut të vet. Ndonëse që në vitin 1993 i kishte vdekur babai Isufi, kur atij i kishte rënë barra e kryefamiljarit, që në kushtrimin e parë të luftës, Zeqiri u radhit pa hezitim në radhët e para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilës si luftëtar i dalluar i shërbeu pa shkëputje ndershmërisht e besnikërisht deri në rënien e lavdishme. Zeqiri e kishte pasur më lehtë të bie në kontakt me luftëtarët e lirisë, sepse vendlindja e tij Buçani, gjendet shumë afër Shqiponjës (ish-Jabllanicë) së Dushkajës, e cila ishte ndër bazat më të hershme dhe më të fuqishme të UÇK-së.
Gjatë vitit 1998, Zeqir Gashi apo “Zeqa”, siç e thërrisnin bashkëluftëtarët, mori pjesë në vijat e para të frontit kudo që e kërkoi nevoja, si në betejën e zhvilluar për mbrojtjen e Vranocit – vendlindjen e Adrian Krasniqit, në maj të vitit 1998, pastaj në luftimet e zhvilluara në Llugaxhi, Buçan, etj., gjithnjë duke u shquar për guxim e trimëri. Kur bashkëluftëtarët i kërkonin që të mos merrte pjesë në vijat e para të frontit, Zeqiri u përgjigjej: “Atdheu është i të gjithëve dhe për mbrojtjen e tij duhet të sakrifikohemi të gjithë njësoj”. Ai ishte ndër luftëtarët e paktë që pas ofensivës së shtatorit dhe goditjeve që kishte marrë UÇK-ja nga jashtë e nga brenda, u gjet në mesin e luftëtarëve që në krye me komandantin e Zonës Operative të Dukagjinit, Ramush Haradinaj, u përqendruan në Shqiponjë të Dushkajës, prej nga u bë riorganizimi i suksesshëm i radhëve të UÇK-së në gjithë zonën. Pas gjendjes së krijuar në atë kohë, Zeqiri u ngarkua me detyrë nga Komanda e Zonës, për riorganizimin e luftëtarëve në vendlindjen e tij. Këtë detyrë e kreu me përkushtim edhe përkundër pengesave që i paraqiteshin në terren. Njëkohësisht që nga muaji shtator 1998, u sistemua në Brigadën 132 “Myrtë Zeneli” në detyrën e policit ushtarak. Këtë detyrë e kreu edhe pas transferimit në Brigadën 135 “Agim Zeneli”, e themeluar në mars të vitit 1999, rajon i përgjegjësisë së të cilës ishte Lugu i Baranit. Këtë detyrë Zeqir Gashi e kreu me nder, përgjegjësi e përkushtim të lartë deri në rënien e lavdishme.
Gjatë ofensivës së muajit prill 1999, dëshmori Zeqir Gashi mori pjesë dhe u dallua në luftimet e zhvilluara në Shqiponjë, Buçan, Llugaxhi, Kralan, Zhebel, etj. Ai bashkë me një grup luftëtarësh, nën drejtimin e komandantit të Brigadës 135 “Agim Zeneli”, Lulzim Morina, nuk ishte larguar fare nga rajoni i përgjegjësisë, por tanimë po zhvillonte luftë guerile kundër forcave ushtarako-policore serbe në Buçan dhe në rajonin përreth. Kështu, më 7 prill 1999, duke qenë në krye të detyrës në Buçan, Zeqir Gashi bie dëshmor në një përballje me trupat serbe dhe kolaboracionistët shqipfolës, pjesëtarë të të ashtuquajturës “polici lokale”. Në përpjekje për ta tërhequr trupin e dëshmorit, bie dëshmor edhe bashkëluftëtari i tij Agron Gashi, nga Buçani.
Të njëjtën ditë bashkëluftëtarët i varrosën këta dy dëshmorë me nderime ushtarake në “Fushën e Haxhi Seferit” në Buçan. Pas përfundimit të luftës dëshmori Zeqir Gashi u rivarros në varrezat e Buçanit, ndërkaq më 22 maj 2004 eshtyrat e tij u vendosën në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve të Kombit në Shqiponjë të Dushkajës.
Dëshmori i kombit Zeqir Gashi ishte shembull i luftëtarit të devotshëm, që nuk dorëzohet para asnjë vështirësie. Ai ishte shembull i njeriut të sakrificës i gatshëm për të dhënë gjithçka për lirinë e atdheut. Pas vetes ka lënë nënën, Rukën, bashkëshorten Ajmanen dhe fëmijët Isufin, Blendin dhe Bleonën, të cilët përkundër dhimbjes së madhe, janë krenarë për djalin e për babain dëshmor, të vetëdijshëm se për liri duhen sakrifica të shumta dhe se liria pa gjak nuk fitohet.
Familja e dëshmorit Zeqir Gashi, është nderuar me mirënjohje të shumta si nga Qeveria e Përkohshme e Kosovës – Ministria e Mbrojtjes, Komanda e Zonës Operative të Dukagjinit e UÇK-së, Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, Komanda e Zonës së Tretë të Mbrojtjes së TMK-së, Komuna e Pejës, Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së, Organizata e Veteranëve të Luftës, Brigada 132 “Myrtë Zeneli”, Brigada 135 “Agim Zeneli”, etj.
Dëshmori Zeqir Gashi është përjetësuar edhe në këngë e në historinë tonë më të re. Për heroizmin e tij është shkruar në librin “Të Pavdekshmit e Dukagjnit”, në revistën ushtarake “Ardhmëria” (organ i Zonës së Tretë të Mbrojtjes), në librin “Gjaku i Lirisë”, në gazetën javore “Fokus”, “Epoka e Re” etj. (F. R.)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …