Shaqir Shaqiri: GËNJESHTRA DHE PLAGJIJATURA NËN PETKUN E SHPREHJES SË LIRË TË AUTORËVE: MENDERES ZENELI DHE RESHAT AJVAZI

Shaqir Shaqiri: GËNJESHTRA DHE PLAGJIJATURA NËN PETKUN E SHPREHJES SË LIRË TË AUTORËVE: MENDERES ZENELI DHE RESHAT AJVAZI

(Reagim ndaj përmbajtjes së shkrimit nën slloganin  “Liria ka emër” të autorëve Menderes Zeneli dhe Reshat Ajvazi)

Çdo kush ka të drejtë në shprehjen e lirë, në këtë kontekst edhe të shkruaj mbi të kaluarën e historikun e tij, por faktet nuk duhet të shtrembërohen dhe as lexuesi nuk duhet të gënjehet dhe të krijohet opinion e besim i gabuar.

Liria e shprehjes është një nga parametrat mjaftë të rëndësishme të demokracisë së një shoqërie. Konventa e Këshillit Evropian për mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut por edhe legjislacioni ynë që është në fuqi, e sqarojnë mjaftë bukur këtë të drejtë dhe këtë përgjegjësi për secilin njeri dhe për secilën shoqëri.

Tek ne lirinë e shprehjes e kemi kapur për bishti, e interpretojmë dhe e zbatojmë sipas dëshirës individuale ose porosive të “padronit”, duke mos qarë kokën për kundër efektet që mund të shkaktohen.

Menderes Zeneli & Reshat Ajvazi si autorë të shkrimit “Liria ka emër”,  të postuar më 19.11.2020 në ueb faqet e www.radiokosovaelire.com1 dhe në www.epokaere.com2, kanë keqpërdorur të drejtën e shprehjes  së lirë dhe kanë përfshirë edhe këto dy ueb faqe shumë të respektuara, në përhapjen e të dhënave jo të sakta dhe të shtrembëruara. Këta dy autor, duke e shfrytëzuar sloganin e krijuar enkas për përkrahjen e udhëheqësve të UÇK-së, që janë në Hagë “Liria ka emër”, po përpiqen të krijojnë një opinion të gabuar mbi historikun e veprimtarisë  ilegale dhe ushtarake në Luginën e Preshevës.

Pavarësisht qëllimit që ky shkrim të jetë si një pjesë e monografisë së fshatit Bukoc, duke spikatur personalitete për të shkruar historikun e tyre, autorët kanë bërë një shtjellim të  keq të fakteve duke i shtrembëruar ato me gënjeshtra dhe duke i veshur me plagjiaturë.

Autorët kanë gënjyer opinionin kur shkruajnë se “LPK dhe grupet ilegale të saj  kishin marr vendim që të bashkohen me UÇK-në” pasi që në fshatin Bukoc paraprakisht ishin hapur bunkerët (teksti origjinal i Menderes Zenelit dhe Reshat Ajvazit: “Ne këtë fshat menjëherë filluan për ti hapur bunkerët për strehimin e armatimit. Duke e parë këtë situatë LPK-ja dhe grupet ilegale të saj, që vepronin në Luginën e Preshevës kishte marrë vendim që të bashkohen me UÇK-n”). Edhe për mua është shumë e çuditshme se si këta autorë kanë këtë qasje kaq naive. Nuk e di nëse edhe në vitet e ’90-ta kenë qenë kështu të paditur apo tani kanë harruar se vet LPK-ja është  themeluesja e UÇK-së, dhe se LPK Këshilli i Rrethit Preshevë, u shndërrua në Njësite të Para të UÇK-së. Nuk ma ka marrë mendja se edhe me këtë nivel të paditurisë bien shokët e mi.

Autorët edhe kur shkruajnë për organizimin politik dhe ushtarak, lënë  për të kuptuar se ka pasur  organizimin paralel brenda LPK-së dhe brenda UÇK-së. Për ata që të kaluarën e shikojnë me dëshirën e të sotmes, jua them troç se neve asnjëherë, në asnjë aksion nuk kemi pasur organizim paralel, përkundrazi, ne kemi pasur organizim vertikal, kemi pasur një udhëheqës të aksionit i cili ka marrë përgjegjësinë e suksesit apo të mossuksesit.

Pse gënjejnë dhe se përpiqen që edhe veprimet t’i përvetësojnë, nuk ma ka marrë mendja kurrë, sepse kurrë nuk kam menduar se jenë kaq të ulët intelektualisht. Ata, nga padituria apo porosia,  shkruajnë dhe dezinformojnë opinionin se Fatmir Arifi ka siguruar aparaturën e Radios Kosova e Lirë.  Fatmir Arifi nuk ka pasur qasje dhe nuk dinë fare se si janë zhvilluar takimet për sigurimin teknikes se Radios Kosova e Lirë. Ai kurrë nuk e ka takuar Ismet Bexhetin për këtë çështje, rrjedhimisht as që ka biseduar me të dhe as që e di se si janë zhvilluar bisedimet dhe as se si është zhvilluar aksioni për bartjen e Radios. Prandaj është shumë interesante se si këta autorë me kaq guxim e deformojnë kaq keq këtë ngjarje dhe se si e shpikin një personazh për të bërë një novelë komike bukocalike.

Aksionin e parë për bartjen e armëve, meritë kryesore është e Njësitit Ushtarak në Kumanovë, me të cilin djemtë e Bukocit për kohën për të cilën shkruajnë (aksionin e parë), nuk janë takuar fare. Njësiti ushtarak i Kumanovës ka qenë pjesë e përgjegjësisë së  Zonës së Tretë Operative, që më vonë u shndërrua në Batalion Mbështetës për UÇK-së, e njohur ndryshe si “Korridori i Furnizimit”.

Autorët marrin guximin pa fare ndërgjegje flasin për momentin e rënies së dëshmorit të kombit, Ibrahim Fejazullahu. Ata as nuk janë takuar dhe as nuk e din se përse ishte dhe se ç’detyrë kishte luftëtari i UÇK-së, në momentit kur bie dëshmor. Ai bie në krye të detyrës, dhe për këtë akt trimërie e sakrifice, Presidenti i Republikës së Kosovës, ShT Hashim Thaçi e dekoron me Urdhërin “Hero i Kosovës”.  Autorët sikur nuk e kuptojnë se fjala publike ka edhe përgjegjësinë.

Autorët shkruajnë edhe për organizimin e demonstratave të 1 dhe 2 Shkurtit 1990 në Preshevë, pastaj  formimin e PDSH-së dhe organizimin e Referendumit të 1 dhe 2 Marsit. Të gjitha këto ngjarje kanë një histori të tyre, kuptohet brenda së cilës, diku,  janë edhe të apostrofuarit e autorëve të shkrimit “Liria ka emër”, por jo saktësisht  siç e shtjellojnë autorët.

Ky shkrim i postuar në këto dy ueb faqe, ka edhe plagjiaturë. Këta dy autor kanë bërë hajni, kanë vjedhur fjali dhe paragrafë nga fejtoni “Rrugëtimi i Radio Kosova e Lirë” të postuar më 24.12.2004 në www.presheva.com dhe të ripostuar më 28.12.2015 në gazetë ditore Epoka e Re, Prishtinë, me datë 28.12.2015 si dhe në  www.presheva.com3 me datë 29.12.2015, dhe për të njëjtat fjali e paragrafë autorët nuk japin referencat.

Një shkrim me kaq të pavërteta nuk është edhe shumë e çuditshme, sepse z. Menderes Zeneli si njëri nga autorët e këtij shkrimi nuk ka qenë fare në Kosovë dhe fare nuk i di gjërat dhe zhvillimet e ndodhura për kohën për të cilën shkruan. Ai ka shkruar me “të nime”. Për korrektësi, Menderes Zeneli ka qenë i organizuar dhe aktivist i LPK-së Dega jashtë vendit dhe se veprimtaria e tij në këtë fushë është e bujshme. Ai po ashtu ka qenë i autorizuar nga KP PMB për fondin “Zëri i Atdheut” në diasporë, për UÇPMB-në. Kaq din ai. Autori tjetër, Reshat Ajvazi, është absolutisht i papërgjegjshëm dhe fare jokompetentë për pjesën kruciale për të cilat shkruan. Thjeshtë, ai nuk ka pasur qasje për pjesën dërmuese të ngjarjeve të cilat i shkruan dhe si rrjedhojë nuk është kompetentë. Për korrektësi, po ashtu z. Ajvazi ka qenë anëtarë i LPK-së Këshilli i Rrethit Preshevë dhe bashkë me bashkëveprimtarët e LPK Këshilli i Rrethit, kalojnë në Njësite Ushtarake të UÇK-së, Zona e Tretë Operative (me vonë batalioni Mbështetës i SHP UÇK-së “Korridori i Furnizimit”)

Ajo pjesë e së vërtetës që është në këtë shkrim, përdhoset dhe humb kuptimin nga të pavërtetat me të cilat goditet vitaliteti i organizimit dhe veprimit ilegal politik edhe ushtarak. E vërteta  nuk mohohet dhe nuk tjetërsohet, pra të vërtetat e ndodhura nuk zhbëhen dot, brenda së cilës janë edhe autorët, por secili do të mbetet në “vendin” e vet (në meritën e tij).  Pra, historia nuk rishkruhet  dhe e kaluara nuk kthehet mbrapsht për të rirregulluar strukturën, pozitën dhe përgjegjësinë  sipas dëshirës së sotme.

Çdo kush ka të drejtë në shprehjen e lirë, në këtë kontekst edhe të shkruaj mbi të kaluarën e historikun e tij, por faktet nuk duhet të shtrembërohen dhe as lexuesi nuk duhet të gënjehet dhe të krijohet opinion e besim i gabuar.  Një realitet sado që sot na duket i vogël, një ngjarje, rreshtim e veprim në dobi të çështjes së organizimit politik dhe luftarak, për kohën ka qenë e madhe dhe e rëndësishme, njëkohësisht ka bartur potencialisht edhe rreziqe të mëdha. Por ne e kemi sfiduar rrezikun dhe e kemi mundur, prandaj aktiviteti ynë  në dobi të çlirimit të vendit, në cilat do këto ngjarje të ndodhura, të vogla apo të mëdha, sot duhet të na bëjnë krenar.

Autori është ish i burgosur politik, udhëheqës i LPK- KRR Preshevë,  udhëheqës i Zonës së Tretë, më vonë Batalioni Mbështetës i SHP UÇK-së “Korridori i Furnizimit”, Nënkryetar dhe zëdhënës i Këshillit Politik për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.

Prishtinë, 26.11.2020

https://www.radiokosovaelire.com/menderes-zeneli-reshat-ajvazi-liria-ka-emer/?fbclid=IwAR3H-fsPfA7keAHxtVhanOMA8ja3Hp8YYbY5gCVG6y8Y78YWrVjeJpix9rU

https://www.epokaere.com/liria-ka-emer/

https://presheva.com/rrugetimi-i-radios-kosova-e-lire/

Kontrolloni gjithashtu

Shpresa Bajraktari: Krenari – 80 vjetori i çlirimit të Tiranës !

Krenari – 80-vjetori i Çlirimit të Tiranës! 17 nëntori 1944 është Dita e Çlirimit të …