Hyrje
Viti 1968, me kërkesat kryesore për Republikë, Kushtetutë e Vetëvendosje, që u bë pjesë e historisë më të re, lidhet edhe me kohën nga Kongresi i Berlinit, 1878, kur Fuqitë e Mëdha e copëtojnë Shqipërinë, të pushtuar nga Perandoria Osmane, më 1479, 1 dhe heshtin për masakrimin e banorëve të Sanxhakut të Nishit dhe për shpërnguljet e tyre të dhunshme në drejtim të Rrafshit të Kosovës.2 Krimi i Fuqive të Mëdha vazhdoi me ricopëtimin e Shqipërisë dhe në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, më 1913, kur Greqia zgjerohet 2,7 herë, Mali i Zi 3 herë dhe Serbia 2,8 herë, me zgjerim mbi Vojvodinën në Konferencën e Versajës, 1919.3 Sot, Republika e Kosovës ka vetëm një pjesë të vogël të territorit të Vilajetit të Kosovës dhe bashkë me Republikën e Shqipërisë kanë vetëm afër gjysmën e viseve shqiptare. Edhe pas vitit 1912, shqiptarët kërkuan e luftuan për çlirimin e Kosovës dhe të viseve të pushtuara dhe për bashkimin e tyre me Shqipërinë. Përkrahje ka pasur nga Federata Ballkanike4 dhe nga Kominterna.5 Ka pasur edhe përkrahje te tjera.6
Kosova pas pushtimit më 1912 dhe shfarosja e shqiptarëve
Viti 1968, me kërkesat kryesore për Republikë, Kushtetutë e Vetëvendosje, solli ndërmend kohën kur Kosova u pushtua tërësisht më 1912 nga Serbia e Mali i Zi dhe t’i kujton krimet e tyre mbi shqiptarët. Sipas Leon Trockit, mbreti Petar I Karagjorgjeviq, më 1912, pas Betejës së Kumanovës, për robërit shqiptarë, tha: ’’duhet t’i mbysni, jo me pushkatim, sepse kjo do të jetë humbje e municionit, por me shpatë’’7. Edhe Hasan Prishtina shkruan për krimet e tyre, se ata ’’vranë, prenë e dogjën 30 000 shqiptarë, sidomos fëmi të njomë e gra të pafaje’’8. Ashtu ishte edhe pas ripushtimit, më 1919. Ali Hadri thoshte se Nikolla Pashiqi mendonte se për 20-25 vjet do të asimilonte këtë popullatë në aspektin nacional e kulturor 9.
Xhelal Gjeçovi shkruan se gjatë reformës agrare 1918-1941, shqiptarëve ua shpronësuan 381 mijë ha tokë, e vetëm në Kosovë 200 mijë ha. Dëbuan me forcë nga vatrat e tyre 250 mijë shqiptarë, që shumica u vendosën në Turqi, e pak në Shqipëri. Në tokat e tyre sollën 14 mijë familje kolonësh sllavë me 60-70 mijë kolonë.10 Ashtu ishte edhe pas ripushtimit vijues, më 1945. Hakif Bajrami shkruan se synohej nga ana e pushteti serbomadh të zbatohet serbizimi i përgjithshëm i popullsisë shqiptare.11
J. B. Tito vazhdoi aty ku kishin mbetur Petri i Parë dhe Nikolla Pashiqi. Pas aneksimit në shkurt 1945, u vendos pushteti ushtarak në Kosovë. Aneksimi u bë në prill 1945 nga Këshilli Antifashist i Serbisë dhe u miratua në gusht 1945 nga Këshilli Antifashist i Jugosllavisë, me status autonom në kuadër të Serbisë, pa të drejtë gjuhe në administratë, pa flamur etj.12 Në fillim të viteve ‘50 J. B. Tito e riaktivizoi Konventën e vitit 1938 me Turqinë dhe deri në gjysmën e dytë të viteve ‘60 u dëbuan rreth 500 mijë shqiptarë nga Kosova.13
Demonstratën e parë në Kosovë dhe në viset e ripushtuara nga jugosllavët, për Republikë, Kushtetutë e Vetëvendosje e organizoi dhe e realizoi grupi i studentëve atdhetarë të Shkollës së Lartë Pedagogjike në Prizren, më 6 tetor 1968.14 Ky grup, në krye me studentin Meriman Braha, ishte bërthamë e organizimit të demonstratave në tërë Rrafshin e Dukagjinit, në Prizren, më 6 tetor15, në Therandë (Suharekë), më 8 tetor16, dhe në Pejë17, më 19 tetor. Ky grup i studentëve të Prizrenit ishte edhe në lidhje të organizimit të demonstratave edhe me një grup tjetër, por ende i panjohur, i studentëve të Prishtinës. Lidhjen e mbante studenti i këtij grupi të Prizrenit, Isa Demaj.18
Demonstratat vijuese janë mbajtur në nëntor, në qytet Prishtinë, Gjilan, Ferizaj dhe Besianë (Podujevë), të zhvilluara më 27 nëntor të atij viti dhe të organizuara mirë e guximshëm nga grupi i njohur Prishtinës. Demonstrata janë mbajtur edhe në Mitrovicë, Tetovë dhe Ulqin.
Demonstratat për Republikë, Kushtetutë e Vetëvendosje kanë qenë disamujore në Kosovë dhe në viset shqiptare të ripushtuara nga Jugosllavia. Ato u shuan me gjak, pati shumë të lënduar e të plagosur, ra dëshmor nxënësi i Shkollës së Mesme Teknike në Prishtinë, Murat Mehmeti, organizuesit u dënuan me burg, pati shumë dënime me përjashtime nga puna dhe ndjekje politike të vazhdueshme, por edhe dyert për ndryshime ishin hapur,19 por rezultatet nuk qenë të plota.20 Përpjekjet vazhduam edhe më 1981, më 1989 dhe deri në formimin dhe luftën e tri ushtrive çlirimtare, 1997-2001.
Çështja e Republikës së Kosovës, e Republikës Shqiptare në Jugosllavi dhe e bashkimit kombëtar janë shtruar shumë herë, me pak a më shumë ndryshime, në kuadër të zgjidhjes së çështjes kombëtare shqiptare në ish-Jugosllavi.
Shaban Braha, pas një analize të thelluar të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në gjysmën e dytë të shekullit XX, të kërkesave për Republikë e Vetëvendosje, si fazë kaluese deri te bashkimi, në veprën e tij të njohur Gjenocidi serbomadh dhe qëndresa shqiptare 1844-1990, konstaton me shumë të drejtë se populli i Kosovës dhe veçanërisht brezi i ri në Kosovë po përpunonte strategjinë e çështjes kombëtare, të unifikimit të kombit, në varësi me kushtet në evoluim: “Duke u ndodhur në vazhdim të gjendjes së mëparshme, populli i Kosovës dhe veçanërisht brezi i ri në Kosovë po përpunonte strategjinë e çështjes kombëtare, të unifikimit të kombit në varësi me kushtet në evoluim’’.21
Ukshin Hoti e shihte Republikën e Kosovës vetëm në funksion të bashkimit dhe të forcimit të raporteve të reja në gjithë territorin e Ballkanit, të Mesdheut dhe të Evropës: ’’Republika e Kosovës, me fjalë të tjera, pavarësisht nga ajo se kush mund jetë në nivelin institucional bartës i një politike gjithëshqiptare, në rrethanat e dhëna është realizim i njërit prej interesave vitale të kombit. Si e tillë, mund të qëndrojë vetëm në funksion të bashkimit por edhe të forcimit të raporteve të reja në gjithë territorin e Ballkanit, të Mesdheut dhe të Evropës. Këtë rol mund t’a luajë me sukses në kontekst të proceseve integrative të Evropës, që do të kenë konsiderata për të gjithë pjesëmarrësit dhe për gjithë drejtimin historik të zhvillimit të proceseve pozitive.’’22
Duke shkruar për përcaktimin e tij për Republikën e barabartë sovrane të Kosovës, ai flet edhe për vënien e Republikës së Kosovës në funksion të bashkimit të kombit.23 Republika e Kosovës, sipas tij, por edhe shqiptarët në përgjithësi, duhet t’i nderojnë sidomos vlerat e gjakut të derdhur të bijve të vet.24
Ndërkaq, Ethem Çeku, në veprën e tij me interes Mendimi politik i ilegales në Kosovë 1945-1981, thotë se Demonstratat e vitit 1968 i kishin dhënë fund luftës ilegale efektive me parulla dhe me propagandë.25
Me interes të veçantë janë edhe konstatimet e prof. Rexhep Qosjes, në fillim të viteve ’90, në veprën e njohur Strategjia e bashkimit kombëtar, për Republikën e Kosovës, për Republikën Shqiptare në Jugosllavi dhe për bashkimin kombëtar. Republikën e Kosovës e konsideronte zgjidhje politike, por nuk thoshte se është edhe zgjidhje politike të çështjes shqiptare në Jugosllavi.26 Republikën Shqiptare në Jugosllavi e konsideronte zgjidhje më të plotë të çështjes, por as këtë nuk e quan zgjidhje përfundimtare,27 kurse për bashkimin kombëtar thotë se kjo të ishte e vetmja zgjidhje e drejtë dhe e vetmja zgjidhje e përhershme e çështjes shqiptare.28
Përfundime
Viti 1968 i Demonstratave për Kushtetutë, Republikë e Vetëvendosje, si fazë kaluese drejt bashkimit kombëtar, lidhet me kohën kur tre milionë shqiptarë jetonin nën sovranitetin e Serbisë, të Maqedonisë e të Malit të Zi.29
Brezi ‘68 i demonstruesve u lind me kryengritjen shqiptare pas ripushtimit jugosllav të Kosovës e të viseve shqiptare, me tragjedinë e Tivarit, me plaçkitjen e shqiptarëve në emër të tepricave; u rrit me ndalimin e flamurit kombëtar, pa të drejtë gjuhe në administratë, me ndjekjet, burgosjet e pushkatimet e pjesëtarëve të NDSH-së; e kaloi fëmijërinë në kohën e aksionit famëkeq të mbledhjes së armëve; e përjetoi dramën kolektive të shpërnguljes në Turqi dhe tronditjen kombëtare të pushkatimit të burrave të dalluar në kufi; u bë pjesë e traumës gjithëpopullore të burgosjeve së atdhetarëve të brezit të viteve ’50.
Brezi ‘68 i demonstruesve e kaloi moshën e miturisë dhe iu bë krah brezit të viteve ‘60 të Adem Demaçit, duke shpërndarë flamurin kombëtar, të ndaluar me ligj, duke lexuar literaturën e ndaluar, sidomos Shqipërinë e Samiut dhe Lahutën e Fishtës, duke e dëgjuar fshehurazi Radio Tiranën, duke kënduar këngë atdhetare, po ashtu të ndaluara nga pushteti jugosllav, duke e adhuruar Skënderbeun dhe heronjtë e historisë, nga periudha ilire e deri te Rilindja Kombëtare, duke shkruar parullën ’’Rrnoftë Shqipnija’’ dhe duke u krenuar se jemi shqiptarë.
Viti 1968 i Demonstratave për Kushtetutë, Republikë e Vetëvendosje dallohet si vit i ngritjes së vetëdijes kombëtare për çlirim dhe bën të quhet hallkë historike e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare për bashkimin e kombit të ndarë.
Brezi ‘68 i demonstruesve ishte i lumtur vetëm për pak çaste kur klasa politike e Kosovës me ata pak intelektualë të asaj kohe kërkonin Kushtetutë, Republikë e Vetëvendosje, por u dëshpërua kur ata hoqën dorë nga kërkesat legjitime të popullit të tyre. Ai e mori në duart e veta fatin e Kosovës dhe u gatit që botërisht t’i thuhet ndal pushtetit jugosllav.
Brezi ‘68 i demonstruesve shënon edhe fillimin e shpërbërjes së Federatës jugosllave, që ishte burgu kolektiv i shqiptarëve, të dënuar me qindra shekuj burg politik, që u mbyll pas luftës fitimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Viti 1968 i Demonstratave për Kushtetutë, Republikë e Vetëvendosje ishte vit kur çështja e pazgjidhur kombëtare e shqiptarëve u shtrua guximshëm edhe në rrugë, me demonstrata të mëdha e të përgjakshme, si pasqyrim i vullnetit të së drejtës kombëtare dhe universale të bashkimit të popujve të ndarë. Ky vit bën të quhet vit shumë i rëndësishëm edhe i ndërkombëtarizimit të çështjes së pazgjidhur kombëtare shqiptare në qarqet politike dhe intelektuale evropiane e botërore dhe hallkë e re e fillimit të organizimit të kryengritjes së armatosur në vitet ‘90 dhe të luftës së tri ushtrive çlirimtare30.
Bibliografi
ABDYLI, Ramiz (2004). Lëvizja Kombëtare Shqiptare 1911-1912, libri 1, recensues prof. dr. Hysni Myzyri dhe prof. dr. Muhamet Shatri, Prishtinë, Instituti i Historisë.
BABIĊ, Branko (1984). Polika Crne Gore u novo oslobođenim krajevima 1912-1914, Titograd, ‘’Pobjeda’’.
BAJRAMI, Hakif (2002). Politika serbe për rikolonizimin e Kosovës me sllavë 1945-1948, redaktorë Ethem Çeku dhe Avdi Gjata, Prishtinë, ‘’Era’’.
BRAHA, Braha (1991). Gjenocidi serbomadh dhe qëndresa shqiptare 1844-1990, recensues Selami Pulaha, Gazmend Shpuza, Thimi Bare, Gjakovë, ’’Lumi T’’.
CANA, Zekeria (1997). Gjenocidi i Malit të Zi mbi popullin shqiptar 1912-1913 (dokumente), recensentë dr. Xheladin Shala dhe dr. Shkëlzen Raça, Prishtinë, Instituti Albanologjik i Prishtinës.
CULAJ, Lush (1997). Komiteti Mbrojtja Kombëtare e Kosovës, rec. dr. Xheladin Shala dhe dr. Qamil Gexha, Prishtinë, Instituti Albanologjik i Prishtinës.
HARAPI, Zef Mark (2004). Ditt e trishtimit n’Pejë e nder rrethe: 1912-1913, përgatiti dhe pajisi me shënime Nikë Ukgjini, Pejë, biblioteka ”Fryma”, botues ”Dukagjini”.
HOTI, Ukshini (1995). Filozofia politike e çështjes shqiptare, zgjodhi dhe redaktoi Bislim Elshani, recenzentë Shaban Sinani, Moikom Zeqo, Tiranë, shtëpia botuese ‘’Rozafa’’.
ÇEKU, Ethem (2003). Mendimi politik i ilegales në Kosovë 1945-1981, recensues prof. dr. Qamil Gexha, prof. dr. Jahja Drançolli, prof. dr. Arsim Bajrami, ‘’Brezi ‘81’’, Prishtinë, 2003.
Çështja kombëtare dhe vetëdija kritike (1998). Redaksia: Masar Stavileci, Agim Vinca, Abdyl Kadolli, Zymer Neziri, Prishtinë, Forumi i Intelektualëve Shqiptarë.
ČUBRILOVIĆ, Vasa (1958). Istorija političke misli u Srbiji u XIX veku, Beograd, ’’Prosveta’’.
GJEÇOVI, Xhelal (2008). ’’Kosova, 3. Vështrim historik’’, në: Fjalori enciklopedik shqiptar, botim i ri, Tiranë, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, f. 1297-1299.
Demonstratat e vitit 1968, I, II (2018). Përmbledhje kumtesash nga konferenca shkencore, e mbajtur me rastin e 40-vjetorit, në Prishtinë, më 24-25.11.2008. Përgatitja për shtyp Zymer U. Neziri, Meriman Braha, , Prishtinë, Shoqata e të Burgosurve Politikë e Kosovës, Instituti i Historisë, Instituti Albanologjik i Prishtinës.
HADRI, Ali (1971). Lëvizja nacionalçlirimtare në Kosovë (1941-1945), Prishtinë, ‘’Rilindja’’.
Historia e popullit shqiptar, (2007) . vëllimi i tretë, periudha e Pavarësisë, 28 Nëntor 1912-7 Prill 1939, Grup autorësh, Redaksia: Kristaq Prifti, Gazmend Shpuza, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Tiranë, Botimet Toena.
KRIZMAN, Bogdan (1975). Vanjska politika jugoslovenske države 1918-1941: diplomatsko-historijski pregled, Zagreb, ‘’Školska knjiga’’.
’’Memorandumi për çështjen shqiptare’’ (1995). Forumi i Intelektualëve Shqiptarë, Prishtinë, dërguar ministrave të Punëve të Jashtme të Britanisë së Madhe, të Francës, të Gjermanisë, të Rusisë, të SHBA-ve etj., më 26.10.1995, në: Çështja kombëtare dhe vetëdija kritike, redaksia: Masar Stavileci, Agim Vinca, Abdyl Kadolli, Zymer Neziri, Prishtinë, botues Forumi i Intelektualëve Shqiptarë, 1998, f. 135-163.
NEZIRI, Zymer (1998). Intervistë: ’’Tridhjetë vjet nga demonstratat e organizuara në Pejë. Flamuri kombëtar ishte në ballë të turmës’’, intervistues Jeton A. Rexha, Prishtinë, gaz. ’’Bota e re’’, nr. 74, më 26 nëntor 1998, f. 24 e 25.
NEZIRI, Zymer U. (2000). Përgatitës për shtyp: Isa Demaj-jeta dhe veprimtaria atdhetare, redaktor prof. Ramiz Kelemendi, recensues dr. Sadri Fetiu dhe prof. Binak Ulaj, Prishtinë, NIB ’’Rilindja’’.
OBRADOVIĆ, Milovan (1981). Agrarna reforma i kolonizacija na Kosovu: 1918-1941, Priština, Institut za istoriju Kosova.
QOSJA, Rexhep (1992). Strategjia e bashkimit kombëtar, recensues dr. Sadri Fetiu dhe dr. Rrustem Berisha, Prishtinë, Instituti Albanologjik.
RUSHITI, Liman (2004). Ndarja territoriale dhe rregullimi administrativ i Kosovës 1878-1941, recensues dr. Hakif Bajrami dhe dr. Haki Kasumi, Prishtinë, Instituti i Historisë.
PUTO, Arben (2009). Shqipëria politike 1912-1939, Tiranë, Botimet Toena.
SHATRI, Muhamet (2012). Dokumente britanike për çështjen shqiptare në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, 1912-1913, Tiranë, Instituti i Historisë, Qendra e Studimeve Albanologjike.
TIRTA, Mark (1999). Migrime të shqiptarëve të brendshme dhe jashtë atdheut (vitet ’40 të shek. XIX – vitet ’40 të shek. XX), Tiranë, shtëpia botuese “Shkenca”.
TROCKI, Leon (1980). The Balkan Wars, Monad, New York.
VERLI, Marenglen (2014). Aspekte rreth krijimit dhe zgjidhjes së çështjes shqiptare (shek. XIX-XX), Tiranë, Instituti i Historisë, Qendra e Studimeve Albanologjike, ’’Klean’’.
1 Shqipëria e pushtuar nga Osmanët, më 1479, dhe viset e tjera evropiane të pushtuara nga ata ishin të ndara në vilajete. Perandoria e tyre kishte në Evropë katër vilajete, me ndryshime jo të mëdha, deri më 1839: Vilajeti i Rumelisë, Vilajeti i Temishvarit, Vilajeti i Budimit, Vilajeti i Bosnjës. Shihni: Liman Rushiti, Ndarja territoriale dhe rregullimi administrativ i Kosovës 1878-1941, Instituti i Historisë, Prishtinë, 2004, f. 13. Kosova, apo Dardania e vjetër, si pjesë e Shqipërisë, deri më 1912, kishte një territor shumë më të madh se ky i sotmi. Ajo kishte statusin e vilajetit nga viti 1868 dhe përbëhej nga katër sanxhakë: Sanxhaku i Prizrenit, Sanxhaku i Shkupit, Sanxhaku i Dibrës, Sanxhaku i Nishit. Tri vilajetet e tjera shqiptare ishin formuar më 1864: Vilajeti i Shkodrës, Vilajeti i Manastirit, Vilajeti i Janinës. Shihni: Liman Rushiti, po aty, f. 13. Vilajeti i Kosovës, 20 vjet më vonë, më 1888, kishte 6 sanxhakë: Sanxhaku i Shkupit, Sanxhaku i Prishtinës, Sanxhaku i Prizrenit, Sanxhaku i Pejës, Sanxhaku i Pazarit të Ri, Sanxhaku i Taslixhes (Plevles). Shihni: Liman Rushiti, po aty, f. 14.
2 Hakif Bajrami, Politika serbe për rikolonizimin e Kosovës me sllavë 1945-1948, ’Era’’, Prishtinë, 2002: f. 619: në vitet 1878-79 kemi zbrazjen e 714 katundeve shqiptare dhe 350 mijë të shpërnguluar.
3 ’’Memorandumi për çështjen shqiptare’’ i Forumit të Intelektualëve Shqiptarë, Prishtinë, dërguar ministrave të Punëve të Jashtme të Britanisë së Madhe, të Francës, të Gjermanisë, të Rusisë, të SHBA-ve etj., më 26.10.1995, në: Çështja kombëtare dhe vetëdija kritike, redaksia: Masar Stavileci, Agim Vinca, Abdyl Kadolli, Zymer Neziri, Forumi i Intelektualëve Shqiptarë, Prishtinë, 1998, f. 149.
4 Federata Ballkanike (1925-) proklamonte lirinë me pushkë për vetëvendosje e shkëputje të shqiptarëve në viset e veta në Jugosllavi.
5 Edhe Kominterna po ashtu e ka përkrahur kërkesën për vetëvendosje deri në shkëputje..
6 Edhe PKJ (1924 e 1928) premtonte shkëputje e bashkim me shtetin kombëtar.
7 Leon Trocki, The Balkan Wars, Monad, Nw York, 1980, f. 290, cit. sipas: Liman Rushiti, Ndarja territoriale dhe rregullimi administrativ i Kosovës 1878-1941, Instituti i Historisë, Prishtinë, 2004, f. 67.
8 Tahir Abdyli, Hasan Prishtina (Në 55- vjetorin e vrasjes së Hasan Prishtinës 1933-1988), në : rev. ’’Kosova’’, nr. 17, Instituti i Historisë së Kosovës, Prishtinë, 1988, f. 93: Hasan Prishtina, duke shkruar për Esatin dhe për miqësinë e tij me Serbinë, përmend shifrën e krimeve serbe pas pushtimit, më 1012: 30 mijë shqiptarë: ’’Njata vetë janë qi përpara pesë vjetëve vranë, prenë e dogjën 30 000 shqiptarë, sidomos fëmi të njomë e gra të pafaje’’, cituar sipas artikullit: H. Prishtina, ‘’Esat Toptani e Italijanët, në: ’’Vëllaznija’’, nr. 79, Vjenë, 26.X. 1917.
9 Ali Hadri, LNÇ në Kosovë (1941-1945), Prishtinë, 1971, f . 27, cit. sipas: Hakif Bajrami, Rrethanat shoqërore dhe politike në Kosovë më 1918-1941, Instituti i Historisë i Kosovës, Prishtinë, f. 51.
10 Xhelal Gjeçovi, ‘’Kosova, 3. Vështrim historik’’, në: Fjalori enciklopedik shqiptar, botim i ri, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Tiranë, 2008, f. 1297. Shihni edhe: ’’Memorandumi për çështjen shqiptare’’ i Forumit të Intelektualëve Shqiptarë, Prishtinë, dërguar ministrave të Punëve të Jashtme të Britanisë së Madhe, të Francës, të Gjermanisë, të Rusisë, të SHBA-ve etj., më 26.10.1995, në: Çështja kombëtare dhe vetëdija kritike, Redaksia: Masar Stavileci, Agim Vinca, Abdyl Kadolli, Zymer Neziri, Forumi i Intelektualëve Shqiptarë, Prishtinë, 1998, f. 150: nga viti 1912, Serbia dhe Jugosllavia, mbretërore e komuniste, kanë shpronësuar e kanë kolonizuar 381 245 hektarë tokë të shqiptarëve me rreth 150 mijë serbë e malazez, e në vitet 90 edhe me mbi 20 mijë kolonë serbë nga Kroacia.
11 Hakif Bajrami, Rrethanat shoqërore dhe politike në Kosovë më 1918-1941, Instiuti i Historisë i Kosovës, Prishtinë, f. 348.
12 Xhelal Gjeçovi, ‘’Kosova, 3. Vështrim historik’’, pun. i cit., f. 1299.
13 Xhelal Gjeçovi, po aty, f. 1299. Shihni edhe:’’Memorandumi për çështjen shqiptare’’ i Forumit të Intelektualëve Shqiptarë, pun. i cit., f.150: nga luftërat ballkanike e deri më sot Serbia dhe Jugosllavia, mbretërore e komuniste, kanë vazhduar gjenocidin mbi shqiptarët etnikë, duke vrarë me mijëra veta, duke shpërnguluar për Turqi rreth një milionë shqiptarë.
14 Grupi i studentëve të Prizrenit, në krye me Meriman Brahën, e kishte organizuar këtë demonstratë edhe më 10 qershor 1968, por ajo nuk u realizua, sepse u diktuta nga organet e sigurimit shtetëror. U vendos për datën 6 tetor, që nuk ishte datë historike. Ky grup i studentëve të Prizrenit, pos Merimanit, Isa Demajt, Rafet Ramës, Zymer Nezirit etj. ishte arrestuar edhe më parë, për Ditën e Flamurit, më 28 nëntor 1967, dhe kishte qenë nën hetime edhe pas lirimit nga Burgu i Prizrenit, gjatë pranverës 1968.
15 Në organizimin e Demonstratës së Prizrenit, më 6 tetor 1968, u dalluan edhe vëllezërit Mikel Kuzhnini, Simon Kuzhnini, si dhe studentë të tjerë, djem e vajza, Lemane Braha, Shpresa Elshani, Shyhrete Tahiri, Drita Krasniqi, Drita Xharra, Isa Demaj, Rafet Rama, Binak Ulaj, Haxhi Bajraktari, Haxhi Maloku, Xhafer Kabashi, Vahid Kabashi, Limon Kabashi, Kujtim Xharra, Afrim Dushi, vëll. Malazogu, Shaban Gjekaj, Ali Galica, Ruzhdi Kadriu, Hilmi Gashi, Ilaz Nallbani, Ilir Berisha, si dhe Zymer Neziri, hartues i fjalimeve të Demonstratës së Prizrenit, të cilat i lexuan në sheshin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Pashk Laçi, në emër të banorëve të Prizrenit me rrethinë, e Gjergj Camaj, në emër të studentëve të Shkollës së Lartë Pedagogjike.
16 Studenti i Grupit të Prizrenit, Haxhi Bajraktari, e mori përsipër organizimin e Demonstratës në Therandë, më 8 tetor 1968.
17 Studenti i Grupit të Prizrenit, Zymer Neziri, e mori përsipër organizimin e Demonstratës në Pejë, më 19 tetor 1968, me ndihmën e Isa Demajt. Në Grupin e Pejës bënin pjesë edhe Ramadan Blakaj e Xhemajl Gashi.
18 Por, ai Grup i Prishtinës, që ishte në lidhje me Grupin e Prizrenit, nuk e përfundoi punën e nisur dhe u tërhoq për shkak të pasigurisë, sipas Isa Demajt, kurse organizimin dhe realizimin e kreu grupi tjetër i Prishtinës, më 27 nëntor 1968, tashmë i njohur në historinë e Lëvizjes Kombëtare.
19 Klasa politike shqiptare, shumica, nuk ishte gati për Republikën e Kosovës, sepse u rreshtua me Beogradin dhe ishte kundër kësaj kërkese ’’armiqësore’’, siç e quante Serbia e Jugosllavia.
20 Edhe një pjesë e intelektualëve të kohës nuk mbajti qëndrim kombëtar ndaj kërkesave të Demonstratave të vitit 1968.
21 Shaban Braha, Gjenocidi serbomadh dhe qëndresa shqiptare 1844-1990, recensues Selami Pulaha, Gazmend Shpuza, Thimi Bare, ’’Lumi T’’, Gjakovë, 1991, f. 504.
22 Ukshin Hoti, Filozofia politike e çështjes shqiptare, zgjodhi dhe redaktoi Bislim Elshani, recenzentë Shaban Sinani, Moikom Zeqo, shtëpia botuese ’’Rozafa’’, Tiranë, 1995, f. 59.
23 Ukshin Hoti, po aty, f. 104: ’’Përcaktimi im për Republikën e barabartë sovrane të Kosovës; për statusin e bartësit të shtetësisë së sanksionuar me kushtetutë në Republikën e Maqedonisë, dhe për garancionet evropiane të të drejtave të shqiptarëve në Republikën e Malit të Zi, pastaj për vënien e Republikës së Kosovës në funksion të bashkimit të kombit, paralelisht me zhvillimin e proceseve integrative në Evropë, mund të vihej në suaza të botëkuptimeve legaliste dhe të rrugëve të matura.’’
24 Ukshin Hoti, po aty, f. 104: ‘’Ndërkaq, për sa i përkiste popullit shqiptar, ai gjatë historisë së vet të mundimshme nuk ishte pajtuar kurrë ndonjëherë me kurrfarë forme të tiranisë as me hegjemoninë dhe as me fashizmin. Republika e Kosovës, por edhe shqiptarët në përgjithësi, as nuk mundnin dhe as që dëshironin t’i injoronin vlerat e gjakut të derdhur të bijve të vet. Ajo do t’i nderonte dhe do t’u bënte homazhe kufomave të tyre në nivelin e dinjitetit që i takonte si Republikë.’’
25 Ethem Çeku, Mendimi politik i ilegales në Kosovë 1945-1981, recensues prof. dr. Qamil Gexha, prof. dr. Jahja Drançolli, prof. dr. Arsim Bajrami, ‘’Brezi ‘81’’, Prishtinë, 2003, f. 175: Ato, më 1968, i ’’kishin dhënë fund një lufte ilegale efektive me parulla dhe propagandë, në të gjitha nivelet’’.
26 Rexhep Qosja, Strategjia e bashkimit kombëtar, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 1992, f. 103: Republika e Kosovës. Kjo do të ishte një zgjidhje politike, por nuk do të ishte zgjidhje politike e çështjes shqiptare në Jugosllavi.
27 Rexhep Qosja, po aty, f. 105: Republika e shqiptarëve në Jugosllavi, kjo do të ishte një zgjidhje më e plotë e çështjes, por as kjo nuk do të ishte zgjidhje përfundimtare.
28 Rexhep Qosja, po aty, f. 107: Bashkimi kombëtar, kjo do të ishte e vetmja zgjidhje e drejtë dhe e vetmja zgjidhje e përhershme e çështjes shqiptare.
29 Viti 1968 ishte vit i kërkesës për barazi me popullin që kishte 4-5 herë më pak popullsi se shqiptarët (M. i Zi) dhe, kur kjo e drejtë iu kishte dhënë popullit pa identitet të formësuar (Maqedoni), përgjysmë më i vogël se populli shqiptar.
30 Ky shkrim është version, me pak plotësime, i referatit të mbajtur në konferencën shkencore për Demonstratat e vitit 1968 dhe i botuar në vëllimin e parë të librit të kumtesave Demonstratat e vitit 1968, I. Përmbledhje kumtesash nga konferenca shkencore, e mbajtur me rastin e 40-vjetorit, në Prishtinë, më 24-25.11.2008. Përgatitja për shtyp Zymer U. Neziri, Meriman Braha, botues Shoqata e të Burgosurve Politikë e Kosovës, Instituti i Historisë, Instituti Albanologjik i Prishtinës, Prishtinë. 2018, f. 37- 46.