leoni

Liria ka një emër të përveçëm, Adem Shaban Jasharin, që përgjithëson e sintetizon të gjitha përpjekjet tona çlirimtare

Liria ka një emër të përveçëm, Adem Shaban Jasharin, që përgjithëson e sintetizon të gjitha përpjekjet tona çlirimtare

Fjala “slogan” ka origjinë irlandeze-skoceze dhe si e tillë në gjuhën shqipe mund të zëvendësohet me fjalët, moto, frazë, kumt, etj.

Pavarësisht kësaj, motoja “Liria ka emër” nuk mund të përkufizohet vetëm me kontribuuesit e gjallë, por në radhë të parë me dëshmorët e kombit dhe para të gjithëve, me emrin e legjendarit Adem Shaban Jashari, familjes së tij e ngushtë dhe të gjerë, familjes më sakrifikuese dhe më emblematike jo vetëm e Kosovës.  por edhe të kombit  përgjithësisht.

Motoja “Liria ka emër”  i akordon kohës, kur tashmë Gjykata Speciale kundër UÇK-së, ka filluar procesin e  ndjekjes dhe arrestimit të krerëve të luftës sonë fitimtare.  Gjykata Speciale kundër UÇK-së, nuk stopohet dot me një “slogan” për të mos thënë edhe me përmbajtje reklamuese,  por me qëndrim unik shtetëror, me vendime të bazuara në Kushtetutë dhe në të drejtën e kombeve për vetëpërcaktim, vetëvendosje,   sepse emri i lirisë ka kuptim të dimensionit shumë më të gjerë si pjesë e sinkronisë dhe diakronisë historike,  kombëtare, duke qenë pjesë e përpjekjeve shekullore të shqiptarëve për liri dhe bashkim kombëtar, si një e drejtë e natyrshme dhe e patjetërsueshme.

Liria ka emër, por ajo në radhë të parë duhet të mbrohet, me çdo kusht, me çdo çmim,  sado i lartë qoftë ai, përndryshe mbetet vetëm improvizimi reklamues  i lirisë. Nëse Kosova është e lirë, nëse ka institucione,  që duhet të veprojnë mbi bazën e Kushtetutës, ajo duhet ta tregojë me vepër dhe jo tërë kjo të kufizohet si një moto për të sensibilizuar opinionin.

Nuk duhet harruar edhe fakti kryesor, se ky slogan mund të keqpërdoret politikisht, përderisa kemi një skenë politike krejtësisht të përçarë, e cila është mobilizuar deri në skajshmëri, në dy pole tejet ekstreme, një palë  për ta mbajtur pushtetin me çdo kusht dhe pala tjetër për ta rrëzuar e për ta marrë për vete.

Kumti, “Liria ka emër”, ka kuptim dhe arsyeshmëri, nëse nuk keqpërdoret politikisht, por mbi këtë moto qëndron detyra e secilit shqiptar liridashës, për ta mbrojtur lirinë dhe kontribuuesit  e saj, çlirimtarët, të cilët po atakohen padrejtësisht,  por jo edhe pa fajin tonë, jo vetëm institucional por edhe kolektiv.

Sot krenohen me lirinë edhe ata, të cilëve gjatë kohës së luftës u kishte rrëshqitur nën këmbë toka e atdheut, derisa serbët po masakronin popullatën shqiptare dhe por e digjnin tërë vendin.

Sot krenohen me lirinë edhe ata që e kanë mohuar dhe e mohojnë luftën heroike të UÇK-së, sepse lirinë e konsiderojnë si dhuratë nga Amerika dhe NATO-ja, disa madje edhe nga BE-ja.

Sot krenohen me lirinë dhe i gëzojnë frytet e saj edhe sharësit e UÇK-së, denoncuesit, argatët e djeshëm dhe të sotëm të Serbisë, dëshmitarët e mbrojtur të EULEX-it dhe të Gjykatës Speciale.

Sot krenohen me lirinë mendjet e robëruara që anashkalojnë gjakun e dëshmorëve, por meritorë  për lirinë  konsiderojnë se janë viktimat gjatë luftës së UÇK-së, madje pa bërë dallim se kush ka kryer viktima, regjimi gjakatar i Milosheviqit, apo dikush tjetër.

Sot krenohen me lirinë edhe ata që me asgjë nuk i kanë kontribuar, por që gjatë këtyre 21 viteve janë pasuruar mbi kurriz të pasurisë së përgjithshme kombëtare, që kanë përvetësuar e zaptuar prona dhe që mbajnë frerët e politikës nënshtruese e servile ndaj të huajve, jo për interesin e kombit as të çlirimtarëve por për interesin e tyre, familjar, klanor e politik.

Sot më meritorët e lirisë, përveç në raste të veçanta, janë të anashkaluar dhe jetojnë me minimumin e kushteve ekzistenciale, kurse sabotatorët e luftës për liri, gëzojnë jo vetëm favore por edhe pushtet mbi çlirimtarët.

Ata, janë  në përpjekje për ta shfrytëzuar Gjykatën Speciale, me qëllim për të përfituar politikisht, duke i forcuar pozitat në pushtet, si njerëz që janë lakuar dhe lakohen kurdo u kërkohet, me kusht që ta ruajnë pushtetin, ta shfrytëzojnë  buxhetin e taksapaguesve,  i cili prodhon të mira e begati, jo vetëm për ta dhe familjet e tyre por edhe për  tërë lukuninë që u vete pas. Ata ia punojnë lirisë nën rrogoz, sepse të mirat dhe begatitë e tyre i arrijnë mbi fatkeqësinë e të tjerëve.

Liria ka emër kuptimplotë, vetëm kur është liri e plotë, me sovranitet e dinjitet, me moral e njerëzi, me drejtësi e paanësi, me unitet e maturi, me mirëkuptim e tolerancë, me barazi e humanizëm.

Ahmet Qeriqi

  1. 11. 2020

Prishtinë

Kontrolloni gjithashtu

BDI dënon vendimet e fundit të Moskës zyrtare për aneksimin e territoreve të Donbasit dhe Luhanskut nga Ukraina

BDI: Qeveria me eksponentë putinistë që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, ka bllokuar marrëveshjet e mëhershme

Bashkimi Demokratik për Integrim, nënvizoi  rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë midis institucioneve të Republikës së …