Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka shpallur rezultatet preliminare të zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të Komunës së Besianës. Sipas KQZ-së, Shpejtim Bulliqi ka fituar 51,64 për qind të votave. Pas tij është kandidati i LDK-së, Nexhmi Rudari me 35.97 për qind të votave dhe kandidati i PDK-së, Naim Fetahu me 12.40 për qind. Në një konferencë për media në selinë e LDK-së në Besianë kanë dalë para gazetarëve Agim Veliu dhe kandidati për kryetar nga kjo parti Nexhmi Rudari. Gjatë kësaj konference ata kanë pranuar humbjen. Veliu në këtë konferencë ka drejtuar akuza në adresë të Vetëvendosjes.
Kandidati i Listës Serbe, Milan Radojeviq, ka fituar zgjedhjet në Mitrovicën e Veriut. Sipas rezultateve preliminare nga KQZ-ja, Radojeviq ka fituar 89.86 për qind të votave në Mitrovicën e Veriut. Ndërsa dy kandidatët shqiptarë, nuk kanë arritur të fitojnë më shumë se nga 3 për qind të votave. Erden Atiq nga Vetëvendosja ka fituar 3.68 për qind të votave, ndërsa kandidati i PDK-së Florent Azemi ka fituar 3.54 për qind.