Me ftesë të Ministrisë së Mbrojtjes së Bosnjës e Hercegovinës, Ministri i Mbrojtjes, Anton Quni sot mori pjesë në konferencën e Kartës së Adriatikut, A5-SHBA, në nivel të ministrave të mbrojtjes. Për shkak të rrethanave të krijuara nga kriza e pandemisë COVID-19, takimi u realizua përmes video-konferencës me pjesëmarrje edhe të ministrave të mbrojtjes nga Bosnja e Hercegovina, Shqipëria, Kroacia, Maqedonia, dhe Mali i Zi si anëtare të rregullta, përfaqësuesi nga Departamenti i Mbrojtjes së SHBA-së dhe Republika e Kosovës si vend me status të anëtarit vëzhgues. Konferenca u zhvillua në dy sesione plenare me temat të cilat u fokusuan në programet e bashkëpunimit rajonal të mbrojtjes, me theks të veçantë në pandeminë aktuale COVID-19, ndikimit të saj në performancën e aktiviteteve të planifikuara të institucioneve të mbrojtjes, si dhe epoka post-COVID me rreziqet, sfidat dhe mundësitë.
Gjithashtu, në sesion të veçantë u shqyrtua rëndësia e partneritetit të NATO-s dhe integrimit euro-atlantik në menaxhimin e krizave dhe përballjen e sfidave aktuale të sigurisë. Në ekspozenë e tij, ministri Quni ofroi informacionet kryesore për ndikimin e pandemisë COVID-19 në Kosovë dhe masat reaguese anti-covid të qeverisë së vendit me institucionet ekzekutive të saj. Ai theksoi rolin dhe misionin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së me aftësitë dhe kapacitetet e saj operacionale në mbështetjen ushtarake të autoriteteve civile dhe qytetarëve të vendit në përgjithësi në efektivitetin dhe efikasitetin e masave anti-covid. Gjithashtu, ministri Quni, i njoftoi homologët e tij edhe me sfidat që ka shkaktuar pandemia COVID-19 në funksionalitetin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe operacionalitetin e përgjithshëm të FSK-së, pastaj procesin e realizimit të objektivave dhe aktiviteteve të planifikuara paraprakisht për periudhën përkatëse, mësimet e nxjerra nga kjo krizë dhe vizionin për të ardhmen. Lidhur me rëndësinë e partneritetit të NATO-s dhe integrimeve euroatlantike, ai theksoi se, Karta e Adriatikut –SHBA, është iniciativa që përputhet plotësisht me aspiratat tona në procesin e integrimeve euro-atlantike dhe me vullnetin tonë për të qenë anëtare e plotë e saj. ”Ne dëshirojmë të jemi ofrues të sigurisë dhe jo vetëm konsumues të saj. Duam të japim kontributin tonë në të gjitha çështjet që janë brengë e rajonit. Kemi vullnetin ta bëjmë këtë, dhe po ndërtojmë kapacitetet e duhura në këtë drejtim” tha në fund ministri Quni. Sipas agjendës, në fund të punimeve, ministrat e Mbrojtjes miratuan Deklaratën e Përbashkët me konkluzionet e konferencës.( I.SH.)