Ahmet Qeriqi

A. Qeriqi: Indolenca shekullore shqiptare ndaj trashëgimisë kulturore, duhet të marrë fund përgjithmonë

Duke qenë një popull kryengritës, por shumë i shtypur nga perandoritë e fuqitë më të mëdha të botës,  si: Roma, Bizanti, Turqia, shtetet sllave, populli ilir, dardan shqiptar,  gjatë shekujve ka luftuar për ekzistencë e mbijetesë dhe është gjendur e është  përballur në katrahurat e koniukturave shoqërore e politike të kohës së kaluar. Sesi kanë mbijetuar dhe si kanë arritur ata. të përgjakur e të përgjysmuar deri në kohën tonë, kjo është histori e veçantë, për të mos thënë ndoshta historia më e përgjakshme dhe më e veçantë e vuajtjeve dhe katandisjeve  pas asaj hebraike.

Aq të shumta kanë qenë luftërat, shkatërrimet, dëbimet, ikjet, sa në asnjë përudhë kohore nuk është gjetur kohë e mjaftueshme për t u kthyer nga vetvetja dhe për ta mbrojtur trashëgiminë fizike, meqë trashëgimia shpirtërore, dokesore, gjuha, tradita, kënga e të tjera janë ruajtur si pjesë e identiteti, me aq sa ka pasur mundësi të ruhet.

Kultura fizike ilire,  tumbat,  varrezat, mbishkrimet romake, faltoret e lashta, puset e ndërtuar në rreth dhe katrorë, ujësjellësit, kanalizimet, tanimë janë rrënuar dhe mund të gjendet vetëm ndonjë relikt, torzo, fragment, gurë i skalitur, mbishkrim varrezash, që megjithatë flet shumë, por kujdesi ynë institucional për to mungon, në mënyrën më të papërgjegjshme të mundshme, pikërisht në kohën kur mund të bëjmë shumë më tepër, sesa kemi mundur të bëjmë në të kaluarën nën robëri.

Ruajtja e monumenteve kulturore është detyrim ligjor dhe kushtetues i çdo shteti kudo në botë   

Në Kosovë kemi simbole fizike të holokaustit hebre, edhe pse shqiptarët janë i vetmi popull i Evropës i cili i ruajti ata mbi traditën e mikpritjes  dhe moslejimit të pësimit, sikur ruhet  në tradisë miku i shtëpisë, kur ndodhet në rrezik. Në Kosovë dhe kudo në trevat shqiptare do të duhej të kishte monumente të caktuara të ruajtjes së hebrenjve dhe jo të pësimeve të tyre, sepse nuk kanë pësuar, në trojet tona, përkundrazi, kanë mbijetuar.

Hebrenjtë kudo në Evropë  e më gjerë kanë arritur t’i evidentojnë shenjat e tyre të kulturës  fizike, për të treguar jo vetëm praninë historike, në vende të caktuara por edhe në  vendet ku kanë pësuar.

Grekët e kanë mbushur Shqipërinë e jugut me monumente të grekëve që janë vrarë në luftë për ta copëtuar Shqipërinë në kohën e regjimit italo-shqiptar në vitin 1941.

Në Greqi nuk është as edhe një monument apo pllakë e vetme për qindra masakra që ata kanë kryer kundër shqiptarëve.

Serbia Mali i Zi, Bullgaria  kanë zhdukur gjurmët fizike të shqiptarëve nga trevat  e dikurshme. Serbia ka rrënuar xhamitë, mbi 3. 400 sa ka pasur gjatë kohës së sundimit të Perandorisë Osmane, pastaj ka rrënuar apo përvetësuar kishat katolike, kishat autoktone të shqiptarëve ortodoksë dhe gjithçka e ka trajtuar dhe e trajton si serbe. Ata kanë ruajtur vendet ku ka pësuar popullata serbe, madje edhe duke i ekzagjeruar, sikur është Kulla me krerë, po Qelekulla në Nish e të tjera.

Duke kuptuar se Shqipëria është vend i lirë dhe u lejon gjithçka fqinjëve,  krerët e kishës serbe dhe asaj malazeze, po përpiqen të nderojnë monumente të ushtarëve të tyre që kanë rënë nën rrethimin e Shkodrës dhe përpjekjeve për ta okupuar veriun e vendit. Ata kanë arritur që në Shëngjin të ngrehin një monument përkujtimor për katërqind serbë e malazezë,  të cilët në vitin 1913 kishin ardhur të armatosur me anijen e tyre nga Amerika, me qëllim për të zbarkuar në Portin e Shëngjinit dhe për t iu bashkuar forca okupatore serbe e malazeze. Por, para se të kishin zbarkuar kishin rënë në vendin e minuar nga forcat e Hasan Riza Pashës, mbrojtësit legjendar të Shkodrës, ku edhe ruhet me përkujdesje monumenti i tij, i skalitur me vargjet e Gjergj Fishtës.

Përderisa fqinjët arrijnë që në trojet shqiptare të vendosnin monumente për shqiptarëvrasësit, ne jo vetëm që nuk mund të vendosin asnjë monument fizik për pësimet, dëbimet, shfarosjes, por edhe me një indolencë të papërgjegjshme zhdukim vendet ku kanë pësuar shqiptarët, në trojet sotme të tyre nga pushtuesi sllavë.

Kush duhet të kujdeset  për ruajtjen e disa monumenteve të pësimeve shqiptare, nëse Shteti nuk e merr përsipër?

 

Ditë më parë studiuesi dhe intelektuali, Qerim Rexhaj ka aktualizuar një  ndërhyrje të papërgjegjshme të organeve të komunës së Burimit për ta rrënuar edhe Burgun e Gjurakocit. Ai ka shkruar:

Këto ditë, në opinionin e komunës së Istogut, është aktualizuar me plot të drejt vendimi i Kuvendit Komunal të Istogut për ta rrënuar Burgun e Gurrakocit. Ky vendim, sa arbitrar aq i pajustifikuar, pas shumë vendimeve antihistorike të këtij Kuvendi, vjen pas rrënimit të Kullës famëkeqe të Popit, pas shkatërrimit të ndërtesës së OZN-ës, aty ku janë kryer krimet më barbare nga shovinizmi serbomalazez, pas rrënimit dhe shkatërrimit të mullinjve në Lugun e Shkive, ku mazohizmi shovinist serb, me krimet e tij ndaj shqiptarëve, e ka tejkaluar çdo normë të civilizimit evropian. Indinjata e popullatës së kësaj treve është një kambanë alarmi për të gjithë të përgjumurit, për të gjithë ata që kanë rënë në letargjinë e dehjes dhe rehatisë së mashtrimit koniunktural politik… Me çfarë të drejte, sot, në shekullin XXI, i bëhet atentat të kaluarës sonë historike, vuajtjeve të popullit tonë, vrasjeve dhe mizorive të pashembullta që u bënë kundër gjyshërve, baballarëve, nënave tona, vëllezërve tanë..? Kujt po i intereson që historia e jonë e gjakut të mbulohet me tisin e harresës?! Sot, më shumë se kurrë, duhet të rizgjohet vetëdija qytetare dhe vetëdija kolektive e popullit. Segmente të politikës aktuale në Istog, po prekin në nervin kombëtar, aty ku nuk i lejohet askujt të prek.

Ky zë i ndërgjegjes do të duhej të ngrihej në nivel të vendit, sepse nuk kemi të bëjmë vetëm me komunën e Burimit, por vende të tilla fizike, ku janë masakruar shqiptarët nga serbët e pushtuesit e tjerë  ka të në gjitha trevat shqiptare. Andaj, meqë Shteti i Kosovës nuk ka ligj për mbrojtjen e këtyre vend-pësimeve të shqiptarëve  me të drejtë do të duhej menduar për themelimin e një shoqate në nivel vendi, me qëllim  ruajtjen e monumenteve  ku janë masakruar, torturuar, vrarë e ekzekutuar  shqiptarët.

Të shtojmë kësaj radhe edhe vend pushkatimin masiv të luftëtarëve të NDSH-së  në Prishtinë te Tauk-bahqja, vendi i cili quhej “Strelishte” vend-pushkatim, vendi ku janë pushkatuar me vendime gjyqësore dhe pa to,  qindra shqiptarë liridashës prej vitit 1945 deri në vitin 1951. Një pjesë e vendit  tani është  betonuar në qindra metra2 me mijëra tonë çimento dhe mbi të ndodhet baza energjetike e  Prishtinës.

Këtë probleme e ka trajtuar edhe analisti e profesori, Fatmir Graiçevci në një shkrim të tij

 

Pas përfundimit të luftës çlirimtare, familjarë të të pushkatuarve në Tauk Bahqe të Prishtinës janë zhgënjyer edhe më shumë me atë që ka ndodhur në këtë vend në kryeqendrën tonë!!? Njoh raste që ndonëse janë nisur të mbushur shpresë se më në fund do të gjenden eshtrat e më të dashurve të tyre, janë zhgënjyer edhe më shumë nga ajo çka kanë parë në Tauk Bahqe gjatë viteve 1945-1951 ku janë pushkatuar qindra luftëtarë të përkushtuar shqiptarë të NDSH-së, që luftuan me vet mohim kundër ripushtimit të Kosovës, me qëllim të bërjes së Shqipërisë etnike. E nuk ka se si të mos zhgënjehet njeriu kur shpreson se më në fund do i gjesh eshtrat e më të dashurve dhe kur shkon në atë vend e sheh se  një pjesë e saj është shndërruar në deponi të mbeturinave!!! Nuk duhet shumë imagjinatë të kuptohet  se si ndjehet njeriu kur shkon në vendin ku ka besuar se ju prehen eshtrat e më të dashurve të tyre dhe e sheh atë vend të mbushur me mbeturina dhe hesht! Hesht sepse e ndjen sa dhimbje kanë mijëra familje të tjera që ju mungojnë më të dashurit e tyre të rrëmbyer nga policia e ushtria e Serbisë dhe varrosur nëpër varreza masive anekënd territorit të saj. Hesht… por nuk mund të pajtohesh dot e të durosh shpërfilljen dhe heshtjen për këtë varrezë masive që e kemi në mesin tonë, tani e 70 vite, në Tauk Bahqe, në Prishtinë dhe s’ka asnjë manifestim e asnjë përkujtim, të asnjë institucioni shtetëror.

Vendet e krimeve  që kanë kryer serbët në Kosovë janë të shumta dhe jo të gjitha mund të evidentohen as të kthehen në muze, por ka shumë vende të njohura në vendin tonë ku serbët kanë kryer vrasje e pushkatime masive, tortura e mizori që vetëm serbët dinë t i bëjnë.

Ato vende  janë ditur dhe dihen.

Në këtë mes vetëm Burgu i Prishtinës, është kthyer në Muze, ndërsa janë lënë anash edhe disa burgje të tjera ku janë torturuar dhe janë vrarë shqiptarët, sidomos në burgun e Gjilanit.

Është fat që në Prishtinë, edhe pse në gjendje të mjerë, megjithatë  ndodhet pllaka përkujtimore e pushkatimit të 104 partizanëve  shqiptarë nga regjimi kuisling gjerman në vitin 1944.

Nuk thuhet kot se Historia është mësuese e jetës dhe atyre që nuk e mësojnë mirë, vazhdimisht u përsëritet. Është koha e fundit që edhe ky segment i vuajtjeve dhe pësimeve masive të shqiptarëve të merret në konsideratë dhe të trajtohet, në mos nga institucionet, atëherë nga idealistët dhe njerëzit e vullnetit të mirë që nuk kanë munguar kurrë në mesin tonë.

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …