Gjermania ofron 72.1 milionë euro për të sjellë Kosovën më afër Bashkimit Evropian

Gjermania ofron 72.1 milionë euro për të sjellë Kosovën më afër Bashkimit Evropian

Sot u përmbyllën negociatat qeveritare mes Kosovës dhe Gjermanisë për periudhën 2020-2021, ku Qeveria Gjermane ofroi një shumë prej 72.1 milionë euro për bashkëpunimin zhvillimor bilateral, prej të cilave 12.2 milion janë për asistencë teknike dhe 59.9 milion për asistencë financiare. Në dy vitet e ardhshme, Gjermania do të fokusojë këto investime në mbështetjen e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, procesin e reformave të integrimit evropian, dhe në investime në energji e efiçiencë të energjisë. Ambasadori Jörn Rohde theksoi: “Gjermania është donatori më i madh bilateral dhe investitori i huaj më i madh në Kosovë. Gjermania do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në rrugën e saj të reformave që e bëjnë atë të përshtatshme për një të ardhme në Bashkimin Evropian. Do të vazhdojmë të investojmë në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik në Kosovë, ku fokusohemi në mbështetjen e arsimit profesional dhe zhvillimit të bizneseve. Gjermania poashtu do të vazhdojë me investime domethënëse në infrastrukturën publike në Kosovë, duke u fokusuar në energji, kanalizim, dhe trajtimin e mbeturinave.

Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, vlerësoi lartë bashkëpunimin e vazhdueshëm për 22 vitet e fundit dhe mirëpriti zotimet e reja të Qeverisë Gjermane për Kosovën mbi bashkëpunimin zhvillimor. Ministrja Bajrami theksoi se “Qeveria e Kosovës është duke punuar në drejtim të transformimit të ekonomisë dhe ndërtim të institucioneve në linjë me kërkesat e Bashkimit Evropian. Mbështetja e Qeverisë Gjermane përmes projekteve kyçe infrastrukturore ka ndikim tejet të madh në përmirësimin e kualitetit të jetës për qytetarët e vendit tonë, dhe në emër të Qeverisë zotohem që do të vazhdojmë t’i trajtojmë të gjitha me prioritet dhe t’i përmbahemi obligimeve që rrjedhin nga ato projekte”.

Në 2021 dhe 2022, bashkëpunimi zhvillimor me Gjermaninë do të fokusohet në fushat në vijim:

  • Zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik: mbështetje për arsimin profesional të orientuar kah tregu i punës dhe aktivitetet për zhvillimin e sektorit privat, siç është përmes Parkut Inovativ-Trajnues Kosovaro-Gjerman në Prizren.
  • Mbështetje për procesin e reformave të integrimit evropian dhe kontribut drejt përmirësimit të shërbimeve për qytetarët e Kosovës, përfshirë projekti për trajtimin e ujërave të zeza dhe menaxhimin e mbeturinave të ngurta në përputhje me standardet evropiane.
  • Modernizimi i sektorit të energjisë: Investimet gjermane do të përmirësojnë efiçiencën e energjisë dhe të rrisin pjesën e burimeve të ripërtërishme, kryesisht përmes energjisë solare.

Nga viti 1999, Qeveria Gjermane ka investuar më shumë se 660 milionë euro në zhvillimin e Kosovës, dhe përgjatë 22 viteve ka kontribuar vazhdimisht drejt përmirësimit të jetës së qytetarëve të Kosovës, përfshirë edhe asistencën lidhur me luftimin e pandemisë Covid-19.

Kontrolloni gjithashtu

Kryeministri, Robert Fico tha se Sllovakia nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës, derisa ai është në krye të Qeverisë

Kryeministri, Robert Fico tha se Sllovakia nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës, derisa ai është në krye të Qeverisë

Sllovakia, është njëra  nga 5 shtetet e Bashkimit Evropian që nuk e ka njohur Kosovën, dhe …