Mehdi Krasniqi

Mehdi Krasniqi: Përditë mblidhen komisione e komisione ndërsa seancat e Kuvendit nuk mbahen sepse s’ka kuorum

Përditë mblidhen komisione e komisione në Kuvendin e Republikës sonë, ndërsa seancat e Kuvendit nuk mbahen sepse s’ka kuorum?

Po më duket këto komisione paguhen mirë edhe në to marrin pjesë deputetët që nuk po shkojnë në kuvend.

Ata janë të zgjedhurit tanë për të punuar në të mirë të popullit e të vendit dhe jo për të mos punuar. Por, në Kosovë, paguhesh edhe për mospunë. Madje edhe ngritesh në pozitë, veç a je besnik i partisë dhe i “liderit”.

Po të kishin mendjen sikur duhet, dhe jo lakminë për ta shkyer sysh “naj tubë pare” sot e kishim ushtrinë konkurrente në rajon. Krejt shtetet përreth nesh janë të armatosura deri në dhëmb, madje edhe me sisteme raketore të sofistikuara, e këta politikanët tanë injorantë fund e krye, rroken për karrige e poste.

Në mbrëmje s’ke çka shikon tjetër në televizor veç debate e debate dhe dëgjon pallavra e pallavra të rrencave e të hajnave. Këto TV, janë të tyre, pikë. Janë politike. Se po të ishin të pavarura, kishin hulumtuar dhe zbuluar deri në detajet më të imta prejardhjen dhe formën e pasurisë së tyre. E kishin çu peshë vendin dhe s’kishin lënë guri pa e lëvizur deri ta kishin gjetur edhe “centin” e fundit.

Krejt deputetët dhe politikanët i kanë shtëpitë e tyre A-Zh të rregulluara, dhe krejt këta shkojnë për nderime në Prekaz, në Kompleksin e Lavdisë Kombëtare, ndërsa kullat e Ademit po shkojnë drejt shembjes. Pse askush prej tyre nuk po ndërmerr masa për të investuar aty dhe për t’i shpëtuar ato kulla që janë fakt i gjallë i qëndresës heroike, simbol i rezistencës të asaj familjeje dhe që pasqyrojnë edhe luftën për liri.

Është mbushur kryeqyteti me gjithëfarë bustesh, të lloj-lloj njeriu, madje edhe me simbole të vëllazërim-bashkimit, ndërsa shtatorja e Komandantit Legjendar Adem Jashari nuk është askund në Prishtinë.

Kontrolloni gjithashtu

Shpresa Bajraktari: Krenari – 80 vjetori i çlirimit të Tiranës !

Krenari – 80-vjetori i Çlirimit të Tiranës! 17 nëntori 1944 është Dita e Çlirimit të …