leoni

Milan Sufflay

ADIL FETAHU: SHKENCËTARI KROAT, MILLAN SHUFFLAY, VIKTIMË E MONARKOFASHIZMIT SERB

Është e çuditshme sa pak shqiptarë e njohin biografinë dhe veprimtarinë historiko-letrare e sidomos atë  kërkimore-shkencore të dijetarit, filozofit, historianit, albanologut, ballkanologut e shkencëtarit kroat, njërit ndër më të famshmit të Ballkanit, në kohën kur jetoi e veproi. Çudia bëhet më e madhe kur dihet se Shufflay më se 20 vjet ia kushtoi punës së tij shkencore-hulumtuese për historiografinë etnokulturore shqiptare në Mesjetë, duke vërtetuar rrënjët e lashta autoktone iliro-shqiptare, në vazdimësi të  pandërprerë në territorin që sot quhet Ballkan.

Po cili kush ishte Millan Shufflay?

Millan Shufflay, ishte biri i një familje fisnike kroate, me prejardhje hungareze; mund të ketë rrënjë hebreje, veçse për këtë nuk kemi të dhëna. U lind më 9 nëntor 1879, në Lepogllavë, që asokohe ishte nën Austrohungari (në kohën e Jugosllavisë së Dytë, Lepogllava ka qenë e njohur për burgun e rëndë të të burgosurve politik, ku e kanë vuajtur dënimin shumë shqiptarë). Shufflay ka studjuar filozofinë dhe historinë në Universitetin e Zagrebit, ku në vitin 1902 ka doktoruar filozofinë. Në vitet 1902-1903 ka specializuar historinë në Institutin e Historisë në Vjenë. Prej vitit 1904 deri më 1908 ka punuar kustos i Muzeut Popullor të Budapestit. Prej vitit 1908 deri më 1918 ka qenë profesor inordinar në Universitetin e Zagrebit, ku ka ligjëruar lëndët ndihmëse të historisë. Për shkak të angazhimit politik që i mbante krahun regjimit hungarez, u pensionua në vitin 1918, dhe më pastaj iu përvesh punës shkencore-hulumtuese të pavarur. Ishte në udhëheqjen e ngushtë të Partisë Kroate të Dejtësisë. Në vitin 1921, nën akuzën se po bashkëpunonte me emigracionin antijugosllav, regjimi serbomadh i Jugosllavisë së Parë, e dënoi me tri vjet e gjysëm burgim, prej të cilave e vuajti gjysmën, në Burgun e Mitrovicës së Sremit.

Puna kërkimore-shkencore e Shufflayt

Millan Shufflay ishte shkencëtar i nivelit të lartë në fushën e historisë dhe filozofisë. Njihte mirë gjuhët klasike latine e greke, si dhe gjuhët e gjalla: gjermane, frenge, angleze, italiane, hungareze dhe të gjitha gjuhët sllave. Kjo i mundësonte leximin dhe kuptimin e dokumenteve origjinale. Edhe ka shkruar e botuar punime në ato gjuhë. Konkluzionet që ka nxjerrë Shufflay në shkrimet e tij historike, edhe sot konsiderohen relevante dhe te padiskutueshme. Ka zotëruar në mënyrë të vaçatë aspektet diplomatike midis shteteve dhe midis Papës me kishat dhe me shtetet në Mesjetë. Gjuhën shqipe e ka mësuar më vonë, dhe ndonëse konsiderohet si albanolog i shquar, nuk ka bërë ndonjë botim në këtë gjuhë, përkundër faktit se afro njëzet vjet pune kërkimore-shkencore ia ka kushtuar historiografisë dhe kulturës shqiptare, dhe për këto ka botur shumë shkrime në gazeta e revista dhe disa vepra në gjuhën kroate, gjermane ose hungareze. Shkrimet, botimet dhe veprat e Shufflayt për historiografinë shqiptare janë:

l. Acta et diplomata res Albanie mediae aetatis illustrata I (Akte dhe diploma që ilustrojnë historinë mesjetare të Shqipërisë, bleni I), që përfshinë periudhën e viteve 344-1344, botuar në Vjenë në vitin 1913;

2. Acta et diplomata res Albanie mediae aetatis illusrata II (Akte dhe diploma që ilustrojnë historinë mesjetare të Shqipërisë, II, botuar në Vjenë, 1918, që përfshinë periudhën deri në vitin 1451. Konsiderohet se vlera e dy vëllimeve të AA, përveç akteve të shumta dëshmuese, qëndron në komentet dhe konkluzionet  e pamohueshme që ka dhënë Shufflay për secilin dokument.

3. Die Kirchenzustande im vorturkischen Albanien (Rrethanat kishtare të Shqipërisë paraturke, Budapest, 1916; 96 fq.

4. Konstantin Balsic (1392-1401) – Historijski roman u tri djela (Konstatin Balshaj – roman historik, në tri pjesë; Zagreb 1920, fq.199).

5. Stadte un Burgen Albanien huptsachlich wahrend des mittelaltes (Qytetet dhe kështjellat e Shqipërisë, veçanërisht në kohën e  Mesjetës; Vjenë 1924,  202 fq.

6. Historija Sjevernih Arbanasa (Historia e Shqiptarëve të Veriut, botuar në Beograd 1924; është përkthye në gjuhën shqipe nga profesori Zekeria Cana, Prishtinë 1968; 238 fq.).

7. Srbi i Arbanasi – njihova simbioza u srednjem vijeku (Serbët dhe Shqiptarët- simbioza e tyre në Mesjetë; Beograd 1925; 142 fq.; (kjo vepër është botuar nga “Hylli i Dritës”, Shkodër 1938, në përkthim të Zef Fekeçit dhe Karl Gurakuqit).

8. Povijest sjevernih Arbanasa – Socioloska studija (Historia e Shqiptarëve të Veriut – studim sociologjik, Beograd, 1925).

Përveç veprave të cituara më sipër, Shufflay ka botuar edhe shumë shkrime, ese, si dhe polemika, kritika e  reçensione lidhur me veprat dhe shkrimet e të tjerëve për historiografinë shqiptare. Është e gjatë lista bibliografike e shkrimeve të Shufflayt në revista shkencore e gazeta, në gjuhën kroate, serbe, gjermane, hungareze, italiane. Në lidhje me to dhe me veprat e tjera, Shufflay ka pasur një letërshkëmbim të shpeshtë me personalitete të njohura shkencore e kulturore të kohës së tij. Një letërshkëmbim të dendur ka pasur edhe me Mitat Frshërin (Lumo Skendon) në periudhën prej qershorit 1928 deri në janar të vitit 1931, derisa Shufflay e vizitoi Shqipërinë, më 12 – 17 janar 1931, të cillit iu bë një pritje dhe nderim i posaçëm, kur e priti edhe  vet Mbreti Zog dhe Shufflay ishte ndarë i ngazëllyer nga pritja dhe nderi që i ishte bërë.(Për letërshkëmbimin e Shufflayt  në lidhje me studimet për historinë shqiptare, shih: Zekeria Cana –Ymer Jaka, “Përparimi”, nr.1/1988,Prishtinë).

Shkrime të Shufflayt janë  botuar edhe në revistën e Mitat Frashërit “Diturija”.

Shufflay është marrë  edhe me letërsi, ndonëse në këtë fushë nuk ka shkëlqyer sikur në shkencë. Nga fusha e letërsisë romani i tij i parë ka qenë roman historik “Kosntantin Balsic” (Balshiq), i botuar në vitin 1920, i strukturuar në bazë të elementeve reale të vjela nga lënda dokumentare historike. Romani i tij i dytë  fantastiko-shkencor “Na pacifiku 2225”, ka pasur një jehonë dhe lavdi më të madhe. Romani është botuar në gjuhën gjermane, ndërsa në kroatishte është botuar në formë novelash  në 75 vazhdime të gazetës “Obzor”, në vitin 1924. Thuhet se ai roman ishte inspiruar nga një ëndërr e Shufflayt që kishte parë sa ishte në burg, të cilën pastaj e ka zhvilluar si imagjinatë e shndërruar në roman. Në atë roman ka paraparë rënien e një asteroidi të madh në Pacifik në vitin 2225; ka paraqitur vizionet e tij për të ardhmën, disa prej të cilave tashmë kanë ndodhur. Për shembëll, kishte paraparë Luftën e Dytë Botërore, kishte parparë vitin kur Japonia do të sulmonte ShBA-të, kishte paraparë braktisjen e qetë britanike nga India dhe formimin e dy shteteve (India dhe Pakistani), kishte parparë krijimin e një religjoni universal në botë i cili do t’i shuajë të gjitha religjionet e njohura deri më tash, kishte paraparë rënien e fuqive botërore si ShBA-ve, Monarkisë Britanike, kishte parparë ngrohjen globale për 3 gradë të celsiusit, kishte paraparë ngritjen dhe rënien e komunizmit, përhapjën e drogave dhe të feminizmit, varfërisë, vegjetarianizmit dhe shumë ngjarje, ndodhi e dukuri tjera, disa prej të cilave tashmë kanë ndodhur.

 Dr Shufflay ka bashkëpunuar me shumë shkencëtarë dhe institucione shkencore të kohës së tij.  Bashkëpunimin më të ngushtë në hulumtime dhe në shkruarjën e veprave historike e ka pasur me  historianin e njohur hungarez, Llajosh Taloci (1857 – 1916), dhe me historianin tjetër çek, Konstantin Jireçek (1854 – 1918), me albanologun Italian Antonio Balldaçi (1867 – 1960), dhe me individë, institucione e akademi të shkencave të Austrisë, Gjermanisë, Hungarisë, Italisë, Serbisë, etj.

Në bashkëpunim  me Talocin dhe Jeriçekun në periudhën 1913 – 1918 ka botuar dy vëllimet e para të lëndës së historisë së Shqipërisë, të quajtura: “Acta et diplomata res Albaniae mediae aetatis illustrantia, I – II”. Në atë përmbledhje punimesh, prej dy vëllime, lënda është vjelë nga  burime të ndryshme. Kishin në plan ta botonin edhe vëllimin e tretë, me të njëjtin titull, por në ndërkohë kishin vdekur të dy bashkëpunëtorët:  Taloci (1916) dhe Jireçeku (1918). Akademia e Shkencave e Austrisë, duke ditur se vetëm Shufflay kishte aftësinë ta kryejë atë detyrë, e kishte ftuar në Vjenë (1929) dhe kishte kërkuar prej tij ta vazhdonte punën në hartimin e vëlllimit të tretë të  “Codex Albanicus”, që do kapte periudhën kohore deri në vitin 1571, dhe Shufflay e kishte pranuar me kënaqësi këtë detyrë. Dy vëllimet e para kishin përfshirë periudhën 344 deri  më 1451. Shuffllay kishte materiale të mbledhura më heret  edhe për edicionin e tretë, por i duhej hulumtuar akoma nëpër arkiva e biblioteka të ndryshme në Itali e gjetkë dhe të vizitonte  qytetet, kalatë, kishat dhe muzetë në Shqipëri. Dhe për koincidencë, dhe falë angazhimit të Mitat Frashërit (Lumo Skendo), në të njëjtën kohë vet mbreti i Shqipërisë, Ahmet Zogu, e kishte ftuar Shufflayn ta vizitonte Shqipërinë për të vazhduar me hulumtimet e për të botuar të kompletuar historinë e Shqipërisë. Mirëpo, Shufflay ishte i padëshirueshëm për pushtetin  e monarkisë serbe dhe e kishte të ndaluar daljen jashtë shtetit. Vetëm falë angazhimit dhe intervenimit të qeverisë shqiptare, gadi pas dy vjetëve iu lejua dalja jasht vendit dhe iu dha pasaporta për të vizituar Shqipërinë, por jo edhe Italinë, ku do të shkonte për të vjelë dokumente historike. Qeveria shqiptare i kishte akorduar 3000 franka ari për shpenzimet e udhëtimit dhe kopjimin e materialeve në arkivat e Raguzës e të Kotorrit, dhe 75000 franka ari për grumbullimin dhe publikimin e materialeve (vlera e asaj shume është pothuaj sa 5 milionë euro të sotëm, gjë që nuk ishte shumë e vogël për buxhetin e varfër të shtetit shqiptar asokohe, por kjo tregon se sa ajo qeveri i kushtonte rëndësi veprimtarisë shkencore dhe nxjerrjës në dritë të historisë  së vërtetë shqiptare të Mesjetës nga një shkencëtar i paanshëm dhe me renome e integritet siç ishte Shufflay).

Nga epistolata (letërshkëmbimi) i dendur i Shufflayt me Lumo Sendon, ministrin e arsimit shqiptar (Abdurrahman Dibra) dhe me bashkëpunëtorë e kolegë tjerë, nga përmbajtja e atyre letrave të shumta, mund të shihen peripecitë dhe pengesat që ia bënte regjimi i Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene në punën e tij kërkimore-shkencore, sepse atij regjimi nuk i konvenonte nxjerrja në dritë e historisë së vërtetë të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Prandaj u detyrua të kërkonte nga miqtë e tij në arkivat e Romës që t’i dërgonin dokumente të kopjuara siç i kishte specifikuar, të cilat kishin të bënin me historinë e shqiptarëve në periudhën e caktuar. Pas shumë kërkesave e pritjes më se dyvjeçare që kishte marrë lejen për ta vizituar Shqipërinë, në janar 1931 ishte nisur  për vizitë Shqipërisë, dhe rrugës ishte ndalur për të hulumtuar e vjelë materiale në arkivat e Raguzës (Dubrovnikut) dhe të Kotorrit. Kishte në plan që në katër vëllime të botimit të tretë të Acta Albania, të përfshinte periudhën deri në vitin 1571. Pas kryerjes së hulumtimeve në ato arkiva, kishte arritur në Shqipëri, ku ka qëndrua një javë, duke vizituar arkivat, muzeumet, qytetet, kalatë, kishat e manastiret, për të cilat paraprakisht kishte njohuri dhe kishte materiale arkivore. Në Shqipëri është pritur me nderime të mëdha, madje edhe nga vet Mbreti Zog, ndërsa në Parlamentin e Shqipërisë ka mbajtur fjalim (më 16 janar 1931), ku ka elaboruar konceptin dhe planin e realizimit të projektit të historisë së Shqipërisë.

Atentati mbi Shufflayn dhe jehona e tij

Puna intensive dhe e thellë kërkimore-shkencore në hulumtimin dhe ndriçimin e historiografisë shqiptare të Mesjetës,  qëndrimi i tij politik kundër regjimit të monarkisë borgjeze serbomadhe, kanë bërë që Shufflay të jetë tërë kohën nën mbikqyrjën e rreptë të atij regjimi, duke e penguar në punë,duke i bërë presione e shantazhe dhe kërcënuar, duke mos i dhënë leje për të  dalë jashtë shtetit për hulumtime shkencore. Regjimi nuk e kishte lejuar as të shkonte në Universitetin e Budapestit, i cili e kishte emëruar profesor dhe udhëheqës i katedrës së historisë në atë Universitet. Më se dy vjet ia kishte zvarritur dhënjën e lejës për ta vizituar Shqipërinë, dhe kjo ishte arritur vetëm në saje të angazhimit të Mitat Frashërit dhe Qeverisë së Shqipërisë te ministri serb (ambasadori Anastasijeviq) në Shqipëri.

Me të këthyer nga Tirana, Shufflay kishte marrë letra kërcënuese, me porosinë : “Dosta vise” (Mjaf më), ndërsa gazetat kishin zhvilluar një fushatë të ashpër kundër tij, derisa një mbrëmje, më 18 shkurt 1931, duke dalur prej banesës së tij për të shkuar në darkë në qytet, e kishin pritur para derës dhe e kishin goditur në kokë me shufra hekuri tre atentatorë (Branko Zveger, Lubomir Bellosheviq dhe Stevo Veçerinac), pjesëtarë të organizatës terroriste të regjimit serb, e quajtur “Mlada Jugoslavija” (Jugosllavia e Re) dhe ajo “Za kralja i otadzbinu” (Për Mbretin dhe Atdheun). Nga plagët e marra  Shufflay kishte vdekur të nesërmën. Policia ia kishte bastisur banesën dhe konfiskuar materialet e gjetura, ndër të cilat edhe ato të përgatitura për botimin e vëllimit të tretë të “Acta Albanica”.  Varrimin e tij e kishin përcjellur policë të shumtë, të cilët nuk kishin lejuar njerëzit të flasin për të vdekurin. Regjimi i kishte urdhëruar edhe mediat të mos i japin publicitet atentatit as vorrimit të Shufflayt. Por atë që bënte regjimi brënda, reagimet nga jashtë nuk mund t’i ndalte. Ajo vrasje kishte bërë jehonë më të madhe se vrasja e deputetëve kroatë, Stjepan Radiqit me shokë, që ishte ishte kryer në Parlamentin e Jugosllavisë (20.06.1928). Kundër atentatit mbi Shufflayn kishin reaguar e protestuar, shkruar peticione e memorandume dhe publikuar në gazeta, personalitete të njohura nga institucione të shumta shkencore në botë, si Albert Ajnshtajn, Henrich Mann, dr Jozef Bajza, dr Max Hilderbert Boehm, dr Karl Fritzler, dr Zenon Kuziela, dr Mati Spahn, dr Branimir Jelliq, Lumo Skendo, Faik Konica etj,etj. Kishte reaguar Liga Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut, Federata Ndërkombëtare e Universiteteve dhe shumë institucione tjera shencore e kulturore e shume gazeta e redaksi të mediave më të njohura në botë. Të gjithë e akuzonin mbretin e Jugosllavisë, Aleksandar I Karaxhorgjeviqin për diktaturën e regjimit të tij.

Në kujtim dhe nderim të këtij shkencëtari  dhe të kontributit të tij për historiografinë shqiptare, në vitin 2002 në Tiranë është mbajtur një konferencë shencore kushtuar këtij kolosi, titulluar: “Shuflai  dhe Shqiptarët”, me ç’rast, për kontributin e tij të çmueshëm në afirmimin e popullit shqiptar, post mortum  iu  nda  çmimi “Naim Frashëri”. Në Prishtinë një rrugë e mban emrin “Milan Shuflaj”, por ai kolos i historisë së Mesjetës meriton të kujtohet e të studjohet akoma.

Pasi nuk ishte martuar asnjëherë dhe nuk kishte krijuar familje, pas vete nuk ka lënë trashëgimtarë biologjik, por ka lënë trashëgimi një opus të madh të historisë mesjetare të Ballkanit, e veçmas të  historisë së Shqiptarëve, të periudhës së viteve 344 – 1571.

Adil FETAHU

 

Kontrolloni gjithashtu

Androkli Kostallari, ( 1922-1992) gjuhëtar, leksikolog, akademik

Androkli Kostallari, ( 1922-1992) gjuhëtar, leksikolog, akademik

Androkli Kostallari, lindi më 7 nëntor të vitit 1922 në Leusë të Përmetit, është gjuhëtar, …