Në kohën kur Zanës iu kishin ringjallur shpresat për jetë, kur ajo po mendonte se mund të dilte gjallë nga burgu, meqë i kishte mbetur pak më shumë se gjysma e dënimit, në kohën kur Bashiqi i kishte treguar origjinën dhe bashkë me të ia kishte ngjallur edhe një shpresë, që iu ngulitur thellë në kujtesë, jeta e saj krejt befasisht, ishte kthyer mbrapshtë, ashtu sikur rëndom ndodh me njerëzit pa fat.
Një ditë, derisa po punonte në vekun e qëndismave, gardiania kujdestare, Latinka Prokiq e kishte ftuar që t’ i shkonte pas. Zana nuk kishte pyetur se ku po e qonin, meqë të burgosurave nuk u lejohej të bënin pyetje të tilla.
Ajo, kishte një ndjenjë të ligë dhe kishte hetuar sesi kohë pas kohe po i dridheshin këmbët. Kohëve të fundit kishte parë edhe disa ëndrra të liga, të cilave nuk iu kishte dhënë rëndësi, meqë ishte mësuar me ëndrrat e trishtueshme gjatë kohës sa ndodhej në burg.
Pasi kishte kaluar korridorin e gjatë të burgut, gardiania e kishte drejtuar drejt Pavijonit ku pastroheshin dhe hekuroseshin rrobat e personelit të burgut. Ajo i kishte hapur derën e një dhomë të vogël.
– Prit këtu, edhe nëse vonohem, mos nxirr zë, i kishte thënë dhe ia kishte mbyllur derën.
Zana, ndihej shumë e shqetësuar nga e papritura. Dhoma ishte e errët dhe sesi i vinte një duhmë e rëndë, e cila në fillim sikur ia kishte zënë frymën.
Gjithçka i sillej ndërmend. Kishte dëgjuar se shumë të burgosura ishin zhdukur në rrethana misterioze në Burgun e Nishit dhe askush nuk dinte për to. Kishte filluar të rrëqethej nga befasia. Dhoma, kishte vetëm një dritare dhe ajo në pjesën e epërme, drejt korridorit. Terri e kishte kapluar kthinën, kur papritmas ishte hapur dera. Ajo ishte ngritur në këmbë, e befasuar dhe kishte vërejtur një gardian mustaqezi, që ishte futur në dhomë, duke ia bërë me gisht që të mos fliste.
Zana ishte shtangur. Ajo e kishte kuptuar se ndodhej para një fatkeqësie, ndoshta edhe të papërballueshme. Gardiani e kishte mbyllur derën nga brenda me shul, kishte hequr pallton dhe nuk kishte folur asnjë fjalë. Iu kishte afruar pranë dhe e kishte bërë me gisht të mos bënte zë, duke e kërcënuar se në rast të refuzimit do t’ia përdridhte qafën.
Me zë të ulët i kishte bërë me dije po ashtu se nëse donte të shpëtonte dhe të kthehej sërish në Pavijon, duhej të tregohej e lirë dhe me asgjë të mos kundërshtonte. Në të kundërtën, do ta therte në fyt dhe do ta gjuante në kanalin e mbeturinave të qytetit, që derdheshin në Nishavë.
Zana ishte shastisur. Gardiani ishte një burrë i madh dhe i fortë. Ajo e dinte se nuk e përballonte dot fuqinë e tij fizike. Afër shtratit ku gardiani po zhvishej dhe ku ai po i linte rrobat ndodhej në pegëll e madhe e hekurit, për hekurosje, nga ato që nxeheshin duke u futur brenda thëngjillin. Ajo i dallonte mirë gjësendet në kthinë edhe pse kishte filluar të errësohej. Gardiani, i cili sapo ishte futur në dhomën e errët, duket se nuk e kishte vërejtur pegllën, por as i kishte shkuar ndërmend se e burgosura do të rezistonte. Ai dhe shumë kolegë të tij kishin dhunuar dhjetëra të burgosura të tjera, po në atë vend. Zana po shikonte herë gardianin, herë hekurin. Në kohën kur gardiani e kishte përthekuar me duart e forta dhe e kishte kthyer nga prapa, në përpjekje për ta pushtuar, paksa i habitur se ajo nuk e kishte refuzuar, Zana me dy duart kishte kapur pegllën dhe kishte shtrënguar fortë. Me sa fuqi kishte e kishte goditur më në kokë gardianin. Për habinë e saj gardiani dhunues përnjëherë ishte shembur përdhe dhe nuk kishte nxjerrë zë. Pas pak ishte munduar të ngrihej. Zana e kishte goditur fuqishëm edhe një herë në anën e pasme të kokës.
Edhe pse terr, ajo kishte parë sytë e mbetur hapur të gardianit, të shtrirë në dysheme, gjysmë lakuriq. Kishte lëshuar hekurin e hekurosjeve dhe kishte mbetur e shtanguar duke shikuar herë gardianin, herë derën, e cila priste që ndërkohë të hapej. Iu kishte afruar gardianit dhe kishte konstatuar se goditja kishte qenë fatale. Plaga e shkaktuar nga maja e pegllës, ia kishte çarë ballin mbi sy. Çuditërisht, në moment iu kishte dukur krejt i njëjtë me atë serbin, Mihajlo që kishte bërë përpjekje të ia dhunonte nënën dhe të cilit, Januz Muhaxheri ia kishte çarë kokën dysh me një sëpatë.
E tmerruar nga e papritura, ajo kishte hapur shulin e derës së mbyllur nga brenda dhe kishte dalë në korridor. Nuk kishte parë njeri. Vetëm larg dëgjohej e qeshura histerike e një të burgosure, në qelinë e veçantë.
Sërish ishte futur në dhomë. E kishte luajtur paksa trupin e gardianit, duke menduar mos ende ishte gjallë. Por kot. Ai ishte ftohur ndërsa gjaku i kishte mbuluar sytë dhe fytyrën. E trishtuar nga gjaku dhe e papritura kishte dalë në korridor dhe me zë të lartë kishte kërkuar ndihmë…
Papritmas, gardiania që e kishte përcjellë dhe dy gardianë të tjerë ishin shkuar para dhomës, duke mbetur të tmerruar kur kishin parë se ç’ kishte ndodhur.
Zana, mbante fytyrën me duar. Ajo ishte shtangur dhe nuk kishte arritur të tregonte se ishte mbrojtur. Gardianët, kishin kuptuar gjithçka dhe pasi kishin shikuar njëri tjetrin, kishin dhënë alarmin.
Pas pak, dhjetëra gardianë dhe personeli i burgut arrijnë në vendin ku qe mbytur gardiani, Milosheviq, një burrë i bëshëm rreth të pesëdhjetave, baba i katër fëmijëve, i njohur nga kolegët e tij për dhunimin tinës të të burgosurave. Ai tashmë kishte vdekur dhe rrjeti i dhunuesve të tjerë mund të mos zbulohej, meqë asnjëherë nuk kishin filluar hetimet, për humbjen pa gjurmë të shumë të burgosurave me dënime afatgjata.
Dy gardianë ia kishin lidhur duart me pranga Zanës, të cilën nuk e kishin ndëshkuar, por e kishin mbyllur në qelinë, ku ajo kishte kaluar gati një vit me rastin e transferimit, në burgun e Nishit.
Njëri prej gardianëve, pasi ajo ishte futur në qeli e kishte shqelmuar dhe i kishte thënë se kurrë më nuk do ta shihte dritën e diellit…
Ajo ishte strukur pikërisht në vendin ku kishte qëndruar disa muaj dhe priste çastin kur të vinin gardianët dhe ta ndëshkonin, do ta dhunonin një nga një dhe do ta hidhnin, në lumin Nishava…
Kishte filluar të dridhej dhe mezi e kishte zaptuar veten.
Fërkonte sytë, prekte kokën, trupin, në mënyrë që të bindej se nuk ishte ëndërr.
Në korridorin e burgut kishte pllakosur një heshtje, jo e rëndomtë. Asgjë nuk pipëtinte, edhe pse ishte koha e darkës dhe zakonisht në atë kohë kishte lëvizje të pandërprera.
Kishte mbështetur kokën për muri, kishte mbyllur sytë, me qëllim të kuptonte se ishte ëndërr, apo vërtetë i kishte ndodhur fatkeqësia, që ia kishin shkaktuar pikërisht në kohën kur e kishte marrë veten, pasi Gjykata e Lartë ia kishte zbritur dënimin dhe kur kishte mbaruar gjysmën e dënimit.
Kishte hapur sytë. Ndodhej në qeli duke pritur kohën kur ndokush do ta hapte derën. Kishte filluar të mendonte se ata po prisnin mesnatën, për ta hedhur në Nishavë. Gjithçka kishte dëgjuar nga të burgosurat i dukeshin të vërteta, të vërteta ashtu sikur makthi me të cilin po mundohej të luftonte.
Pas dy orë qëndrimi në qeli, kishte dëgjuar hapa në korridor. Zemra kishte filluar t’ i rrihte me shpejtësi. Ishte ngritur në këmbë dhe me sy të shastisur po vështronte nga dera, e cila sakaq ishte hapur.
Brenda ishte futur gardiania plakë, Stoshiq dhe dy gardianë të tjerë, të cilët nuk i kishte parë asnjëherë, ose në një gjendje të atillë, të trishtueshme, nuk i kujtoheshin.
Gardiani i moshuar iu kishte afruar, ia kishte zgjidhur duart dhe e kishte pyetur si ndihej. Zana kishte stepur, nuk ishte përgjigjur, por as e bënte dot zap të dridhurën, që i përshkonte tërë trupin.
– Ke mbytur gardianin. Ai nuk kishte qëllim të keq. Donte vetëm t’ia hekurosje pallton për atë qëllim i kishte hequr të veshurat, ndërsa ti mendoje se do të dhunonte. Do ta pësosh, i kishte thënë dhe të tre ishin larguar.
Zana, mendonte se i kishte ardhur fundi. Ata, as e kishin rrahur, as e kishin qortuar shumë, sikur bënin zakonisht. Ndoshta, ata që i vrasin nuk i torturojnë paraprakisht, kishte menduar e shashtisur nga e papritura dhe frika se do ta dhunonin të gjithë dhe do ta gjuanin në kanalin e mbeturinave, që derdheshin në lumin, Nishava.
Një orë më vonë, dy gardianët kujdestarë e kishte hapur derën e qelisë dhe ia kishin vënë prangat. Gardiania plakë e kishte rrëmbyer për krahu, ndërkohë që ishin nisur në korridorin e gjatë.
Pas një kohe Zanën e dërgojnë te drejtori i burgut, i cili me të mësuar për ndodhinë ishte kthyer në zyre, për të mësuar më shumë lidhur me rastin.
Zanës iu kishte tharë pështyma në gojë. Ishte etur shumë, por nuk kërkonte ujë.
Drejtori i burgut të Nishit, fillimisht nuk kishte folur, por vetëm e kishte shikuar të burgosurën duke u përpëlitur dhe duke u dridhur. Ai po e shikonte gjendjen e saj të mjerë dhe e kishte kuptuar fare mirë se çka i kishte ndodhur. E merrte me mend se sa e sa të burgosurave u kishte ndodhur e njëjta. Vetëm pak muaj më parë asaj iu kishte ulur dënimi dhe ja tani e priste fati i zi.
-U kishte bërë shenj gardianëve që të largoheshin, ndërsa kishte kërkuar të rrinte vetëm gardiania e moshuar, që e kishte përcjellë.
Drejtori i burgut e kishte pyetur për ndodhinë. Zana kishte filluar të fliste me vështirësi, meqë pështyma në gojë iu kishte tharë. Duke parë gjendjen e rënduar të të burgosurës, e cila disa orë më parë kishte mbytur gardianin më shtatmadh të burgut, ai e kishte urdhëruar gardianen që t’i sillte ujë për të pirë. Ishte ulur në kolltukun e thellë dhe po e shikonte me habi Zanën, e cila çuditërisht i përngjante me një ikonë të Shën Mërisë. Dukej e humbur, e trishtuar me një vështrim të ngulitur thellë në të kaluarën, sepse të ardhmen e kishte vrarë, ashtu sikur edhe të kaluarën.
Zana kishte treguar disa herë tërë rrëfimin, duke u munduar të tregohej sa më bindëse. Ai e kishte dëgjuar me vëmendje. Drejtori i burgut kishte dëgjuar se gardiani i mbytur dhunonte të burgosura, por asnjëherë nuk kishte gjetur dëshmi të mjaftueshme. Madje, ai e dinte se nën rrogoz, bënin punë të liga edhe gardianë të tjerë. Dinte edhe për rastet e zhdukjes së viktimave, por asnjëherë nuk e kishte hulumtuar punën deri në skaj. Zhdukja në rrethana misterioze konsiderohej si përpjekje e të burgosurve për ikje nëpër tubat e kanalizimit. Tani kishte një rast faktik. Një gardian të mbytur nga një e burgosur, e cila vuante dënimin për vrasjen e dy vetëve, e dyshuar se kishte vrarë edhe dy të tjerë. Tani, po e shihte dhe po bindej se kishte para një vrasëse, e cila çuditërisht me fytyrën e saj të pikëlluar po i përngjante Shën Mërisë. Edhe pse vrasëse recidive, ajo po dridhej. Drejtori, besonte fortë se gardiani kishte pasur qëllim ta dhunonte. Fakti se ai nuk punonte në Pavijonin ku pastroheshin rrobat, shpjegonte gjithçka. Madje, Zana ishte tërhequr nga Pavijoni i punës, që ishte mjaft larg brenda kompleksit të burgut. Ai e kishte të qartë tërë dramën. Vrasja e gardianit doemos se do t’i shkaktonte dëm dhe në mos do të gjobitej, do t’i zbehej autoriteti.
– A je penduar, që e ke mbytur gardianin?
Pyetja e drejtorit e kishte befasuar Zanën, e cila kishte shikuar me trishtim por nuk kishte nxjerrë zë.
– Me siguri se nuk je penduar…
E kishte urdhëruar gardianen që Zana të izolohej në një qeli të veçantë dhe të mbahej nën kontroll rigoroz. ( Ahmet Qeriqi)
…
Të nesërmen, në mesin e të burgosurave dhe të burgosurve ishte përhapur lajmi se arnautja, Zana Murati kishte mbytur një gardian, dhunues dhe pritej të nxirrej para gjyqit.
Të burgosurit sakaq kishin sajuar sa e sa variante, ashtu sikur kishin sajuar variantin e tyre gardianët, të cilët kishin përhapur fjalë se ajo e kishte goditur gardianin babaxhan, nga prapa, me qëllim për të ikur nëpër korridorin e pavijonit, ku ndodhej kanalizimi, që derdhej në Nishavë. Disa të tjerë kishin shpifur se gardiani kishte kërkuar që ajo t’ia hekuroste rrobat, por Zana e kishte goditur në befasi. Versionin e tillë nuk e besonte askush, edhe pse pretendohej se ishte version zyrtar. Kishte të tillë që kishin përhapur fjalë se Zana e kishte joshur gardianin dhe ai me mendjelehtësi ishte dhënë pas aventurës.
Më në fund, Drejtoria kishte dhënë edhe informatën e plotë zyrtare, e cila kishte dalë si rezultat i hetimeve paraprake. Në informatën e brendshme zyrtare të Drejtorisë së burgut thuhej: “Mbrëmë, më 22 dhjetor të vitit 1930, në rrethana ende nën hetim, e burgosura Zana Murati ka mbytur gardianin 52-vjeçar, Milosheviq në dhomën e hekurosjes, ku ai e kishte urdhëruar që ajo t’ ia hekuroste rrobat. E burgosura, kishte refuzuar urdhrin dhe e kishte goditur gardianin, i cili kishte vdekur nga dy të goditura të fuqishme me një hekur të rëndë. Në vazhdim të informatës ishin përshkruar fakti se ajo po mbante dënimin 12 vjet burg për vrasjen e dy vetëve, për hakmarrje, shumë vjet më parë, ndërkohë që kishte qenë e dyshuar edhe për dy vrasje të tjera.