Blerim Ramadan Raka (30.12.1965 – 9.4.1999)

Blerim Ramadan Raka (30.12.1965 – 9.4.1999)

Dëshmori Blerim Raka u lind më 30 dhjetor të vitit 1965 në Kaçanik. Shkollën fillore dhe të mesme i kreu në vendlindje, kurse studimet i vazhdoi në shkollën e lartë ekonomike në Pejë. Si e gjithë rinia shqiptare e Kosovës, edhe Blerimi ishte pjesëmarrës në demonstratat e vitit 1981 si dhe angazhohej në shpërndarjen e pamfleteve dhe shkruarjen e parullave. Në atë kohë në Kaçanik shoqërohej me Emrush Tafilin, Moamer Doganin, Diamant Rakën, Besim Rakën, Fisnik Kyqykun, Enver Axhamin dhe Naxhit Rakën. Për shkak të kushteve jo të mira ekonomike u detyrua t’i ndërpresë studimet në vitin e dytë dhe të marrë rrugën e kurbetit, prandaj në vitin 1989 shkoi në Zvicër. Atje ra në kontakt me veprimtarë të çështjes kombëtare, prandaj angazhohet aktivisht nëpër aktivitetet dhe tubimet popullore në mbështetje të çështjes së Kosovës. Më 1998, toka e Kosovës e ftonte Blerimin si gjithë bijtë e bijat e tjerë, prandaj ai e la punën dhe u kthye në Kosovë. Ai iu përkushtua angazhimit në përgatitjen e njësiteve të UÇK-së, për të cilën çështje bisedonte edhe me të atin, Ramadanin dhe me Enver Axhamin. Falë vendosmërisë dhe angazhimit aktiv, në shkurt të vitit 1999 u radhit në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në Brigadën 162 “Agim Bajrami”, në Batalionin e Dytë. Blerimi ishte njohës i mirë i armëve dhe i përdorimit të tyre pasi paraprakisht kishte kryer shërbimin ushtarak në Ish – Armatën Jugosllave. Ishte i kujdesshëm dhe i interesuar për armët, prandaj ia mirëmbante armën të ndjerit Islam Provolia, duke i pastruar çdo dy javë dhe duke i rregulluar që të jenë në rregull dhe të gatshme për veprim. Ishte pjesë- marrës në Luftën e Ivajës. Më 28 Mars 1999 disa njësite të Batalionit të Dytë ishin vendosur në pozicionet në Dushkajë, Runjevë, Lagje të Re, Stanet e Brrutëve, Llanishtë dhe Gjurgjedell mbi Kaçanik. Togu i udhëhequr nga Komandanti Izahir Troni ishte vendosur në pikën e luftës në Lagje të Re ku ishte i sistemuar edhe Blerim Raka me bashkëluftëtarët Abit Dullovi, Fatmir Horuni, Remzi Zharku, Skënder Zharku, Naxhit Raka, Emrush Luta, Xhelal Luta, Mejdi Luta, etj. Në Rakoc dhe në Lagje të Re, ishin të vendosura njësitet e Batalionit të Dytë të Brigadës 162 “Agim Bajrami”. Forcat serbe pas një përgatitjeje të kujdesshme, më 9 prill 1999 në orët e hershme të mëngjesit, ndërmorën një ofensivë të ashpër kundër popullatës civile dhe njësiteve të UÇK-së. Rezistenca e çlirimtarëve u zhvillua edhe përbrenda Kaçanikut. Ashtu si në Rakoc edhe në Lagje të Re u zhvillua betejë e rreptë, ku njësitet e Batalionit të Dytë, qëndruan të palëkundura. Përballja më e ashpër e togës me forcat okupatore serbe udhëhiqej nga Komandanti i Togut Izahir Troni ku krah për krah me të ishte edhe Blerim Raka. Në betejën te Lagjja e Re, njësitet e UÇK-së arrijnë të tërheqen në një pozicion më të sigurt, por në rrethim në shtëpinë e Azem Krivanjevës kishin mbetur komandanti Izahir Troni dhe Skënder Zharku. Pas këtij lajmi, Blerimi me Abit Dullovin, Remzi Zharkun e disa bashkëluftëtarë të tjerë depërtojnë te pozicionet e Izahir Tronit dhe Skënder Zharkut, ku pas tërheqjes te pozicioni tjetër vazhdojnë rezistencën deri në momentin e rënies. Forcat serbe trupat e këtyre dëshmorëve i varrosin në varrezat masive në Kaçanik, ku trupi i tyre identifikohet pas 7 muajsh në varrezën masive në Kaçanik. Në këtë betejë, përkrah Blerimit bien edhe Izahir Troni, Abit Dullovi, Fatmir Horuni, Mynir Thaçi, Raif Krivanjeva, Sylejman Kuka, Burim Rexha, Remzi Zharku, etj, si dhe nga popullata civile u vranë Adnan Gula, Bedri Zharku, Aziz Axhami, Rizah Koraqi, Rufki Mulaku, Ramadan Spahiu, Afet Bushi e Maliq Zharku.

Një ndihmë mjaft të madhe gjatë luftës Blerimit ia kishte dhënë edhe bashkëshortja e tij Shahadie Provoliu – Raka. Nga familjet Raka në luftën e UÇK-së kanë rënë edhe Ismajl Raka, Lumnije Raka dhe Jehona Raka. Rivarrimi i Blerim Rakës dhe bashkëluftëtarëve të tij u bë në Varrezat e Dëshmorëve në Kaçanik.

Blerim Raka ka qenë i martuar me Shahadie Provoliu – Raka dhe ka lënë dy fëmijë: Buletinin dhe Bestarinën. Po ashtu, ai ka lënë prindërit, Ramadanin e Hagjeren, motrat Vjollcën, Lebiben, Shqipen dhe vëllezërit Bashkimin e Shpendin.

Në shenjë respekti për sakrificën supreme të dëshmorit Blerim Raka dhe të bashkëluftëtarëve të tij, në vendin e rënies në Lagjen e Re është ngritur Pllaka Përkujtimore.

Familja e Blerimit në shenjë nderimi dhe respekti ka marrë mirënjohje nga Komanda e Brigadës 162 “Agim Bajrami”, Kuvendi Komunal i Kaçanikut, Ministria e Mbrojtjes e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës dhe nga Komanda e Zonës 6 të TMKsë. (H. K.)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …