Abit Dullovi, u lind më 20 korrik të vitit 1961 në fshatin Biçec të komunës së Kaçanikut. Prindërit e tij ishin Ramiz e Anife Dullovi. Mësimet e para i mori në shkollën fillore në fshatin e lindjes, kurse shkollimin e mesëm e mbaroi në vitin 1981 në Kaçanik. Demostratat e vitit 1981, Abitin e gjejnë maturant dhe ai u bë pjesë e tyre. Në gusht të vitit 1987 punësohet në fabrikën për prodhimin e blloqeve, “Silkapor” në Matlumë të Kaçanikut. Masat e dhunshme serbe të instaluara edhe në këtë ndërmarrje e larguan nga puna në vitin 1994. Pas largimit nga puna Abiti u detyrua të emigrojë në Zvicer, ku qëndroi deri në qershorin e vitit 1998. Tashmë në Kosovë kishte shpërthyer lufta çlirimtare e UÇK-së, prandaj Abiti u kthye në atdhe për t’iu bërë krah lufte. Vetëm pak kohë pasi ishte kthyer nga Zvicra, Abitit i bie në gjurmë policia serbe dhe e fton atë në bisedë informative lidhur me aktivitetin e tij që kishte zhvilluar në Zvicer.
Kontaktet e para me UÇK-në, Abiti i vendosi përmes Fadil Bunjakut, Shefket Palloshit dhe Mexhid Palloshit. Në UÇK u radhit në fillim të muajit shkurt 1999 në Batalionin e Parë të Brigadës 162 “Agim Bajrami”. Merr pjesë në betejat e zhvilluara në fshatin Ivajë, më 8 mars dhe 24 mars 1999. Kah fundi i muajit mars 1999, një pjesë e batalionit të Abitit shkon në ndihmë të Batalionit të Dytë. Ai bashkë me Fatmir Horunin dhe shokë të tjerë inkuadrohet në togun e komanduar nga Izahir Troni (dëshmor) në Lagjen e Re të Kaçanikut ku ishte koncetruar një masë e madhe e popullsisë.
Më 9 prill të vitit 1999, makineria ushtarake serbe fillon granatimet nga largësia, ndërkohë fillojnë edhe luftimet në afërsi. Luftime të ashpra u zhvilluan prej orës 14 deri në orët e vona të mbrëmjes së asaj dite. Në këto luftime, në Lagje të Re, Abit Dullovi ra dëshmor bashkë me shokët e armës: Izahir Troni, Fatmir Horuni, Blerim Raka, Sylejman Kuka, Burim Rexha, Mynyr Thaçi, Raif Krivanjeva dhe Remzi Zharku. Trupi i dëshmorit Abit Dullovi u gjet pas gjashtë muajsh, në varrezën masive në Kaçanik. Rivarrimi i tij u bë në varrezat e qytetit në Kaçanik, më 16.9.1999.
Në njëvjetorin e rënies së dëshmorit Abit Dullovi, në nderim dhe përkujtim të veprës së tij, u ngrit pllaka përkujtimore në vendin e rënies, në Lagjen e Re të Kaçanikut. Emri i tij është skalitur në përmendoren te parku i qytetit të Kaçanikut dhe te përmendorja e dëshmorëve të UÇK-së në Marinë të Skënderajt.
Në shenjë nderimi, familjes së dëshmorit Abit Dullovi i ka dhënë mirënjohje Ministria e Mbrojtjes e QPK-së, Brigada 162 “Agim Bajrami”, Kuvendi Komunal i Kaçanikut dhe Komanda e Zonës VI e TMK-së. Në fshatin e lindjes, dëshmorit i është ngritur busti dhe pllaka përkujtimore, sikurse edhe bashkëluftëtarëve të tij dëshmorë: Fadil Bunjaku dhe Fatmir Horuni.
Abiti ka lënë bashkëshorten, Fatimen dhe fëmijët: Arjetën, Flamurin, Fatlumin dhe Fatgëzimin. (H. K.)
Kontrolloni gjithashtu
Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)
Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …