Dëshmori Nexhmush Fera u lind më 22 mars të vitit 1947 në Kaçanik. Shkollën fillore dhe atë të mesme i kreu në Kaçanik, kurse Shkollën e Lartë Elektroteknike e kreu në Mitrovicë dhe në Prishtinë. Pas përfundimit të shkollimit punoi në Kombinatin “Sharri” në Han të Elezit. Gjatë periudhës 1974-1979 punoi në mbajtjen e praktikës me nxënësit e shkollës së mesme për aftësimin e tyre në fushën e Elektroteknikës në Voskopojë të Kaçanikut. Në vitin 1980 hapi firmën “16 Nëntori”, të cilën e drejtoi në dy mandate. Nexhmushi në këtë veprimtari kishte për obligim elektrifikimin e komunës së Kaçanikut (ndriçimin publik të qytetit), si dhe instalimin e ujësjellësit të qytetit. Nexhmushi si veprimtar i palodhur dha një kontribut të madh për elektrifikimin e Hanit të Elezit dhe të rrethinës. U frymëzua nga babai i tij, Rexhepi, i cili ishte edhe ushtar i njësiteve të veprimtarit Avdyl Dura, gjatë viteve 1940 – 1944. Nga viti 1988/89 filloi të merrej aktivisht me veprimtarinë atdhetare duke përkrahur organizimet e protestave kundër pushtuesit serb, aktivitet të cilin nuk e ndërpreu derisa u bë pjesëtar i UÇK-së.
Me fillimin e luftës çlirimtare në trevën e tij, Nexhmushi u radhit në radhët e UÇK-së, në Brigadën 162 “Agim Bajrami”, në qershor të vitit 1998. Ishte pjesëtar i njësitit në kuadër të Kompanisë së Parë të Batalionit të Dytë të Brigadës 162 “Agim Bajrami”. Bashkëluftëtarët e tij më të ngushtë ishin: Shefket Fera, Nejaz Fera, Besnik Bajra, Mukadeze Lika, Abdurrahim Shehu, Lulzim Tirolli, Reshat Shehu, Sabit Raka, Reshat Topojani, Burim Bajra e të tjerë. Ishte pjesëmarrës i betejave në Ivajë, më 8 mars 1999, në Kotlinë e Ivajë, më 24 mars 1999, në Kaçanik, më 8 prill 1999, dhe së fundi në betejën e 9 prillit 1999 në Rakoc të Kaçanikut, ku ra heroikisht në krye të detyrës.
Pas ofensivës së 28 marsit 1999, e ndërmarrë nga ushtria dhe policia serbe në Kaçanik, njësitet e Batalionit të Dytë nga Ivaja u vendosën në rajonin Runjevë, Lagje të Re dhe Rakoc.
Forcat serbe, më 9 prill 1999, në orët e hershme të mëngjesit ndërmorën ofensivë kundër popullatës civile dhe njësiteve të UÇK-së. Rezistenca e çlirimtarëve zhvillohej edhe brenda qytetit të Kaçanikut. Pasi rrethuan qytetin e Kaçanikut, në orën 8:00, forcat serbe filluan granatimet në drejtim të Përroit të Rakocit dhe Lagjes së Re, kundër pozicioneve të UÇK-së. Pas granatimeve u mobilizuan edhe njësitet e këmbësorisë të ushtrisë dhe policisë serbe të përkrahura edhe nga forcat e motorizuara. Forca të mëdha ushtarako – policore serbe kishin arritur një ditë më parë nga Gjilani, Vitia, Ferizaj dhe Hani i Elezit. Për të parandaluar hyrjen e forcave okupatore në lagjen e qytetit, ku ishte e koncentruar popullata civile, luftëtarët e UÇK-së, në hyrje të qytetit, sulmuan rrufeshëm kolonën e motorizuar të armikut. Për shkak të luftimeve të ashpra popullata e qytetit të Kaçanikut dhe e fshatrave përreth ishte zhvendosur qysh më parë në male e lugina përrojesh. Një pjesë e konsiderueshme e saj ishte strehuar në luginën e Përroit të Rakocit, kurse pjesa tjetër te vendi i quajtur Mrizet. Njësitet e Batalionit të Dytë ishin vendosur në mbrojtje të popullatës civile. Në kuadër të këtyre njësiteve kontribut të jashtëzakonshëm po jepte edhe luftëtari i lirisë Nexhmush Fera. Në këto luftime të ashpra, në krye të detyrës ranë 19 ushtarë të lirisë dhe 18 civilë. Bashkë me Nexhmush Ferën ranë edhe luftëtarët: Shefket Fera, Kjani Bela, Ilir Zharku, Fadil Çaka, Nehat Çaka, Ejup Dushkaja, Faruk Dogani, Jehona Raka, Lumnije Raka, Emsale Frangu, Mukadeze Lika, Nevzat Çallaku, Avdurrahim Shehu, Reshat Shehu, Daut Rakoci, Adem Rakoci dhe Blerim Raka. Ndërsa nga popullata civile u vranë: Nebih Topojani, Izahir Çaka, Ilfete Çaka, Jonuz Bajra, Murat Raka, Menduh Nallbani, Tefik Nallbani, Maksut Nallbani, Gjili Rexha, Hamide Rexha, Mine Gashi, Nezrike Dogani, Hamit Shehu, Haki Livoreka, Gjili Raka, Ekrem Raka, Haxhi Livoreka e Bajrush Axhami. Ishin tre ushtarët e UÇK-së: Besnik Bajra, Nexhmedin Brruti dhe Rrustem Dema, si dhe dy civilë: Xhemajl Sopa e Hazbie Nika – Koxha.
Trupi i dëshmorit Nexhmush Fera , i cili një ditë pas rënies ishte varrosur në një varr masiv në varrezat e qytetit në Kaçanik, u rivarros pas përfundimit të luftës çlirimtare, më 22 shtator 1999, në varrezat e dëshmorëve në Kaçanik. Në rrethin e gjerë familjar të Nexhmush Ferës kanë rënë nipi i tij, Shefketi, djali i dajës, Avdurrahim Shehu dhe Mukadeze Lika.
Nexhmushi ka qenë i martuar me Nurishahe Ferën me të cilën kishte fëmijë: Mehemedaliun, Avdurrahmanin, Avdulkerimin, Abdylhamidin, Sadatin dhe vajzën Hamiden. Po ashtu, ai kishte edhe gruan e dytë, Veziren, me të cilën kishte djalin Visarin dhe vajzën Hamdijen.
Në vendin e rënies së dëshmorit Nexhmush Fera dhe 18 dëshmorëve të tjerë dhe 22 martirëve, është vënë pllaka përkujtimore. Familja Fera, në shenjë respekti për kontributin e Nexhmushit ka marrë mirënjohje nga Ministria e Mbrojtjes e QPKsë, SHP e UCK-së, Komanda e Brigadës 162 “Agim Bajrami”, nga Kuvendi Komunal i Kaçanikut dhe nga Komanda e zonës së 6 të TMK-së. (H. K.)