Sylejman Rafiz Kuka (18.2.1969 – 9.4.1999)

Sylejman Rafiz Kuka (18.2.1969 – 9.4.1999)

Sylejman Kuka lindi 18 shkurt të vititi1969 në fshatin Bob të Kaçanikut. Prindërit e tij, Rafizi dhe Eminja lindën dhe rritën shtatë djem e një vajzë. Ai ishte i treti prej fëmijëve. Shkollën fillore e kreu ne shkollën ”Emin Duraku” në Kaçanik, kurse të mesmen, gjimnazin ”Skënderbeu”, po ashtu në Kaçanik. Sylejmani ishte i dhënë edhe pas pikturës, ku veçanërisht pikturonte figurat historike kombëtare shqiptare. Si xënës i shkollës së mesme pikturoi shqiponjën, në krahun e së cilës shkroi fjalët Kosova – Republikë. Pas përfundimit të shkollës së mesme nuk vazhdoi më tutje shkollimin. Ishte i pa martuar. Mori pjesë ne të gjitha demonstratat dhe protestat e organizuara në Kaçanik e gjetiu, kundër shtypjes serbe. Krismat e para të UÇK-së në trevën e Kaçanikut, Sylejmanin e gjetën luftëtar të gatshëm për t’u radhitur në radhët e Brigadës 162 “Agim Bajrami”. Më 22. 1.1999, u radhit në Batalionin e Dytë të kësaj brigade.
Edhe vëllai i Sylejmanit, Shabani, ishte i angazhuar në Zonën e Pashtrikut, kurse vëllai tjetër ishte i angazhuar në pikën ushtarake të Budakovës së Therandës.
Në fillim të angazhimit të tij në UÇK, Sylejmani u mor me organizimin dhe përgatitjen e luftëtarëve të rinj. Ishte pjesëmarrës i betejës së 28 shkurtit 1999 në Gajre, betejës së 8 marsit 1999 në Ivajë dhe betejës së 9 Prilli 1999 në Lagje të Re. Bashkëluftëtarët e Sylejman Kukës ishin Izahir Troni, Minyr Thaqi, Fatmir Horuni, Abit Dullovi, Remzi Zharku, Burim Rexha e Raif Krivanjeva.
Beteja e 9 prillit 1999 përfshiu një territor të gjerë të Lagjes së Re, Rakocit, Kaçanikut e deri në Nikaj. Në mbrojtje të popullatës civile në Lagje të Re dhe Rakoc, ranë heroikisht 28 ushtarë të UÇK-së dhe 32 qytetarë të Kaçanikut. UÇK-ja në këtë rast kishte marrë përgjegjësinë të paguante çmimin më të lartë për lirinë e popullit të Kosovës. Sylejmani me bashkëluftëtarët e tij ishte njëri ndër luftëtarët e parë të UÇK-s që kishte hyrë në qytezën e Kaçanikut, ku vendoset në pikën ushtarake në Lagjen e Re. Kjo betejë u zhvillua me orë të tëra, por trimat kishin qëndruar heroikisht, kur bie heroikisht Sylejman Kuka dhe krah për krah me të bien edhe Izahir Troni, Fatmir Horuni, Remzi Zharku, Abit Dullovi, Mynir Thaqi, Blerim Raka, Burim Rexha dhe Raif Krivanjeva si dhe civilët: Adnan Gula, Rizah Koraçi, Bedri Zharku, Aziz Axhami, Rufki Mulaku, Ramadan Spahiu, Afet Bushi dhe Maliq Zharku.
Pas rënies heroike, trupi i dëshmorit Sylejman Kuka dhe i 28 bashkëluftëtarëve të tjerë u varros nga forcat serbe varrezn masive në Kaçanik. Pas luftës u bë rivarrimi i tij në varrezat e dëshmorëve në Kaçanik.
Dëshmori Sylejman Kuka pas vetes e la prindërit, Rafizin dhe Eminen, vëllezërit Shabanin, Mersadin, Skënderin, Qemajlin dhe Muhametin, si dhe motrën Zymreten. Familja e tij ka marrë mirënjohje nga Qeveria e Përkohshme e Kosovës – Ministria e Mbrojtjes, Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, komanda e Brigadës 162 “Agim Bajrami”, komanda e Zonës së 6-të e TMK-së. Në shenjë nderimi dhe respekti për të dhe bashkëluftëtarët e tij është vënë pllaka përkujtimore në vendin e rënies në Lagje të Re të Kaçanikut. (H. K.)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …