leoni

Mukadeze Lika Muhaxheri (2.4.1960-9.4.1999)

Mukadeze Lika Muhaxheri (2.4.1960-9.4.1999)

Radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Zonën e Kaçanikut, iu kishin bashkuar shumë trima e trimëresha. Në mesin e tyre shquhej edhe një nënë, nënë e pesë fëmijëve të vegjël, e cila përkujdesin për fëmijët ia la bashkëshortit Agim Muhaxheri, ndërsa vetë luftoi trimërisht në radhët e UÇK-së deri në ditën kur ra në altarin e atdheut. Kjo ishte luftëtarja e lirisë, nëna dëshmore, Mukadeze Lika.
Mukadezja ishte bija e Bafti Likës, i cili në jetën bashkëshortore me Hazbien, lindi dhe rriti tetë bija. Edhe pse fati nuk deshi të lindin fëmijë mashkull, ata rriten me dashuri e përkushtim prindëror tetë bijat e tyre. Mukadezja ishte e gjashta me radhë.
Mukadezja lindi më 4 prill të vitit 1960 në Kaçanik, ku edhe kreu shkollën fillore. Po në qytezën e saj të dashur kreu edhe shkollën e mesme ekonomike.
E frymëzuar nga tradita familjare dhe nga liteatura me përmbajtje kombëtare liridashëse, në mars dhe prill të vitit 1981, Mukadezja dhe motra e saj Xhevahirja marrin pjesë në demonstratat studentore, të cilat asokohe i kishte organizuar rinia atdhedashëse e Kosovës. Së bashku me motrën dhe me shoqe të tjera morën pjesë në demonstratat e zhvilluara në Prishtinë, në Ferizaj dhe në Kaçanik, përkrah vëllezërve të tyre që kishin ngritur grushtin kundër sundimit kolonialist jugosllav. Ideali i lirisë vlonte në shpirtin e saj liridashës dhe kryengritës.
Në mars të vitit 1998, kur legjendari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Adem Jashari dha kushtrimin e lirisë, ajo ishte e përgatitur për t`u rreshtuar në radhët e luftës çlirimtare. Më 16 mars të po atij viti, Mukadeze Lika ndodhet në ballin e nënave kosovare, që ishin nisur rrugës për në Drenicë, por policia serbe me dhunë i ktheu nga rruga në Fushë-Kosovë.
Mori pjesë në shumë aktivitete atdhetare, në protestat e demonstratat, që u zhvilluan sidomos në mars dhe në prill të vitit 1998, në përkrahje të luftës që kishte filluar në Drenicë dhe në Dukagjin.
Me rastin e zgjerimit të radhëve të UÇK-së në Zonën e Kaçanikut, Mukadeze Lika, nënë e pesë fëmijëve të mitur, rishfaq interesim dhe përkushtim për t`iu bashkuar radhëve të luftës çlirimtare. Fillimisht kryen aktivitete logjistike, ndërsa në mars të vitit 1999 vesh uniformën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Përveç bashkëluftëtare e trimave të lirisë, ajo ishte edhe motër, që përkujdesej qoftë për ushqimin, qoftë për plagët e tyre.
Pas fillimit të intervenimit të forcave të NATO-s kundër makinerisë së krimit serb, kriminelët e Milosheviqit kishin filluar dëbimin masiv të shqiptarëve për në ish-RJ të Maqedonisë dhe në Shqipëri. Pasi ishte konsultuar me bashkëshortin, Agim Muhaxheri, ajo i thotë atij:
-Merri fëmijët dhe shko në Shkup, unë nuk ndahem nga luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Dhe ashtu kishte ndodhur. Mukadezja tanimë ishte në vijën e parë të fronit, ishte atje ku trimat e lirisë luftonin ballë për ballë. Ishte ndarë nga bashkëshorti dhe nga pesë fëmijët e dashur, sepse ideali i lirisë ishte brumosur thellë në qenien e saj.
Në prill të vitit 1999, forcat serbe kishin ndërmarrë ofensivë shkatërrimtare kundër disa pozicioneve të UÇK-së në zonën e Kaçanikut. Luftimet zhvilloheshin tejet të ashpra, ndërsa luftëtarët tanë, edhe pse të armatosur dobët, po qëndronin të patundur në istikame. Në vijën e fronit në vendin e quajtur Përroi i Rakocit, Mukadezja ndodhej me disa luftëtarë dhe së bashku me luftëtarin Besnik Bajra, në shtëpinë e Xhemail Sopës. Predha armike e goditi shtëpinë ku ishte barrikaduar luftëtarja Mukadeze Lika dhe luftëtari Besnik Bajra. Pas dy orë luftimesh të ashpra, në fushën e nderit kishin rënë dëshmorë disa luftëtarë dhe shumë të tjerë ishin plagosur. Nga arma armike, që villte pandërprerë me tërë breshërinë, ishte plagosur rëndë edhe luftëtarja, Mukadeze Lika. Fillimisht nuk ishte ligështuar, por rreth orës 18.oo të 9 prillit të vitit 1999, pikërisht në prillin kur i kishte mbushur 39 pranverat e jetës, ajo thith për herë të fundit ajrin e përflakur nga lufta të maleve të Kaçanikut. Ajo ra në altarin e atdheut ashtu sikurse kishin rënë në logun e luftimeve edhe shumë trimëresha të tjera si: Xhevë Krasniqi-Lladrovci, Fatime Hetemi, Antigonë Fazliu, Myrvete Maksutaj, Luljetë Shala e shumë bija besnike të atdheut nga të gjitha viset e Shqipërisë.
Mukadeze Lika ka qenë e martuar. Ajo ka lënë pas Ilirikën, Donikën, Albanën dhe Albanin, të cilët janë krenarë për jetën dhe veprën e nënës Mukadeze, dëshmore e kombit.
Për jetën dhe veprën e dëshmores Mukadeze Lika-Muhaxheri ka shkruar edhe bashkëluftëtari dhe eprori i UÇK-së, Hajrush Kurtaj në librin Shungullon Gryka e Kaçanikut. (A. Q.)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …