leoni

Jehona Sabit Raka (6.11.1976 - 9.4.1999)

Jehona Sabit Raka (6.11.1976 – 9.4.1999)

Kaçaniku, vend i luftëtarëve të Lidhjes së Prizrenit, i luftëtarëve të të gjitha luftërave për çlirim kombëtar edhe në luftën vendimtare të UÇK-së, u bëri ballë rebesheve e furtunave të forta në mënyrë stoike. Shumë ushtarë të armikut kishin lënë eshtrat e tyre në këtë qytet, në Grykën e Kaçanikut heroik. Kjo grykë preu shumë kolona armike që gjarpëronin për në thellësi të trungut shqiptar. Ajo ishte përherë barrikadë e gjallë e sulmeve armike ndër kohëra. Gryka e Kaçanikut është vend i legjendave të kohërave historike. Këtë e përsëritën edhe bijtë e bijat e Kaçanikut edhe në Luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në radhët e luftëtarëve të UÇK-së u radhit edhe ushtarja, Jehona Sabit Raka, e lindur më 16 nëntor 1976 në Kaçanik. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, në Shkollën “Emin Duraku” në Kaçanik. Ndërsa të mesmen e kreu në Shkollën e Mesme të Mjekësisë “Ali Sokoli” në Prishtinë.
Në vitin 1995 u regjistrua në Universitetin e Prishtinës, Fakulteti Filologjik, dega Letërsi dhe Gjuhë Shqipe. Gjatë studimeve u shqua si studente e shkëlqyeshme, ku me sukses të merituar përfundoi vitin e tretë të studimeve. Gjatë vitit 1998 punoi vullnetarisht në Shtëpinë e Shëndetit “Nëna Terezë” në Kaçanik. Jehona, shoqe të ngushtë e kishte Lumnije Rakën, e cila ishte kushërira e saj. Ato kishin afërsi që nga rinia e hershme, meqë i kishte lidhur mosha, shkolla dhe jeta familjare. Por me kalimin e kohës ato do të lidhen edhe me idealet e përbashkëta atdhetare.
Jeta studentore i kishte lidhur ato edhe me rrethanat aktuale të kohës. Në radhët e rinisë studentore, asokohe vlonin bisedat për organizatat ilegale kundër pushtuesit. Mjediset studentore si gjithnjë ishin të mbushura me veprimtarë të ilegales atdhetare. Në këtë kohë shumë student ishin radhitur në strukturat e UÇK-së dhe kryenin detyra të ndryshme në zonat e luftës dhe zonat jashtë luftimeve të drejtpërdrejta, ku vazhdonin përgatitjet në furnizim, informim mbi lëvizjet e forcave të armikut. Aktivitetet e tyre i shtrinin në fushat rekrutimit, propagandës, organizimit në përkrahje të luftës çlirimtare.
Përpjekjet për të kontribuar këto dy bashkëluftëtare i filluan nga kohën e studimeve, ku ranë në kontakt me disa shokë studentë, si: Xheladin Kurtaj, Nehat Mustafa e Bashkim Fazliu. Detyra e parë qe ato marrin përsipër është vëzhgimi i lëvizjeve të armikut në rrugën kryesore të Kaçanikut, hyrjet dhe daljet e forcave serbe, lëvizjet e bashkëpunëtorëve të armikut në Kaçanik. Këtë detyrë e kryejnë me sukses të madh. Për një kohë të caktuar raportojnë te përgjegjësi, Fadil Qaka i cili ishte caktuar në këtë detyrë nga komanda.
Më 20 tetor të vitit 1998, Jehona së bashku me Lumnije Rakën, paraqiten në komandën e Brigadës për të kryer stërvitjet e nevojshme ushtarake e luftarake.
Stërvitjet ushtarake i kryen individualisht me direktivat e komandës gjatë tetorit e nëntorit të vitit 1998. Përgatitjet për detyrat e vëzhgimit i kanë stërvitur me eprorin e UÇK-së, Fadil Qaka. Në këtë stërvitje ka marrë pjesë edhe Lumnije Raka dhe ushtarë e ushtare të tjera nga Kaçaniku. Pas kryerjes së stërvitjeve ushtarake Jehona me bashkëluftëtarët e saj sistemohet në njësitin e vëzhgimit, njësit që vepronte në qytetin e Kaçanikut. Njësitin e përbënin: Fadil Qaka, Muhamet Zeneli, Nehat Qaka, Lumnije Raka, Jehona Raka, Rrustem Dema etj.
Në fillim të vitit 1999, gjendja po krijohej me zhvillimin e hapur të luftimeve kundër forcave pushtuese serbe në rrethin e Kaçanikut, ku në pjesën e maleve te Sharrit mbi qytet ishin radhitur ushtarët e Brigadës 162 “Agim Bajrami”. Këto ngjarje tërhoqën edhe më afër Jehonën dhe Lumnijen. Pas një kohe të veprimtarisë së fshehtë tani ato të dyja vendosen në pikën e luftës në lagjen “Rakoc” të Kaçanikut. Si ushtare guximtare, ato përveç detyrave luftarake që kishin, kontribuan shumë edhe në përkujdesjet mjekësore ndaj të plagosurve dhe të sëmuarve, meqë të dyja ishin infermiere me profesion. Bashkëluftëtarët e Jehonës kanë qenë: Lumnije Raka, Emsale Frangu, Fadil Qaka, Mukadeze Lika, Ilir Zharku, Nehat Qaka, Faruk Dogani, Muhamet Zeneli, Rrustem Dema, Kadri Trena, Abdurrahman Shehu, Melihate Shehu, Valdete Shurdhani e të tjerë.
Gjatë gjithë kohës, ato nuk kursyen asgjë nga vetja për t’iu ardhur në ndihmë luftëtarëve që kishin marrë plagët e lirisë. Guximin që kishin këto dy heroina bëri që ato të gjenden në çdo situatë të luftës të pandalshme për ballë qdo rreziku. Sakrifica e tyre qe e madhe,supet e tyre bartën detyra të vështira luftarake deri në ditën e rënjes së tyre.
Në mëngjesin e 9 prillit, të vitit 1999, armiku kishte sulmuar me shumë forca dhe teknik të rëndë ushtarake dhe luftarake. Synimi i armikut ishte që të mbante jashtë qytetit njësitet e UÇK-së, për të mos rënë qyteti në duar të tyre, me qëllim që ta siguronte Gryken e Kaçanikut për qarkullim të lirë. Mirëpo komanda e Brigadës 162 “Agim Bajrami” dhe njësitet e kësaj brigade e dinin rëndësinë e kësaj gryke historike andaj edhe ishin gati të luftonin për të deri në flijim.
Beteja 9 prillit ishte e pakompromis. Luftëtarët trima të Brigadës 162 Agim Bajrami e posaçërisht njësitet e Batalionit të Dytë të komanduara nga komandanti, Azem Guri dhe njësia e Policisë ushtarake nuk tërhiqen as përpara granatimeve të fuqishme të artilerisë armike topave armike, tankseve, autoblindave dhe të gjitha armëve të tjera. Në këtë luftë të madhe merrte pjesë drejtpërdrejt edhe Qamil Ilazi, komandanti i Brigadës 162 Agim Bajrami.
Jehona bashkë me Lumnijen ishin atë ditë në detyrat e tyre luftarake që u takonin çdo luftëtari në front. Pas tërë asaj lufte që u zhvillua në kodrat përreth qytetit në një moment krijohet situatë e tillë, kur popullata civile duhej të tërhiqej përtej në malet mbi Kaçanik që të strehohej nga granatimet e armikut. Në një kolonë, që po tërhiqej nëpër Përroin e Rakocit i ndihmonin dhe ishin në ballë Jehona dhe Lumnija bashkë me disa shokë e shoqe ushtare. Para se të arrin në lartësinë apsolute të Përroit, nga një prit e befasishme e armikut bien në përleshje me forcat armike Jehona dhe Lumnija, pranë njëra tjetrës, bien bashkë, ashtu siç ishin tërë jetën të pandashme dhe të vendosura në rrugën e çlirimit kombëtar. Po këtë ditë në Rakoc dhe Lagje të Re bashkë me Jehonën ranë dëshmorë: Izahir G. Troni, Fadil I. Qaka, Nehat I. Qaka, Muhamet N. Zeneli, Ilir E. Zharku, Ejup Dushkaja, Faruk V. Dogani, Kjani M. Bela, Nexhmush Q. Elezi, Nexhmush Fera, Shefket N. Fera, Lumnije Sh. Raka, Emsale Z. Frangu, Mukadeze Lika Muhaxheri, Nevzat M. Qallaku, Minir B. Thaqi, Fatmir A. Horuni, Blerim R. Raka, Habit R. Dullovi, Avdurrahim D. Shehu, Remzi Sh. Zharku, Reshat Sh. Shehu, Daut e Adem Sh. Rakoci, Raif A. Krivanjeva, Sylejman R. kuka dhe Burim S. Rexha. PO atë ditë nga radhët e popullatës civile u martirizuan: Nebih H. Topojani, Izahir T. Qaka, Irfete B. Qaka, Jonuz B. Bajra, Murat S. Raka, Menduh S. Nallbani, Tefik M. Nallbani, Maksut N. Nallbani, Gjili B. Rexha, Hamide Z. Rexha, Mine A. Gashi, Mezrike B. Dogani, Hamid H. Shehu, Haki H. Livoreka, Gyli B. Raka, Ekrem I. Raka, Xhemajl A. Haziri, Bajrush Q. Axhami, Izjadin R. Frangu, Ilaz B. Rakoci, Osman N. Livoreka, Arif S. Raka, Nebih A. Livoreka, Avdullah Sh. Burrniku, Adnan I. Gula, Riza H. Koraqi, Bedri A. Zharku, Aziz I. Agjani, Rufki B. Mulaki, Ramadan S. Spahiu, Afet R. Bushi dhe Maliq H. Zharku. Ndërsa u plagosën këta ushtarë: Rrustem D. Dema, Besnik Bajra, Nexhmedin Bruti, ndërsa nga popullata civile u plagosën: Xhemajl Sopa dhe Hazbije Nikaj, Koxha. Trupi i dëshmores, Jehona Raka, dhe bashkëluftëtarëve të saj u gjet në varrezat masive, në fshatin Kaçanik i Vjetër. Në korrik 1999 me nderime ushtarake u organizua rivarrimi i saj dhe i dëshmorëve të tjerë, në Varrezat e Dëshmorëve në vendin e quajtur “Te Dardha” në Kaçanik. Në vendin e rënies, në altarin e atdheut, Jehonës, 18 dëshmorëve dhe 22 martirëve iu është ngritur lapidari i përbashkët, në Rakoc të Kaçanikut.
Jehona Raka është marrë me shkrime që nga fëmijëria. Mbante edhe ditarin të cilin e ka humbur gjatë luftës. Jo la pas vetes babanë, Sabitin, nënën Hamdien, motrat: Violetën, Lenditën, vëllezërit: Diamantin, Kadriun dhe Fisnikun. (H. K.)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …