Romani “Ringjallja” krahas me “Sonatën e Krojcerit” janë dy vepra në të cilat autori ka zhveshur lakuriq Rusinë e kohës, jo vetëm për ta qortuar e fshikulluar dhe jo vetëm atë, por tërë zhvillimin marramendës së kapitalizmit dhe feudo-borgjezisë së degjeneruar, që kishte arritur shkallën e rënies së pashmangshme, duke e shfrytëzuar njeriun, duke e vrarë atë dhe duke e nakatosur në të gjitha segmentet.
Romani nuk është përpjekje për të ta idealizuar Biblën, nuk është përpjekje për ta paraqitur krishterimin si besim primar dhe të vetmin besim të vërtetë sikur propagandon Kisha, nuk është fare përpjekje për ta himnizuar atë, por përkundrazi është përpjekje e suksesshme për ta diskredituar dogmatizmin, për ta çjerrë atë maskën fetare me të cilën rronte Rusia e asaj kohe e njerëzit përgjithësisht, sidomos rendi i korruptuar kishtar i kohës, aristokracia e korruptuar dhe e degjeneruar dhe tërë aparati shtetëror i kalbur në korrupsion, amoralitet, zvetënim e degradim.
Personazhi kryesor i kësaj vepre, Ekaterina Masllova nuk është një gjyshe Evë mëkatare, por është viktimë, pre e moral-shthururve të kohës. Ajo është femra, e cila me çdo kusht lufton për të mos mëkatuar, por pjesa e saj trashëgimtare e mëkatit nuk i përballon dot insistimit të mëkatarit, në këtë rast të aristokratit, Nekludov, i cili si pjellë e rendit mendon se i lejohet të marrë nga jeta krejt atë që e dëshiron. Në këtë rast ai abuzon me një vajzë të re, bonjake, e rritur me mund e vështirësi, por tejet e pastër moralisht, edhe pse me prejardhje dhe bashkëngjizje të pamoralshme. Njeriu në fakt, sipas Tolstoit lind i pastër, i pa mëkat edhe kur është pjellë e mëkatit. E tillë ishte edhe Katja me një edukatë brenda normave morale të kohës. Ajo, duke e qenë e vetëdijshme për pozitën e saj shoqërore, e ndien se nuk është në nivel shoqëror për të lidhur martesë e jetë me aristokratin e pasur Nekludov, i cili është edukuar për të marrë nga jeta gjithçka që mendonte se i përkiste, ashtu sikur bënte aristokracia e kohës jo vetëm në Rusi po kudo në botë, ashtu sikur bëjnë edhe sot sundimtarët dhe mujsharët e botës. Por shkrimtari i madh, Tolstoj, dy personazhet kryesore Masllovën dhe Nekludovin i vë para dilemës të ndjenjës dhe arsyes. Në një dilemë të tillë, Masllova bën përpjekje të mos dorëzohet, por insistimi i aristokratit Nekludov më në fund e nënshtron, edhe pse ajo deri në fund nuk ishte dhënë, e vetëdijshme se veprimi i tillë ishte i gabueshëm, në radhë të parë për shkak të pozitës shoqërore, inferioritetit të saj dhe superioritetit të Nekludovit. Ajo, pasi ishte nënshtruar, sikur zakonisht bëjnë femrat e mbarë botës, dhe pas kishte mbetur me barrë ndërsa Nekludovi e kishte braktisur, kishte kuptuar se kishte rënë në kurthin e pakthyeshëm të njeriut mashtrues, i cili mban vetëm fytyrën e njeriut, kurse në jetë udhëhiqet nga instinkti, si çdo kafshë.
Nga pastërtia e saj morale, me rastin e humbjes së fëmijës, e mbetur e vetme dhe e zhgënjyer, e dëshpëruar në jetë dhe me qëllim për të mos vdekur urie, ajo kishte filluar t’ iu jepej meshkujve dhe në fund kishte mbaruar në një Shtëpi publike.
Shkaktari i prishjes së jetës së saj, aristokrati, Nekludov, rastësisht në një seancë gjyqësore mëson se e “dashura e tij dikurshme” të cilën e kishte shfrytëzuar dhe e kishte braktisur, ashtu sikur bënin të gjithë aristokratët e kohës, kishte mbaruar në pranga dhe akuzohej për krime. Ai ndien brejtje të ndërgjegjes dhe bën përpjekje ta ndihmojë viktimën me të gjitha mundësitë, duke i besuar pafajësisë së saj, i bindur thellë se ai kishte qenë shkaktari numër një i nismës së tragjedisë jetësore të Ekaterina Masllovës, Ishte i gatshëm t’i ndihmonte me të gjitha mundësitë, me qëllim për ta përmirësuar gabimin dhe për t’u martuar me të, pavarësisht se ajo trajtohej si femër e përdalë.
Në raportet mes Masllovës dhe Nekludovit, Tolstoi ka analizuar ndjenjat e dëshirat e njeriut dhe gabimet e tyre të pandreqshme. Duke i vënë dy personazhet në raport të njërit me tjetrin, në raport me rrethin shoqëror dhe në Rusinë e ngarkuar me mëkatet më të rënda të mundshme, shkrimtari arrin në përfundim se jeta nuk mund të ndreqet, se mëkati i kurorë-thyerjes është i pafajshëm dhe i ndëshkueshëm, në radhë të parë në këtë jetë. Njeriu mund të ndreq një botë të tërë, mund të prish një botë të tërë, por nuk e ndreq dot gabimin e tij, sidomos jo mëkatin që bie ndesh me pesë urdhëresat e Biblës, të kohës së profetit Mojsi.
Tolstoi, me thellë se të gjithë bashkëkohësit, por edhe shkrimtarët pas tij, kishte arritur në përfundim se mosrespektimi i pesë urdhëresave e ndalesave biblike, ishte shkaktari i degradimit të qytetërimit, i vuajtjes së përjetshme të njerëzve në këtë botë, ishte fati dhe fataliteti i tij. Edhe për kundër faktit se shumica e njerëzve kanë mësuar dhe dinë për pesë urdhëresat e pesë ndalesat, ata nuk u përmbahen, madje as atëherë kur i vuajnë pasojat, sepse jeta e njeriut është ngjizur me mëkat trashëgues dhe njeriu nuk del dot nga lëkura e tij.
Ai kishte vërejtur se raporti i pabarazisë shoqërore i pabarazisë së mashkullit me femrën prodhonte tragjedi të një pas njëshme, sepse bota mashkullore ruante epërsinë e forcës dhe vrazhdësisë, dhe ajo botë i lejonte vetes, ato që ia ndalonte femrës. Ai vjen në përfundim se “Burrat kurvarë nuk i përbuz shoqëria, kurse gratë e përdala i përbuz, i dënon, i ndëshkon dhe i konsideron si kolerë”. Kjo pabarazi nuk ka të bëjë me natyrën e njeriut, por këtë e ka lejuar feja, ose në rastin më të mirë e ka anashkaluar. Urdhëresa “Mos the kurorën” i referohet si femrës ashtu edhe mashkullit, por praktika e zhvillimit njerëzor ka devijuar këtë mësim, duke i lejuar mashkullit të gjitha thyerjet e ligjeve dhe duke e dënuar vetëm femrën për çdo thyerje kurore, sado e vogël qoftë ajo.
Në këtë segment, në këtë pasqyrim të realitetit, mendoj se Tolstoi del përtej Biblës. Ai me rastin e përshkrimit të kokëfortësisë së Ekaterina Masllovës, e cila në asnjë rrethanë nuk pranon ta falë Nekludovin, ka vënë në spikamë forcën e njeriut të pastër shpirtërisht, i cili ka të drejtë të mos falë, sepse vetëm atë mund ta bëjë. Falja edhe pse preferohet në Bibël dhe në Kuran, edhe pse këto dy fe kanë ndërtuar faljen si institucion në vete, për t i bindur besimtarët të falin, edhe pse çdo lutje që i referohet Hyjit fillon e mbaron me kërkesë për falje të mëkateve, falja nuk është në mesin e urdhëresave e ndalesave. Këtë sentiment Hyji ia ka falur çdo njeriu pa dallim race, pozite shoqërore, gjinie e moshe. Dhe kjo është forca e brendshme shpirtërore, me të cilën njeriu dallohet nga qeniet e tjera. Logjikshëm shtrohet pyetja, pse Hyji në korpusin e urdhëresave e ndalesave nuk e futi edhe faljen?
Këtu zbulohet gjenialiteti i Tolstoit edhe pse ai nuk jep një gjykim të caktuar e të prerë për këtë fenomen. Falja është individuale, shumë e preferuar, shumë e respektuar dhe e këshilluar, madje aq shumë e lëvruar dhe e ekzagjeruar se ka degraduar deri në maksimën e njohur të krishterë: “Kur të godet dikush në fytyrë ti ktheje edhe fytyrën tjetër”. Falja është vendosur si bazament për të gjitha fetë monoteiste, por Hyji e ka përjashtuar nga korpusi i dhjetë urdhëresave e ndalesave, me qëllim që qenia njerëzore të ketë në dorë fuqinë e fatit të vet, të ketë unin, dinjitetin, egon e pastër morale, të drejtën për ta ruajtur veten, të drejtën për të mos falur, atë që konsideron se nuk mund dhe nuk duhet të falet. Falja është shpikje e feve dhe nuk ka të bëjë me fenë, nuk ka të bëjë me korpusin e ndalesave dhe urdhëresave.
Fenomeni i faljes, sado të ketë qenë i përhapur, sado të ketë pasur dhe të ketë shtrirje në qytetërimin njerëzor, është fenomen sui generis, por është individual dhe i referohet njeriut që është dëmtuar, sepse vetëm ai ka të drejtën të fal apo të mos fal, pse jo edhe të hakmerret, edhe pse praktika ka treguar se hakmarrja as e ka zgjidhur as e zgjidh dot nyjën gordiane të këtij fenomeni.
Zhgënjimi gati fatal i aristokratit Nekludov, pas krejt përpjekjeve që kishte bërë për ta ndihmuar dhe për ta kthyer Masllovën në rrugën normale e morale të jetës, gjithnjë duke logjikuar sipas bindjeve të tij dhe normave ekzistuese, standarde, jetësore, të kohës, kishte bërë që ai të kuptonte se “shoqëria dhe rendi shoqëror në përgjithësi mbahej në këmbë, jo për hir të kriminelëve legalë, të cilëve u ishte besuar gjykimi dhe dënimi i njerëzve, por sepse me këtë korruptim te njerëzit nuk ishte shuar akoma ndjenja e keqardhjes dhe e dashurisë për vëllezërit e tyre”. Ai më në fund kishte kuptuar se tërë rruga që kishte bërë për ta merituar ndjesën e një “kurve”, ishte refuzuar në mënyrë të turpshme. Më në fund i kishte shtuar vetes pyetjen konstatuese: Sa poshtë kam rënë!?.
Në raportet dhe komunikimin mes Nekludovit dhe Masllovës, Tosltoi inkuadron edhe një fenomen të ri të kohës, jetën e të dënuarës pa faj, Ekaterina Masllova me të burgosurit politikë, për të cilët, autori shpreh një konsideratë të veçantë, meqë ka të bëjë me njerëz idealiste dhe jo me hajna, plaçkitës e vrastarë. Madje në një çast e pafajshmja Masllova konstaton me krenari se “po të mos më kishin dënuar nuk do t i kisha njohur njerëzit më të mrekullueshëm të Rusisë”, të burgosurit politikë…
Pavarësisht se shkrimtari i madh botëror nuk kishte bindje të thella socialiste, ai arsyeton njerëzit që ishin ngehur kundër pabarazisë shoqërore, kundër shtypjes e shfrytëzimit, kundër një boto të tërë të kalbur në korrupsion, mashtrim, hajni, amoralitet, zvetënim dhe humbje të ekuilibrit moral njerëzor.
Të burgosurit politikë për të cilët bëhet fjalë në fund të romanit janë revolucionarët e revolucionit të dështuar të vitit 1905, gjashtë vjet pasi ishte botuar romani “Ringjallja”.
Në fund të romanit, jo me qëllim për të moralizuar, por me qëllim për të zbuluar esencën e jetës së organizuar të njeriut dhe njerëzimit, Nekludovi iu referohet pesë ndalesave të shkruara në Besëlidhjen e vjetër, të kohës së profetit Mojsi, të përbashkëta për të gjitha fetë monoteiste sikur janë:
-Mos vra!
-Mos the kurorë!
-Mos vidh!
-Mos bëj dëshmi të rreme!
-Mos i lakmo shtëpisë së të afërmit tënd! Mos i lakmo gruas së tij, shërbëtorit, shërbëtores, kaut, gomarit dhe asnjë gjëje që i përket atij!
Nëse njeriu iu përmbahet këtyre urdhëresave, të cilat janë bazament edhe i kushtetutave dhe ligjeve që kanë hyrë në fuqi dhe që ekzistojnë edhe sot kudo në shtetet e botës, ai mund të vendos një nivel të lart të rendit human mbi këtë botë.
Tolstoi si askush tjetër i ka besuar njeriut të drejtë dhe të arsyeshëm i ka besuar fryteve të arsimimit dhe emancipimit njerëzor, i ka besuar njerëzisë, humanitetit dhe mundësisë për të bërë ndërrime thelbësore në jetën e tyre. (Ahmet Qeriqi)