Dritëro Agolli. “Vjen njeriu i çuditshëm”. Vëllim poetik. Viti i botimit: 1996. Katër cikle. Një nga ciklet mban titullin “Intermexo”. Poezitë e këtij cikli janë shkruar a botuar përgjatë viteve 1994-1996. Dominojnë ato të vitit 1996. Një cikël, njëzet poezi lirike, disa motive dhe vetëm një temë: tema e Kosovës.
Ky cikël poezish përbën një tekst, tekst dhe nëntekst me shtresa e nënshtresa, por dhe një nga temat e shumta dhe një nga horizontet e minierës poetike të quajtur “Miniera Dritëro”.
Teksti dhe konteksti
I. Teksti
Jo vetëm leksiku, shprehjet a sintagmat, vargjet dhe strofat, titujt e poezive, motivet dhe tema, vitet e vëna jo rastësisht pothuaj në fund të çdo poezie, trajta e ligjërimit, fryma lirike e shprehjes, fryma e kohës dhe e rrethanave, por dhe konkretësia historike, siç shprehet Agolli, pa asnjë petk të vjetër legjende dhe romantizmi me bërthamë superpatriotizmi1, gjejnë shtrirje dhe përbëjnë pashmangshëm binomin tekst kontekst.
Teksti këtu ndërtohet mbi bazën e shtresave e nënshtresave të caktuara, mbi bazën e motiveve, që shndërrohen në lajtmotiv, që përbëjnë një teme të vetme të quajtur: tema e Kosovës. Tema gjen shtrirje në hapësirë dhe kohë. Ndërtohet duke pasur për bazë të përtashmen, kujtesën e Atdheut, dhimbjet, problemet e shqetësimet e tij. Trajtimi i kësaj teme nuk bëhet me qëllim himnizues, mitizues e mistifikues, por çmitizues e çmistifikues. Motivet, lajtmotivi, tema e teksti ndërtohen, marrin formë e trajtë nga fjalë e shprehje figurative; mbi vargje, strofa, këngë, ritëm e rimë, ku nuk mungon imazhi, detaji, rrëfimi lirik i subjektit.
Ky cikël përbëhet nga poezi lirike të tipit: baladë, rubai, ode. Tipi i poezisë nganjëherë deklarohet në titull (për shembull “Baladë për tre të rënët”). Të gjitha poezitë këtu janë strofike, kryesisht katërvargëshe, por ku nuk mungojnë edhe strofat me dy dhe pesë vargje. Këtu kemi disa motive, pra motivet janë të ndryshme. Vargu është kryesisht i masës së mesme, i rimuar dhe melodik. Rima është kryesisht e alternuar, por shumë funskionale. Nuk mungon dhe varg i formës së refrenit, varg që funksionon pa dëmtuar anën semantike të poezisë, pa dëmtuar asgjë. Thjesht përsëritja është funksionale, semantike, poetike. Fjala vjen, brenda këtij lloj vargu hasim dhe fjalë-çelës, mbase kryefjalë, që identifikon a përcakton motivin dhe e zgjeron temën, me synim artikulimi të idesë e mesazhit, ndërsa poezia funksionalizohet përmes ironisë. Subjekti lirik, gjendet në pozicione të ndryshme, në role të ndryshme, është vetje e ndryshme. Këto dhe të tjera përbëjnë tekstin, tekstin i cili është i lidhur ngushtë me kontekstin, me kohë e rrethana, me frymën e kohës. Pjesë përbërëse e tekstit është edhe interteksti.
II. Konteksti
“Tema e Kosovës më ka munduar gjithmonë. Ajo nuk më ka lënë asnjëherë të qetë”2, shprehet poeti. Për Dritëro Agollin, Kosova nuk përbën vetëm një shprehje, një fjalë a një nocion gjeografik, por edhe një frymëzim, një trazim shpirtëror, dallgë ndjenjash e përjetimesh që rrahin brigjet e shpirtit. Kosova, thjesht, nuk është vetëm një fjalë e shprehje, një motiv por edhe një lajtmotiv, një temë e madhe, një traditë dhe histori. Është gjysma e gjeografisë së atdheut të ndarë në dysh. Tema është e madhe. E madhe është edhe dashuria. E tema e madhe, dashuria e madhe të ngacmojnë, nuk të lënë të qetë, të mundojnë. Poeti e ndien peshën e temës, të dashurisë dhe vuajtjeve që përjeton Kosova, domethënë gjysma e ndarë e atdheut. Ai e ndien dhimbjen dhe vuajtjen, se kur atdheu vuan, vuan dhe poeti.
Subjekti lirik, poeti, është i shqetësuar. Diçka nuk është në rregull. Asgjë nuk është në rregull se një trup është ndarë në dy pjesë, se Atdheu është ndarë në dysh. Kjo ka ndodhur, siç do të shprehet poeti:
Që më Nëntëqind e trembëdhjetë
(Këngë për Kosovën)3
Subjekti lirik, që në një moment ka marrë pozicionin e një mërgimtari, i djegur nga malli për atdheun, vuan e shqetësohet për gjendjen e mjerë të atdheut. Se bukuritë e tij, natyra dhe pasuria po shkatërrohen. Para një pamje të tillë poeti shprehet kësisoj:
Mjerisht e gjej dhe kopshtin e tharë nga brymë e mërgimit,
Ose:
Misrin e gjej të tharë nga brymë e trishtimit,
Miqtë i gjej të lodhur nga peshë e mallit të ndarjes…
(Kthimi në Kosovë)4
Poeti, jo vetëm që ka paraqitur një gjendje, një rrethanë të krijuar, por ka veçuar e shpalosur këtu e në vargje të tjera në vijim disa motiv. Ambientin e zymtë e trishtues. Imazhe të dhimbshme, duke paraqitur një gjendje reale, një realitet të hidhur. Por kjo nuk është e tëra. Se dhuna, dhimbja, mjerimi nuk përfundojnë me kaq. Se:
Vërtetë, me thonjtë e sërbit mjerimi të zgjatet si zorrë!
(Në kabare para një vajze)5
Dhimbja, dhuna në trajtën e saj më dramatike shpaloset te “Balada e tre të rënëve”. Poeti, këtu, në këtë poezi, së pari e zbulon tipin dhe llojin e poezisë lirike: baladën. Më tutje motivin e dhunës. Pastaj identitetin e të rënëve: tre kosovarë. Nënkuptohet dhe profesioni dhe misioni i tyre. Hëna ndërkaq zbulon misterin e natës, dhimbjen e trishtimin, gjendjen dramatike, rrethanat në të cilat ata u vranë. Qirinjtë sikur flasin për një gjendje të zymtë, të dhimbshme, trishtuese, për gjendjen e brendshme të poetit dhe pamjen e jashtme e gjendjen reale, realitetin e dhimbshëm të kohës.
Në poezinë e Agollit, në ciklin për Kosovën, në këngët për Kosovën: varg pas vargu e strofë pas strofe, poezi pas poezie, ngadalë shpërfaqen motive, që nisin e marrin formë dhe përmasën e lajtmotivit, përmasën e temës. Gjithashtu shfaqet edhe subjekti lirik. Fillimisht “në gjunjët e malit të Sharrit”. Aty sikur i lind ideja të niset për rrugë, duke i ngarkuar vetes një detyrë, një mision: t’i bëjë bashkë poetin, bujkun, plaken e mençur Bardhoke Prishtinën etj. Përballë subjektit, e përmes tij edhe lexuesit, shfaqet “Kaçaniku i mjegullt”, “Kaçaniku i rreptë”; shfaqen kodra, fusha, male, fshatra, qytete…; shfaqet Kosova, hiret e saj, brengat e saj, përmasa e dhimbjes; problemet, përjetimet, mendimet, synimet, ëndrrat e dëshirat.
Fjalë pas fjale, figurë pas figure, detaj pas detaji, imazh pas imazhi, me anë të ligjërimit lirik merr formë kënga për Kosovën; shfaqet gjysma, gjaku, gjurma, oxhaku, nusja, plaka e mençur, poeti, bujku, oda, qeleshja; fisi i ndarë në dysh, kufiri, fati i keq i gjysmës së robëruar; ëndrra e subjektit për t’u bërë bashkë, se:
Kosovë qoftë, a Korçë, a Konispol, a Lumë,
A Myzeqe, a Krujë a Trebeshinë;
(Kujtesa e Atdheut)6
përbëjnë një Shqipëri që “s’njeh sinor”.
Poeti, i fshehur në ndonjë fjalë a ndonjë shkronjë, përmes tyre shpalos “rrudhat e Prizrenit të plakur”, numëron dhe, në evidencën e tij poetike evidenton dertet si “Idriz Seferi kokrrat e tespiheve”, se kokrrat (lexo njerëzit) janë bërë pikë e pesë, brenda dhe jashtë, në njërën apo gjysmën tjetër të Shqipërisë, në pikëpamje, mendime, ide, qëndrime, dëshira, ëndrra të ndryshme etj., ndërkohë që “serbët mprehin kosën”. Por as poeti nuk qëndron duarkryq, sepse angazhohet “që gjuhën e tij ta bëj kosë”;
Me gjuhën e tij kosë, poeti Agolli, bën përpjekje, angazhohet, synon që dy gjysmat e fisit t’i bëj bashkë se e keqja po shumëzohet, se e keqja po merr përmasë shqetësuese, se dhimbja është e madhe, ashtu siç është tema, që nxjerr krye vazhdimisht, e cila poetin e ka munduar shumë e nuk e ka lënë asnjëherë të qetë.
Përgjatë gjithë rrjedhës së ligjërimit lirik, poeti është i shqetësuar kur më shumë e kur më pak. Jo se nuk gjen frymëzim për të shkruar, jo se nuk mund të gjejë temë për të trajtuar (edhe pse ky mund të jetë një nga shqetësimet për poetët në procesin krijues), porse gjysmat, në të vërtetë dy gjysmat e fisit jetojnë nën mbretërinë e iluzioneve, duke u mashtruar nga të tjerët, duke përfshirë këtu edhe Evropën, të cilët:
Shqipërisë i thonë:”mbaj një shpresë”,
Shqipërisë i luten: ”vetëm prit”…
(Këngë për Kosovën)7
I thonë. I luten. I thotë Evropa e jo vetëm ajo. Ndërkohë që qyqarët, zuzarët, të përgjumurit, servilët, ata që (mos)veprimet e tyre i kanë reduktuar në “lutje të së premtes (jo lutje fetare). Të tillët dërdëllisin fjalë e fraza boshe nëpër konferenca shtypi, që zakonisht përfundojnë me falënderime cinike, absurde, paradoksale ndaj atyre që thonë: mbani shpresë dhe vetëm pritni, ndërkohë që livadhet kositen nga kosa e mprehtë e serbit, domethënë njerëzit vriten. Subjekti lirik, poeti, duke u marrë me temën e Kosovës, duke trajtuar këtë temë, reagon, shpreh mllefin e vet, shpreh pakënaqësinë ndaj atyre që flasin e nuk veprojnë, sepse, siç shprehet ai:
Ah, të çlirohej vetëm me vjersha Kosova,
Unë e çliroja i pari, mua lavdia më ndriste të parit.
(Fushë-Kosovë)8
Poeti në vitin 1996 qe shprehur kështu:
“Nuk bëhet Shqipëria sot Parajsë
Përderisa Kosova mbetet jashtë”…
(Parajsa e gjymtuar”9
Doli se kishte të drejtë. Ashtu ndodhi. Pra Shqipëria jo që nuk u bë parajsë, por një vit më vonë (1997) u bë ferr. Për parajsë nuk mund të flasim as sot me logjikën e gjysmës. As sot, as nesër. Asnjëherë.
Përmes fjalëve, shprehjeve, sintagmave poetike, përmes strofave, poezisë lirike; përmes detajit, imazhit, ligjërimit lirik etj., poeti e plotëson, e kompleton, i jep formën, përmbajtjen dhe përmasën e duhur temës e formën e nevojshme tekstit. Tekstit përmes të cilit paraqitet fryma e kohës, një kohe e rrethana konkrete historike, me një gjendje që ka të bëjë, siç shprehet në një rast poeti, me lëkundjet dhe lëvizjet e një përmbysje të madhe shoqërore, me një kaos botëkuptimesh10, që lidhen me individin dhe kolektivin; me atdheun, lirinë, çlirimin, dashurinë, ëndrrën, synimin e tij.
Zaten këtu, në këtë cikël poezish, Kosova është fjala kryesore, kryefjala, motivi, lajtmotivi, tema, malli, dashuria, ëndrra; është vargu, është figura, është kënga, është fryma lirike në një “kohë të keqe për lirikën”, siç do të shprehet poeti Vinca.
Fjalë, shprehje, sintagma poetike; vargje, strofa, poezi, rimë, ritëm. Motive. Lajtmotiv. Temë. Figurë. Detaj lirik. Realist. Imazh. Poezi lirike. Njëzetë poezi. Një cikël. Intermexo poetike. Pastaj horizontet, miniera poetike. Njeri i çuditshëm. Dritëro Agolli.
Bibliografia
Agolli, Dritëro: Vjen njeriu i çuditshëm, Tiranë, 1996.
Agolli, Dritëro: Lutjet e kambanës, Toena, Tiranë, 1998.
Vinca, Agim: Kohë e keqe për lirikën, Rilindja, Prishtinë, 1997.
1 Dritëro Agolli, Vjen njeriu i çuditshëm, Tiranë, 1996, f. 243.
8 Dritëro Agolli, Lutjet e kambanës, Toena, Tiranë, 1998, f. 177.
9 Dritëro Agolli, Vjen njeriu i çuditshëm, Tiranë, 1996, f. 88.