Familja e dëshmorit Salih Qerimi gjatë gjithë historisë në e saj ka pasur trima luftëtarë. Gjatë kryengritjes së parë serbe më 1804 dhe të dytës, më 1808 në anën e focave të Sulltanit ishte i angazhuar Karafejza i kësaj familje që ishte në radhët e njësisë elite.
Familja e tij deri në Luftën e Dytë Botërore i ka ruajtur armët me të cilat ka luftuar ai, si jataganin, shpatën, çelengët dhe flamurin e luftës. Po ashtu, nga kjo familje edhe Selimi i cili qëndroi 12 vite ushtar i mbretit, mori pjesë në shumë luftëra deri në jemen. Pastaj nipi i tij mori pjesë në luftërat ballkanike, ku ishte pjesëtar i forcave kryengritëse shqiptare. Më vonë, në luftën e Dytë Botërore, Qerimi merr pjesë në luftën e njohur kundër forcave serbe, që u zhvillua në fshatin Dobratin, si dhe në kufirin me Serbinë në Përpellac, ku edhe qe plagosur. Ndërsa babai i Salihut ishte në grupin e atyre që u dërguan kinse për të luftuar armikun dhe shkoi nga Prishtina deri në Tivar, në këmbë. Atje arriti një ditë pas masakrës së njohur të Tivarit. Vëllai i dëshmorit, Ali Qerimi, duke përkujtuar këtë historik
të shkurtër të familjes thotë se edhe ne si familje ashtu si i tërë kombi ynë kemi bërë lufta për të tjerët, deri në këtë luftë të lavdishme të UÇK-së ku e ndihmuam aq sa patëm mundësi.
Dëshmori i kombit Salih Qerimi u lind më 17 nëntor 1943, në fshatin Katunishtë të Besianës. Shkollën fillore e kreu në Llapashticë, të mesmen në Besianë dhe më pas në vitet e 70-ta vazhdoi studimet në Shkollën e Lartë Komericiale në Pejë. Punoi në Shtëpinë e Mallrave në Besianë, në sektorin e tekstilit. Aty punoi deri në vitin 1992, kur edhe e larguan nga puna pasi kundërshtoi masat e dhunshme që në atë kohë i instaloi regjimi okupues serb në ndërmarrjet e Kosovës. Pas largimit nga puna, hapi një punëtori në fshatin e tij, ku me sharrën e tij vazhdoi punën në përpunimin e drurit për të siguruar ekzistencën. Një kohë, në këtë punë qe i inkuadruar edhe djali i tij, Kadriu, dëshmor i kombit. Pas keqësimit të gjendjes në Kosovë, filluan të organizohen protesta dhe demonstrata, në të cilat Salihu mori pjesë duke filluar që nga viti 1981 e deri në vitin 1997, kur u shfaq UÇK-ja. Dalja në skenë e UÇK-së Salihun e gëzoi pa masë. Ai kishte bindjen se vetëm pushka e trimave tanë do ta çlirojë Kosovën.
Në vitin 1996 në aksionin famëkeq të mbledhjes së armëve nga policia e okupatorit serb, Salihun e morën në biseda informative ku e rrahën dhe e keqtrajtuan disa herë. Pas maltretimeve të shumta dhe dhunës fizike të ushtruar ndaj tij, si dhe pas kontrollimeve të shumta që i bënë, ia gjetën një revole të kalibrit 7.65 mm.
Shfaqja e UÇK-së në Zonën e Llapit, Salihun e gjen të përgatitur dhe pa hezituar ndihmon organizimin dhe zgjerimin e saj. Posa u themeluan pikat e ushtarake, ai u kyç menjëherë në to. Vendosmëria e tij edhe pse tashmë burrë mbi të pesëdhjetat, ishte frymëzim për bashkëluftëtarët e tij e sidomos për të rinjtë. Ai fillimisht Vendoset në pikën vëzhguese në Katunishtë, ku më pas i bashkohet njësitit “Ulpiana 35”, në të cilin e kishte edhe të birin, Kadriun.
Bashkëluftëtarët e tij më të ngushtë ishin i biri Kadriu, Naim Rudari, Isak Abdullahu, Sahit Musa, Mexhit Shabani etj. Betejat e dhjetorit të vitit 1998, që u zhvilluan në Llapashticë, Kastrat, Katunishtë enë vende të tjera të Llapit, luftëtarët e UÇK-së, me heroizëm të paparë shpërndan anekënd botës mesazhin shumë domethënës, se do të luftohet për liri deri në ushtarin e fundit të UÇK-së. Ato ditë, në ato beteja ku në shumicën nga to mori pjesë edhe Salih Qerimi me të birinë, Kadriun, me heroizmin e tyre mposhtën njëherë e përgjithmonë frymën pushtuese dhe thyen mitin për pathyeshmërinë e ushtrisë pushtuese serbe.
Beteja e Tabeve të Llapashticës dhe të gjitha betejat tjera në Llap e anekënd Kosovës, dëshmuan për epokën e UÇK-së, lavdia e të cilës tregoi njëherë e mirë se sa e rrënjosur ishte në ndjenja e lirisë dhe brumosi vendosmërinë për çlirim. Në qëndresën për liri e çlirim, epoka e UÇK-së, do të shkëlqejë gjithmonë dhe do të shërbejë si burim nga i cili do të ushqehen ndjenjat liridashëse të brezave që do të vijnë. Pjesë e kësaj lavdie është edhe dëshmori Salih Qerimi.
Salihu ishte pjesëmarrës në shumë beteja por dallohet ajo e 27 dhjetorit 1998 në fshatin Kastrat, në të cilën tregoi trimërinë, guximin dhe vendosmërinë e tij për lirinë e Kosovës. Aty luftoi kundër forcave të okupatorit në një distancë të vogël dhe me bashkëluftëtarët nuk lejoi të depërtojë armiku në atë vend. Detyrë ushtarake e Salihut ishte ta luftojë armikun në çdo vend dhe ta mbrojë popullatën civile e cila lëvizte nga një vend në tjetrin.
Salihu ra heroikisht në fshatin e tij të lindjes, më 10 prill 1999. Në pamundësi për ta tërhequr trupin e tij prej vendit të rënies, Salihu është rivarrosur më 18 qershor 1999, me nderime ushtarake, në varrezat e fshatit të tij, ku tani pushon i qetë, përkrah me të birin, Kadriun.
Salihu la pas vetes gruan, Mihanen, tre djemtë, llazin, Ekremin dhe Avniun, vajzën, Astrien, si dhe mbesën Blinerën e nipin, Valdrinin. Ai ishte i afërt e i dashur me familjen dhe mbarë farefisin, ndërsa për edukatë e kishte punën, edukimin e fëmijëve e respektin për njerëzit. Shumë luftëtarë të lirisë e kujtojnë Salihun me admirim dhe për të falsin fjalët më të mira. Bashkëluftëtari, Naim Rudari thotë se atë, luftëtarët nuk e konsideronim vetëm si bashkëluftëtar, por edhe si prind, pasi ai kujdesej shumë për ta dhe u fliste vazhdimisht për të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen. Ai bashkëluftëtarëve u fliste për shumë patriotë shqiptarë të cilët vazhdimisht kanë zhvilluar lufta për liri.
Familja Qerimi nga Katunishta i dha lirisë së Kosovës dy dëshmorë, babë e birë, që ishin të pandarë deri në rënien e tyre për lirinë e Kosovës. Pas luftës familja e dëshmorit të kombit Salih Qerimi është nderuar me mirënjohje nga Qeveria e Përkohshme, nga UÇK-së, ZOLL-it, nga Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së. (M. K.)