Ahmet Qeriqi: Po rrënohen burgjet ku serbët kanë kryer krime në Kosovë dhe nuk ka reagim qytetar, atdhetar, përveç rasteve individuale

Ahmet Qeriqi: Po rrënohen burgjet ku serbët kanë kryer krime në Kosovë dhe nuk ka reagim qytetar, atdhetar, përveç rasteve individuale

Vendimi i komunës së Burimit, (ish-Istog), për rrënimin e Burgut të Gjurakocit, është në vazhdën e përpjekjeve për fshirjen e kujtesës së shqiptarëve liridashës për kohën e robërisë, pse jo  dhe rehabilitimin e krimeve sistematike serbe mbi shqiptarët, prej viti 1912 e deri në vitin 1999. Nuk duket aq e besueshme se kjo bëhet me qëllim të krijimit të kushteve për pajtim me Serbinë, të cilin do ta kishte pranuar pa rezervë klasa pacifiste shqiptare e shkapërderdhur  nëpër parti politike. Po nëse nuk është kjo atëherë logjikisht shtrohet pyetja, kush  janë ata zyrtarë shqiptarë, të cilët marrin vendime të tilla të papërgjegjshme dhe ku qëndron shkaku i këtij veprimi, antikombëtar?.

Mirëpo në anën tjetër është edhe mungesa zyrtare të qasjes së përgjithshme, institucionale,  ndaj këtyre objekteve, të cilat i administrojnë komunat.

Po kështu mungon reagimi qytetar, mjerisht mungon reagimi i atyre që kanë mbajtur vite të tëra të jetës së tyre në këtë dhe burgje të tjera. Nuk reagon Shoqata e të Burgosurve Politikë të Kosovës, nuk reagojnë shoqatat e luftës, nuk reagojnë partitë politike, për veç reagimit të ish-ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu. Ajo  kishte  reaguar  pas lajmit se komuna e Burimit ka marrë vendim që të rrënohet njëri nga burgjet më të tmerrshme të ish-regjimit serb  në Kosovë, Burgun e  Gurrakocit, në të cilin jeton familja Çitaku në kushte të mjerueshme. “Zonja Albulenë Haxhiu ka thënë se që nga përfundimi i luftës është shtyrë përpara tendenca e fshirjes së gjurmëve të krimeve që Serbia i ka bërë në Kosovë”. Ajo ka theksuar se  “ky vendim është i papranueshëm dhe ka për qëllim fshirjen dhe amnistinë  e krimeve të Serbisë në Kosovë. Krimet e Serbisë nuk duhet të fshihen ato duhet të shihen të  kujtohen dhe të dënohen. Qasja 20 vjeçare që është ndjekur, na ka sjellë këtu ku jemi”. A mund të konsiderohet se ky reagim është edhe i Lëvizjes Vetëvendosje, përderisa nuk ka një komunikatë zyrtare lidhur me këtë jo vetëm përpjekje për fshirjen e gjurmëve fizike të krimeve të Serbisë, në Kosovë.

A mjafton vetëm reagimi si një “larje” ndërgjegjeje i atyre që kanë forcë politike të demonstrojnë lidhur me rastet e tilla. Po tekefundit, kur nuk reagojnë vetë të burgosurit, pse të reagojnë qytetarët, pse u dashka të reagojnë ata që nuk kanë mbajtur asnjë ditë burg, ose ata që kanë ushtruar dhunë kundër të burgosurve, ose ata që edhe sot krejt hapur e manifestojnë bashkim vëllazërimin e shqiptarëve me serbë, jo si nostalgji për pushtetin e forcën brutale që e  kanë ushtruar mbi vëllezërit të tyre të gjakut e të gjuhës,  në shërbim të ish RSFJ-së, por si përpjekje e fuqishme dhe sistematike e tyre, për  rehabilitimin  e  politikave antishqiptare  të ish RSFJ-së.

Burgu i Gjurakocit radhitet në mesin e burgjeve fashiste serbe, njëjtë sikur ai i Prishtinës, i Gjilanit, Idrizovës e shumë burgjeve të tjera, jo vetëm në Kosovë, por edhe në tërë hapësirën i ish RSFJ-së.

Kuptohet se jo të gjitha burgjet e Kosovës duhet të ruhen si muze, por ky  është burgu ku janë mbajtur të prangosur mijëra shqiptarë, sidomos prej vitit 1981 e deri në luftën vendimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila i dha fund robërisë serbe në vendin tonë.

 

Sulmi i organizuar,  fizik,  mbi të burgosurit politikë në Burgun e Gjurakocit, më 11 prill të vitit 1981

 

Unë jam njëri nga ata që kam mbajtur 14 muaj burg në Gjurakoc, ndërsa pjesën tjetër e kam mbajtur në Burgun e Prishtinës, në burgun e Smrekovnicës, pastaj në burgjet e Vojvodinës, në Suboticë dhe në Novi Sad.

Ajo që do të kisha veçuar me këtë rast është  trajtimi  të burgosurve politikë, në Gjurakoc, ku kam mbajtur edhe një muaj vetmi, së bashku me Sheqir Zenelin, për shkak të organizimit të mësimit të gjuhëve të huaja me të burgosurit e tjerë, në ambientet e burgut, apo  të Shtëpisë Ndëshkuese Korrektuese, sikur quhej, për dallim nga burgjet hetuese.

Në këtë burg asokohe shumica dërrmuese e policëve, gardianë,  ishin shqiptarë, në mesin e tyre edhe mjaft të tillë që na përkrahnin, na ruanin kur rrezikoheshim, na dilnin në krah në rast të ndonjë padrejtësie. E them me përgjegjësi se vetëm tre katër gardianë, (nuk po ua përmendi emrat kësaj radhe), kanë mbajtur qëndrim armiqësor, ndërsa të tjerët kanë mbajtur qëndrim të sinqertë madje edhe vëllazëror, sidomos me rastin e sulmit masiv  mbi të burgosurit politikë, më 11 prill të vitit 1984 nga një  pjesë e të burgosurve shqiptarë të dënuar për vrasje, plaçkitje, dhunë, trafik fëmijësh romë, hajni, sulm të cilin e kishte organizuar UDB-ja e Pejës, në bashkëpunim me njërin prej “edukatorëve”  dhe komandantit  të burgut.

Një grup prej të burgosurve politikë, atë ditë herët në mëngjes, në kthinën ku shërbehej çaji,  ishim sulmuar befasisht dhe pas shpine nga kriminelët, i quaj  kriminelë sepse ata vuanin dënimin me burg për vepra penale vrasje, plaçkitje, trafik të fëmijëve romë, dhunë dhe ishin bërë instrument i UDB-së, meqë u kishin premtuar për t’ ua  falur një pjesë të dënimit me burg.

Qëndresa, gjatë sulmit ishte kthyer në kundërpërgjigje të fuqishme nga të burgosurit. Për sulmin, përmes një gardiani kishte ditur edhe i burgosuri, Idriz Maqedoni, i cili kishte qenë gardian në Burgun e Prishtinës, por ishte dënuar politikisht. Ai nuk na kishte treguar, për të mos ngjallur panik, por kishte marrë masat për mbrojtje, dhe këtë e kishte treguar me vepër. Sulmuesit edhe pse më të shumtë në numër, kishin pësuar lëndime më të rënda trupore. Disa prej tyre i kishin dërguar me urgjencë në Spitalin e Pejës. Ne që ishim sulmuar, disa edhe të lënduar  fizikisht na shpallen fajtorë për “rrahjen masive” dhe na dënuan me nga një muaj vetmi nga Drejtoria e burgut. Po atë ditë, na transferuan nga Burgu i Gjurakocit në Burgun e Mitrovicës dhe të Smrekovnicës. Me nga një muaj vetmi ishim dënuar, unë, Ahmet Qeriqi, Idriz Maqedoni, Nezir Fejza, Ali Thaçi, Behadin Azemi dhe Nazim Azemi, tani i ndjerë, Ragip Reçica, e të tjerë.

Falë angazhimit të Jahja Çetës dhe pesë kolegëve të tij gardianë, atë ditë ishte parandaluar  një tragjedi e rëndë, meqë disa sulmues, vrasës,  ishin  futur  dhunshëm në kuzhinën e burgut  dhe kishin marrë thikat për të na sulmuar me to. Gardiani,  Jahja Çeta  me kolegët e tij i kishin paralizuar, ndërsa rrahja kishte vazhduar për një kohë edhe në oborrin e burgut, ku të burgosurit politikë kishin rezistuar me aq sa kishin mundur.

Pavarësisht se nuk mund ta ndalojmë rrënimin e Burgut të Gjurakovcit, apo të objekteve të tjera ku Serbia ka përgjakur, vrarë e masakruar shqiptarët, sidomos të burgosurit, meqë jemi shoqëri e paorganizuar, latente, në shumë raste edhe indolente, kujtimet tona nga persekutimet sistematike nëpër burgje duhet t’i zbulojmë, duhet t’ i zbardhim, duhet të shkruajmë rrëfime, novela, romane drama, në mënyrë që ato kujtime të luftës së pandërprerë, për jetë a vdekje, për liri e pavarësi të ruhen dhe të lexohen. Këtë e kemi bërë dhe do ta bëjmë, sepse për këtë nuk mund të na pengojë askush.

Kontrolloni gjithashtu

Albert Z. ZHOLI; Drithijet e  Panairit të librit  të 27-të, “Tirana 2024”.

Dje, pas një maratone prej 5 ditësh në Pallatin gjigand të Kongreseve, u mbyll panairi …