Portugalia merr sot nga Gjermania presidencën gjashtëmujore të Këshillit të Bashkimit Evropian. Nën flamurin “Koha për të dhënë: një rigjenerim të drejtë, të gjelbër dhe digjital”, gjatë presidencës së saj Portugalia ka në plan të përqendrohet në zbatimin e qëllimeve të paketës së ndihmës shumë miliardë euroshe kundër Covid-19 të Bashkimit Evropian. “Është një nder dhe një përgjegjësi e madhe të marrësh drejtimin nga Gjermania dhe kancelarja Angela Merkel”, ka shkruar kryeministri i Portugalisë, Antonio Costa në “Twitter”. Kjo është hera e katërt që Portugalia merr presidencën e radhës të Këshillit të Bashkimit Evropian. Disa sfida të vështira priten këtë herë, përfshirë adresimin e pasojave të pandemisë.
Fushata e vaksinimit në të gjithë Evropën dhe zbatimi i paketës së ndihmës së BE me qëllimet e saj ambicioze janë përparësitë kryesore si dhe çdo çështje e shkaktuar nga fundi i periudhës së tranzicionit pas largimit të Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian, megjithëse Brukseli dhe Londra ranë dakord për një marrëveshje tregtare. Portugalia do të trajtojë gjithashtu propozimin e Komisionit Evropian për një politikë të përbashkët migrimi. “Njjë fokus i mëtejshëm do të jetë forcimi i marrëdhënies së bllokut me Afrikën”, sipas zyrtarëve portugezë. Pas Portugalisë, këtë presidencë do ta marrë Sllovenia.