Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: Pjesë nga ditari Për Kuvendin e Dytë Zgjedhor të Veteranëve të Luftës për Çlirimin e Kosovës

Prishtinë, 23 Qershor 2004

Sot, rreth orës 11.00 më mori në telefon Faton Klinaku dhe më njoftoi se në datën 27 qershor mbahet Kuvendi I Dytë Zgjedhor I Organizatës së VLUÇK-së. Më tregoi se Adem Shehu dhe unë ishim zgjedhur delegatë nga vet Kryesia e kësaj shoqate, për në Kuvendin e saj të Dytë Zgjedhor. E mirëprita dhe në ora 12.00 shkova në selinë e tyre dhe mora materialet, ftesën dhe mandatin e delegatit, si dhe folëm rreth regullave të zhvillimit të kuvendit. Diskutimi vazhdoi deri ora 15.00.

24 qershor 2004

Sot shkova përsëri në zyrat e Kryesisë së VLUÇK, në ora 12.00, dhe u dorzova propozimet e mia për Statusin e Shoqatës, Regulloren e Punës së Shoqatës si dhe biseduam gjerë e gjatë rreth tyre. U propozova që në Komitetin e Përgjithëshëm Drejtue të shoqatës të bënin pjesë, pa u votuar në kuvend, të gjithë kryetarët e shoqatave të komunave. Më thanë se duam t’u propozojmë edhe juve në Kryesinë e ardheshme të shoqatës, por unë u thashë që të vendosnin Adem Shehun, pasi unë jam kryetar i shoqatës simotër, me emrin “Vullnetarët e Lirisë”.

Gjithashtu u dorëzova edhe këto mendime me shkrim dore:

Zotit Fatmir Mehmeti dhe Faton Klinaku!

Së pari pranoni falënderimet e mia për respektin që po tregoni, duke na ftuar edhe ne, përfaqësuesit e vullnetarëve nga Shqipëria dhe trojet e tjera shqiptare, në e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!

Së dyti, mendoj se është mirë që të bëhen gati për kuvend edhe Projekt Vendimet e Kuvendit të Dytë Zgjedhor të Veteranëve. Dhe unë mendoj se këto projekt-vendime duhet të lexohen para se të kalohet në zgjedhjet e organeve drejtuese të shoqatës, duke u hedhur një nga një në votë dhe, në protokollin e mbajtur nga Sekretaria e Kuvendit të shënohet se sa delegatë votuan “PRO” dhe sa “KUNDËR”. Dijeni se dokumenti më i rëndësishëm i kuvendit janë vendimet që ai do të marri. Në rast se nuk i përgatisim dhe nuk i pasqyrojmë veçantë vendimet e kuvendit, dijeni se nuk kemi bërë asgjë dhe kuvendi del një fiasko.

Ja disa projekt vendime që unë mendoj se duhet t’i përgatisni e t’i shtypni e t’i kini gati, të cilët duhet të votohen patjetër, një për një, pasi mbi bazën e vendimeve që do të marrim në Kuvend, do të ndërtohet puna katër vjeçare e Komitetit Drejtues dhe e gjithë strukturave të tjera të shoqatës së Veteranëve. Dhe ja p.sh.:

Kuvendi i Dytë Zgjedhor i Shoqatës së Veteranëve……

VENDOSI

Të ndërrohet emërtimi i shoqatës dhe këtej e tutje të emërtohet:… (ashtu sikundër do të vendoset).

Të bëhen ndryshimet e duhura në Statusin e Shoqatës, të miratuara nen për nen nga delegatët, sikundër pasqyrohen në protokollin e mbajtur të këtij Kuvendi.

Shoqata Dëshmorët e Luftës dhe ajo e Invalidëve të luftës të jenë në përbërje të shoqatës së veteranëve… Për këtë qëllim autorizohet Komiteti Drejtues i Zgjedhur nga ky kuvend i datës 27 qershor 2004, të organizoi bisedime me komitetet drejtues të këtyre shoqatave dhe, në rast se ato shoqata pranojnë.., atëherë ato shoqata të raportojnë me shkrim për llogaritë financiare të konsumuara deri në atë moment që ato do të bien dakort si dhe për tërë veprimtarinë tjetër të deritashme, dhe Komiteti Drejtues i dalë nga kuvendi i sotëm i veteranëve njofton me shkrim të gjitha degët e saj nëpër komunat e Kosovës, si dhe përmes medieve. Edhe në rast se ato shoqata nuk pranojnë që të jenë pjesë e shoqatës së veteranëve të luftës, përsëri Komiteti Drejtues autorizohet të njoftoi opinionin e gjerë publik se ato dy shoqata nuk pranojnë të jenë pjesë e pashkëputur e shoqatës së veteranëve të luftës. …Në rast se ato shoqata pranojnë të jenë pjesë e pashkëputur e shoqatës së veteranëve, atëherë autorizohet Komiteti Drejtues i dalë nga ky kuvend të zgjodhi kryesitë e tyre, duke dalë kryetari nga anëtarët e këtij Komiteti Drejtues. Kjo deri në mbledhjen e Kuvendit më të afërt të veteranëve të luftës.

Autorizohet Komiteti Drejtues i dalë nga ky kuvend të organizoi bisedime me shoqatën ”Miqtë e TMK-së” me synim, që ajo shoqatë, së pari, të ndërroi emrin dhe të quhet “Miqtë e UÇK-së”. Së dyti, ajo të vihet nën kontrollin dhe drejtimin e plotë të Komitetit Drejtues të dalë nga Kuvendi ynë Zgjedhor. Për më tej procedohet njësoj si me vendimin për shoqatat e Invalidëve dhe të Familjeve të Dëshmorëve, me një ndryshim, që tërë ekipi përbërës i shoqatës “Miqtë e TMK-së” të rizgjidhet nga Komiteti Drejtues i shoqatës së veteranëve të luftës. Në rast se drejtuesit aktualë  të shoqatës “Miqtë e TMK-së” nuk e pranojnë këtë mendim, atëhere autorizohet Komiteti Drejtues i dalë nga ky kuvend që, krahas njoftimit të opinionit përmes mediave, të bëjë me dije të gjitha subjektet shtetërore dhe ato private me veprimtari fitimprurëse se ndihmat financiare të grumbulluara nga shoqata “Miqtë e TMK-së” nuk shkojnë në interes të veteranëve, por të individëve dhe grupacioneve të ndryshme që nuk dihen.

Autorizohet Komiteti Drejtues i dalë nga kuvendi që të kontaktoi me ish drejtuesit e ish Fondit “Vendliondia Thërret”, i  cili grumbullonte financa në interes të luftës sonë çlirimtare. Në këtë takim të kërkohet llogari në emër të gjithë ish luftëtarëve të UÇK-së se si ka vepruar ai fond, sa materiale financiare ka grumbulluar nga sejcili shtet dhe qytet ku ka patur shqiptarë që kanë kontribuar financiarisht e materialisht (ushqime, veshmbathie, armatime, etj.) dhe të raportojnë se sa u harxhuan, ku u harxhuan, kur u harxhuan, kujt i janë dhënë, (duke pasqyruar gjithçka me dokumenta përkatëse të kohës), sa materiale financiare mbetën gjendje me pushimin e luftës më 20 qershor 1999, ku janë ato material financiare ose ku kanë shkuar. Me t’u grumbulluar ky informacion i bollshëm dhe i plotë, atëhere të thirret Kuvendi i Jashtzakonshëm i veteranëve të luftës, me përbërjen e këtyre delegatëve që janë në këtë kuvend, duke u noftuar jo më pak se 10 ditë para datës së mbledhies së Kuvendit të Jashtzakonshëm, ku të japin llogari të gjithë ish drejtuesit e atij Fondi, pavarësishtë nga funksionet partiake apo shtetërore që ata kanë sot ose do të kenë në atë kohë, pasi të gjithë janë të detyruar të japin llogari para kuvendit të të gjithë ish luftëtarëve të UÇK-së dhe familjeve të dëshmorëve të saj. Në rast se ish drejtuesit e Fondit “Vendlindia Thërret” nuk pranojnë të japin llogari për atë veprimtari të kryer në emër të luftës, atëhere kuvendi i veteranëve rezervon të drejtën të procedoi më tej sipas ligjeve dhe konventave kombëtare dhe ndërkombëtare, duke autorizuar për këtë qëllim Komitetin Drejtues të dalë nga ky Kuvend.

Kuvendi vendosi që në një të ardhme të afërt, shoqata e veteranëve të luftës të dali me organin e saj periodik. Autorizohet Komiteti Drejtues për pregatitjen, organizimin dhe botimin e tij, kundrejt shpenzimeve përkatëse.

Kuvendi vendosi që Komiteti Drejtues të bashkveproi me shoqatat… (që u theksuan më lartë),  si dhe me shoqatat e tjera simotra të dala nag luftrat shqiptare gjatë viteve 1997–2001 si dhe me tërë shoqatat e tjera simotra ose të ngjashme me ato në Republikën e Shqipërisë, Maqedoni, Mal i Zi dhe të shteteve të tjera në botë.

Të vazhdoi puna e redaksisë për Monografitë e Dëshmorëve të UÇK-së dhe të ndihmohet ajo me të gjitha mënyrat e mundëshme.

V.O. Ju shtoni edhe vendime të tjera që kini parashikuar e do të parashikoni dhe hartojeni të plotë e i hidhni në të pastër. Unë mendoj se këto project-vendime që unë po ua propozoj, duhet të jenë medoemos, që ne dhe fëmijët tanë të jemi të pastër në ndërgjegje si dhe para opinionit publik dhe historisë. Në të kundërt, edhe ne që ishim dhe luftuam si idealistë dhe mbetëm idealistë, do të na akuzojnë nesër si profiterë të luftës. Po qe se këto project-vendime juve do t’i parashikoni të plota dhe do t’i publikoni, të jeni të sigurtë se ndryshe ka për të menduar populli për UÇK-në në tërësi dhe ndryshe për ata në veçanti dhe, historia do ta theksoi me gërma të arta këtë Kuvend, duke e quajtur kuvendin e Pastërtisë dhe Kuvend Historik të ish luftëtarëve të UÇK-së.

P.S. Propozoj që të zgjidhen delegatë dhe të thirren e të zgjidhen në Presidiumin e Kuvendit, veç atyre që ju keni menduar, edhe:

  1. Murat Rifat Jashari, ose Rifat Jashari.
  1. Ahmet Qeriqi – Drejtor i Radio Kosova e Lirë, si në luftë edhe tash në paqe.
  1. Sokol Dobruna – ish drejtor juridik i Sh.P. UÇK-së.
  1. Bislim Zyrapi – ish Shef i Sht. Përgjithshëm të UÇK-së.
  1. Sali Veseli – ish Shef Operativ i Sh.P. të UÇK-së.
  1. Bardhyl Tahiri – nga Shqipëria, ish antar i Sh.P. të UÇK-së.
  1. Babai i dëshmorit Zahir Pajaziti.
  1. Babai i dëshmorit Agim Ramadani.

Me respekt

Kryetari i Shoqatës “Vullnetarët e Lirisë”

Dilaver Goxhaj

(Shpëtim Golemi), 24.06.2004

27 Qershor 2004

Sot, ora 10.00, filloi Kuvendi i Dytë Zgjedhor i Veteranëve të Luftës Çlirimtare të Kosovës 1997 – 1999. Kuvendi i zhvilloi punimet në Hotel Grandi, kati i dytë, në Prishtinë.

  Më ka lënë mbresa shumë interesante zhvillimi i Kuvendit të Dytë Zgjedhor i Veteranëve të Luftës për Çlirimin e Kosovës, të cilin ata e quajnë Shoqata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, ndaj mendoj t’i kem, t’i pasqyroj disa aspekte të saj dhe të veprimtarisë sime për atë kuvend dhe në atë Kuvend, sepse më bënë shumë përshtypje.

Faza e parë e kuvendit ishte parashikuar kryesisht për  të ftuarit, ku filloi drejpërsëdrejti me një analizë politike të situatës në Kosovë nga Sherif Krasniqi.

Pastaj filluan të përshëndesin të ftuarit, që ishin përfaqësuesit e partive politike. I pari foli Rexhep Selimi, i cili përshëndeti në emër të AAK-së dhe foli pa letër, duke më habitur me shprehjen: “ne si parti presim nga ju si organizatë të ngrini probleme në qeveri e kuvend”! Foli pa letër. Pyeta veten: Pse, nuk kanë mundësi këta si parti të ngrenë probleme në qeveri dhe në kuvend, dhe pse t’ia kërkojnë kësaj organizate të ngrei probleme për atje?; po te partitë pse të mos ngrejë kjo organizatë probleme dhe shqetësime? Organizata të ndihmojë qeverinë, kuvendin dhe partitë dhe jo ato organizatën(!!!) Bravo, thash me vete.

Pas tij përshëndeti Fatmir Humolli, edhe ky pa letër, por i kish mendimet shumë të qarta dhe i premtoi shoqatës se do të kish në çdo kohë mbështetjen e LKÇK-së. Foli më gjatë se Rexhepi. Pastaj përshëndeti një person në emër të shoqatës së Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të Kosovës gjatë Luftës II Botërore. Ai foli me letër gati tre faqe kompjuterike dhe e dëgjuam me durim të madh. Nuk ja vlen të shkruaj se çfarë tha, por më ka mbetur në mendje ajo që gjithmonë përdorte përemrin “Ju, ju për atë, ju për këtë”, dhe asnjëherë nuk tha ne.

U bë pushim dhe për nder të të ftuarve ishte përgatitur një koktej. Ikën të ftuarit dhe rifilluan punimet e kuvendit.

U zgjodh presidiumi kuvendit prej 7 vetash. Sherif Krasniqi, zevendës kryetar i Shoqatës së Veteranëve të UÇK-së, kish marrë drejtimin. Ai mbjti edhe raportin në emër të Kryesisë. Në presidiumin e kuvendit u vetpropozua dhe u vetzgjodh ish kryesia, duke kërkuar që të shtoheshin edhe dy të tjerë. “Mere me lëng”, thashë me vete. Prita që të më përmendej emri, sikundër më patën premtuar, por me kë e ke! “Hë, hë, – thashë me vete,- e kanë marrë porosinë dhe urdhërin nga PDK-ja si të veprojnë, ngaqë unë ua dhashë me shkrim mendimet e mia edhe për Fondin Vendlindja Thërret”.

Filluan diskutimet për rendin e ditës. Një mish mash që as nuk merrja vesh se ç’bëhej dhe as tash nuk e di se ç’u bë. Të gjithë flisnin. Të gjithë delnin në foltore. Nuk u zgjodh as sekretari që të mbahej radha e diskutimeve dhe protokoll, as kish një listë diskutantësh apo të thuhej se kush do të fliste si përfaqësues i degëve nëpër Kosovë.

Dhe ja, u ngrit edhe Shukri Buja, i mbështetur më pas nga Xhavit Zharku dhe disa të tjerë dhe kërkuan që të shtyhej kuvendi, pasi “nuk janë në këtë sallë më të dëshmuarit e luftës, sepse ndodhen në Kuvendin e PDK-së.” Ky ishte argumenti i tyre. Kjo bëhej se atë ditë mbahej Kuvendi i PDK-së, po në Hotel Grandi….

Nuk durova më. U detyrova të ngrihesha, dhe thashë: “Në rast se ju e shtyni Kuvendin, ngaqë është në kuvend PDK-ja, atëhere shkrijeni shoqatën dhe shndërrojeni në organizatë të PDK-së”.

U hodh në votë dhe u la që kuvendi të vazhdonte punën. Kur e panë se kuvendi i vazhdoi punimet, shkuan dhe njoftuan Hashimin. Mirëpo, meqënëse unë isha ai që pak a shumë ndikova në mos shtyrjen e Kuvendit, ata morën porosi të tjera për të më izoluar më shumë mua. Në këtë tollovi erdhi në sallë Xhavit Haliti. Duartrokitën vetëm antarët e partisë së tij që ishin delegatë në Kuvendin e Veteranëve. Foli, por as ai nuk diti se ç’foli.

Pasi iku ai vazhdoi përsëri tollovia për rendin e ditës, pasi menduan se fjala e Zekës do kish bërë efekt në këtë drejtim dhe u hodh përsëri për diskutim kërkesa për të shtyrë kuvendin. Pasi kaloi ndonjë orë tjetër rreth këtyre diskutimeve dhe u pa që shumica e delegatëve nuk ishin për shtyrjen e Kuvendit, atëhere sollën në sallën e kuvendit Hashim Thaçin, me gjasë që të përshëndeste kuvendin. Hashimin e shoqëronte Gani Koci. Dy përshëndetje nga PDK-ja, në fillim Zeka pastaj Hashimi! Edhe Hashimin e duartrokitën vetëm antarët e partisë së tij. Hashimi, pasi foli me diplomaci ca fjalë, iku dhe la në kuvend Gani Kocin. Kuptohet, që të fotografonte zhvillimet pro dhe kundër PDK-së. Me sa u kuptua, Hashimi erdhi kur u bindën se nuk ia arritën plotësishtë qëllimit të shtyrjes së Kuvendit të Veteranëve, ndaj dhe nuk erdhi as ai dhe as Zeka të përshëndesnin në orën e caktuar për të ftuarit. Me sa po duket, kanë qenë më se të bindur se Shukriu do ta bindëte Kuvendin që të shtyhej për datë tjetër, por nuk i kishin bërë mirë hesapet, me sa duket.

Për të diskutuar nuk kish fare rregull, pasi nuk tha njeri dhe nuk dihej se ku të regjistroheshe për këtë qëllim, edhe pse tre ditë para kuvendit kisha diskutuar me ata, që tani ishin në presidium, për të gjitha këto hollësi proceduriale të zhvillimit të një kuvendi. Shkova te ata të sekretarisë dhe u thashë më shënoni emrin për diskutim.

Prita të fillonin diskutimet pas pushimit të drekës, sikundër edhe u tha, por ngriheshin e flisnin, duke e vënë theksin: “kam marrë apo nuk kam marrë para nga Kryesia”. Më në fund u ngrita vetë, se e pashë që filluan për të kaluar direkt në zgjedhje. Gjatë rrugës për në foltore Faton Klinaku bëri prezantimin formal për mua. Deri në këto momente askush nuk kish diskutuar me letër. Edhe gjatë bërjes së pyetjeve, përgjigjia kthehej aty për aty, nga njëri prej antarëve të presidiumit, si me qënë në oda burrash, duke bërë të paditurin se pyetjet ishin për punën e Kryesisë gjatë katër viteve dhe duhej bërë të paktën për sy e faqe një konsultë mes veti, para se të jepej përgjigjia. Ndërhyra disa herë, por me kë e ke!

Dola në foltore dhe fillova të lexoja diskutimin tim. Porsa mbrita te shprehja: “…shoqatën e Veteranëve të Luftës sonë ta shkëpusim nga tutelat partiake dhe ta bëjmë atë të pavarur nga partitë..”, u ngritën në këmbë disa delegatë, që u përkisnin PDK-së dhe AAK-së, duke thirrur: “Mos fol jashtë raportit”. Po kështu më thanë dy tri herë edhe Faton Klinaku e Sherif Krasniqi, që ishin në presidium të kuvendit dhe i kisha dy-tri metra larg. “E po, mirë u thash, po e lë” dhe fillova të mbledh letrat. Në këtë moment u ngritën në këmbë shumë të tjerë dhe bërtisnin që unë të vazhdoja diskutimin. Gjatë kohës që bëheshin debatet “të flasi” e “të mos flasi”, shikoja pjesmarrësit dhe diskutantët e zjarrtë dhe mendohesha. Dola në përfundimin se udhëheqjeve të PDK-së dhe AAK-së u ishin bërë të njohura shënimet që unë i kisha dorzuar dy ditë më parë Kryesisës së Shoqatës. E kuptova se kisha bërë gabim trashanik, i kisha llogaritur zotërinjtë e kryesisë si veten, besnikë të idealeve të luftës dhe të shokëve të luftës e dëshmorëve dhe jo militantë partishë. Ata paskishin qenë asgjë më shumë veçse ca Cerberë të Hashimit e Zekës. Ata kishin shkuar me vrap te partitë e tyre, që i kishin emruar në kryesi të shoqatës dhe të degëve të saj (dhe jo të zgjedhur) dhe, kuptohet, u ishte dhënë porosi që, të më krijohej situatë e tillë që unë jo vetëm të mos flisja, por mundësishtë të detyrohesha të braktisja kuvendin dhe të mos kisha mundësi t’i shprehja ato mendim-propozime që ua pata dhënë me shkrim dore. Këtë e pashë edhe gjatë hartimit të rezolucionit të Kuvendit, se problemi i Fondit “Vendlindia Thërret” u digjte edhe AAK-së edhe PDK-së.

Prandaj vendosa të mos largohesha, sikur të ndodhte edhe katrahura më e madhe, vetëm e vetëm për të parë se deri ku do të shkonte skenari, si dhe për të qënë dëshmitar okular i atyre që do të ndodhnin. Me këtë rast do të shihja edhe deri ku qëndronte zgjuarsia dhe djallëzia e tyre. Dhe po qënroja në podium, në pritje për të vijuar diskutimin. Më në fund vazhdova, duke u thënë: “Unë e kuptoj se për ju jam jashtë teme, pasi po flas për vjedhjet dhe nuk jam vjedhës. Po të kisha ardhur në emër të vjedhësve e di që do të më dëgjonit me vëmëndje, pasi ata që nuk kanë qënë në luftë dhe i kini pasuruar, i prisni si çlirimtarë të Kosovës, ndërsa për 37 dëshmorët e rënë nga radhët tona të ardhur nga shteti amë, nuk jini kujtuar as edhe për një letër ngushëllimi. Ju nuk e kuptoni pse unë i ngre këto probleme, të cilat ia kam dhënë me shkrim para disa ditësh edhe kryesisë së shoqatës. Unë i ngre këto që të vendosim në vend nderin e luftës tonë çlirimtare, pasi ne luftuam për lirinë e popullit dhe jo për t’u pasuruar X apo Y, dhe jo për t’u bërë politikan X apo Y dhe të tjerët që luftuan të hanë baltë. Me sa po duket UÇK-ja ka qënë e përbërë kryesisht nga dy kategori: idealistë të lirisë dhe profiterë. Të parët dëshironin lirinë e Kosovës dhe nuk i janë trembur luftës dhe rrezikut, këmbëngulës për të fituar lirinë e Kosovës; të dytët, njerëz me shpirt tregëtari, të cilët duke bërë llogari shpenzimet që duheshin për luftë, i kanë tre dhe katër fishuar ato dhe i kanë hyrë luftës pa e dashur atë dhe duke iu shmagur sa më shumë luftimeve, vetëm e vetëm për të përfituar sa më shumë në fund të luftës. Kategoria e parë nuk mund të detyrohen të pranojnë një paqe që nuk do ta kishin diktuar ata vetë, ndërsa profiterët pranojnë çdo lloj kusht paqeje, vetëm e vetëm që lufta të mbaroi sa më shpejt, pasi e panë që qenë grumbulluar fondet për zhvillimin e saj. Ndaj dhe nuk është dhënë e nuk jepet llogari nga ata që u morrën me grumbullimin e fondeve për zhvillimin e luftës. Unë i them këto me qëllim që unë, ju dhe tërë ata që luftuan dhe tërë ajo pjesë e popullit që na mbështeti ta kuptojnë se ku gaboi udhëheqja e UÇK-së, e cila ishte edhe udhëheqja e Luftës tonë Çlirimtare. Gabimi i dytë më i madh, pas atij për çarmatimin e UÇK-së, është përvetësimi i  fondeve të grumbulluara gjatë luftës për luftën, nën emrin “Vendlindja Thërret”. Të këqijat lindin prej të këqijave. Në rast se ajo udhëheqje, ato fonde do t’i kish grumbulluar në një dorë të vetme dhe jo në disa duar (dhe e kishin mundësinë por nuk kanë dashur me qëllim që të korruptoheshin sa më shumë e nesër të bëheshin bllok, sikundër janë bërë); gjithashtu po të kishin kooperuar gjatë dhe pas luftës edhe me Qeverinë Bukoshi, qoftë edhe me presion, dhe t’i kishin bashkuar fondet; po të kishin futur në këtë llogari edhe paratë që u gjetën në bankat e Prishtinës (dhe informacionin e kemi nga personat që i kanë gjetur, dhe se nuk janë gjetur pak si dhe dimë se ku dhe si janë shpërndarë), dhe , të gjitha ato para po t’u shpërndaheshin familjeve që u janë djegur shtëpitë dhe banesat, duke filluar nga shtëpitë e djegura të dëshmorëve dhe invalidëve, atëhere jo vetëm që nuk do të na ishin krijuar disa parti të dala nga lufta, por edhe zgjedhjet do të ishin fituar nga përkrahësit e Luftës Çlirimtare dhe jo ata të Rugovës. Po të bëhej ai veprim patriotik, vetëm atëhere populli do të bindej se kish të bënte më ëngjëj, ashtu sikundër kemi qënë dhe jemi shumica e ish luftëtarëve të UÇK-së, por manipulantët e dalë nga radhët tona, të cilët u kanë hedhur të lëpijnë nga një kockë edhe disave këtu që ulërasin e më thonë “Mbylle gojën”, na diskredituan e do të na e ulin edhe më shumë figurën si UÇK dhe do t’u japin më tepër armë atyre që kanë dashur të na quajnë të gjithë luftëtarëve uzurpatorë dhe njerëz që lakmojnë për t’u pasuruar. Të ngrihet njeri e të thotë se uzurpoi qoftë edhe një gozhdë, a si i thoni ju në zhargonin e përditshëm në Kosovë, baski, Adem Shehu, Bardhyl Tahiri apo Shpëtim Golemi. Ne s’kemi kërkuar asnjë lloj përfitimi veç nderit. Një oficer që shkon në luftë vullnetarisht si ne, nuk përfill kurrë asnjë lloj shpërblimi materjal veç idealit kombëtar dhe nuk i vjen turp të pranoi varfërinë e ndershme. Pse jemi i tillë brumë, ndaj dhe disa të porositur këtu ulërijnë. Po sikur të gjithë drejtuesit e të gjitha rangjeve të UÇK-së të ishin kaq llagar dhe të kishin bërë atë që thashë më lartë, ç’do të ndothte? Ua them unë: UÇK-ja do të ishte shndëruar në mit.”, dhe vazhdova leximin e diskutimit:

Të nderuar delegatë të Kuvendit të Dytë Zgjedhor të Veteranëve të Luftës për Çlirimin e Kosovës 1997 –1999

Së pari, Lutem, pranoni përshëndetjet e mia për këtë kuvend në emër të Shoqatës “Vullnetarët e Lirisë”, ish pjesëmarrës në luftën për çlirimin e Kosovës nga të gjitha trevat shqiptare jashtë Kosove dhe ata të huaj, duke i uruar këtij Kuvendi Suksese!

Më lejoni të falënderoj kryesinë aktuale të shoqatës së Veteranëve të Luftës Çlirimtare te Kosovës që për herë të parë na mundësuan edhe neve, vullnetarëve nga Republika e Shqipërisë të jemi përkrah juve jo vetëm gjatë luftës, por edhe tani 5 vjet pas heshtjes së saj, pasi drejtuesit e mëparshëm, ndoshta të ndikuar apo të urdhëruar nga faktorë të ndryshëm politikë, nuk u kujtuan as edhe një ditë, qoftë edhe për të ndëruar një cigare apo për të pirë edhe një kafe me ne. Me këtë rast përshëndes drejtuesit aktualë për këtë hap të zgjuar e emancipues që më së fundi shoqatën e Veteranëve të Luftës sonë ta shkëpusin nga tutelat partiake dhe ta bëjnë atë të pavarur nga partitë, ashtu si i takon dhe si ishim edhe dje në luftë. Shoqata e Veteranëve, kur ajo është me të vërtetë e pavarur, atëherë ajo i mbron më mirë interesat e atyre që kanë pranuar të militojnë në këtë organizim, pasi nuk do të konsumohen për interesa të ngushta partiake. Njëkohësishtë, kur rrëmbyem armët dhe dolëm në luftë, ne vumë mbi gjithçka ideologjinë kombëtare mbi çdo ideologji apo program politik e partiak. Ne ishim thjesht luftëtarë, ushtarë të thjeshtë të popullit, duke i bashkuar armët me njëri-tjetrin, pa menduar për bindjet politike të njërit apo tjetrit. Si të tillë duhet të jemi edhe sot, pavarësishtë se në cilën parti politike militon njëri apo tjetri ish bashkluftëtar. Vetëm kështu mund t’i mbrojmë më së miri ngjyrat e vërteta të asaj lufte, të atij ideali e të atij gjaku të derdhur, duke ua trasmetuar edhe pasardhësve tanë, pasi ne, të bashkuar në këtë shoqatë, bëjmë atë që nuk mund ta bëjë as edhe një parti politike, qoftë ajo e madhe ose e vogël, sepse partitë, në plan të parë venë interesat e atij grupi shoqëror që ato parti përfaqësojnë, ndërsa shoqatat tona ndryshojnë në këtë pikë, sepse në plan të parë vendosim interesat atdhetare dhe ato të të gjithë popullit se, edhe ish luftëtarët ishin nga të gjitha shtresat dhe grupimet shoqërore të popullit.

Nga Republika e Shqipërisë, deri tash kmi evidentuar se rrëmbyen armët dhe u reshtuan përkrah vëllezërve të tyre në Kosovë, në radhët e formacioneve luftarake të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, gati 150 vullnetarë, prej radhëve të të cilëve dhanë jetën e tyre 37 dëshmorë. Lavdi kujtimit të tyre!

Ata 150 vullnetarë ishin nga 18 rrethe: Nga Tropoja 36 vullnetarë, prej tyre 10  dëshmorë; nga Kruma 45 vullnetarë, prej tyre  18 dëshmorë; nga Kukës  28 vullnetarë, prej tyre 3 dëshmorë; nga Tirana 11 vullnetarë, prej tyre  një dëshmorë; nga Berati 3 vullnetarë, prej tyre 2 dëshmorë; nga Librazhdi 4 vullnetarë, prej tyre  një dëshmor; nga Kavaja një vullnetar, ai është dëshmor; nga Shkodra 2 vullnetarë, prej tyre një dëshmor; nga Çamëria një vullnetar; nga Gjirokastra 3 vullnetarë; nga Vlora një vullnetar; nga Lushnja 4 vullnetarë; nga Durrësi 4 vullnetarë; nga Tepelena 2 vullnetarë; nga Pogradeci një vullnetar; nga Fieri dy vullnetarë; nga Peshkopia një vullnetar; nga Prenjasi një vullnetar; nga Elbasani një vullnetar. Nga të gjithë këta vullnetarë, 17 kishin qënë oficerë të ushtrisë së shtetit amë dhe që në Luftën për Çlirimin e Kosovës dhe trevave të tjera shqiptare kryen detyra të ndryshme komanduese dhe, 4 prej radhëve të tyre kanë rënë dëshmorë. Nga Kosova Lindore ishin gati 50 vullnetarë dhe po aq edhe nga shqiptarët në Maqedoni si dhe rreth 40 vullnetarë nga shqiptarët që jetojnë në Mal të Zi. Përsa i përket emigracionit dhe diasporës shqiptare, mund të themi me krenari se ajo u ngrit si një trup i vetëm, duke iu përgjigjur thirrjes së 2 Prillit 1999 të Shtabit të Përgjithëshëm të UÇK-së dhe Qeverisë së Përkohëshme dhe brënda dy javësh mbritën në Durrës gati 12 mijë vullnetarë. Një mobilizim kaq të madh e kaq të shpëjtë nuk munden ta bëjnë dhe shtete shumë të organizuar e jo më të vinë kaq shumë brenda një jave nga të katër anët e ruzullit tokësor, sikundër erdhën djemtë dhe burrat shqiptarë. Me këtë veprim i treguam botës mbarë se ja kush është karakteri i vërtetë i shqiptarit, të cilin kur e thërret Atdheu ngrihet edhe nga varri. Të gjithë këta vullnetarë i dhanë Luftës Çlirimtare të Kosovës karakterin e një lufte mbarë kombëtare dhe UÇK-së i dhanë karakterin e një ushtrie mbarë kombëtare. Rroftë kombi shqiptar!

Mirëpo Lufta për Çlirimin e Kosovës pati edhe një karakteristikë tjetër. Në atë luftë morën pjesë edhe vullnetarë nga shumë shtete Perëndimore: nga Gjermania, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga Franca, nga Norvegjia, nga Finlanda, nga Italia, nga Algjeria dhe Turqia. Nga radhët e tyre kemi rreth 10 dëshmorë. Kjo përbërje i dha luftës sonë tiparet e një lufte internacionaliste dhe, si e tillë, jo vetëm që nuk mundet ta mohojë kush nga forcat politike shqiptare të Prishtinës dhe të Tiranës, që deri tash kanë folur me gjysëm zëri, por me atë luftë dhe atë ushtri mbarë kombëtare dhe internacionaliste do të krenohet edhe historia e luftrave botërore. Lavdi Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e cila na ka dhënë, ne pjesmarrësve në radhët e saj, të drejtën të jemi krenarë dhe bijve e nipërve tanë nesër të mburren me aktin e prindërve dhe gjyshërve të tyre, si dhe të dinë se ku t’i kërkojnë miqtë e vërtetë.

Të nderuar delegatë!

Edhe unë jam njohur me materialet që drejtuesit aktualë të shoqatës tuaj të veteranëve i kanë prezantuar këtij Kuvendi dhe jam plotësisht dakort me raportin e paraqitur. Që të mos u konsumoj shumë kohë, vërejtjet dhe sygjerimet e mia për Statusin e Shoqatës ja kam paraqitur Kryesisë aktuale me shkrim para disa ditësh, por përmbledhtas po jap edhe disa mendime që mund t’i marrë parasysh Kuvendi gjatë marrjes së vendimeve:

1.Propozoj që emërtimi i shoqatës të jetë: Shoqata e Veteranëve të Luftës Çlirimtare të Kosovës, 1997–1999. Kam patur dhe kam vrejtje për emërtimin e gabuar të deri tashëm, që e quante Lufta Çlirimtare e UÇK-së, që lë të kuptosh sikur kjo UÇK erdhi nga qielli dhe jo nga gjiri i popullit shqiptar të Kosovës.

2.Propozoj që shoqata të quhet shoqatë atdhetare politike, pasi ajo do të propogandoi dashuri për kombin e saj, pasi ai ishte misioni i luftës që bëmë dhe betimi ynë dhe, së dyti, të gjitha ndërhyriet e saj në interes të kategorisë të atyre që luftuan, ndihmuan dhe mbështetën atë luftë çlirimtare janë e do të jenë politike.

3.Propozoj që shoqata “Miqtë e TMK-së” të ndërroi emër dhe të quhet “Miqtë e UÇK-së” dhe të gjitha kontributet që ajo do të grumbulloi të kontrollohen e të destinohen për interesat e ish luftëtarëve, invalidët dhe familjet e dëshmorëve të asaj lufte; por edhe për një arsye tjetër: se TMK-ja jo vetëm që nuk është 100% prej ish luftëtarë, por ajo nuk përbën as edhe 4% të gjith UÇK-së.

4.Propozoj që të merret një vendim për t’i raportuar këtij Kuvendi në të ardhmen nga ish Fondi “Vëndlindia Thërret” për të eleminuar çdo prapamendim për qëllimin e vërtetë të luftës sonë.

5.Propozoj që të mbështetet nga kjo shoqatë edhe në të ardhmen redaksia për monografitë e dëshmorëve të Luftës sonë Çlirimtare, e cila boton serinë: “Feniksat e Lirisë”.

6.Të bisedohet me shoqatën e Familieve të Dëshmorëve dhe atë të Invalidëve të luftës për njësimin e tyre me shoqatën e veteranëve të Luftës.

I uroj këtij Kuvendi suksese në punimet e tij dhe të zgjedhë në forumet e tij drejtuese njerëzit më idealistë e më të devotshëm për këtë mission.

Shpëtim  GOLEMI

Prishtinë, 27 Qershor 2004

Kur mbarova së lexuari diskutimin e mësipërm, i mbylla letrat dhe u thashë: “I thashë këto mendime këtu, pasi unë e konsideroj këtë kuvend si Kuvendin e Burrave të Vërtetë të Kosovës, pasi burrat e vërtetë provohen kur populli është në , dhe vendi ku u provuan burrat ishte lufta në Kosovë, në radhët e formacioneve të UÇK-së. Duke qënë se ju jini përfaqëuesit e tyre, ndaj dhe këto propozime i bëj para jush, me qëllim që nesër të mos thotë kush se nuk na i ka thënë Shpëtim Golemi, sikundër thanë atëherë se, Shpëtim Golemi nuk qëndroi në TMK sepse donte të bëhej Shef i Shtabit të TMK-së, kur dihet që mua më detyruan të largohesha, pasi më afruan dertyrën për të pastruar klasat e Akademisë dhe shikoni vendimin  e Agim Çekut”, duke ua nxjerrë atë vendim para e duke e mbajtur lartë. “Po ashtu vepruan edhe me Tahir Sinanin, ish Komandantin e Zonës Operative më të madhe të UÇK-së dhe në fund të luftës është i vetmi komandant zone që u ul në deturë, nga komandant zone, në kmandant batalioni, edhe pse ka qënë komandanti më i suksesshëm, por kjo u bë vetëm e vetëm pse ishte nga Shqipëria… Unë bëra vetëm një gabim taktik, pse ua dhashë këto mendime, që lexova pak më parë, zotërinjve të kryesisë dhe t’i kisha lënë për këtu. Po të mos ua kisha thënë mendimet atyre, qoftë edhe me gojë, ata nuk do të kishin marrë këto masa mbytëse të kuvendit, sikundër po e shihni, dhe prisni se çdo të shihni….”

Nuk më lanë më të vazhdoja. Kisha ndërmend të flisia se si ia punuan Adem Shehut dhe Bardhyl Tahirit, duke i detyruar që ata të largoheshin vetë për në Shqipëri. Filluan britmat dhe ulërimat e antarëve dhe simpatizantëve të PDK-së. Ajo ishte detyra e dhënë për ata. “Ulu, më thanë edhe Klinaku dhe Krasniqi e presidiumit, pasi dole nga rendi i ditës”.

U ula i qetë, pasi u qartësova për skenarin. Menjëherë u ngrit nga presidiumi i mbledhies një djalë, jurist, delegat i Deçanit, më duket se quhej Shkumbin Demaliaj, dhe e flaku tej mandatin e delegatit, duke u thënë: “Më vjen turp që të jem në krye të këtij kuvendi, kur nuk kini as respekt dhe as guximin të dëgjoni maskarallëqet e bëra nga ata “udhëheqësit e dëshmuar” të UÇK-së. Turp të kini, tjetri ka ardhur nga Gjirokastra me gjithë djalë dhe luftoi me ne për çlirimin tonë dhe ne nuk kemi durim dhe respekt as ta dëgjojmë e jo më shumë. Turp, por ju nuk kini turp. A dëgjuat se çfarë tha, kanë qënë 150 vullnetarë dhe prej tyre 37 dëshmorë dhe ne nuk duam të na i thotë, pasi nuk na vjen mire, ngaqë ata ishin dhe janë më atdhetarë se ne, më idealistë e jo hajna”. Foli edhe më gjatë, por unë kaq munda të mbaja shënime. Dhe u largua. Kështu bënë disa, pesë-gjashtë apo më shumë.

Kur u vendos qetësija pas kësaj të papriture, doli në tribunë Gani Koci për të justifikuar ato britma. Pas tij foli një femër, një pipiruçkë. Edhe ajo nga Drenica. Nuk kish mjerim më të madh të atyre shërbëtorëve të PDK-së, që nuk dëshirojnë të hapen vjedhjet e bëra ndaj fondeve të grumbulluara për luftë. Ishin po ata persona, me ne krye Shukri Bujën që kërkuan pak më parë të shtyhej Kuvendi.

Edhe kur u hodh propozimi për 22 anëtarë të Komitetit Drejtues të Shoqatës, nuk figuronte as emri im dhe as i Adem Shehut, sikundër më kishin thënë dy ditë më parë. Mirëpo pati reagim për atë listë të paraqitur nga e “famshmja” ish kryesi, pasi kish lokalizëm të theksuar. U ngrita përsëri dhe u thashë: “Besoj se nuk do të ma ndërprisni përsëri fjalën, pasi do t’u tregoj të vërtetën. Unë nuk vij nga Tirana, vij nga Beogradi”, dhe vazhdova të shpjegoja që propozimet të bëheshin direkt nga salla dhe sa të duan ata dhe të votohet vetëm për 23 veta. Më mbështeti me zë e gjithë salla, përjashtuar anëtarët e PDK dhe disa të AAK. Ashtu u bë. Prita deri sa lista e të propozuarve u mbyll. Ishin 53 kandidatë. U ngrita dhe u thashë: “Turp të kini! Ku e harruat Adem Shehun nga Tirana, ish komandantin e Brigadës më të lavdishme të UÇK-së, që ka luftuar në Gollak, apo aq ia kishit nevojën. Turp!”, dhe ika. E vunë në listë. Më kishin vënë edhe mua. Kur u hap kutia e votimit rezultoi: Kishin marrë pjesë në votime 131 delegatë, votat ishin 100% të vlefshme. Rezultatet ishin si më poshtë: 1.Sherif Krasniqi 95 vota, 2. Dilaver Goxhaj 91, 3.  Shukri Buja 91, 4. Elheme Hetemi 83, 5. Avdyl Mushkola 81, 6. Fadil Fazliu 79, 7. Gani Koçi 72, 8. Adem Shehu 70, 9. Fatime Mehmeti 68, 10.Haxhi Shala 68, 11. Shqipe Mehmeti 63, 12.Faton Klinaku 62, 13.Hydajete Hoxha 60, 14. Nuredin Ibishi 58, 15. S’e shënova dot emrin 55 vota, 16. Xhabir Zharku 55, 17.Vllazrim Kryeziu 53, 18. Shyrete Gosalci 53,19. Xhavit Dautaj 49, 20. Daut Iliazi 49, 21. Sami Dobra 48, 22. Ejup Kabashi 47, 23. Naser Berisha 47 vota.

01 korrik 2004

Sot, rreth orës 18-19.00, isha ulur e po pija kafe me doktor Ramadanin, te vendi i quajtur Santeja, në një tavolinë e vendosur në trotuare, jashtë kafenesë. Kaloi ndoshta edhe rastësishtë dhe na foli Gani Thaçi, vëllai i Hashim Thaçit, ai që i gjeti dhe i konfiskoi  KFOR-i 600 mijë Marka në shtëpi, gjatë një kontrolli në fund të vitit 1999. E ftuam të ulej me ne. Pa u ulur mirë në tavolinën tonë, më thotë: “Ku je, Shpëtim Golemi, që po u bën vrejtje të gjithëve”. U befasova jo vetëm nga fjalët e tij por edhe nga mënyra se si m’i tha. “Me sa shoh, nuk të paska ardhë mirë, po a më thuaj cila nga ato vërejtjet e mia të është dukur e padrejtë, që ta di dhe unë ku kam gabuar?”. “Jo, jo nuk e kam atje fjalën”, tha dhe ndryshoi bisedë, duke më pyetur për shëndetin.

E kuptova se janë shqetësuar pa masë për debatet dhe mendimet e hedhura nga unë në Kuvendin II Veteranë pra 3-4 ditësh, me sa duket duhet t’u ketë djegur shumë çështja që ngrita për Fondin “Vendlindia Thërret”, përderisa është diskutuar edhe në familjen Thaçi. Gjithashtu ai është një sinjal që tregon, se në mbledhien e Komitetit Drejtues, që është parashikuar për në 03 Korrik, për zgjedhjen e Kryesisë së shoqatës, do të kem të bëj me një organizim të përsosur antidrejtësi.

03 korrik 2004

Dhe ashtu ndodhi. Sot, në 03 Korrik 2004, ora 10.30, morra në telefon Faton Klinakun dhe e pyeta se ku do të mbahej mbledhia e Komitetit Drejtues të veteranëve. “Ju nuk jini në listën e të zgjedhurve”, m’u përgjigj ai. E mbylla telefonin. “Mjeranët, thashë me vete, i dekonspiroi injoranca e tyre dhe papjekuria e Fatonit”.

Pa kaluar as edhe një minutë më morri në telefon vetë Fatoni dhe më thotë se duhet të shkoja në Kryesinë e Shoqatës, pasi atje mbahej mbledhja.

Në ora 11.00 isha në sallën e restorantit të asaj godine. Ishin 32 pjestarë. Më vonë erdhën edhe 8 të tjerë. U fillua nga mbledhja. Ngrihet Sherif Krasniqi, kushëriri i afërt i Jakup Krasniqit, dhe propozon që të zgjidhet një presidium i mbledhies dhe propozon të parin Gani Kocin. Ndërhyra dhe thashë se nuk i takon Ganiut, pasi është deputet partie. “Nuk i di mirë regullat”, m’u përgjigj Ganiu. “Ti ndoshta je ushtarak i mirë, por çështjet organizative nuk i di”. “Ndoshta më mirë se ti”, i thashë unë.

U ngrit Ganiu dhe propozoi Sherifin.

U kuptua, PDK-ja kish dhënë urdhër të përdorej strategjia e saj:  PATURPËSIA.

Filloi ta drejtoi mbledhien Ganiu, i cili propozoi që të nisnim me zgjedhjen e kryetarit dhe të kryesisë.

Morra leje dhe thashë: “Nuk e kemi në rregull, sikundër thotë juristi Gani. Nuk mund të fillojmë me zgjedhjen e kryesisë dhe kryetarit pa miratuar përfundimisht Statusin e Shoqatës, të cilin nuk e kemi aktualisht sikundër u sanksionua në Kuvend, dhe që duhet të jetë ligji themelor për OVL, në të cilin përcaktohen kushtet dhe kriteret për të zgjedhur e për t’u zgjedhur. Ja p.sh. kjo mbledhje mund të më zgjedhi mua kryetar, por unë jam kryetar i një shoqate, kështu që në rast se ndodh që unë të zgjidhem dhe, më vonë në status do të thuhet që personat me këtë cilësi nuk mund të zgjidhen, duhet që të mblidhemi e të zgjedhim përsëri kryetarin. Kështu mund të jetë edhe për çështje të tjera. Derisa kuvendi mori vendim dhe na dha autoritetin e tij neve, për ta plotësuar e korigjuar Statusin, duhet të fillojmë nga Statusi. Statusi duhej të qe përfunduar nga Kuvendi, por ai na i delegoi neve; atëherë kështu që duhet së pari, ai të përfundohet. Pasi ta miratojmë atë, atëhere duhet të kalojmë në zgjedhiet e ndryshme. Kjo është radha e punëve”.

Fillimisht pati një heshtje. E prishi heshtjen i autorizuari fuqiplotë dhe deputet i PDK-së, juristi Gani Koci, duke thënë: “Kuvendi na i dha atë të drejtë vetëm për emrin e shoqatës”. E kundërshtuan të tjerët, madje ishin shumë dhe unë kujtova se nuk do të kish shumicën. Por me sa u duk më vonë, shumica e tyre ishin thjeshtë ushtarë të bindur të partisë së Ganiut. Të vjen keq që ata idealistë të dikurshëm të shfrytëzohen djallëzishtë nga të tjerët për të mbuluar hajnitë e tyre! “Atëhere, tha Ganiu, nuk ka shumë rëndësi, pasi ne do ta miratojmë edhe Statusin”. Ç’të bën partia, jo vetëm që të heq lirinë por të xhveshka edhe nga turpi, thashë me vehte.

Që liderët e Ganiut janë intrigantë e djallëzorë, e tregoi ky fakt si dhe një fakt tjetër disa minuta më vonë. Kur po shpërndaheshin fletët e votimit për të zgjedhur kryetarin e shoqatës, mua nuk m’u lexua emri. U thashë se unë nuk e kam emrin në listën e të zgjedhurve antarë të Komitetit Drejtues të Shoqatës. Hop, kërceu si gjel Gani Koci dhe tha: “Ti Dilaver ke dhënë dorëheqien”. Një “Jo” e zgjatur shpërtheu si në korr me përjashtim të disa militantëve të PDK-së. “Nuk u pranua dorëheqia e tij”, thanë shumë veta me një gojë. “Me sa shoh unë, -thashë me zë të lartë por qetë-, këtu ose kemi paaftësi të sekretarisë ose ata dhe Ganiu janë të pandershëm. Kemi diçka që nuk shkon dhe që është shumë e keqe”, dhe hodha sytë te mbajtësi i protokollit, që u rizgjodh edhe sot, të cilit as që i bënte tërt syri dhe nuk mbante as një shënim! Thuaj, po deshe, që nuk janë trima! Mirëpo këta “trima” nuk dinin dhe kurrë nuk kanë për ta marrë vesh se moszgjedhja e ime (Shpëtim Golemit) dhe e Adem Shehut bëhej nga frika se po të zgjidheshim ne në atë Kryesi të Shoqatës, do të delnin në shesh vjedhjet e financave të grumbulluara përmes Fondit “Vendlindia Thërret”,por edhe ato që grumbullehen për këtë shoqatë veteranësh. Këtu dhe vetëm këtu qëndron qëllimi i tërë asaj paturpësie që u manifestua në 3 korrik 2004 në zgjedhjet për kryesi të shoqatës së veteranëve.

U hodh në votë propozimi im, që fillimisht të merreshim me Statusin, dhe rezultoi që 33 ishin kundra atij propozimi! Kështu që u kalua në propozimet për kryetar. U propozuan Sherif Krasniqi dhe Fatmir Mehmeti. Ngrihet njëri dhe propozon mua. Pa mbaruar fjalën, e ndërpret Ganiu, duke thënë se, nuk ishte dakort, pa bërë kujdesin të shpjegonte se pse nuk ishte dakort. I shkreti Gani, kish marrë urdhër nga Hashimi e klani i tij, që mundësishtë të mos linte të përmëndej fare emri im dhe e zbatonte atë urdhër pa pikë droje fare. Qesha dhe ndërhyra e thashë se unë jam kryetar i një shoqate dhe nuk duhet të propozohem. Ngrihet përsëri Gani Koci dhe propozon që të propozohej, për t’u futur si i tretë në listë, Nuredin Ibishi, duke thënë se ai e kish propozuar edhe për në Komitetin Drejtues të vetëranëve. Nuredini u tërhoq. U vetpropozua Faton Klinaku, me qëllim se mos vihej dikush tjetër dhe u prishte ballancën. Bëhet votimi i fshehtë dhe  ndahen: 33 vota i fitoi Sherif Krasniqi. Për mua tashti u bë e qartë se, nga 41 antarë të Komitetit Drejtues që ishin prezent, vetëm 8 nuk ishin antarë të PDK-së.

Gjatë kohës që bëhej numurimi i votave për kryetar, unë fillova të shënoj emrat e vajzave luftëtare nga Drenica, të cilat m’i jepte Elhame Hetemi. Ganiu e pa që ajo më diktonte diçka dhe erdhi me vrap dhe e pyeti: “Çfarë po i tregon Shpëtimit?!” Kur ajo e sqaroi iku i qetë. “I shkreti, shpëtoi nga infarkti”, i thashë Elhames. Me sa duket, ai kujtoi se mos më tregonte skenarin që u kish dhënë partia.

Pastaj u kalua në zgjedhjen e 10 antarëve të tjerë të kryesisë. U vendos të propozoheshin 15. I them Afrim Kuletës, që e kisha në krahun e majtë, të ngrihej e të propozonte Adem Shehun, por bënte sikur ngrinte dorën, dhe ngrinte veç lapsin. Kur mbriti shifra 14 e të propozuarve, ngrita dorën dhe ma dhanë fjalën. “Propozoj që në kryesi të zgjidhet edhe një përfaqësues nga tërë vullnetarët e Luftës për Çlirimin e Kosovës të ardhur nga trevat jashtë Kosove, dhe ky të jetë Adem Shehu, ish komandanti i Br153 të UÇK-së”. Menjëherë ngrihet në këmbë Haxhi Shala, komandanti i Qendrës Doktrinave dhe Akademisë Ushtarake të TMK-së, me gradën fiktive gjeneral (sikundër i ka tërë TMK-ja, edhe pse nuk di as alfabetin e gjuhës shqipe). Ja sa mirë i njeh ligjet dhe regullat juristi i PDK-së, Gani Koci, që deputetët dhe oficerat aktivë të TMK-së i zgjedh në Komitetin Drejtues të veteranëve. Gjatë luftës, ky Haxhi Shala ka patur pseudonimin “Topi” dhe unë shpesh, kur e dëgjoja që fliste thoshja me vete se i përshtatej shumë mirë ai pseudonim. Këta lloj të “zgjuar” dihet që i përdor si top futbolli çdo i djallëzuar dhe i lig.

Ja çfarë tha “gjenerali” tërë pompozitet: “Unë i dua shumë këta nga Shqipëria, por nuk dua që Adem Shehu të jetë antar i kryesisë, nga që është larg dhe nuk mund të vijë shpesh”. Sa argument i zgjuar! “Më fal, zoti gjeneral për propozimin, e ndërpreva unë. Dje në luftë Ademi e kish fort të lehtë me ardhë kur të donte e si të dontë në Kosovë, ndërsa tash në paqe, ke të drejtë, është shumë vështirë me ardhë. S’më shkoi mendja”.

Hajde PDK, hajde, sa të bukur e ke strategjinë! Thuaj po deshe që nuk e meriton të jetë lider i Kosovës Hashim Thai; të jetë gjeneral Haxhi Shala dhe kryetar i veteranëve, kushëriri i Sekretarit të Përgjithshëm të PDK-së, Sherif Krasniqi!

U hodh në votë dhe 33 votat e antarëve të PDK-së, ata edhe antarë të Komitetit Drejtues të Veteranëve, ishin kundër vendosjes në listë të Adem Shehut për të qënë kandidat për antar Kryesie.

Gjatë procesit të numurimit të votave mbledhja vazhdoi për zgjedhien e komisionit për korigjimin e Statusit. U propozua që në atë komision të ishte edhe Dilaver Goxhaj, si “njeri me përvojë të gjatë pune, ushtarake, intelektuale, përvojë lufte e institucionale”, tha juristi Gani.  U ngit në këmbë, pa marrë fare leje Elheme Hetemi dhe tha tërë seriozitet: “Jo Dilaveri, pasi edhe ky është larg, vështirë me ardhë në Kosovë”. Unë kujtova se e kish me ironi, por jo! Por Sherifi me Ganiun as që denjuan ta hedhnin në votë, e quajtën të mirëfilltë fjalën e Elhemes, dhe vazhduan me kandidaturat e tjera.

Ngrihet Sadik Makolli dhe thotë: “More, po ta hedhim në votë Dilaverin”. “E sqaruam, tha Sherif Krasniqi, nuk vihet në listë”.

Ç’është kjo urrejtje për ata që erdhen e luftuan me ne nga Shqipëria?!”, bërtet me zë të lartë Sadiku. Por Sherif Krasniqi dhe Gani Koci as që donin të dëgjonin nga ai vesh. Kishin marrë porosi nga partia dhe duhej ta çonin deri në fund.

Fatmir Mehmetin, që ishte edhe ai në drejtim të mbledhjes, nuk e lanë të fliste as edhe një fjalë gjatë gjithë kohës. Unë dëgjoja, shikoja dhe mbaja shënime.

Kur ulet Elhemia, të cilën e kisha në krahun e djathtë, i tregoj Letër Njoftimin tim të Kosovës dhe i thashë: “Të kanë instruktuar gabim, pasi unë kam 5 vjet që jetoj e banoj në Kosovë dhe jam qytetar i saj”. Prita të turpërohej sadopak, por, me kë e ke! Ku e njohin ata atë fshat?

Ngrihet përsëri Gani Koci dhe propozon që, komisioni i hartimit të Statusit të jetë edhe komision statutuor dhe në të të jetë Nuredin Ibishi, si ushtarak me përvojë. U tha, u bë. U zgjodh. Kur ai po fliste për herë të tretë për Nuredin Ibishin, nuk di pse fillova të dyshoja se, “pse kjo përkujdesje kaq servile e Gani Kocit për këtë ish komandant të forcave speciale të policisë së Kosovës në Prishtinë, gjatë gjithë viteve tetëdhjetë, forcë e cila kish varësi të dyfishtë: edhe nga Sekretariati Krahinor i Punëve të Brendëshme, edhe nga Shërbimi i Sigurimit Shtetëror i Federatës, shërbim, i cili bënte hetimin e të burgosurve politikë shqiptarë. Një servilizëm i tillë ndaj atij ish komandanti që ka drejtuar rrethimin dhe vrasjen e Rexhep Malës e Nuhi Berishës në vitin 1983 te Kodra e Trimave dhe të Fahri Fazlliut e Afrim Zhitisë te Kodra e Diellit në vitin 1989, të bën të dyshosh. Mos vallë Nuredini di diçka të fshehtë për Ganiun?”, por me të shpejtë e largova këtë dyshim. Hodha sytë te Fatmir Mehmeti dhe shkëmbyem shikimet për t’i kujtuar se çfarë më kishin thënë më 24 Qershor, në zyrën e tyre ai, Sherifi dhe të tjerët, nëse dikush do të na propozonte Nuredin Ibishin që të zgjidhej në Komitetin Drejtues dhe tashti Sherif Krasniqi na e hidhte tërë kënaqësi në votë. Ç’dyfytyrësi!

U ngrita i detyruar të bëja një sqarim dhe thashë:  “Mos i ngatëroni gjërat. Kemi dy komisione, që janë kryekëput të ndryshëm dhe që i ngatëron me apo pa qëllim juristi Gani. Komisioni statutuor është për 4 vjet, ndërsa komisioni i përpilimit të Statusit është për aq kohë sa të pregatisi Projekt Statusin dhe shkrihet me miratimin e tij nga ky Komitet, pasi për aq e ka mandatin. Ky komision mund të përbëhet edhe thjeshtë me specialistë, pa qënë nevoja të jenë antarë të këtij komiteti. Se po të qe ashtu, nuk duhej që edhe Fehmi Baftiu të jetë antar i atij komisioni, pasi nuk është antar i këtij komiteti dhe nuk i jep askujt llogari nesër”. Me kë e ke! Ngrihet Gani Koci dhe e kundërshton. Më mbështeti mua edhe një tjetër. Heshtie. “Do t’i kërkojmë ne llogari Fehmi Baftiut”, tha Gani Koci dhe e mbylli atë kapitull. U miratua. Thuaj po deshe që nuk i njeh mirë çështjet organizative dhe nuk është jurist dhe deputet i ndershëm Gani Koci, i cili merr dy rroga në shtet: njërën si deputet i PDK-së dhe tjetrën si jurist në KEK. Eja e mos u beso të tillë njerëzve fatet e Kosovës!

Më në fund u hap diskutimi për miratimin e ndryshimit të emrit të shoqatës. Pasi folën disa, ngrita dorën dhe kërkova fjalën: “Në kuvendin zgjedhor unë bëra një propozim, ku thashë: Propozoj që emërtimi i shoqatës të jetë: “Shoqata e Veteranëve të Luftës për Çlirimin e Kosovës, 1997 – 1999”. Kam patur dhe kam vrejtje për emërtimin e gabuar të deri tashëm, që e quante Lufta Çlirimtare e UÇK-së, që lë të kuptosh sikur kjo UÇK erdhi nga qielli dhe jo nga gjiri i popullit shqiptar të Kosovës. Po qe se mbetemi në atë emërtim që kemi, automatikisht e mohojmë ndihmën e gjithanëshme të popullit.  Them “Lufta për Çlirimin e Kosovës”, pra theksoj parafjalën “për”, me qëllim që të kuptohet se ajo luftë kish atë objektiv, çlirimin përfundimtar, pavarësishtë që nuk ia arriti plotësishtë. Në rast se do t’ia kish arritur, atëherë në vend të parafjalës “për” do të vendosej lidhësia “e” ose “të”. Njëkohësishtë, duhet ta kemi të qartë se me termin UÇK, nuk kuptohet dhe nuk duhet të kuptohet gjithë Lufta e jonë për Çlirimin e Kosovës. UÇK-ja ishte një pjesë e asaj lufte. UÇK-ja ishte baza morale e asaj lufte për shndërimin e saj në një lëvizje mbarë kombëtare, sikundër edhe ndodhi. Këtu qëndron më së shumti vlera e UÇK-së. Ishte populli ai nga i cili doli kjo ushtri, u furnizua kjo ushtri etj. Dhe kur them populli, nuk kuptoj vetëm popullin shqiptar që banon në Kosovë, por tërë kombin shqiptar. Po qe se do t’i themi “Lufta e UÇK-së” ne ia ulim vlerat e vërteta luftës që bëmë dhe u japim shkas të tjerëve të thurrin njëmijë e një të paqëna”.

Ngrihet Gani Koci, Sherif Krasniqi, Faton Klinaku,  Xhavit  Zharku, Haxhi Shala e disa “teoricienë”  të tjerë dhe e “argumentuan” se po hoqëm fjalën UÇK, mohojmë luftën.

“E kini gabim”,- u thashë, pasi i dëgjova me durim, duke ngrënë sanduiçin që na sollën. “Nuk më vjen mirë që e shtrëmbëroni qëllimisht propozimin tim, pasi vet fjala “Veteran”, që do të thotë  “ish luftëtar”, – cilëndo vendosni nga të dyja, por jo të dyja së bashku, sikundër u propozua nga ju- e sqaron qartë dhe që don të thotë: Ish luftëtarët që rrëmbyen armët dhe bënë Luftën për Çlirimin e Kosovës. Në se qytetari do të pyesë nesër se, a kishin ndonjë lloj organizimi ushtarak këta luftëtarë? Po!, do t’i thuhet, ishin të organizuar në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Nuk ka asgjë për t’u ngatërruar, por e ngatërroni ju vetë, qëllimisht. Ku e keni qëllimin, nuk e di. Këtë e tregon vet fjala veteran, dhe që në statusin e veteranit theksohet qartë se kush e gëzon këtë emër, e gëzojnë vetëm ata që u reshtuan në radhët e ushtrisë çlirimtare të asaj lufte, nga “X” periudhë në “Y” periudhë, si pjesa më eminente e asaj lufte. Por, që të themi Lufta e UÇK-së, kjo është mohim i mbarë popullit tonë dhe i kontributit të tij”.

Megjithëatë nuk e ndryshuan. Le ta mbajnë. Ata nuk e kuptojnë dhe kurrë nuk kanë për ta kuptuar se çfarë gabimi fatal bëjnë që i mohojnë popullit sakrificat dhe luftën që ai bëri.

Këto ishin zgjedhjet e kuvendit të dytë zgjedhor të veteranëve të luftës së fundit në Kosovë dhe të organeve udhëheqëse të tij.

Kur mbaruam mbledhjen, i pashë se shumë prej tyre shprehnin lumturi që më në fund kishin zgjedhur në kryesi të Shoqatës së Veteranëve militantët dhe veglat qorre të PDK-së dhe që asnjë ish luftëtar nga Republika e Shqipërisë, apo nga trevat e tjera jasht Kosove nuk kish mundur të zgjidhej në kryesinë e shoqatës. Këtë, ndoshta ka si qëllim edhe “Pavarësia e Kosovës”, që e kërkon PDK-ja. Me këtë rast unë pashë se ku qëndron forca e asaj partie: te paturpësia e militantëve të saj dhe jo te intelektualët e vërtetë. Turp e faqe e zezë! Me sa duket, intelektualët e vërtetë në atë parti janë thjeshtë sa për dekor.

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …