Në një postim në rrjetin kryetari në detyrë i PDK-së, Enver Hoxhaj e ka kujtuar 22 vjetorin e themelimit të radios Kosova e Lirë dhe ka shkruar se kjo radio ishte zëri që buronte nga bardhësia e shpresës, që e mbushte popullin me optimizëm dhe kurajo për lirinë.
“Ju flet Kosova e Lirë… Ky ishte zëri që u dëgjua me 4 janar nëpër të gjitha shtëpitë tona para 22 vitesh. Sot, shënojmë ditën e themelimit të një prej radiove më emblematike të Kosovës, Radios Kosova e Lirë. Në një kohë të trishtë lufte e mes ankthesh, Radio Kosova e Lirë ishte zëri që buronte nga bardhësia e shpresës duke na mbushur me optimizëm e kurajo për lirinë. Me Kosovën e Lirë kemi qëndruar pa gjumë gjatë raportimeve për betejat e vona, kemi vuajtur rëniet e heronjve tanë, por, me Kosovën e Lirë edhe jemi gëzuar të gjithë së bashku për fitoret e mëdha që UÇK-ja shënonte nëpër fronte të ndryshme të Kosovës. Mirënjohës dhe falënderues të gjithë gazetarëve që ishin edhe luftëtarë, por edhe të gjithë ekipës realizuese e të guximshme të Kosovës së Lirë, të cilët rrezikuan jetën e tyre për të mbajtur lartë moralin e popullit të Kosovës. Mos u ndaltë asnjëherë Zëri i Kosovës së Lirë. Në këtë fotografi, ulur nga e majta janë: Ahmet Qeriqi, Nysret Pllana. Kurse, në këmbë nga e majta janë: Habib Zogaj, Gazmend Elshani, Martin Çuni, Rizah Berisha, Valdet Hoti, Nezir Myrtaj”, ka shkruar ai.