Për shkak të reshurave atmosferike të vazhdueshme në vend, Policia e Kosovës ka apeluar te pjesëmarrësit në trafik të kenë kujdes më të shtuar, të respektojnë rregullat dhe t’u përshtaten kushteve të rrugës. “Andaj, përveç aktiviteteve policore në këtë aspekt, Policia e Kosovës apelon te të gjithë pjesëmarrësit në trafik të kenë kujdes më të shtuar, të respektojnë rregullat dhe shenjat e trafikut rrugor, si dhe t’u përshtaten kushteve të rrugës dhe atyre atmosferike, për të pasur një siguri më të madhe në trafik përgjatë sezonit dimëror. Për të gjithë ata pjesëmarrës në trafik e në veçanti për drejtuesit e automjeteve, të cilët bëjnë shkelje të ligjeve e rregullave të trafikut, Policia e Kosovës do të ndërmarrë masa ndëshkuese sipas ligjeve në fuqi”, thuhet në njoftimin e Policisë.
