Fatmir Graiçevci

Fatmir Graiçevci: Dy dekada kemi investuar miliarda në shumëçka por jo në atë që është më kryesori, në njeriun

Janë mbresëlënëse disa tregime të mira që kanë porosi me vlera të jashtëzakonshme. Porosi që sa më herët t’i përmbushim aq më shpejt do ta ndërtojmë një të ardhme më të mirë. Tregohet se një prind i zënë pas punëve e karrierës, nuk arrinte të gjente dot kohë t’i përkushtohej fëmiut të tij ndonëse ia kërkonte çdo natë, pa ndërpre,  pak kohë për bisedë. Dhe një natë, prindi i thotë fëmiut: dëgjo, unë po e marr e po e bëjë copë copë këtë hartën e botës dhe kur ti ta kesh ribërë atë përsëri ashtu sikur ka qenë pak më parë, para se ta grimcoja unë, do të bisedoj me ty!? Pas pak minutave, fëmija i gëzuar hyn me hartën e rregulluar në kabinetin e prindit! Prindi i habitur se si ia kishte dal fëmija i tij ta rregulloi hartën e thërmuar prej tij copë- copë, e pyet i çuditur fëmijën  e tij:

– Po si e bëre, si ia dole kaq shpejt t’i ribashkosh copat e hartës së botës të shpërndara anekënd!?

– Ishte shumë e thjesht, o babi im!

– Po si ia dole kaq shpejt, kush të ndihmoi!?

– Askush por mbrapa hartës ishte portreti i një njeriu e unë duke rregulluar  njeriun e rregullova krejt botën!

   Mbase ky tregim mund të jetë udhërrëfyesi më i mirë se si mund ta rregullojmë Kosovën, Shqipërinë e pse jo edhe botën. Ndokush mund të qeshet teksa lexon fundin e fjalisë pararendëse por a nuk ishte Nënë Tereza nga mesi ynë!? A nuk e bëri ajo botën më t’mirë!? Ama qasja e saj ka dalluar shumë nga kjo e jona sepse ne mjaftohemi me konstatimin e parregullsive dhe gjithë energjinë e shpenzojmë duke sharë djathtas e majtas, lartë e poshtë dhe ulemi mandej këmbëkryq, të lodhur e të dërmuar nga energjia e shpenzuar në sharje e ankesa por pa ndryshuar asgjë. Nënë Tereza kishte tjetër qasje. Ajo nuk mallkonte por vepronte dhe rrallë jepte ndonjë këshillë që pasqyronte qasjen e saj: “Më mirë ta ndezësh një qiri se sa ta mallkosh terrin” ose “Më të mira janë duart që veprojnë se sa buzët që luten”. Është për t’u habitur edhe me predikuesit tonë fetar qoftë në xhamia apo kisha! Sa mirë ndjehet njeriu derisa dëgjon predikimet se çka duhet t’bëjm, por posa përfundon rituali, ndjesinë e mirë ta zëvendëson zhgënjimi! As edhe njëherë të vetme deri më tani s’kemi parë hoxhën ose priftin të përvjel mëngët pas ligjëratave dhe të prij në vepra konkrete të mira e në vendin tonë ka shumë për t’bërë, p.sh vizitën e ndonjë familje të dëshmorit apo martirit dhe t’ua shfaqim mirënjohjen për kontributin e dhënë për atdhe, apo mbjelljen e ndonjë peme, sikur porosiste Muhamedi a.s apo ndonjë vepër tjetër e cila bëhet jo me ligjërata e fjalime por me djers e mundime! Le të shpresojmë se do t’i shohim në të ardhmen.

 

   Nuk ka se si të mos i gëzohet njeriut ndërtimeve të shkollave anekënd Kosovës, shkolla që gjatë viteve të pushtimit as që kemi mundur t’i ëndërrojmë por gëzimi shuhet sakaq posa hynë brenda! Themi se shuhet sakaq sepse do vëresh se është vështirë të gjesh ndonjë bankë, karrige apo derë të padëmtuar e mure të njollosura! Mbase është mirë të reflektojmë se mos kemi ngatërruar qasjen, që në vend se të investojmë të kemi edhe nxënës dhe staf edukativo-arsimor të mirë që në çdo moment janë në nivel të detyrës, jemi mjaftuar të investojmë vetëm në objekte të reja! Kemi investuar vetëm në objekte të mira dhe kemi harruar se pa nxënës të mirë dhe staf edukativo-arsimor shembullor, nuk do qëndrojnë gjatë pa u dëmtuar shkollat e reja me inventar të ri. Por jo vetëm kaq. Kemi investuar edhe në parqe të reja por jo edhe në krijimin e një mendësie të re e cila do t’i ruante e nuk do t’i rrënonte ato parqe! Por jo vetëm kaq. Ka kohë që në Kosovë është një dukuri edhe më shëmtuese- ajo e dëmtimit të përmendoreve të heronjve, anekënd Kosovës! Kurrë nuk e harroj reagimin e një biqim drejtori teksa thoshte “nuk është bërë nami se është dëmtuar përmendorja e shkollës sepse fëmiju im ka dëmtuar edhe televizorin plazma me telekomandë” (!). Ja çfarë njerëz kemi vendosur për të drejtuar institucionet tona- që s’kanë respekt as ndaj më meritorëve  të kombit- dëshmorëve. Të tillit i është vazhduar kontrata e privilegjimit disa herë!!!

    Por jo vetëm kaq. Ka vite që kemi besuar se gjithçka këtu do të rregullohet duke investuar vetëm në infrastrukturë. Psikologu i shquar, Karl Jungu do të thoshte se kjo mendësi shfaq të pavetëdijshmen tonë kolektive të ndikuar fuqishëm nga marksizmit se baza e superstrukturës së një shoqërie përcaktohet nga infrastruktura e saj. Është i habitshëm distancimi verbal i sotshëm nga marksizmi në njërën anë dhe aplikimi i qasjes marksiste në anën tjetër! Është interesant nëse analizojmë edhe se si i jemi qasur rregullimit të fushës së shëndetësisë. Ka mbi dy dekada që është investuar disa herë në fasadimin e spitaleve, ndërrimin e dyerve e dritareve, nyjeve sanitare, asfaltimin e rrugëve dhe rregullimin  trotuareve në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ama jo edhe në krijimin e një mjeku të ri, kuadrove të reja shëndetësore me qasje dhe mendësi të re. Ne sikur kemi harruar se nuk janë dyert e dritaret, nyjet sanitare e as rrugët dhe trotuaret që shërojnë pacientët por kuadrot meritore mjekësore. Kjo vërtetohet më së miri nga mijëra raste që dërgohen për shërim jashtë vendit. Kur kujton milionat që shpenzohen për shërimin e qytetarëve tonë jashtë vendit, nuk ka se si të mos vije në mendje pyetja: po sikur milionat e shpenzuara në darka e dreka e udhëtime zyrtare jashtë vendit e mëditjet e majme nga këto udhëtime, t’i investonim në edukimin e mëtutjeshëm të mjekëve tanë, në mbështetjen e tyre me anë të bursave për specializim nëpër universitete të vendeve që kanë mjekësinë e avancuar, a do të kishim nevojë të shpenzojmë çdo vit miliona euro për shërimin e pacientëve tonë!? Kur kujton se sa i kushtojnë rëndësi vendet tjera krijimit të kuadrove dhe sa i kushtojmë ne, të bëhet sikur kemi humbur kontaktin me realitetin që mbretëron në vendet tjera. Kemi pasur kohë që 20 vite të investojmë në kuadro, jo vetëm në mjekësi por edhe në fusha tjera por na u desh pandemia të na këndellë se kemi mungesë të theksuar të infektologëve!!! Është shpresëdhënës fakti se ka student e kuadro ambicioze për vazhduar me avancimin dhe thellimin e studimeve të tyre në fusha të caktuara edhe më tutje por kjo shpresë shuhet sakaq posa kujton faktin se shteti në përgjithësi dhe ata që kanë marrë me qeverisë fushën e shëndetësisë në veçanti, nuk kanë vrarë mendjen për përkrahjen e tyre sepse janë marrë me rregullimin e fasadave, dyerve e dritareve, nyjeve sanitare dhe rregullimin e rrugicave e trotuareve!!! Të gjitha këto mund të rregullohen për 1 muaj por duhen dhjetëra vite investime për një kuadër meritor në një fushë të caktuar. Jo kuadër që e avancon libreza e partisë, militantizmi partiak e besnikëria për nanen parti por kuadër i ngritur nga përkushtimi, serioziteti dhe veprimtaria shkencore.

   Turr e vrapi për të investuar në infrastrukturë nuk ka munguar as në fusha tjera. Janë investuar edhe miliona tjerë në blerjen e veturave luksoze për policinë, ndërtesave milionëshe për gjyqtarë e prokurorë ama ja që hajninë, vjedhjen, zhvatjen e korrupsionin nuk po i luftojnë dot veturat e reja e as godinat e reja shumë milionëshe!? Mbase ka ardhur koha të reflektojmë mirë e mirë për ndërtimin e një njeriu të ri, njeri i cili mandej do të shkëlqente në të gjitha fushat, njeri për të cilin afër një shekull më parë na ka folur Migjeni në poezinë e tij për krijimin e njeriut të ri!

Të lindet një njeri

nga gjin’ i dheut tonë të rim me lot të vakët,

nga thalb’ i shpirtit tonë që shkrihet në dëshirë të flakët

për një gen të ri, –

Të lindet një njeri!

Pa hyll në ball – por që me fjalë të pushton,

Të dali një njeri!

Të mkambi një Kohë të Re!

Të krijojë një Epope!

Ndër lahuta tona të këndohet Jeta e Re…

   Mbase duhet që shoqëria jonë të reflektoj mirë e mirë për studimet dhe gjetjet mbresëlënëse të psikologut amerikan, Xhulian Roter. Në studimet e tij për personalitetin, ai kishte konstatuar se ka dy kategori të personaliteteve. Ata me vend kontroll të brendshëm dhe të tjerët me vend kontroll të jashtëm. Përderisa të parët besonin se sukseset, të arriturat, ndryshimet varen nga angazhimi i tyre, personalitet me vend kontroll të jashtëm besonin se gjithçka varet nga forcat e jashtme që nuk i kontrollojmë dot. Psikologu Xhulian Roter kishte konstatuar gjithashtu se në protestat anekënd Shteteve të Bashkuara të Amerikës kundër racizmit dhe në lëvizjet feministe, merrnin pjesë personalitet me vend kontroll të brendshëm përderisa ata me vend kontroll të jashtëm bënin sehir pasi besonin se ndryshimet në shoqëri shkaktohen nga forca të jashtme e jo nga angazhimi i tyre. Megjithëkëtë, ishin njerëzit me personalitet me vend kontroll të brendshëm që sjellën ndryshime anekënd botës. A nuk kemi me mijëra raste ne në Kosovës kur mossuksesin në teste apo provime ia atribuojmë fatit tonë të keq apo pyetjeve të vështira në teste apo provime por jo mos angazhimit më të madh për studim!? Le të angazhohemi që të kemi sa më shumë personalitete me vend kontroll të brendshëm e me mendësi që ndryshimet në vendin tonë dhe përparimi i tij varen ekskluzivisht nga angazhimi ynë e jo nga faktor të jashtëm, në rastin tonë, dyert e dritaret, nyjet sanitare, rrugët e trotuaret, veturat e ndërtesat milionëshe!

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …