Qerim Rexhaj

Qerim Rexhaj: NJËMBËDHJETË VARRE QË AKUZOJNË SERBINË FASHISTE

Me rastin e 76 vjetorit të masakrës së familjes Bardhecaj në Muzhevinë të Istogut nga Brigada serbo-çetnike e Tomë Zhariqit NJËMBËDHJETË VARRE QË AKUZOJNË SERBINË FASHISTE Familja Bardhecaj nga fshati Muzhevinë e Komunës së Istogut,konsiderohet si njëra ndër familjet më të vjetra të këtij fshati. Fati i kësaj familje, ashtu si fati i gjithë popullit shqiptar në trojet e tij,kaloi përmes valëve të jetës,dallgëve dhe shtrëngatave jo të pakta,vuajtjeve dhe përballjeve të pashembullta përgjatë pushtimit të Kosovës nga pushtuesit serb-malazezë. Që nga viti 1912 – 13 e në veçanti pas vitit 1918 represioni kundërshqiptar ishte aq i motivuar nga politika hegjemoniste serbomadhe,e cila kishte thurur plane nga më të pashembulltat, për ta shkatërruar deri në gjenezë popullin shqiptar, përmes vrasjeve,shpërnguljeve,burgosjeve, dhe rrëmbimit me dhunë të tokave shqiptare etj. Halit Bardheci,ishte njëri nga burrat e shquar të familjes Bardheci ,i cili nuk u shit, as nuk u përkul gjatë trysnisë që i ishte bërë nga pushtuesi, për t’u vënë në shërbim të interesave të tij. Si hakmarrje për këtë, ishte vrarë në pritë te Livadhet e Buta nga falangat paramilitare serbe. Kjo vrasje ishte planifikuar, për të krijuar gjendje të pasigurisë te familjet tjera shqiptare. Porosia ishte e qartë. Të gjithë ata që nuk e ulin kokën dhe që nuk vihen në shërbim të pushtetit pushtues serbomadh do të përjetonin këtë fat. Nga ky vit,vrasjet,rrahjet,burgosjet,arrestimet,djegiet e shtëpive,plaçkitjet,detyrimet tatimore ndaj shtetit okupues serb ishin shndërruar në dukuri të përditshmërisë kobzezë në Podgurin e Dardanisë. Vrasja e Halit Bardhecit,pati një jehonë të madhe të popullata e trevës së Istogut me rrethinë. Ajo la një zbrazëti të madhe në familjen Bardhecaj,por edhe te familjet tjera,të cilat ishin të lidhura ngushtë me truallin e të parëve,me rritën e tyre dhe traditën e cila po dhunohej padrejtësisht nga një okupator që shpërfillte Çdo gjë,madje edhe ligjet e vet natyrës dhe jetës. Kjo vrasje, përveç që mbolli frikë dhe pasiguri të shumë familje,rriti në heshtje edhe më shumë urrejtjen për hakmarrje kundër varrmihësve të trojeve shqiptare, regjimit okupator serbomadh. Rexhepi, djali i madh i Halitit, si i ri rritet me mungesën e madhe të babait, por nën përkujdesjen e vazhdueshme të nënës së tij Sofisë dhe xhaxhait të tij të madh, Bajramit. Koha kalonte, ashtu siç rrjedh uji nëpër shtigje dhe terrene të panjohura. Me kalimin e kohës edhe Rexhepi i ri shtonte shtat e krahas rritës e burrërimit, në qenien e tij rritej dhe grumbullohej dëshira për t’u hakmarrë për babain e tij dhe shumë bijë nënash që i kishte përbirë toka e zezë nga dora gjakatare e vojvodëve, xhandarëve dhe bandave kriminele serbe. Pas vrasjes së gjakatarëve me damkë si: Milic Kërstiqi nga Selman Kadria, Pantë Hashani, Arsenie Qyrku, Spiro Dellovci, Gal Tërziqi, Jer Malisha, Ars Peroviqi etj. nga forca të organizuara të Lëvizjes Kombëtare, në territorin e Podgurit, përkundër terrorit të shtuar, u ndie një lehtësim dhe këndellje, një shpresë që garantonte, se megjithatë, ky popull i shumëvuajtur ka forca që marrin hak sa herë që e kërkon e drejta dhe liria e kësaj toke. Si reagim i dhunës dhe terrorit sistematik serb, u krijuan edhe grupe të rezistencës shqiptare që kryenin veprime dhe atentate kundër eksponentëve të politikës shtypëse dhe terrorizuese të administratës serbe në Istog dhe më gjerë. Rexhep Haliti ,i cili, si synim të jetës kishte hakmarrjen për babain e tij, ngadalë, por sigurt po radhitej dhe forcohej në radhët e rezistencës kombëtare. Frymëzim për të ishin bërë kapedanët trima të Istogut me rrethinë si Musë Tahiri dhe Binak Perkiqi nga Vrella, Hajdin Zeka dhe Salih Hoxha nga Kodra e Shqiponjave, Tafë Imeri Shatri nga Tomoci, Adem Sejdi Rexhaj nga Cerrca, Sejdi Zenun Pepaj nga Lubozhda, Shaban Uka nga Lubova, Ramë Alia i Bajramajve nga Istogu etj. Nga këta kapedanë, Rexhepi do të kuptonte së hakmarrja personale për babain e tij, ishte shumë më e vogël, në krahasim me rezistencën dhe luftën për liri që duhej bërë secili burrë kundër pushtuesit serbë që kishte shkelur në vatrat tona. Pushtimi i Shqipërisë dhe Kosovës më 1939 nga Italia fashiste, nën parullën së kemi ardhur jo si pushtues, por si çlirimtarë, për të krijuar Shqipërinë e Madhe, te një pjesë e popullatës u pritë mirë, pasi okupatori i ri italian e më vonë gjerman, në krahasim me pushtuesin gjakatar serb ishin më tolerantë në shumë fusha jetësore. Bijtë e Podgurit, të organizuar në shumë çeta vullnetarësh, kishin marrë armët për të mbrojtur kufijtë veriperëndimor, verior dhe verilindor të trevave shqiptare, të cilat ishin vënë në shënjestër të sllavo-komunistëve partizano-çetnikë, për t’u rikthyer në Kosovë dhe në vise tjera me parullën demagogjike: të “vëllazërim-bashkimit”. Në këto luftime të rrepta për mbrojtjen e kufijve etnikë të Kosovës merr pjesë edhe Rexhep Haliti krahas luftëtarëve të shquar të asaj kohe si Sejdi Zenuni, Arif Zeka, Adem Sejdia, Avdyl Zeka, Fekë Bajrami, Shpend Alia, Halil Sadiku, Rrustem Nimani, Tal Kurteshi e shumë të tjerë. Këto luftëra do të vazhdojnë përgjatë vijës kufitare nga Çakorri e Kulla e deri në Tregun e Ri, shpeshherë në përballje edhe fyt më fyt. Më 17 Nëntor të vitit 1944 Brigada e III Shqiptare çliron Istogun nga okupatori gjerman dhe për herë të parë në sheshin e Istogut ngrihet flamuri shqiptar. Pas ngritjes së pushtetit popullor në trevën e Istogut, kjo Brigadë së cilës do t’i bashkëngjitën edhe dhjetëra e qindëra djem të Istogut me rrethinë marshon për të çliruar vende të tjera nga okupatori gjerman. Çuditërisht, në fund të muajit nëntor, pas shuarjes së rezistencës së vullnetarëve shqiptarë në mbrojtjen e kufijve veriorë, pas një rezistence të fortë që u bëhet forcave pushtuese në treva të ndryshme të Istogut dhe Podgurit si në Dobrushë,në Kodrën e Dydeshit dhe vende tjera, ku merr pjesë edhe Rexhep Haliti, në Istog depërtojnë Brigada malazeze e Bokës e njohur si Bokeshka, Brigada dhe formacione tjera partizano-çetnike të njohura për krimet e pashembullta që kishin bërë mbi popullatën shqiptare pas vendosjes të Komandës së Vendit në Istog, të përbërë kryesisht nga serbë e malazezë. Po atë fund dhjetori dhe fillim janari të vitit 1945, OZNA famëkeqe do të lëshohet në gjueti për arrestimin e personaliteteve më të dëshmuara të kësaj treve që luftuan dhe u dëshmuan kundër ripushtimit të Kosovës nga ushtritë pushtuese sllavo-komuniste. Eshalonet partizano-çetnike të Titos, pa humbur kohë, në fillim të muajit dhjetor dhe të muajit janar, pasi që më parë nga kreu jugosllav kishte shpallur administratën ushtarake në gjithë Kosovën, filluan ekspeditat ndëshkuese të arrestimeve, torturave dhe vrasjeve pa gjyq te të gjithë atyre luftëtarëve të shquar që iu kishin kundërvënë me armë, ripushtimit të Kosovës nga ana e Jugosllavisë. Në këtë vazhdë në komunën e Istogut me rrethinë, u vranë Fazli Syla, Col Bajraktari, Bajram Ramë Zeqiraj, Ali Xhemë Shatri, Adem Arifi, Ramë Alia, Bajram Gashi, Sylë Ahmeti, Brahim Ahmeti, Ahmet Nuhi, Nezir Rexhepi, Bajram Sokoli, Salih Sokoli, Fanë Elezja nga Prekalla, Bajram Rexhepi,Idriz Lipaj,Rrustë Rugova , Ukë Rugova,Rrustem Kadaj,Zhujë Haliti,Zenun Blakaj, Hazir Januzaj, Nezir Xhemail Blakaj, Beqir Blakaj, Fekë Jahaj, Metë Graboci, imami Haxhi Jaha e shumë të tjerë që u torturuan e u vranë mizorisht në Kullën Popit. Data e 5 janarit të vitit 1945 ishte ditë i kobshëm edhe për familjen Bardhecaj nga Muzhevina. Mbrëmjen e 4 janarit Rexhep Haliti duke e parë gjendjen e rëndë nëpër të cilën po kalonte populli i ynë e sidomos bashkëluftëtarët e lirisë, të cilët po ndiqeshin këmba këmbës nga OZNA dhe formacione ushtarake, lë takim në odën e Dul Demës nga Muzhevina, për t’u konsultuar për veprime të mëtutjeshme. Rexhepi zgjidhjen e vetme e shihte rezistencën në mal, por assesi dorëzimin të ata që i kishte luftuar me tërë qenien e tij. Atë natë, në odën e Dulit, ishin prezent edhe Tahir Nici, Zeqir Dema, Halil Imeri, Salih Neziri, nipi i Demës, etj. Mëngjesi i 5 janarit, të pranishmit në odën e Dul Demës i zgjon një breshëri automatiku e shoqëruar me urdhrin në gjuhën serbe: “-Dorëzohuni se jeni të rrethuar!”. Dhjetëra partizanë e çetnikë të Brigadës së Tomë Zhariqit kishin zënë pozicione lufte. Një zë përtej avllisë, në gjuhën serbe, tregonte më vonë Rexhep Haliti, jehoi: “-E dimë që brenda po e fshihni Rexhep Halitin, një kriminel lufte, dorëzojeni ose do të iu djegim të gjallë të gjithëve!” Dul Dema i qe përgjigjur thirrjes së komandantit çetnik : “Kurrë, shtëpia ime nuk dorëzon askë, lë t’i dal tymi në të katër anët!” Rexhepi me një strategji prej luftëtari bën kinse po dorëzohet dhe me një shpejtësi të madhe kapërcen avllinë e oborrit. Aty kishte qëlluar një partizane në pozicion, e cila i drejtohet Rexhepit : “-Gde qesh da pobegnesh turqine jedna!” duke qëlluar njëkohësisht edhe me pushkë në drejtim të tij. Rexhepi, ndonëse i plagosur, kthehet dhe e qëllon tri herë duke e lënë të vdekur. Nëpër flakët e pushkëve, duke rezistuar me armë, arrin të tërhiqet deri afër lumit Istog. Duke e shfrytëzuar ndjekjen ndaj Rexhepit, nga shtëpia largohen të gjithë meshkujt tjerë, por gjatë tërheqjes, mbetën të vrarë kryefamiljari i shtëpisë, Dul Dema dhe nipi i tij Sali Neziri. Gjatë tërheqjes, Rexhepi i plagosur ndihmohet nga Ali Mustafa, i cili rastësisht kishte qëlluar atë mëngjes duke u kthyer nga miqtë në shtëpinë e tij. Për plagosjen e Rexhepit njoftohen vëllezërit Avdyl dhe Hajdar Zekë Rexhaj, të cilët e strehojnë dy ditë në shtëpinë e tyre e pastaj e përcjellin në Studenicë te Nuredin Rama dhe Nimon Fazlia, të cilët përmes barërave mjekësore përpiqen t’ia shërojnë plagët. Duke mos mundur ta zënë rob apo edhe ta vrasin, çetnikët serbo-malazezë nën udhëheqjen e Tomë Zhariqit, mllefin e tyre shovinist kthehen për ta shfryrë në familjen e Rexhep Halitit. Nga shtëpia i nxjerrin gjithë familjarët që ndodheshin brenda dhe i pushkatojnë pa gjyq 11 antarët e familjes Bardhecaj, prej të cilëve: Selmani 50 vjeç, Fazilja 48 vjeç, Tima 45 vjeç, Hala 18 vjeç, Shabani 17 vjeç, Haliti 7 vjeç, Sadiku 5 vjeç, Sofa 3 vjeç, Mejremi 3 vjeç, Fatimja 2 vjeç, Vasa 6 muajshe e vrarë me 22 plumba në djepin e saj, djep të cilin kjo familje e ka ruajtur deri në luftën e fundit, por që është djegur bashkë me shtëpinë e kësaj familje, poashtu nga ushtria dhe policia serbe e Sllobodan Millosheviqit. Nga kjo familje kishte shpëtuar vetëm një vajzë 14 vjeçare që nuk kishte ndodhur në shtëpi dhe djali i Rexhepit, Ibishi, i cili i plagosur, kishte arritur të shpëtoj nga plumbat e eskadronit të vdekjes të serbo-çetnikëve jugosllavë. Kjo gjëmë e familjes, Rexhep Halitin, gjysmë të shëruar, e gjënë përsëri me pushkë në dorë në bjeshkët e Studenicës. Me iniciativën e Rexhë Muratit, një shqiptari dhe atdhetari të shquar, i trevës së Istogut, përmes ndërmjetësit Ramë Bajram Vuthaj nga Muzhevina, e bindin Rexhepin të dorëzohet duke i premtuar amnisti. Rexhepi, pas dorëzimit, fillimisht merret në bisedë informative nga OZNA, pastaj nga organet e gjyqit serb dënohet me dënim për vdekje, dënim të cilin filloi ta vuaj në Burgun e Gurrakocit. Rexhë Murati, përmes një ankese të dërguar në adresë të Titos, arrin ta bindë atë duke e njoftuar për gjithë tragjedinë që kishte pësuar familja e Rexhepit nga partizanët e tij. Lajmin për falje ia kumton Ruzha, një eksponente dhe antishqiptare e përbetuar. Ajo, pasi kërkoi që Rexhepi të ngrihej në këmbë, i tha :”-Thuaj tri herë: “rroftë shoku Tito!” Rexhepi, ende pa e kuptuar së ku donte të dilte ajo, iu përgjigj:”- Nuk mund të them rroftë , pasi ushtria e tij ma kanë vra tërë familjen”! “-Ai ta ka falur jetën, thuaj: “-Rroftë shokuTito”! Rexhepi edhe njëherë iu përgjigj: “-Ma keni vra krejt familjen. Për mua, jeta ime më nuk ka rëndësi”! Pasi u lirua nga burgu Rexhepi u martua edhe njëherë në moshën 43 vjeçare për të ripërtërirë atë që mund të ripërtërihej në familjen e tij pothuajse të shuar. Me gruan e dytë pati djem e vajza, nipa e mbesa, të cilët sot jetojnë në Kosovë dhe në botën e jashtme. Vdiq më 1982 dhe u varros me nderimet më të mëdha në varrezat e Istogut.

Kontrolloni gjithashtu

Shpresa Bajraktari: Krenari – 80 vjetori i çlirimit të Tiranës !

Krenari – 80-vjetori i Çlirimit të Tiranës! 17 nëntori 1944 është Dita e Çlirimit të …