Rritje e lehtë e numrit të të infektuarve në komunën e Vitisë

Këshilli Komunal për Mbrojtje dhe shpëtim në komunën e Vitisë, ka mbajtur mbledhjen e rregullt me ç’rast ka vlerësuar gjendjen aktuale në komunën e Vitisë, me rastet e reja të të infektuarve, por edhe me situatën në teren pas reshjeve të pandërprera të shiut. Duke raportuar për gjendjen me Covid 19, zëvendëskryetari i komunës Hasan Aliu, njoftoi se në tri ditët e fundit është shënuar rritje e rasteve të infektuar. Në bazë të këtyre të dhënave, në komunën e Vitisë janë 48 raste aktive, prej tyre 6 janë të hospitalizuar. Komandanti i stacionit policor në Viti, kapiten Afrim Halili, kërkoi angazhim maksimal që situata të mbahet nën kontroll, në mënyrë që mos të ketë rritje të numrit të rasteve të infektuar. Sipas kapitenit Halili, brenda javës që shkoi, policia në Viti ka shqiptuar diku 80 gjoba për mosrespektim të masave anticovid. Gjithashtu, u kërkua respektim i masave për parandalim e infektimit dhe të vazhdohet të bartet maska në vende publike. Kurse drejtori i Shërbimeve Publike dhe Emergjencë, Nexhmedin Jakupi, tha se situata pas reshjeve të shiut gjatë 48 orëve të fundit, është nën kontroll. Intervenime ka pasur në Viti në disa pjesë ku ka pasur mbyllje të kanaleve. Në Drobesh është gjendje më e vështirësuar, ku ka pasur depërtim të ujit nëpër bodrumet e disa shtëpive, e po ashtu edhe përmbytje të oborreve. Ndërkohë, u apelua që për çdo nevojë sa i përket vërshimeve të mundshme në orët në vazhdim, të raportohet tek ekipet e Emergjencës pranë Drejtorisë së Shërbimeve Publike.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …