Zymer Mehani

Zymer Mehani: Vëllimi poetik, “Na bashkoi poezia rreth flamurit”, të përgatitur nga poetët Ymrije Beqiri e Ilmi Dervishi

Vëllimi poetik “Na bashkoi poezia rreth flamurit” nga grup autorësh, i përgatitur nga poetët e talentuar Ymrije Beqiri e Ilmi Dervishi, u realizua për t’u botuar në përvjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, që ndryshe quhet edhe Dita e Flamurit tonë Kombëtar, pra në datën e 28 nëntorit, në të cilën ndodhën shumë ngjarje me rëndësi tepër të madhe për kombin tonë, kur në atdheun tonë ishin lindur edhe dy figura të shquara kombëtare, Adem Jashari dhe Zahir Pajaziti, të cilët të betuar nën peshën e flamurit kuq e zi, na e lanë amanet fjalën e tyre të fundit:

-Për lirinë e Atdheut kurrë s’duhet pushuar së luftuari!

Po, është kjo porosi e shkruar edhe mbi shumë pllaka të varreve të dëshmorëve e të lapidarëve, që duhet të përcillet brez pas brezi te çdo shqiptar.

I kujtojmë me krenari Ademin dhe Zahirin, komandantët e UÇK-së, e cila po ashtu u shfaq publikisht më 28 nëntor 1997 në Drenicën heroike.

Sa madhështore është për një popull edhe një fjali, si ajo e Fehmi Lladrovcit:

-Për lirinë e atdheut, po t’i kishja, do t’i jepja edhe dy jetë.

Kjo dëshmon se ky popull ka pasur bij të denjë dhe se rënia e tyre është përjetësuar në vargjet shqipe si kurorë admirimi dhe lavdie, ngase ata ishin brumosur me atdhedashuri që në gjirin e nënës.

Bijtë e bijat e kombit tonë asnjëherë nuk lejuan që i huaji të luante me gjuhën dhe me simbolet tona kombëtare. Sa e sa dëshmorë kombëtarë do të ecnin drejt përjetësisë duke i thënë armikut, se kjo Tokë ka emër, gjuhë dhe flamur dhe kurrsesi nuk lejon të ndëshkohet e të sfidohet nga të huajt dhe se o me hirë o me pahirë një ditë do të Ribashkohet.

Madhështore do të jenë të gjitha poezitë e vëllimit “Na bashkoi poezia rreth flamurit”, që e përjetësojnë në art atdheun dhe flamurin tonë kombëtar, siç ishin madhështorë edhe shumë atdhetarë të Kuvendit Historik të Vlorës, të cilët edhe me jetë do ta paguanin, po të ishte nevoja, por shpalljen e Pavarësisë gjithsesi do ta bënin. Po, pas Skënderbeut do të rreshtohen shumë emra si: Ismail Qemali, Isa Boletini, Luigj Gurakuqi, Hasan Prishtina e shumë të tjerë, të cilët nuk do të lejonin, që mbi këtë tokë, në vend të gjuhës shqipe dhe të flamurit kuq e zi të gjallëronin gjuhë të tjera dhe të valëviteshin flamuj të tjerë, që kishin një qëllim të vetëm – shuarjen e gjuhës shqipe. Këta trima ishin këmbëngulës që gjuha jonë të flitej lirshëm, e cila u trashëgua brez pas brezi nga pellazgjishtja dhe po këta burra atdhetarë nuk e lejuan asnjëherë përdhosjen e flamurit tonë kombëtar, që shqiptarëve u priu në luftëra të parreshtura për liri që nga Moti i Madh i Skënderbeut e deri në luftën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

E përgjakshme do të ishte jeta e Atdheut dhe shekujt do ta rëndonin me motet e robërisë, po mos të ishin atdhetarët që u sakrifikuan për gjuhën dhe flamurin, për shkëmbin e gurin, fushën dhe malin, lumin e detin.

Heronjtë nuk u stepën as u ndalën për asnjë çast.

Do t’i rikujtojmë me krenari bëmat e Motit të Madh, do ta rikujtojmë madhështinë e Aleksandrit, Pirros e Skënderbeut, do ta rikujtojmë shqiptarin e vërtetë, që dashuri mbi dashuritë pati veç atdheun, të cilin me gjoksin hapur sikur Mic Sokoli e mbrojti me gjak dhe nder, duke ia rikthyer lavdinë bashkë me lirinë tokës që e lindi dhe rriti, nënës Shqipëri.

Dritë lirie do të dukej mbi retë e robërisë, sepse si rreze lirie do të shfaqeshin në qiellin e atdheut dëshmorët si Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha, Shabani, Ademi e Hamzai, Fehmiu e Xheva, Antigonë Fazliu e Vëllezërit Haradinaj e shumë e shumë të tjerë, të cilët luftuan e qëndruan nën flamurin kuq e zi. U betuan në Shqipen Dykrenare se do ta rilindnin madhështinë e Atdheut dhe do t’ia kthenin krenarinë duke i kërkuar dhe vizatuar me gjakun çlirimtar kufijtë e Shqipërisë Natyrale, të lodhur e të drobitur nga robëria dhe të rrudhur e të tkurrur gjithandej nga barbarët.

Rilindja e popullit tonë bashkë me atdheun, do t’i bënte edhe kufijtë e vetë, do t’i bashkonte Çamërinë e Kosovën Lindore, Malësinë e Madhe e Iliridën në NJË SHQIPËRI. Edhe pse jeta me luftëra çlirimtare për ne shqiptarët ishte tejet e gjatë, jehona e tyre ushqeu shpresat dhe dashurinë për komb e atdhe, që nuk shteron edhe sot e kësaj dite – Atdheu në një shtet, apo të themi më mirë, Ribashkimi i Shqipërisë. Po, është ky mendimi dhe qëllimi i shqiptarëve anekënd globit, që gjallëron përpjekjet në kërkim të lirisë, që një ditë jo të largët do ta bëjmë realitet Ribashkimin e Shqipërisë, kur padrejtësinë e madhe historike do ta kthejmë në drejtësi të vonuar dhe më kurrë s’do të lejojmë për t’ u ndarë…

Prangat e robërisë, asnjëherë nuk do t’i ndalojnë shqiptarët, që të ecin drejt lirisë dhe se Ribashkimi Kombëtar do të mbetet e vetmja alternativë dhe i vetmi qëllim për të gjithë shqiptarët të lodhur nga copëtimi dhe nga robëria. As edhe vdekja që jepet nga armiqtë e botës nuk do t’i ndalojë dasmorët e lirisë për ta Ribërë Shqipërinë Natyrale.

Valëvitja e flamurit në Vlorë, brenda shtetit shqiptar, prore do të mbetet e vetmja gjuhë – thirrje për bashkim gjithandej Atdheut të të gjitha trevave, që padrejtësisht kanë mbetur jashtë kufijve të shtetit shqiptar. Rezistenca shqiptare, do të rilindë përsëri dhe parësore do ta kenë Ribashkimin e Atdheut, popullin dhe lirinë.

Gjenocidin dhe spastrimet etnike nga hordhitë greke e sllave, shqiptarët nuk do t’ia lënë harresës. Plagët bashkë me qëndresën, vdekjet e varret do të ringjallen dhe do ta hapin kaptinën e re, në Librin e madh të Historisë Kombëtare, duke e kurorëzuar me aktin përfundimtar e që është Ribashkimi i Shqipërisë.

Shqiptari nuk do të pushojë edhe larg vendlindjes, larg atdheut, së përpjekuri dhe së vepruari si atdhetar edhe në Amerikën e largët dhe gjithandej botës, deri në arritjen e Ribashkimit Kombëtar. Duke i patur parasysh të gjitha këto fakte që u përmendën, edhe në vëllimin poetik “Na bashkoi poezia rreth flamurit” shpirti dhe mendja e poetëve tanë, mbetet e lidhur fort në idealin e çlirimit të Atdheut dhe të bashkimit të trojeve shqiptare, të ndara padrejtësisht.

Të preokupuar vazhdimisht me lirinë dhe Atdheun, nuk është çudi se në pjesën dërrmuese të krijimeve të poetëve dominon tema e madhe e Atdheut, tema e kremtimit të festave në liri dhe tema e flamurit dhe e ribashkimit.

Poezia e poetëve në këtë përmbledhje, na del edhe si një poezi kushtruese, një poezi në të cilën dominon ideja e atdhetarizmit, ku sublimon ideali i lartë për një Atdhe pa ndarje, në të cilin shqiptarët do të jetonin me dinjitet të panëpërkëmbur në tokën e tyre të mohuar.

Sot, bota shqiptare si dje, vazhdimisht është në kërkim të lirisë dhe Ribashkimit të Atdheut në një shtet, bashkë me popullin edhe poetët, të cilët i prijnë kësaj rruge.

Porosia e këtyre poezive është një porosi e bukur për brezat, që të mos mbeten pikë e pesë të pagëzuar si: shqiptarë, kosovarë, çamë etj, por, të mbeten ata që ishin si gjithmonë -vetëm shqiptarë.

Në kontrast me territoret shqiptare gjeografikisht e administrativisht të copëtuara, libri që keni në duar nuk e ka këtë fat, sepse në të i takojmë poetët shqiptarë, që vijnë nga tërë gjeografia jonë etnike.

Pra, u kuptua mirëfilli se vargjet e thurura bukur, të brumosura me plot atdhedashuri, në këtë përmbledhje i këngëtojnë poetët nga Shqipëria aktuale, nga Kosova, nga Lugina e Ilirida, por edhe nga diaspora.

2.

Të flasësh për vëllimin poetik “Na bashkoi poezia rreth flamurit” do të thotë, në radhë të parë, të flasësh për lidhjet e këtyre poezive me fatet e atdheut tonë, me festën e 28 Nëntorit, me Flamurin tonë Kombëtar, me Krujën e të madhit Skënderbej, me Kuvendin Historik të Vlorës, me Plakun mjekërbardhë, Ismail Qemali dhe me bashkëluftëtarët e tij…

Të gjitha këto momente të historisë sonë kombëtare janë pasqyruar edhe në këtë përmbledhje përmes vargjesh, përshkrimesh dhe tablosh historike të detajuara në motive konkrete gjithnjë atdhetare, në pasqyrime emocionuese aktesh e portretesh, në reflektime poetike ndjenjash e mendimesh frymëzuese.

Aq më tepër, në këtë përmbledhje dominon pra tema e fateve të atdheut, e lirisë, e dinjitetit dhe e krenarisë kombëtare, tema e besimit në të ardhmen, e përparimit dhe e përspektivës historike të kombit tonë, tema e mbrojtjes së trojeve shqiptare, e gjuhës, e flamurit si dhe kryetema e Ribashkimit të Atdheut tonë. E të gjitha këto gjetën bazament të fortë nëpër faqet e historisë sonë të lavdishme kombëtare, që ne poetët i shfrytëzuam për t’i shtjelluar në vargjet tona, secili në mënyrën e vet të këndvështrimit. Dhe fatmirësisht poetët ia kanë dalur me sukses që këtyre temave t’u japin tretman estetik, gjë që është thelbësore për artin në përgjithësi.

Shikuar nga këndi i realizimit artistik, poezitë e këtij vëllimi na shfaqen si heterogjene, për faktin se janë të shkruara nga shumë poetë. Prandaj është krejt e natyrshme që vargjet këtu na dalin si jounike në modelim.

Në vëllim kemi vargje llojesh të ndryshme, si vargun e lidhur, vargun e bardhë, vargun e thyer etj. Te vargu i lidhur i rimuar, hetohet dominimi i një ritmi uniform ngase ruhen veçoritë esenciale të ritmit. Poezitë kryesisht janë të pasura me figuracion poetik dhe e kanë mjaft të kamufluar kuptimin e vargjeve.

Nga ky vëllim poetik, po kuptohet qartë se nuk mund të nxirret një model i njëjtë i vargëzimit, sepse siç u tha edhe më heret, këtu kemi një shumësi modelesh e stilesh dhe për pasojë vërehet një polimorfi poetike, që vërtet përmbledhjes ia shton vlerën artistike më tepër.

Te poezitë e thurura në vargun e lidhur dominojnë konvencat e forta strofike, por në disa poezi paksa më të gjata teksti nuk i nënshtrohet shabllonit të ndarjes në fragmente, por logjikës spontane të rrëfimit.

Kryesisht poezitë e vëllimit “Na bashkoi poezia rreth flamurit” dalin mjaft të realizuara edhe kuptimisht, edhe estetikisht dhe libri vërtet shquhet për varietet vlerash poetike.

Duke i patur parasysh të gjitha këto fakte që u përmendën, del se në këtë përmbledhje poetike shpirti dhe mendja e poetëve tanë, mbetet e lidhur fort në idealin e ribashkimit të Atdheut dhe të trojeve tona shqiptare, të ndara padrejtësisht.

Të preokupuar vazhdimisht me lirinë dhe Atdheun, nuk është çudi se në pjesën dërrmuese të krijimeve të poetëve dominon tema e madhe e Atdheut, tema e kremtimit të festave në liri dhe tema e flamurit dhe e ribashkimit.

Poezia e poetëve në këtë përmbledhje na del edhe si një poezi kushtruese, një poezi në të cilën dominon ideja e atdhetarizmit, ku sublimon ideali i lartë për një Atdhe pa ndarje, në të cilin shqiptarët do të jetonin me dinjitet të panëpërkëmbur në tokën e tyre të mohuar.

Porosia e këtyre poezive është një porosi e bukur për brezat, që të mos mbeten pikë e pesë të ndarë e të përçarë dhe të pagëzuar si: shqiptarë, kosovarë, çamë etj, por, të mbeten ata që ishin si gjithmonë –vetëm shqiptarë.

Në faqet e këtij libri poetët nga të gjitha viset e Shqipërisë Natyrale kanë thurë vargje plot frymëzim, në të cilat i është kënduar Flamurit tonë kombëtar, figurave tona të shquara kombëtare, viseve tona të bukura shqiptare etj etj, por janë denoncuar edhe lakmitë dhe pretendimet a tendencat shoveniste ndaj trojeve shqiptare, si edhe padrejtësia e madhe që iu bë shqiptarëve me copëtim të tërësisë territoriale në pesë-gjashtë shtete, si dhe është himnizuar atdhedashuria dhe heroizmi i popullit tonë në mbrojtje të atdheut.

Me gjithë këtë bagazh poetik, përmbledhja “Na bashkoi poezia rreth flamurit” është një vepër e re poetike, që do të qëndrojë me dinjitet në piedestalin letrar shqiptar përkrah krijimeve më të mira poetike, duke e pasuruar kështu fondin e poezisë artistike atdhetare te ne përgjithësisht.

Ky vëllim poetik është ndërtuar si një bisedë e ngrohtë e sinqertë dhe intime e poetëve me atdheun, me gjuhën dhe me flamurin, ku çiltërsia e ndjenjave gërshetohet organikisht me figurat e pasura, të thjeshta e komunikuese, ku shprehjet poetike rrjedhin natyrshëm dhe me plot lirizëm.

Veprës, veç tjerash, vlerën ia shton edhe laryshia e stileve, gjuha e thjeshtë, e përdorur me shumë kujdes, e kuptueshme dhe komunikuese, figuracioni i pasur poetik: si dhe llojet e vargjeve me ritëm, rimë e meter të ndryshëm, elemente këto me vlera të larta teoriko-letrare, që kësaj përmbledhjeje i japin freski dhe gjallëri.

 

Kontrolloni gjithashtu

Doli nga shtypi vëllimi 19-të i monografisë “Feniksët e lirisë” 

Doli nga shtypi vëllimi 19-të i monografisë “Feniksët e lirisë” 

Në vazhdim të realizimit të projektit për botimin e monografisë për dëshmorët e Ushtrisë Çlirimtare …