Fazli Halil Krasniqi (21.2.1974 - 12.4.1999)

Fazli Halil Krasniqi (21.2.1974 – 12.4.1999)

Njëri prej vendbanimeve të rajonit të Drenicës, i cili gjatë gjithë shekullit njëzet ka lënë gjurmë të pashlyeshme në përpjekiet e popullit shqiptar për çlirim dhe bashkim kombëtar është edhe Negrovci. Pas pushtimit të Kosovës nga okupatori serb më 1913 e deri te shporrja e pushtuesit nga këto troje, atdhetarët e fshatit Negrovc nuk rreshtën përpjekjen për luftimin e pushtuesit serb. Njëri nga ata që pa hezitim iu përgjigjën thirrjes së atdheut dhe Komandantit Legjendar Adem Jashari për luftë të armatosur për liri, ishte edhe i riu Fazli Krasniqi.

Fazliu u lind më 21.2.1974 në Negrovc të Drenasit. Ishte fëmija i shtatë i Halil e Fetie Krasniqit, të cilët patën dhjetë fëmijë (gjashtë vajza e katër djem). Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa atë të mesmen në shkollën “Leonik Tomeu” në Drenas.

Fazli Krasniqi ishte nxënës i shkëlqyeshëm si në mësime ashtu edhe në sjellje, mirëpo kushtet e rënda ekonomike dhe situata politike, e cila gjithnjë e më tepër po përkeqësohej si pasojë e dhunës sistematike serbe ndaj popullatës shqiptare në Kosovë, e sidomos ndaj të rinjve në veçanti, ndërpreu ëndrrën e Fazliut, sikurse edhe të shumë bashkëmoshatarëve të tij që t’i vijonte studimet në njërin prej fakulteteve të Universitetit të Prishtinës. Meqenëse jetonte në një familje numerikisht të madhe, Fazliu ishte i detyruar, përkrah vëllezërve më të mëdhenj, të bënte punë të rënda fizike, për të siguruar ekzistencën ekonomike të familjes. Gjatë kësaj kohe bie në kontakt me ilegalen patriotike, e cila vepronte në këto anë, duke u furnizuar me fletushka të ndryshme, të cilat botoheshin dhe shpërndaheshin kohë pas kohe. U angazhua në radhët e Lëvizjes Popullore të Kosovës, me ç’rast angazhohet në ngritjen e vetëdijes kombëtare te të rinjtë për domosmdoshmërinë e përgatitjes për kryengritje të armatosur.

Me themelimin e pikës ushtarake të UÇK-së në Negrovc, më 26.4.1998, u bë pjesëtar i UÇK-së, ndërsa pas ristrukturimit të saj në vjeshtë të vitit 1998, u sistemua në Kompaninë e I-rë të Batalioni III-të të Brigadës 113 ”Mujë Krasniqi” të Zonës Operative të Drenicës.

Dëshmori i lirisë Fazli Krasniqi gjatë stërvitjeve ushtarake në Qendrën Stërvitore në Negroc, së bashku me shumë të rinj të tjerë, kishte treguar shkathtësi të jashtëzakonshme për t’u ballafaquar me sukses në raste të veçanta.

Më 5 qershor 1998, një grup rekrutësh të UÇK-së prej 50 vetash, nga fshatrat Kisharekë, Arllat, Negrovc, Nënkala, Damanek e të tjera u nisën për në Shqipëri me qëllim të sigurimit të armatimit, municionit si dhe të uniformave ushtarake. Në mesin e tyre ishin edhe Hysni Jetullahu, Bejtë Nebihu, Mustafë Hoxha nga Damaneku, Bejzat dhe Fazli Krasniqi, Afrimi nga Negroci dhe shumë të tjerë nga fshatrat e lartpërmendura. Rruga ishte e largët dhe me mjaft rreziqe. Me të arritur në fshatin Damjan të Gjakovës afër brezit të vdekur kufitar, kalojnë kufirin dhe vendosen në fshatin Vlahnë të Shqipërisë. Aty armatosen të gjithë. Ishte gëzim i papërshkrueshëm, kur të rinjtë për herë të parë po vishnin uniformën e UÇK-së. Në natën e 10 e 11 qershorit 1998, Fazliu humb disa prej shokëve në pritën që u kishin organizuar forcat serbe në kufirin që padrejtësisht i ndante shqiptarët. Me gjithë dhembjen për humbjen e bashkëfshatarit dhe bashkëluftëtarit, Bejzat Krasniqit dhe të dhjetëra luftëtarëve të tjerë, si dhe për plagosjen e disa të tjerëve, dëshmori i kombit për asnjë çast nuk u dëshpërua, por vazhdoi të japë kontributin e vet në luftën që tashmë po bëhej gjithnjë e më e ashpër.

Fazliu, së bashku me bashkëluftëtarët e tjerë të Kompanisë së Parë të Batalionit të Tretë të Brigadës 113 “Mujë Krasniqi”, u përball vazhdimisht me luftime të ashpra kundër forcave militare dhe paramilitare serbe, kurse jo rrallë edhe në distanca fare të vogla.

Fazliu ka qenë i fejuar, por ëndërra e tij për të krijuar familje, u ndërpre më 12. 4.1999 në Malet e Negrovcit, pas një lufte të pabarabartë me armikun serb. (I. S.)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …