Hamdi Hajzer Qallapeku (28.6.1949 – 12.4.1999)

Hamdi Hajzer Qallapeku (28.6.1949 – 12.4.1999)

Dëshmori Hamdi Qallapeku ka lindur në fshatin Qëndresë të Drenasit, më 28 qershor të vitit 1949. Në shkollën e këtij fshati kishte kryer arsimin fillor. Pastaj kishte ndjekur një kurs aftësimi për murator. Për sigurimin e ekzistencës ekonomike të familjes, kryesisht punoi në bujqësi dhe në ndërtimtari si murator.

Prindërit e Hamdiut, Hajzeri e Nuria kishin rritur gjashtë fëmijë: Mujën, Sejdiun, Fazliun, Fahrien, Zylfien e Shefkien. Hamdiu dhe bashkëshortja e tij, Zarifja lindën e rritën tetë fëmijë, të cilët sot ndihen krenarë për babain dëshmor: Burbuqen, Nurien, Shkurten, Zarifen, Armendin, Kaltrinën, Albertin dhe Alberitën.

Menjëherë pas betejës në Qirez e Likoshan dhe sidomos pas asaj në Prekaz, në fundshkurt dhe fillimars të vitit 1998, djemtë dhe burrat e fshatit Qëndresë ishin mobilizuar për ta organizuar rezistencën kundër forcave të pushtuesit shekullor serb, të bindur se kishte ardhur koha kur këtyre forcave duhej përgjigjur me krismën e armëve të lirisë. Për këtë qëllim, luftëtarët Hamdi Qallapeku, Halit Qallapeku, Halim Qallapeku, Mujë Qallapeku, Rexhep Qallapeku, Hajrush Qallapeku, Bajram Qallapeku, Tafil Spahia, Sahit Spahia, Imer Mulaj, Vesel Hajdinaj e trima të tjerë, e kishin formuar pikën ushtarake, të gatshëm për t’u përballur me pushtuesin. Armatimi i luftëtarëve të kësaj pike përbëhej nga një mitraloz i lehtë, një automatik M-47, tri pushkë gjuetie, një pushkë e prodhimit italian dhe një pushkë M-48 . Po ashtu, secili prej luftëtarëve ishte i pajisur edhe me nga një bombë dore. Njëri prej luftëtarëve të kësaj pike ishte edhe dëshmori Hamdi Qallapeku. Prgjegjës i pikës te Dy Lisat Binjakë të Qëndresës ishte caktuar Halim Qallapeku.

Pas ngritjes së pikës ushtarake Te Dy Lisat Binjakë, së shpejti pika të tilla u formuan edhe në lagjet e tjera të fshatit Qëndresë, Bazaj, Gjokaj, Gashani e të tjera. Në këto rrethana, fshati Qëndresë u bë zonë e lirë, nëpër të cilën nuk mund të depërtonin forcat serbe, e që mbeti e tillë deri në kohën e ofansivës së përgjithshme në shtator të vitit 1998. Meqenëse nevojat e këtyre pikave, por edhe e atyre të fshatrave të tjera dhe të Shtabit të UÇK-së në Likoc, për armatim ishin të mëdha, bashkëluftëtarët e pikës ushtarake ku bënte pjesë Hamdiu, në pranverë të vitit 1998 shkuan në Shqipërinë administrative për të marrë armë e municion. Grupin e parë të luftëtarëve furnizues e kishte udhëhequr kushëriri i Hamdiut, Mujë Qallapeku. Grupi i dytë i luftëtarëve prej rreth 1200 vetash nga zona e Drenicës u nis për në Shqipëri me qëllim armatimi, në korrik të vitit 1998. Një pjesë të rrugës ata e kaluan nëpër zonën e çliruar nga UÇK-ja, duke filluar nga Qëndresa, nëpër Terdec, Negroc, Malishevë e deri në Gllogjan.

Hamdiu me bashkëluftëtarë kishte marrë pjesë në beteja të shumta, jo vetëm në fshatin Qëndresë e në fshatrat përreth, por kudo që e kërkonte nevoja, që nga Likoci, Açareva, Llapushniku e deri në Kijevë.

Pas ristrukturimit dhe zgjerimit të UÇK-së në vjeshtë të vitit 1998, Pika ushtarake e Qëndresës u përfshi në kuadrin e Brigadës 113 “Mujë Krasniqi”. Ushtarët e kësaj pike, ndër ta edhe Hamdi Qallapeku morën pjesë betejë pas beteje kundër forcave pushtuese serbe, kudo në zonën e Drenicës dhe më gjerë. Beteja e 12 prillit të vitit 1999 ishte e fundit për dëshmorin Hamdi Qallapeku. Atë ditë, militarët çetnikë serbë ndërmorën ofansivë rrethimi kundër pozicioneve të luftëtarëve të fshatit Qëndresë. Në orët e mëngjesit ata kishin filluar lëvizjen nga lagjja Dvorani në drejtim të lagjeve Qallapeku, Mulaj, Bazaj e Spahia. Lëvizja në këtë drejtim e militarëve serbë u bë edhe nga drejtimi i Skënderajt. Në këto rrethana, popullata civile e fshatit Qëndresë u tërhoq në drejtim të fshatit Abri e Epërme, ndërsa pjesëtarët e UÇK-së ndodheshin të pozicionuar në pozicionin e parë te Dy Lisat Binjakë, në pozicionin e dytë te lagjet Mulaj e Qallapeku dhe në pozicionin e tretë te Boka e Munishëve, në drejtim te Abrisë së Epërme. Forcat serbe granatonin pa ndërprerë pozicionet e UÇK-së me qëllim të spastrimit të terrenit, për t’ia mundësuar depërtimin këmbësorisë. Nga granatimet, rreth mesditës u plagos luftëtari Qazim Qallapeku. Pasdite, rreth orës 17, në drejtim të pozicioneve të UÇK-së filloi të lëvizë këmbësoria serbe, me ç‘rast luftimet filluan të zhvillohen në distancë të vogël. Asaj i arrin edhe autoambulanca për shkak të luftimeve të ashpra dhe humbjeve të mëdha. Pjesëtarët e UÇK-së rezistuan dhe luftuan heroikisht, me ç‘rast asgjësuan pothuajse një bateri të tërë të forcave serbe, si dhe kapën armë e municion. Në luftime e sipër, në lagjen e Munishëve, Hamdi Qallapeku u godit nga armët e lehta të forcave serbe. Në pozicione me të, në këto luftime në altarin e lirisë ranë edhe dy bijtë e axhës së Hamdiut, Mujë Qallapeku e Brahim Qallapeku, si dhe u plagos djali i vëllait, Arsimi. Po ashtu ranë edhe Mehmet Qallapeku e Besim Feka nga Likoci i cili qëndroi heroikisht deri në fishekun e fundit të armës.

Në këto luftime u plagosën Bajram Qallapeku e Hajrush Qallapeku. Po ashtu u vranë edhe disa pjesëtarë civilë të logjistikës së UÇK-së, ndër ta edhe Rrahim Qallapeku, Ismet Qallapeku, Nuredin Munishi e Shaqir Franca.

Dy ditë më pas, trupat e dëshmorit Hamdi Qallapeku e të dëshmorëve të tjerë u varrosën nga bashkëluftëtarët, në varrezat e lagjes Francaj. Në shtator të vitit 1999, kur tashmë kishte marrë fund lufta çlirimtare, trupi i dëshmorit Hamdi Qallapeku e i dëshmorëve të istkamit të tij, u rivarrosën në varrezat e dëshmorëve Te Dy Lisat Binjakë. (N. M.)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …