Pse Lëvizja për Bashkim nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e 14 shkurtit?

Pse Lëvizja për Bashkim nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e 14 shkurtit?

Kosova më 14 shkurt do t’i mbajë zgjedhjet e përgjithshme për Kuvendin e Kosovës. Këto zgjedhje po mbahen në një situatë kur është qartësuar plotësisht që, sa i përket çështjes kryesore politike me të cilën përballemi aktualisht: bisedimeve në mes të Kosovës dhe Serbisë, në Kosovë ekzistojnë dy alternativa. Njëra alternativë sot përbëhet nga ata që janë për status-quo apo për “zgjidhje” përmes “Asociacionit”, e që do të rezultonte me Kosovën shtet plotësisht jofunksional; ndërsa alternativa tjetër është për ripërcaktim të kufijve në bazë të përkatësisë kombëtare të popullatës në zonat kufitare, e që do të rezultonte me vendosje të plotë të sovranitetit të Kosovës.

Të gjitha partitë që përfaqësojnë alternativën e parë, sot mund të thuhet se janë të konsoliduara në një bllok politik populist që, të shtyra nga mungesa e vizionit dhe e guximit politik apo nga qëllime elektorale, kanë punuar pareshtur në ndërtimin e një mashtrimi të madh para qytetarëve, sipas të cilit ideja e ndryshimit të kufijve është e rrezikshme dhe e dëmshme. Kontribut të madh në ndërtimin e këtij koncepti kanë dhënë edhe disa nga faktorët kryesorë ndërkombëtarë, të cilët për një dekadë e kanë mbështetur pa rezervë atë. Madhësia e këtij mashtrimi e ka pushtuar dhe e ka ngushtuar jashtëzakonisht shumë hapësirën garuese për subjektin e vetëm me ide të tillë, – Lëvizjen për Bashkim. Prandaj kësaj radhe, fatkeqësisht, pjesë e zgjedhjeve do të jenë vetëm partitë që nuk kanë zgjidhje për problemin kryesor të vendit.

Lëvizja për Bashkim ripërcaktimin e kufijve e konsideron jetik për funksionalizimin e shtetit të Kosovës. Përkundër faktit se LB-ja nuk është e vetmuar në këtë ide, përkundër faktit se ajo e ka përkrahjen në rritje edhe të një pjese të opinionit publik e të shumë intelektualëve e qytetarëve, ajo nuk ka arritur deri më sot, edhe për shkak të arsyeve të cekura më lart, që rreth kësaj alternative të konsolidojë një bllok politik që do të përfaqësonte një opsion elektoral. Pavarësisht kësaj dhe, duke qenë e sigurt se alternativa që ofron blloku tjetër politik nuk do të jetë zgjidhje, por zvarritje dhe thellim i problemit,  Lëvizja për Bashkim do ta vazhdojë e palëkundur punën për avancimin e idesë së saj, si zgjidhja e vetme që e zgjidh problemin. Në këtë drejtim janë krijuar lehtësime të mëdha, ngase faktorë të rëndësishëm ndërkombëtarë kanë lëvizur nga pozicionet e mëparshme të tyre.

Në anën tjetër, duke e pasur parasysh këtë dallim të thellë konceptual me krejt bllokun tjetër politik, Lëvizja për Bashkim, në këtë moment kritik nëpër të cilin po kalon Kosova, përkundër ofertave që ka pasur, e sheh të paarsyeshme që të jetë në koalicion me parti të cilat i takojnë bllokut që bisedimet me Serbinë dhe zgjidhjet e mundshme i shohin vetëm përmes syrit populist dhe rezultatit elektoral. Bllokut që me kokëfortësi po e mbanë peng zgjidhjen e problemit më madhor që ka sot Kosova.

Për këtë qëllim, Lëvizja për Bashkim konsideron se është moment shumë i rëndësishëm që kësaj alternative politike, e vetmja që ofron zgjidhje, t’i bashkohen sa më parë të gjithë ata që besojnë në të dhe kështu këtë alternativë ta shndërrojnë në një bllok politik që do ta nxirrte Kosovën nga gjendja e rëndë e status-quos në të cilën është sot dhe do t’i parandalonte zgjidhjet e dëmshme për Kosovën dhe shqiptarët që mund të vijnë nesër.

LËVIZJA PËR BASHKIM

13.1.2021

Kontrolloni gjithashtu

Shpresa Bajraktari: Krenari – 80 vjetori i çlirimit të Tiranës !

Krenari – 80-vjetori i Çlirimit të Tiranës! 17 nëntori 1944 është Dita e Çlirimit të …