Reçaku sot, në këtë ditë dimri zbardhet si zog feniksi, me plot dinjitet e krenari, me kujtim e mos-harrim për më të dashurit, me besë-betimin e ruajtjes me çdo kusht dhe me çdo çmim të lirisë e pavarësisë, pa çka se kriminelët nuk janë dënuar, nuk e kanë marrë dënimin dhe nuk janë penduar për krimet, nuk kanë kërkuar falje dhe nuk do të kërkojnë kurrë, sepse ëndrra dhe aspirata e tyre për gjak, për krim, për dhunë, është pjesë e ADN-së së tyre të gjakosur, që ka masakruar jo vetëm në Kosovë po kudo, në Ballkan, në Kroaci, në Bosnje në Hercegovinë… Ëndrra e tyre është bota e tyre e pështirosur, është Sodoma e Serbia të dyja bashkë, të lidhura përjetësisht në barbari, dhunë e mizori.
Njëra ndër datat më të paharruara të historisë sonë më të re, është edhe 15 janari i vitit 1999, që shënon ditën kur në Reçak, pas përballimit së togës së Reçakut të UÇK-së, me kohortat vrastare të Sllobodan Milosheviqit, pas rënies heroike të nëntë luftëtarëve të lirisë dhe plagosjes së shumë të tjerëve, vrastarët serbë kishin depërtuar te popullata civile, e cila nuk kishte arritur të tërhiqej me kohë dhe mbi kokat e tyre kishte filluar ploja e llahtarshme, vrasja masive, vrasja mizore, masakrimi barbar i kufomave i të gjithë atyre banorëve të fshatit, që kishin bërë përpjekje të iknin nga duart e barbarisë së “Mabusit” të asaj kohe.
Dhe sot, qysh në orët e mëngjesit, mijëra liridashës nga mbarë Kosova e më gjerë ishin nisur rrugëve për të Reçak, me qëllim për të përkujtuar të rënët, martirët, familjet e të afërmit e tyre, pavarësisht se është ditë me acar dimri dhe situatë e pandemisë.
Sot shkojnë në Reçak, çlirimtarët, dinjitarët por edhe politikanët që nuk i kanë dhënë asnjë fije floku luftës për liri. Reçaku me zemrën e madhe me kujtimin e dëshmorëve e martirëve, është i hapur për të gjithë dhe mirëpret vizitorë, në kujtim të luftës, lirisë, pavarësisë por edhe brengës për fatin e çlirimtarëve të arrestuar nga Gjykata Speciale, e cila ende nuk ka dënuar asnjë masakrues serb për mizoritë e shtazarakitë, por akuzon çlirimtarët, pse iu kanë kundërvënë forcave barbare serbe dhe spiunëve të tyre shqipfolës.