Smajl Tafil Fetahaj (25.1.1980 – 12.4.1999)

Smajl Tafil Fetahaj (25.1.1980 – 12.4.1999)

Fshati Tedel (Vrellë) i komunës së Burimit, ishte pothuajse epiqendra e organizimit, por edhe e rezistencës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në trevën veriore e verilindore të zonës operative të Dukagjinit që përfshin fshatrat nga burimi i Drinit të Bardhë e deri te qyteza e Burimit (Istogut). Nga ky fshat u inkuadrua në radhët e UÇK-së një numër i madh të rinjsh e burrash, shtatë prej të cilëve dhanë edhe jetën për lirinë e Kosovës. Luftëtarë të tjerë morën plagë në trup në fushëbeteja, kurse është i madh edhe numri i viktimave civile, të cilat pësuan nga barbaria e pushtuesit serb.
Njëri prej atyre që ra për Kosovën në vijën e frontit përballë hordhive ushtarake serbe është edhe dëshmori Smajl Fetahaj, i lindur më 25 janar të vitit 1980, në fshatin Tedel. Ai ishte inkuadruar në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, në kuadrin e Brigadës 133 “Adrian Krasniqi”, e cila u formua në fillim të janarit të vitit 1999, me besimin e palëkundur te fitorja e pashmangshme dhe me vendosmërinë për ta çuar deri në fund luftën çlirimtare, sepse kishte arritur momenti historik i alternativës: liri a vdekje! Duke shprehur këtë përkushtim, Smajli që nga fillimi i angazhimit të tij, me ndjenjë të lartë përgjegjësie kryen detyrat që i ngarkohen, sidomos në vëzhgimin e terrenit, në hapjen e istikameve dhe në veprime të tjera parapërgatitore që do të rezultojnë me shtrirjen e frontit të hapët të luftimeve në këtë zonë që nga 24 marsi 1999, kur makinerisë serbe të luftës iu hap edhe fronti tjetër nga ajri, ai i bombardimeve nga NATO-ja. Rrethanat e krijuara e shtuan edhe më shumë moralin luftarak të Smajlit, prandaj ditët në vijim ai do të gjendet atje ku e kërkon nevoja për të mbrojtur nderin e kombit e të vendit të vet. Ai bashkë me shokët e armës do të ballafaqohet pothuajse çdo orë e çdo ditë me granatime topash e minahedhësish, që vinin nga pozicionet e forcave serbe në Banjë, Dobrushë, Kodër të Tomocit, Lubozhdë e vende të tjera. Forcat serbe synonin ta merrnin nën kontroll arterien rrugore që lidh fshatrat e rrëzëbjeshkës, nga Burimi në drejtim të Banjës e të Radafcit ku kalonte rruga për në Rozhajë. Përë këtë qëllim ato kishin planifikuar një aksion të pëqendruar ushtarak, i cili u ndërmor më 12 prill 1999, i cili kishte për qëllim depërtimin në zonën e kontrolluar nga UÇK-ja dhe dëbimin me terror të popullatës së kësaj zone nga Kosova. Në këtë aksion u angazhuan mjete të rënda ushtarake dhe armë artilerike të kalibrave të mëdhenj, me të cilat u sulmuan pozicionet e UÇK-së të cilat ishin të vendosuara në Lubozhdë, Tedel, Studenicë e në vende të tjera. Në betejën e ashpër të asaj dite, ku në pozicione lufte ranë 12 luftëtarë të lirisë, mori pjesë edhe i riu Smajl Fetahaj. Ai ndodhej në mesin e shumë shokëve bashkëluftëtarë, ndër të cilët edhe dëshmorët: Ismet Bicaj, Arben Visoqi, Xhafer Mehmetaj, Muharrem Vuthaj, Feriz Blakaj, Skënder Maraj, Nezir Mujaj, Abedin Dërvishaj e të tjerë.
Për realizimin e strategjisë së tyre, më 12 prill forcat e armikut ndërmorën një sulm frontal ushtarak nga drejtimi i Burimit. Këtij sulmi i rezistuan me të gjitha forcat dhe mjetet pjesëtarët e UÇK-së nga pozicionet në Lubozhdë, Tedel, Studenicë e në pika të tjera. Beteja zgjati prej orëve të paraditës deri në mbrëmje. Në mesin e luftëtarëve të pozicionuar në Tedel në betejën e asaj dite gjendej edhe dëshmori Smajl Fetahaj. Ai u shqua me trimëri e heroizëm në përballjen me armikun dhe qëndroi deri në rënie.
Ndërkohë familja e Smajlit, sikurse edhe tërë popullata e fshatrave të kësaj treve ishte larguar nga shtëpia dhe fillimisht ishte vendosur në fshatin Studenicë, ku ndodhej edhe shtabi i Brigadës 133, kurse pas intensifikimit të luftimeve dhe depërtimit të forcave serbe në Tedel, u largua për në Rozhajë e Mal të Zi.
Pas përfundimit të luftës, në verë të vitit 1999, trupi i dëshmorit Smajl Fetahaj u gjend i varrosur në varrezat e qytetit të Pejës, atje ku ishin varrosur edhe dëshmorët Ismet Bicaj, Xhafer Mehmetaj, Nezir Mujaj e të tjerë. Rivarrimi i tij u bë nga bashkëluftëtarët, me nderime të larta ushtarake, në fshatin e lindjes.
Dëshmori Smajl Fetahaj kishte të kryer shkollën fillore. Ai kishte tetë vëllezër e motra: Fatimen, Halimen, Hasanin, Shabanin, Valmirin, Manën, Eminen dhe Haxheren. Prindërit e tij, Tafili e Hala i kishin rritur ata me përkushtim, por edhe me mjaft mund. Për të siguruar kushtet e jetesës, babai i Smajlit ishte detyruar të punojë për shumë vite rresht në emigracion, në Gjermani.
Emri i dëshmorit Smajl Fetahaj është radhitur në mesin e emrave të dëshmorëve të Brigadës 133 të UÇK-së, në monumentin e ngritur në Tedel. Po ashtu, ai ia shton dritën edhe pllakës përkujtimore të shtatë dëshmorëve të fshatit të tij, zbuluar në Tedel. (N. M.)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …