Për disa analistë që e kanë rehatuar veten e tyre bashkë me familjet në shtetet e Evropës, vetëm përmendja e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, dhe po e nxitka Serbinë për luftë.
Këta ikanakë, për të cilët Kosova nuk do të thotë më asgjë, sepse për ta atdhe është atje ku hahet, pihet dhe jetohet më mirë, tani nga Franca e Gjermania na mësojnë si të jetojmë këtu në Kosovë, si u dashka të veprojmë, meqë për vetët e tyre, me vetë fatin që janë evropianizuar, konsiderojnë se u dashka t’ ua dëgjojmë fjalët, këshillat e tyre, në mënyrë që të mos gabojmë sikur kemi gabuar në kohën kur i rrokëm armët dhe iu vërsulem Serbisë, pa i pyetur këta analistë me gjokset e stolisura me plot diploma, të cilët me kohë ishin larguar nga Kosova për të shpëtuar prapanicat.
Ata, përmes gazetës më antikombëtare që botohet në gjuhën shqipe, “Bota sot” deklaratat e Ramush Haradinajt për bashkimin e Kosovës me Shqipërisë i quajnë populiste të pamatura, të pafavorshme dhe të dëmshme, dhe si të tilla, sipas mendjeve të tyre po i shërbyekan vetëm Serbisë. Kështu reagonin dikur edhe baballarët ideologjikë të këtyre dhe të tillëve, në vitin 1981 e më vonë, duke kërcënuar se kërkesa për Kosovën Republikë po i shërben Serbisë për të na marrë edhe autonominë.
Ka të tillë nga ky “qymez dijetarësh, analistësh”, të cilët deklaratën e Ramush Haradinajt e konsiderojnë si përpjekje për ta manipuluar opinionin publik, me qëllim për të fituar poenë politik dhe për të marrë vëmendje mediatike.
Ja deri ku shkon mendja e tredhur e këtyre ikanakëve nga atdheu i tyre, të cilët shprehen hapur dhe pa pikë turpi kundër bashkimit kombit të ndarë e të copëtuar në pesë pjesë.
Asnjëri nga këta nuk e ka lexuar, apo e ka anashkaluar me qëllim deklaratën e kancelares gjermane, Angela Merkel dhe të shumë diplomatëve përparimtarë kudo në botë, të cilët pranojnë hapur se trojet e Shqipërisë janë aneksuar nga Greqia, Bullgaria, Serbia e Mali i Zi me bekimin e Evropës dhe Rusisë. (RKL)