Kuvendi i Kosovës gjatë vitit të kaluar ka shpenzuar mbi 6.5 milionë euro për paga dhe mëditje, udhëtime, dreka e darka dhe për karburante. Kjo shumë është më e lartë sesa vitet paraprake, megjithë faktin që në sesionin vjeshtor Kuvendi ka mbajtur vetëm pak seanca plenare si pasojë e bllokimit nga ana e partive opozitare. Këto shpenzime alarmante bëhen në një kohë kur ligjvënësit nuk kanë qenë asnjëherë në lartësinë e detyrës. Mbikëqyrësit e punës së Kuvendit thonë se këto shpenzime janë në shpërputhje me punën që është bërë, pasi që vetëm 34 përqind e agjendës legjislative është plotësuar, që do të thotë se nga 137 ligje sa është paraparë të miratoheshin, vetëm 47 prej tyre kanë kaluar.
