Isak Shefki Lutolli (21.10.1971 – 13.4.1999)

Isak Shefki Lutolli (21.10.1971 – 13.4.1999)

Dëshmori i kombit Isak Lutolli u lind në fshatin Llapashticë e Epërme të komunës së Besianës, më 21 tetor 1971. Shkollimin fillor e kreu në shkollën e fshatit të lindjes, ndërsa shkollën e mesme në Besianë. Qysh si i ri shfaqi interesimin e tij për rrugën atdhetare duke qenë aktiv në aktivitete të ndryshme që organizoheshin aso kohe nga njerëzit liridashës për çlirim nga okupatori shekullor. Ishte pjesëmarrës i shumë protestave dhe demonstratave që organizoheshin në Besianë.
Dalja në skenë e UÇK-së për Isakun ishte një moment që e gëzoi pa masë dhe menjëherë nisi interesimet e tij që një ditë të jetë në radhët e saj. Kontaktet e para i krijoi në tetor të vitit 1998 në Llapashticë të Epërme, kurse pjesëtar i rregullt i UÇK-së u radhit që nga 24 dhjetori 1998, duke mos pushuar aktivitetin çlirimtar deri në rënien e tij, më 13 prill 1999. Për herë të parë Isaku ishte sistemuar në njësitin “Ulpiana 38” që vepronte në fshatin e tij të lindjes. Me rastin e radhitjes në radhët e UÇK-së ai solli me vete edhe armën e tij personale, pushkën M-48. Paraprakisht kishte kryer stërvitjet e nevojshme që ishin të obliguara për të gjithë ata që dëshironin të jenë pjesëtarë të UÇK-së për të mësuar gjërat elementare për luftë.
Dëshmori Isak Havolli ishte pjesëtar i njësitit ”Ulpiana 38”, Batalioni i Parë, Kompania e Dytë të Brigadës 152 “Shaban Shala” të UÇK-së.
Njëra nga betejat e lavdishme të UÇK-së të ZOLL-it ishte ajo e Tabeve të Llapashticës, në të cilën tërë Llapi përjetësoi lavdin e Tabeve. Ai vend i njohur ishte fole dhe fortifikatë e UÇK-së, ku prej 15 shtatorit 1998 deri më 24 mars 1999 u thyen me dhjetëra ofensiva serbe, që mësynë pozicionet e UÇK-së. Në këtë betejë u mposht fryma e pushtuesit njëherë e përgjithmonë dhe u shua miti se ushtria serbe është e pamposhtur. U tregua se UÇK-ja ishte bërë faktori kryesor i cili do të shpinte drejtë realizimit të synimeve shekullore të popullit shqiptar të Kosovës. Kjo fitore erdhi me shumë sakrifica. Vlen të ceket heroizmi i pashoq i Isë Havollit në betejën e 24 dhjetorit 1998 kur si dikur Mic Sokoli u hodh mbi tankun e armikut. Ky heroizëm i tij ishte inspirim edhe për Isakun dhe shumë luftëtar të tjerë të lirisë së kësaj treve. Prandaj, që nga ajo ditë Isaku çdo herë ishte në frontet e luftës.
Ndër bashkëluftëtarët më të ngushtë të Isakut ishin Adil Lutolli, Skënder Havolli, Hilmi Havolli, Ilir Havolli etj.
Derisa Isaku ishte në një mision ushtarak bie në pritën e organizuar të forcave serbe, e ngritur në fshatin Dafinet dhe në dyluftim me forcat serbe bie heroikisht më 13 prill 1999. Kriminelët serbë, për t’ia humbur edhe gjurmët, kishin arritur ta marrin trupin e dëshmorit dhe e kishin varrosur në varrezat e qytetit të Prishtinës, ku u identifikua pas përfundimit të dhe u rivarros në fshatin e tij të lindjes më 22 dhjetor 2008.
Gjatë kohës së luftës çlirimtare, pushtuesi serb ia kishte vrarë Isakut ia kishte vrarë edhe axhën Raifin dhe djalin e axhës, Dautin.
Dëshmori i kombit ishte i martuar me Bastrien nga Metehia me të cilën kishte djalin Ardriti, i cili ende nuk i kishte mbushur dy vite, në kohën kur ra dëshmor.
Ndonëse ishte kujdesëtar i vtëm në familje, Isaku nuk kishte hezituar të angazhohej në luftën çlirimtare, për ta luftuar armikun deri në fishekun e fundit dhe deri në ditën e çlirimit përfundimtar. Vërtet ai nuk e lëshoi armën nga dora deri në ditën e rënies së tij kur fitoi pavdekësinë.
Fotoja e dëshmorit të kombit Isak Lutolli është e vendosur në Lapidarin e dëshmorëve të kombit te Tabet e Llapashticës, si dëshmi e gjakut të derdhur në betejat e njohura të UÇK-së.
Pas përfundimit të luftës, familja e dëshmorit Isak Lutolli, u nderua me mirënjohje nga shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së në Besianë, për kontributin e dhënë në luftën çlirimtare të UÇK-së. (M. K.)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …